Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot atdhetarin, publicistin e diplomatin shqiptar Dervish Hima.
Më 21 maj të vitit 1928 vdiq Dervish Hima, i njohur edhe me emrin Ibrahim Mehmet Naxhi. Hima lindi në Ohër më 21 maj të vitit 1875, në një familje të pasur, ku kreu edhe shkollën fillore. Shkollën e mesme e vazhdoi në Manastir dhe Selanik dhe për dy vjet studioi mjekësi në Stamboll. Me vajtjen atje, fillimisht mbështeti Lëvizjen e Re Turke, në kuadër të së cilës filloi edhe të reflektojë mbi çështjen shqiptare. Ishte atdhetar e publicist i Rilindjes Kombëtare, organizator i Kongresit të Bukureshtit, pjesëmarrës në Kongresin e Napolit, botues i gazetës “Arnautlluk” në Stamboll e më pas i gazetës “Albania” në Zvicër.
Në vitin 1903, Dervish Hima botoi revistën dyjavore “L’Albanie” në Gjenevë. Po këtë revistë, ai vazhdoi ta botojë një herë në muaj përgjatë 1905-1906, në Bruksel. Më 1909 në Stamboll, Dervishi drejtonte të përjavshmen “Shqipëtari” – “Arnavud”, së bashku me Hilë Mosin, një revistë kjo në gjuhën shqipe dhe turke, e mbështetur financiarisht nga Austro-Hungaria, botimi i së cilës u ndalua në fund të vitit 1910.
Dervish Hima ishte njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Ai shkroi e botoi: “Varri i liridashësve”, “Pasqyra e krimeve të Sulltanit”, “Një zë nga burgu në kohën e lirë” dhe vepra të tjera./atsh/KultPlus.com
“Il Popolo Romano” ka botuar, të dielën e 30 nëntorit 1919, në ballinë, analizën e Dervish Himës në lidhje me kërkesat për pavarësinë e Shqipërisë dhe autonominë e Maqedonisë në Konferencën e Paqes në Paris, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Shqipëria dhe Maqedonia
“Pavarësia e Shqipërisë dhe autonomia e Maqedonisë ishin dy çështje të një rëndësie tepër të lartë nga pikëpamja e politikës së përgjithshme të Ballkanit dhe e qetësisë së atyre popujve.
Pasi të sigurohet pavarësia e Shqipërisë në kufijtë e saj natyrorë, siç ishte para luftës ballkanike, konfliktet e përhershme apo luftimet e përgjakshme mes serbëve dhe shqiptarëve do të marrin fund.
Kryengritjet e shumta kundër dominimit të serbëve, racë e huaj dhe për nga natyra e saj mizore dhe barbare, do ta vënë popullin shqiptar në gjendje të shkundë zgjedhën më të padurueshme të historisë.
Për shkak të këtij rregulli të neveritshëm maqedonasit nuk e kanë marrë ende kushtetutën e pritur. Siguria në lidhje me dëshirën e Konferencës për të krijuar një shtet maqedonas për të siguruar qetësinë dhe të drejtën për të jetuar për racat e ndryshme të vendosura në të, prodhon gëzim të përgjithshëm tek ata popuj. Rumunët, bullgarët, shqiptarët, turqit dhe izraelitët, të cilët përbëjnë shumicën absolute të këtij vendi, besojnë se Providenca, nëpërmjet Konferencës, u jep atyre mbrojtjen e saj më të lartë. Që prej luftërave ballkanike këto rajone nuk kanë pasur gjë tjetër veçse sëmundje, rrënoja, zjarre dhe shkatërrime.
Fuqitë evropiane, pak vite para luftërave ballkanike, për të bërë disa revolucione kundër Perandorisë Osmane, vendosën të zbatonin reformat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat e popujve.
Reformat e Maqedonisë duhej të shtriheshin, nga pikëpamja administrative, edhe në një pjesë të barabartë të Shqipërisë.
Në çdo rast, duke krijuar një shtet tampon, Konferenca do t’i shërbente njerëzimit dhe paqes së përgjithshme në të ardhmen.
Të gjithë besojnë sinqerisht se Konferenca dëshiron prosperitetin dhe sigurinë e këtyre vendeve të mjera.
