Si sot, më 27 dhjetor 1923, Fan Noli u zgjodh deputet i Korçës

Jeta parlamentare e Nolit nisi me zgjedhjet e mbajtura më 5 prill 1921, kur mori detyrën si deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921-30 shtator 1923). Në vijim ai shërbeu për pak kohë si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit. Ishte kryetar i Partisë Popullore.

Qe figura kryesore e Lëvizjes së Qershorit 1924. Pas Triumfit të Legalitetit, u dënua me vdekje në mungesë. Sipas vetë Nolit, programi i tij prej njëzet pikash (dokumenti më poshtë) për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, çalonte tek theksi që i vinte reformës agrare.

Në shumatoren e angazhimit të tij të dendur pikëtakoheshin veprimtari të larmishme, siç qenë: poezia, filozofia, historia, politika dhe feja, të cilat priheshin në ansambël nga qëllimi i ngutshëm i konsolidimit të shtetit të ri shqiptar. Megjithëkëtë, vokacioni i tij i njëmendtë qe priftëria. / KultPlus.com

Kamberi: Zotohem se do t’i mbrojë interesat e shqiptarëve të shtypur dhe të diskriminuar

Shaip Kamberi është rizgjedhur si deputet në Parlamentin e Serbisë, pasi siguroi 698 vota në zgjedhjet që janë mbajtur në Tërnoc të Bujanocit.

Pas rizgjedhjes, Kamberi ka reaguar përmes një postimi në Fcaebook, ku është shprehur se gjithë pengesat, shqiptarët kësaj radhe nuk mbeten pa deputet në parlamentin e ri të Serbisë.

“Me krejt politikën dhe veprimet penguese të (pu)shtetit, shqiptarët vendorë nuk mbeten pa deputet në parlamentin e ri të Serbisë.

Kjo sot falë votuese të Tërnocit. Kjo në përgjithësi falë vullnetin të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Kjo falë punës së palodhshme të aktivistëve dhe simpatizuesve, atyre të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës. Kjo falë përkrahjes së madhe nga kudo ku përqafohen vlerat e demokracisë liberale. Nga kudo ku flitet shqip.

Ju faleminderit të gjithëve nga zemra”, ka shkruar Kamberi i cili tutje ka potencuar që përgjegjësitë janë të mëdha. Problemet janë të shumta. Konteksti është i vështirë.

Por me punë dhe unitet do t’ia dalim.

“Zotohem se do të jem deputet i të gjithëve.

Zotohem se do t’i mbrojë interesat e qytetarëve që duan të drejta dhe mirëqenie. Interesat e shqiptarëve të shtypur dhe të diskriminuar.

Zotohem se do ta ndjek politikën e orientimeve pro-perëndimore, për paqe të qëndrueshme në rajon.

Vazhdojmë bashkë!

Për liri, për barazi, për demokraci”, përfundon Kamberi. / KultPlus.com

Korab Rashiti zgjedhet deputet në Parlamentin e Kantonit të Bernës

Korab Rashiti, i cili kishte kandiduar për një vend në Parlamentin Kantonal të Bernës, në zgjedhjet e mbajtura më 27 mars të këtij viti, në bazë të rezultateve të shpallura pas zgjedhjeve i kishte munguar numri i votave që të zgjidhej.

Por, tani, duke qenë se ishte i pari në radhën e listës në nga ata që nuk ishin zgjedhur, pas tërheqjes së dy fituesve, vendi në parlament u lirua për Korab Rashitin.

Duhet theksuar se, duke fituar këtë vend në parlament, Korabi bëhet shqiptari i parë, parlamentar kantonal i Bernës dhe, pa diskutim, i pari politikan shqiptarozviceran në gjithë Zvicrën që zgjidhet në çfarëdo niveli, nga partia SVP/UDC.

Gjithashtu, Korab Rashiti është një nga fare pak politikanët shqiptarozviceranë që janë zgjedhur deri më sot në nivele kantonale, prandaj ky është një sukses i dalluar i tij.

