Deniona Grillo aktualisht jeton në Bruksel, por ka jetuar në Afrikë për rreth 15 vite. Për 8 vite Deniona ka punuar në Tanzani ku ka themeluar bashkë me nënat afrikane që kishin fëmijë me aftësi të veçanta një organizatë jo fitim prurëse.
Projektet kishin për bazë t’u mësonte atyre si të prodhonin aksesorë shumëngjyrëshe afrikane e më pas t’i shisnin ato. Ajo ka organizuar dhe sfilata mode, ku është vlerësuar me çmimin “Humanitarian Awards of the Year 2016”, sfilatë që bëhej një herë në vit.
Aktualisht Deniona gjendet ne Bruksel me familjen ku vazhdon të punojë në fushën e modës. E ftuar sot në mëngjes në “Boeing 104.6” ajo rrëfeu sesi ishte eksperienca e jetës në vendin më të pasur nën tokë dhe me të varfër mbi tokë.
“Afrika është një vend shumë normal për të jetuar, duke e parë me një sy europian themi si kanë mundësi që hanë me duar, por kjo është pjesë e kulturës tyre. Arsyeja pse flenë në tokë, nuk mbajnë frigorifer, por ata janë shumë të lumtur me jetën e tyre, ne habitemi, por ata mund të jenë më të lumtur se ne. Për mua ka qenë një kurë shpirtërore kjo mënyrë e jetesës tyre. Për mikeshat e mia në Afrikë, kuzhina jonë ishte shumë e veçantë, sepse unë isha shqiptarja e parë që shkoja në atë zonë. I kam prezantuar me byrekun, tavë dheu, perime të mbushura etj.. Kur im shoq më tha do ikim në Afrikë, i thash menjëherë: Po ikim. Fakti që unë vija nga Shqipëria, ishte ndoshta kjo arsyeja pse u përshtata sepse ishin disa gjëra që nuk më trembnim, si varfëria, pluhuri, rrëmuja. Janë një popull shumë i çiltër, shumë miqësor, çdo gjë që kanë e ndajnë me njëri-tjetrin”, thotë ajo.
Pas përfundimit të kontratës së punës që bashkëshorti kishte në Afrikë, ata vendosën për tú kthyer sërish në Bruksel, sepse donin që fëmijët e tyre, tashmë adoleshentë të njiheshin me kulturën europiane.
“U kthyem në Bruksel, pasi fëmijët janë adoleshentë dhe ishte koha të përballeshin me një jetë tjetër. Një nga djemtë lindi në Afrikë dhe gjatë asaj kohe unë isha në shtëpi dhe kujdesesha për fëmijët. Duke qëndruar në shtëpi nisa të merrem me pasion tim për të stiluar dhe nisa të krijoi bizhuteri. Më pas nisi projekti me gratë afrikane për të krijuar bizhuteri, i cili rezultoi mjaft i suksesshëm. Ambienti atje ishte shkaku kryesor më frymëzoi të nis këtë projekt. Atje kishte shumë copa, shumë ngjyra dhe mendova të përdor materiale që i gjeja atje, me një produkt që vinte nga ai vend, ndaj nisa të krijoi bizhu me copa shumëngjyrëshe. Unë vazhdoj ende krijoi me produkte afrikane, por duke i përshtatur pak me ambientin ku jam tani.” /diasporashqiptare/ KultPlus.com