Kurti: SHBA janë partner dhe aleat i domosdoshëm i Republikës së Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti ​sot në ndërtesën e Qeverisë, Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili sot po qëndron në Kosovë në kuadër vizitës së tij në rajon.

Përgjatë takimit, kryeministri Kurti e njoftoi z.Chollet me punën dhe arritjet e qeverisë në vitin që sapo lamë pas. Ai ndau me të indikatorët më të fundit ekonomikë dhe demokratikë në vend, dhe nënvizoi qëllimet e përbashkëta për zhvillim dhe demokratizim. Kryeministri Kurti e falënderoi Këshilltarin e Lartë, Chollet për vizitën, komunikimin e vazhdueshëm dhe për angazhimin e tij. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner dhe aleat i domosdoshëm i Republikës së Kosovës, u shpreh kryeministri Kurti, teksa vuri theksin te synimet e vendit për partneritet edhe më të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe integrim në NATO.

U diskutua edhe për procesin e dialogut, planin Evropian dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër.

Në takim z. Chollet ishte i shoqëruar nga dërguari i posaçëm amerikan, Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtës për Politika Evropiane dhe NATO, Spencer Boyer, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Shefja e Stafit të Këshilltarit Chollet, Laura Updegrove, Ndihmësja e posaçme e Këshilltarit, Dr. Florence Akinyemi dhe Këshilltarja e Politike dhe Ekonomike në Ambasadën amerikane në Kosovë, Ralan Hill.

Kurse Kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Ushtruesja e Detyrës së Kryesueses së Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari Lila, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, Këshilltari Politik i Kryeministrit, Jeton Zulfaj dhe Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu. /KultPlus.com

Presidentja Osmani në takim me Chollet konfirmon raportet e shkëlqyera me SHBA-në

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim një delegacion të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, të udhëhequr nga zyrtari i lartë z. Derek Chollet, i shoqëruar nga ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit Gabriel Escobar, zëvendës ndihmës sekretari i Mbrojtjes Spencer Boyer, si dhe përfaqësues të tjerë të Departamentit të Shtetit dhe ambasadës amerikane.

Presidentja Osmani dhe z. Chollet kanë konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara, aleatin kryesor të Republikës së Kosovës, si dhe janë angazhuar për fuqizimin e mëtejmë të  bashkëpunimit ndërmjet  dy shteteve. Presidentja Osmani ka falënderuar z. Chollet për angazhimin proaktiv të Shteteve të Bashkuara në procesin e dialogut, duke theksuar se angazhimi i shtuar amerikan në këtë drejtim është vendimtar për të siguruar rezultat të suksesshëm në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani tha se marrëveshja përfundimtare, e cila duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, ka për qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve, dhe arritjen e paqes së qëndrueshme dhe afatgjate në rajon. “Kosova është e gatshme të vazhdojë, me përkushtim të plotë, të jetë palë konstruktive, e koordinuar me SHBA-të, duke bërë propozime që kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje të tillë”, tha Presidentja Osmani.

Në takim me z. Chollet, Presidentja Osmani bisedoi për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, duke potencuar aleancën dhe afërsinë e theksuar të Serbisë me Rusinë dhe rreziqet që paraqet ky raport jo vetëm për Kosovën, por edhe për aleancën euroatlantike. Presidentja Osmani theksoi se me mbështetjen e Rusisë, Serbia vazhdon të jetë forcë destabilizuese dhe kërcënim për paqe të qëndrueshme në rajon.

Presidentja Osmani në takim me delegacionin e lartë amerikan, konfirmoi partneritetin historik dhe të pathyeshëm në mes të SHBA-ve dhe Kosovës, ndaj pikërisht kjo është një bazë e fortë për rritjen e bashkëpunimit në fushën ushtarake dhe atë ekonomike. Bazuar në nismën e saj për Dialog Strategjik ndërshtetëror me SHBA-të, të iniciuar formalisht nga Presidentja Osmani para gjashtë muajsh, u shpreh gatishmëri për përshpejtimin e këtij procesi në përfitim të qytetarëve të të dy shteteve. /KultPlus.com