Ja çfarë shkruan mediumi rjb.ch në gjuhën frënge lidhur me rastin. Anëtarët e zgjedhur të Këshillit të Qytetit të Bielit, Luca Francescutto dhe Patrick Widmer kanë hequr dorë nga ky mandat politik. Pas një pezullimi të gjatë, ulësja i takon një kandidati frengjishtfolës.

Kështu i erdhi fundi një sage brenda SVP-së së qytetit Biel/Bienne: vendi në Këshillin e Madh (parlamentin Kantonal) që shkon në pjesën frëngjishtfolëse të seksionit të kësaj partie ka gjetur më në fund titullarin. Ky është Korab Rashiti. Njoftimi u bë të martën në një deklaratë zyrtare për shtyp.

Të hënën, presidenti i seksionit Patrick Widmer kishte hequr dorë nga posti i deputetit, për arsye profesionale. Përpara tij ishte tërhequr për të njëjtat arsye edhe oficeri i policisë Luca Francescutto, i zgjedhur për herë të parë.

Korab Rashiti, i lindur me 05 korrik 1986 në qytetin Morges, Kantoni Vaud, Zvicër, në vitin 1987, bashkë me familjen është vendosur në Biel/Bienne të Kantonit të Bernës. Në këtë qytet ka kryer shkollën fillore dhe të mesme  dhe më vonë e ka kryer MBA (Master Business Administration). Pastaj një vit ka qëndruar në SHBA për studime ekonomike. Aktualisht është anëtar i institutit Mises (Të Shkollës Ekonomike Austriane).

Korab Rashiti flet rrjedhshëm gjuhën shqipe, frënge, gjermane, angleze dhe pak a shumë edhe atë italiane. Aktualisht kryen detyrën e shefit Specialist i Sigurisë dhe Kualitetit në SBB/CFF në Bernë.

Në prononcimin për albinfo.ch, Korabi kishte vënë theksin në përkushtimin e pritshëm të tij sa i përket pozitës së komunitetit shqiptar në kantonin e tij, në rast të zgjedhjes.

Kështu ishte shprehur ai në intervistën që albinfo.ch pati zhvilluar me të, pak para zgjedhjeve, në mars të këtij viti.

“Sa i përket interesimit dhe angazhimit tim konkret rreth komuniteteve të huaja dhe sidomos rreth komunitetit shqiptar në Zvicër, prioritetet e mia janë të shumta: Ka kohë që jam duke debatuar për krijimin e një Grupi Parlamentar për Kosovën (GPK). Mendoj se ky Grup Parlamentar do të lobonte për lidhje më të forta institucionale në mes Zvicrës dhe Kosovës. Një prioritet tjetër imi është afrimi, bashkëpunimi dhe binjakëzimi në mes komunës së Bernës dhe komunës së Prishtinës. Gjithashtu do të punoj që ky binjakëzim të ndodhë edhe me komunat tjera të Kantonit të Bernës dhe të Kosovës.

Mendoj që organizimi i shkollës shqipe në Kantonin e Bernës duhet të kalojë përmes institucioneve përkatëse kantonale dhe komunale, ndaj jam duke punuar shumë në informimin e opinionit. Do të jem aktiv në shtypin dhe televizionin e Bernës për afirmimin e mundësive reale për një bashkëpunim sa më të madh në mes komuniteteve të ndryshme, pavarësisht origjinës së tyre. Do të përpiqem me fakte dhe argumente t’i prezantoi vlerat më të larta tradicionale, kulturore dhe sportive të komunitetit shqiptar, shkruan albinfo.ch.

Një prioritet tjetër imi është që të punoj sa më shumë për krijimin e hapësirave në mjetet e informacionit në kuadër të Kantonit dhe më gjerë për komunitetin shqiptar; lidhjet e tij me të gjitha asociacionet që veprojnë në kuadër të kantonit me qëllim të bashkëpunimit dhe këmbimit të përvojave dhe vlerave kulturore ndërmjet popujve të ndryshëm. Mund të them se komuniteti shqiptar do ta ketë një zë të fuqishëm në mbrojtje dhe avancim të pozitës së tij në kuadër të institucioneve përkatëse. Vetëm duke u futur brenda çdo institucioni, vetëm duke bashkëpunuar me njëri tjetrin, mund  të radhitemi aty ku e kemi vendin dhe gjithsesi mund të hidhet poshtë çdo dezinformatë. Kjo nuk mund të bëhet assesi duke qëndruar në distancë. Ky ka qenë një motiv i fortë imi që të anëtarësohem në këtë parti”. / KultPlus.com