NjëShtet tampon, nën mbrojtjen e Lidhjes së Kombeve dhe me një komisioner të lartë, do të kishte detyrën e tij të madhe civilizuese për këto raca që nuk duan gjë tjetër veçse të jetojnë në paqe, duke siguruar në të njëjtën kohë një të ardhme të mundshme që shmang të gjitha konfliktet që mund të lindin midis pesë shteteve ballkanike : shqiptare, serbe, bullgare, rumune dhe greke.
Duhet thënë kjo e vërtetë historike : se Maqedonia e Aleksandrit të Madh dikur ishte vetëm një vend shqiptar, por pas dyndjeve të barbarëve, romakëve, sllavëve, bizantinëve, fizionomia e historisë së saj të lashtë ndryshoi.
Shpresojmë se bota liberale do të mbështesë krijimin e një Maqedonie autonome, e cila do të sigurojë një paqe të gjatë për njerëzimin e vuajtur – Le të shpresojmë se për këtë arsye lufta monstruoze e viteve 1914-1918 nuk do të jetë më e mundur mes njerëzve.
Pikërisht për këto arsye ne bëjmë thirrje për formimin e shtetit të gjashtë autonom, në Ballkan, nën mbrojtjen e Lidhjes së Kombeve.
Prandaj, a do të dëshirojë Konferenca të kuptojë nevojat urgjente të politikës ballkanike ?”
“La Turquie” ka botuar, të hënën e 18 prillit 1910, në ballinë, intervistën ekskluzive me patriotin dhe publicistin e njohur shqiptar Dervish Himën në lidhje me tensionet e brendshme asokohe në Shqipëri, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Çështjet e Shqipërisë
Dje patëm fatin të bisedonim gjatë me Dervish Bej Himën. Ai është një shqiptar me kulturë të lartë, të cilin regjimi i vjetër e kishte ndaluar dhe që jetoi për një kohë të gjatë në Francë dhe Belgjikë në shoqërinë e figurave më të shquara politike. Ai gëzon konsideratën më të lartë në mesin e bashkatdhetarëve të tij. Ai ka pikëpamje shumë të gjera; biseda e tij është sa interesante aq edhe mësimore (udhëzuese).
Ai kthehet nga Shqipëria ku mori pjesë si delegat i klubit “Bashkimi” të Kostandinopojës në kongresin shqiptar të Manastirit. Ai ka vizituar krahinat ku gjatë ditëve të fundit kanë ndodhur ngjarjet që ka ndjekur e gjithë Evropa, jo pa një farë shqetësimi.
Ndërsa e pyetëm se cilat janë shkaqet e trazirave aktuale në Shqipëri:
“Shkaqet ? u përgjigj ai. Thoni më mirë shkaku. Sepse ka vetëm një. Qeveria — ose më mirë të themi Guvernatori i Përgjithshëm Mazhar Beu — bëri gabimin shumë të madh duke dashur t’u impononte shqiptarëve pagesën e detyrimeve të importit dhe taksave të tjera që materialisht është e pamundur t’i paguash.Në lokalitetet ku është zhvilluar kryengritja kundër këtij pretendimi të pushtetit qendror, banorët fatkeq, mbajeni mirë shënim, banojnë në kasolle.Ata udhëtojnë dyzet apo pesëdhjetë kilometra pranë qytetit më të afërt për të blerë objektet dhe mallrat më të nevojshme.Dhe ne duam që ata t’i nënshtrohen menjëherë taksave, të cilat për ta janë një risi e pakuptueshme, ngacmuese dhe e padrejtë ?Malësorët e Shqipërisë së Epërme e patën paguar gjithmonë taksën në një formë tjetër.Ata nuk e kuptojnë sistemin e sotëm.Le të udhëzohen së pari, le t’u sqarohet se është e nevojshme që secili anëtar i komunitetit politik të paguajë pjesën e tij të shpenzimeve të përbashkëta.Kjo pjesë, për më tepër, duhet të jetë në raport me aftësitë e supozuara të tatimpaguesve.Megjithatë, aftësia e taksapaguesit shqiptar në rajonet ku shpërtheu kryengritja është pothuajse e parëndësishme.Pushka e Xhavit Pashës e zvogëloi atë (kryengritjen) në minimum dhe madje e asgjësoi.Nëse shqiptarët nuk pranuan të paguanin, kjo ndodh sepse ata ishin vërtet të paaftë për të dhënë atë që u kërkohej.