Shqiptari Muharrem Maloku, kandidat për deputet në Zvicër

Muharrem Maloku nga fshati Stanoci i epërm i Komunës së Vushtrrisë është kandidat për deputet në Sant Galen të Zvicrës.

I lindur në Stanoc të Vushtrrisë dhe i shkolluar në Zvicër, Muharrem Malokut i duhen votat e diasporës sonë në zgjedhjet e 27 shtatorit 2020, shkruan VushtrriaPress.

Më 27 shtator 2020, dita e diele është ditë e votimeve në Zvicër. Krahas disa referendumeve në nivel federal, të kantoneve dhe komunave, janë disa kantone dhe komuna ku zhvillohen edhe zgjedhjet për parlamentet gjegjësisht asambletë e tyre. / KultPlus.com

Sami Musa zgjedhet deputet në Parlamentin e Hamburgut

Kandidati i Partisë Socialdemokrate (SPD) me origjinë nga Pozharani i Vitisë në Kosovë, bëhet deputeti i parë me origjinë shqiptare në Parlamentin e Hamburgut. 35-vjeçari është një afaristë i njohur në Hamburg.

Sami Musa ka kandiduar në listën e Partisë Socialdemokrate, e cila në zgjedhjet e ditës së dielë (23 shkurt) ka fituar më shumë se 39% të votave dhe ka zënë vendin e parë në këtë qytet/land. Në këtë mënyrë, SPD do të mbetet në pushtet, ndonëse ka shënuar një rënie te votave prej më shumë se 6%. Por partneri i deritanishëm i SPD në koalicion, ekologjistët, kanë dyfishuar numrin e votave (me mbi 24%) dhe në këtë mënyrë, sipas të gjitha gjasave, jo vetëm që do të vazhdojnë qeverisjen e përbashkët, por do të forcojnë pushtetin. Pjesë e pushtetit do të jetë pra edhe deputeti i ri me origjinë nga Kosova, Sami Musa. Babai i tij Xhelil Musa është me origjinë nga Pozharani i Vitisë, ndërsa nëna me origjinë nga Austria. 

Lajmin për fitoren e Sami Musës e ka konfirmuar qysh ditën e djeshme për Deutsche Wellen babai i tij Xhelil Musa, një afarist i kahershëm në Hamburg. Më vonë të gjithë zgjedhësit ka falënderuar edhe vet Sami Musa, i cili premton realizimin e objektivave të premtuara gjatë fushatës elektorale. “Po i kam fituar 3661 vota dhe besoj se jam brenda në parlamentin e Hamburgut”, konfirmon Sami Musa. Deputeti i ri i Hamburgut ka falënderuar të gjithë ndihmësit dhe zgjedhësit, me fjalët se “votuesit janë angazhuar për demokraci”, ndërsa ai premton se do të angazhohet me të gjitha mjetet për realizimin e premtimeve dhe vlerave demokratike. “Unë nuk dua të pres që vetëm të tjerët të punojnë për mua dhe për ne, por dua të jap kontributin tim që gjërat t’i ndryshojë së bashku”, thotë për DW, Sami Musa.

Lajmin se Sami Musa do të jetë pjesë e parlamentit të Hamburgut e kanë botuar publikuar ndërkohë jo vetëm familja e tij, por edhe mediat gjermane. / KultPlus.com

Arbër Bullakaj nga Kosova, në garë për deputet në parlamentin zviceran

Arbër Bullakaj, nga Suhareka është bërë pjesë e garës elektorale si kandidat nga Partia Socialiste për deputet në parlamentin zviceran.

Gjatë një interviste të realizuar nga Naim Malaj për ATSH, Bullakaj rrëfen angazhimin e tij politik, nismat e veçanta dhe çfarë e frymëzoi atë për t’u bërë pjesë e kësaj fushate.

I larguar në moshën 8 vjeçare nga Kosova, Arbër Bullakaj thotë në intervistën për Naim Malaj se “një çështje që më fle në zemër ka të bëjë me nënshtetësinë”.

Angazhimi i Bullakajt në këto zgjedhje ku më 20 tetor votuesit zviceranë do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre për në Parlament dhe në Senat (Dhomën e Shteteve), dëshmon faktin se shqiptarët në Zvicër (rreth njëqind mijë me pasaportë zvicerane) nuk mund të qëndrojnë indiferentë ndaj këtyre zgjedhjeve. Për më tepër, një pjesë e tyre kanë zgjedhur t’i futen politikës për të qenë pjesë aktive e vendimmarrjes politike në këtë vend. Nuk janë të paktë ata që sot janë këshilltarë komunalë dhe deputetë në nivel parlamenti kantonal. Por, deri më sot, askush nuk ka arritur të zgjidhet në parlamentin federal. A do të ndryshojë kjo me zgjedhjet e 20 tetorit 2019?

Në vijim të portreteve të kandidatëve shqiptarë në këto zgjedhje, Naim Malaj ka realizuar një intervistë me Arbër Bullakajn, kandidat nga partia socialiste për deputet në parlamentin zviceran.

Një paraqitje e shkurtër e rrugëtimit tuaj, kush është Arbër Bullakaj? Cili është formimi i tij arsimor e profesional? Angazhimi i tij në politikë.

Bullakaj: Jam lindur në Kosovë në Suharekë. Isha vetëm 8 vjeç kur erdha në Zvicër së bashku me familjen time. Babai im ka punuar punë të rënda sezonale. Prindërit më kanë mësuar ta çmoj punën, sado e vështirë të jetë ajo. Jam i martuar dhe kam dy fëmijë.

Sa i përket arsimimit, në fillim studiova për kontabilitet dhe më pas si menaxhues i projekteve. Isha i ngarkuar me financat në një firmë konsulente ndërkombëtare në disa vende (Zvicër, Austri, Angli dhe Gjermani). Pastaj kam punuar për Departamentin e Financave si dhe në një kompani IT-Consulting (e pranishme në 21 shtete). Ndërsa që prej 8 vitesh kam firmën time këshilluese në zbatimin e softuerëve.

Angazhimi im politik fillon para shtatë vitesh me zgjedhjen time në parlamentin e qytetit Wiler. Isha shqiptari i parë në kantonin Saint-Gallen që po zgjidhesha si këshilltar komunal  nga vota qytetare. Që nga kjo kohë, kam udhëhequr disa fushata dhe nisma rreth migrimit, biznesit dhe taksave. Jam shumë aktiv në kryesinë e partisë dhe jam angazhuar në qytetin Will, për të rinjtë nën moshën 18 vjeç dhe ata pa pasaportë zvicerane, që të kenë të drejtë të paraqesin një iniciativë në parlamentin lokal. Kjo gjë, p.sh. nuk ekziston askund tjetër në Zvicër.

Pjesëmarrja juaj në këto zgjedhje është një dëshmi se shqiptarët në Zvicër nuk janë spektatorë indiferentë të zhvillimeve politike, por ata po bëhen
pjesë aktive dhe e rëndësishme e shoqërisë zvicerane duke u përpjekur që gjithnjë e më shumë të jenë pjesë e vendimmarrjes politike. Çfarë e frymëzoi Arbër Bullakajn që të paraqitet si kandidat në këto zgjedhje?

Bullakaj: Edhe pse i ri në moshë (33 vjeç) unë kam një përvojë politike 12-vjeçare. Jam zgjedhur në parlamentin lokal të qytetit Wiler gjatë një periudhe 7-vjeçare si dhe nënkryetar i partisë socialiste për kantonin St-Gallen prej pesë vitesh. Mendoj se është koha që të jem i pranishëm në politikën kombëtare të Zvicrës. Kjo është e rëndësishme, për faktin që popullata me origjinë të huaj në Zvicër nuk është e përfaqësuar në parlamentin federal, ku parlamentarët janë kryesisht të moshës 50 vjeç.