Pikërisht ky është shkaku i vetëm i lëvizjes aktuale në rajonet e Pejës, Prizrenit etj.Megjithatë, është pohuar se ishte për shkak të ngacmimeve të huaja.Është thjesht qesharake. Për shekuj, Shqipëria në tërësi, Shqipëria e Veriut si dhe Shqipëria e Jugut, ka qenë mburoja më e fortë e Perandorisë Osmane kundër pushtimit të huaj, kundër depërtimit sllav, austriak, italian etj.Shqiptarët e derdhën gjakun e tyre bujarisht në të gjitha fushat e betejës ku sinjalizohej guximi i osmanëve.A është e nevojshme të kujtojmë, që të mos kthehemi më tej e të flasim për shërbimet dhe lavdinë e Qyprillinjve, për shembull, pesë anëtarë të të cilëve ishin, nga viti 1656 deri në 1710, zotër të politikës osmane;A është e nevojshme të kujtojmë, them unë, se shqiptarët ishin mbrojtësit më trima të atdheut osman gjatë Luftës së Krimesë, Luftës Ruso-Turke, Luftës Greko-Turke ?Me gjakun e tyre ata gjurmuan emrin e tyre në shkëlqimin e historisë së Turqisë.
Thuhet edhe sot, për të shpjeguar kryengritjen aktuale dhe veçanërisht ekspeditën e parashikuar, se shqiptari ëndërron të shpallë pavarësinë e tij.Kjo është një tjetër shpikje groteske.Shqiptarët e dinë shumë mirë se interesi i tyre jetik është të jenë pjesë, ashtu si kombësitë e tjera, as më shumë e as më pak, në trupin e madh të Perandorisë Osmane.Ne jemi vetëm një popull i vogël i ekspozuar ndaj lakmisë së kombeve të mëdha.Ne jemi të vetëdijshëm se, të lënë në duart tona, do të ishte e vështirë për ne t’u rezistonim këtyre orekseve.Nga ana tjetër, nga pikëpamja ekonomike, ne kemi interesin më të madh për të qenë pjesë e Perandorisë Osmane.Më në fund, ndjenjat tona na lidhin në mënyrë të pazgjidhshme me këtë atdhe osman, i cili është i yni për gati pesë shekuj. Për fat të keq qeveria nuk e kupton ose nuk dëshiron të kuptojë situatën në të cilën ndodhemi dhe çfarë jemi të aftë të bëjmë nëse na vënë lakun në fyt.
Dëshira jonë e vetme është që përmes kulturës intelektuale të ngrihemi në nivelin e kombeve të tjera.Le të krijojmë shkolla në vendin tonë, të zhvillojmë, me anë të mësimit, inteligjencën e natyrshme, aq të gjallë e aq të shpejtë, që e kanë shqiptarët dhe do të jemi të kënaqur.Shqipëria dikur prodhoi burra emri i të cilëve ndriçon historinë.Ajo mund të përbëjë edhe sot një qendër të fuqishme intelektuale. Por le ta ndihmojmë atë të rigjenerohet. Veziri i Madh tha, me sa duket kohëve të fundit, se Shqipëria është një nga xhevahirët më të bukur të Kurorës Perandorake.Por këtë xhevahir të mrekullueshëm, po e lënë në baltë.Shqipëria dëshiron të shkëlqejë sërish në botë në vend që të lëngojë në terrin e injorancës dhe obskurantizmit.Kjo është ajo që ne duhet të kuptojmë këtu.Ekspeditat ushtarake ngjallin vetëm tensione : dhe mund të thuhet, për shembull, se operacionet e përgjakshme të Xhavit Pashës kanë shkaktuar pakënaqësi aq të fortë sa që do të jetë e vështirë të fshihet nga mendja e brezave të sotëm.Dhe pastaj, a nuk e kupton qeveria se të masakrosh shqiptarët do të thotë t’u hapësh rrugën fqinjëve sllavë dhe austriakë që do të nxitojnë të pushtojnë këtë rajon të shpopulluar ?Këtë, ndër të tjera, e presin serbët.Prandaj nuk duhet të përpiqemi të nënshtrojmë shqiptarët me forcë të armatosur; është nga bindja, nga lufta kundër injorancës, nga zhvillimi i mësimit (arsimit).Këtë nuk e kanë ndjerë qeveritarët dhe drejtuesit ushtarakë të dërguar deri tani në Shqipëri.Mbetet të shpresojmë që komandanti i ri Shefqet Turgut Pasha, i cili është një njeri me inteligjencë të lartë dhe pikëpamje shumë të gjera, do të heqë dorë nga procedurat e përdorura nga paraardhësit e tij dhe se do ta bëjë qeverinë e Kostandinopojës të dëgjojë zërin e urtësisë dhe modestisë.Është mjeti i vetëm i paqëtimit.