E gjithë kjo na bën që të mendojmë se kemi nevojë për një frymë të re në parlamentin federal, e cila do ta përfaqësojë Zvicrën ndryshe nga ata parlamentarë në moshë. Bota po ndryshon shpejt, ndërsa politika ka ngecur tek skemat dhe strukturat e vjetra. Kjo është një arsye pse kemi nevojë për njerëz që njohin mirë ekonominë, dixhitalizimin por edhe migracionin. Kjo do të ishte fusha ime si ekspert.

Cilat janë çështjet që i keni më përzemër për të cilat do të angazhoheni nëse zgjidheni në parlamentin federal?

Bullakaj: Dy nga pesë tematikat e trajtuara gjatë fushatës i kam më përzemër. E para, politika familjare. Paradoksialisht, Zvicra si vend i pasur, sipas një raporti të UNICEF zë vendin e fundit në Europë për sa i përket politikës familjare. Kur u bëra baba, kisha të drejtë vetëm një ditë pushimi, e njëjta gjë edhe kur ndërrova banesën. Kjo çështje duhet ndryshuar, sepse nuk është e denjë për Zvicrën. Duhet bërë një hap i madh përpara për vlerësimin e politikave familjare. Kjo do të thotë paga të barabarta të grave me burrat, më shumë çerdhe për fëmijë. Këto gjëra janë të përballueshme për Zvicrën.

Një çështje tjetër që më fle në zemër ka të bëjë me nënshtetësinë. Zvicra, një vend ku jetojnë shumë kombësi ka ligjin më të ashpër për marrjen e nënshtetësisë së saj. Një ligj përplot kushte e pengesa dhe i shtrenjtë, gati 40’00 franga zvicerane. Unë do të doja të kërkoja që ta ndryshoj këtë, në mënyrë që të ketë sa më shumë njerëz të natyralizuar që përfshihen në demokracinë zvicerane duke u bërë anëtarë të barabartë me të tjerët.

Shqiptarët në Zvicër janë të shumtë që kanë dyshtetësinë dhe si rrjedhojë edhe të drejtën e votës. Së pari, pse qytetarët shqiptaro-zviceranë duhet të votojnë në këto zgjedhje, dhe së dyti, a mund të themi, edhe pse kandidat i një partie politike zvicerane, megjithatë do të jeni një zë i shqiptarëve në parlamentin zviceran?

Bullakaj:Demokracia jonë merr frymë nga pjesëmarrja aktive e qytetarëve, nëse ata nuk votojnë, ajo dobësohet. Në vende tjera bëhen kryengritje, bile edhe luftëra, sepse njerëzit nuk kanë as të drejtat minimale demokratike. Fatkeqësisht në Zvicër, vetëm 31% e migrantëve me të drejtë vote, votojnë. Kjo do të thotë se gati 70% e tyre nuk votojnë. Kjo, duhet të ndryshojë.

Unë vij nga një brez ku nuk ka rëndësi nga vjen, çfarë beson dhe çfarë ngjyre të lëkurës ke. Jam për një politikë që respekton dhe përfshin të gjithë njerëzit, pa asnjë dallim. Ndër të tjera, unë konstatoj se ne jemi njerëz me origjina të ndryshme, 37% banorëve në Zvicër kanë prejardhje të huaj. Këta njerëz ndihmuan në ndërtimin e Zvicrës dhe për ta pasuruar atë. Ne duhet ta tregojmë këtë hapur. Midis tyre, më shumë se 300.000 shqiptarë punonin çdo ditë në Zvicër, duke bërë gjëra të mëdha, duke jetuar dhe krijuar familje. Ne gjithashtu shënojmë shumë gola për Kombëtaren e Zvicrës dhe po bëhemi gjithnjë e më të suksesshëm ekonomikisht dhe shoqërisht. Jam shumë i kënaqur për këtë zhvillim pozitiv dhe shpresoj që së shpejti do të përfaqësohemi në Parlamentin Federal. /atsh / KultPlus.com