Por, shikoni, na lëndojnë në mënyrë të sikletshme ndjenjat dhe aspiratat tona, edhe në çështje që do të dukeshin më të mundshme për t’i shpëtuar ndërhyrjes së qeverisë.Kështu çështja e alfabetit u bë një çështje politike osmane.
Megjithatë, shumica dërrmuese e shqiptarëve, besnikë dhe të përkushtuar ndaj atdheut osman, janë të lidhur me karakteret latine që kanë marrë nga të parët e tyre, të cilat i gjejnë në shprehjen e shkruar të mendimeve të tyre.Është thënë, në këtë drejtim, se mbajtja e shkronjave latine do të favorizonte zhvillimin e ndikimit italian — apo edhe të ndikimit francez — në Shqipëri, diçka që duhej shmangur.Është thjesht qesharake.Shqiptarët, dhe e kam fjalën për shqiptarët e të gjitha besimeve, myslimanë, ortodoksë, katolikë, janë të gatshëm të zmbrapsin ndërhyrjen e huaj, në çfarëdo forme që të vijë.Ne nuk i kthejmë sytë as nga Roma, as nga Vjena, as nga Athina; i kthejmë drejt Kostandinopojës; prej andej presim shpëtimin dhe prosperitetin e vendit tonë.Por ne duam të ruajmë traditat tona, të gjithë duam, me përjashtim të disa klerikëve fanatikë, të ruajmë karakteret që paraardhësit tanë kanë përdorur për të marrë edukimin e tyre modest. Qeveria, në vend që të mbante anë kundër nesh në këtë çështje dhe të donte të na impononte karakteret arabe që, me pak fjalë, janë vetëm shenja të transmetimit të mendimit, jo më të shenjta se të tjerët, qeveria duhet të kishte respektuar ndjenjën tonë kombëtare dhe dëshirën tonë të shprehur qartë.Ajo nuk e bëri, ky ishte një gabim i madh.
Dhe është, po e përsëris, një gabim edhe më i rëndë sesa të duan të nënshtrojnë aspiratat tona kombëtare me dhunë.Ne jemi nënshtetas besnikë të Perandorisë;ne nuk do të jemi kurrë sllavë, italianë apo austriakë.Ne do të jemi gjithmonë shqiptarë, nënshtetas osmanë.Por të paktën të na trajtojnë si të tillë dhe jo të përbuzin.Le të merren parasysh vështirësitë në të cilat luftojmë, ekonomikisht, moralisht, intelektualisht;le të merren parasysh edhe shërbimet që kemi dhënë me shekuj dhe le të na vijnë në ndihmë…”
Dervish Hima na tregon ende një mori gjërash të tjera interesante, të cilave u propozojmë t’u rikthehemi.
Sot përkujtojmë atdhetarin, publicistin e diplomatin shqiptar Dervish Hima.
Më 21 maj të vitit 1928 vdiq Dervish Hima atdhetar, publicist e diplomat shqiptar. I njohur me emrin Ibrahim Mehmet Naxhi, Hima lindi në Ohër më 21 maj të vitit 1875, në një familje të pasur, ku kreu edhe shkollën fillore. Shkollën e mesme e vazhdoi në Manastir dhe Selanik dhe për dy vjet studioi mjekësi në Stamboll. Me vajtjen atje, fillimisht mbështeti Lëvizjen e Re Turke, në kuadër të së cilës filloi edhe të reflektojë mbi çështjen shqiptare. Ishte atdhetar e publicist i Rilindjes Kombëtare, organizator i Kongresit të Bukureshtit, pjesëmarrës në Kongresin e Napolit, botues i gazetës “Arnautlluk” në Stamboll e më pas i gazetës “Albania” në Zvicër.
Në vitin 1903, Dervish Hima botoi revistën dyjavore “L’Albanie” në Gjenevë. Po këtë revistë, ai vazhdoi ta botojë një herë në muaj përgjatë 1905-1906, në Bruksel. Më 1909 në Stamboll, Dervishi drejtonte të përjavshmen “Shqipëtari” – “Arnavud”, së bashku me Hilë Mosin, një revistë kjo në gjuhën shqipe dhe turke, e mbështetur financiarisht nga Austro-Hungaria, botimi i së cilës u ndalua në fund të vitit 1910.
Dervish Hima ishte njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Ai shkroi e botoi: “Varri i liridashësve”, “Pasqyra e krimeve të Sulltanit”, “Një zë nga burgu në kohën e lirë” dhe vepra të tjera. / KultPlus.com
“Le Soir” ka botuar, të enjten e 24 shtatorit 1908, në ballinë, një shkrim në lidhje me arrestimin e Dervish Himës, patriotit dhe publicistit të njohur shqiptar, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Arrestimi i Dervish Himës, kryeredaktorit të gazetës shqiptare “L’Albanie” ka shkaktuar kudo një përshtypje të hidhur.
Ky arrestim konsiderohet si një lëvizje e gabuar që vështirë se mund të dakordohet me liritë kushtetuese për të cilat partia xhonturke pretendon se është pionere.
Dervish Hima u arrestua për mbajtjen e një fjalimi, me rastin e një banketi të shtruar për nder të tij, në të cilin tha se shqiptarët dhe turqit janë dy popuj të ndryshëm.
Këto fjalë dhe disa pasazhe në një broshurë të botuar nga ai, ku u kërkonte shqiptarëve të zgjoheshin për një jetë të re kombëtare, janë cilësuar si tradhti e lartë.
Arrestimi i autorit u urdhërua me nxitjen e komitetit lokal xhonturk në Shkodër, por dyshojmë se komiteti qendror është i gatshëm ta dënojë.
“Le Siècle” ka botuar, të shtunën e 25 marsit 1911, në ballinë, intervistën ekskluzive me patriotin dhe publicistin e njohur shqiptar, Dervish Himën, të zhvilluar asokohe në Kostandinopojë, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Letër nga Turqia
Intervistë me Dervish Himën, shefin shqiptar
(Nga korrespondenti ynë i veçantë)
Kostandinopojë, 12 Mars.
Dervish Hima, i strehuar në Evropë, për tetëmbëdhjetë vjet nën regjimin e vjetër, pranoi të na shpjegonte se çfarë është “çështja shqiptare”, zakonisht pak e njohur për publikun. Mysliman, i lindur në Shqipërinë e Mesme, në Ohër, ai studioi në Turqi. Drejtori i gazetës Shqipëtari (L’Albanais), ai e botoi këtë gazetë në Bukuresht, Romë, Paris, Gjenevë apo Bruksel sipas nevojave të momentit, sepse ai u dëbua nga Roma dhe Bukureshti me kërkesën e Abdyl-Hamidit. I dënuar për një fjalim disi të ashpër nga Turqit e Rinj (Xhonturqit), disa muaj pas rivendosjes së Kushtetutës, ai u burgos për pesë muaj. Gjatë robërisë së tij mori një mbështetje të përgjithshme si nga evropianët ashtu edhe nga osmanët. Aktualisht në Kostandinopojë, ku boton përsëri “Shqipëtarin”, ai vazhdon propagandën e tij.
“Lëvizja shqiptare, më thotë Dervish Hima, fillon vetëm në 1876. Programi ynë përmban një pikë thelbësore për ne :të kemi një alfabet të veçantë dhe, si rrjedhojë, shkolla kombëtare.Këto kërkesa, të një rëndësie krejtësisht shkencore, do të ishin të pakuptueshme pa njohurinë e gjeografisë sonë politike.Tri fe përbëjnë popullsinë tonë : ortodoksë, katolikë, myslimanë ku secili merr një edukim në përputhje me bindjet dhe traditat e tij.Disa tendenca separatiste mund të ishin shfaqur midis bashkëqytetarëve tanë të kthyer drejt Papës, Kalifit ose Patriarkut.Nacionalistë të bindur, komuniteti gjuhësor na u shfaq si mjeti i parë dhe më i fortë për të forcuar bashkimin midis tre grupeve tona.Prandaj nuk është aspak arbitrare, siç është shkruar kaq shumë herë, për të vendosur një raport midis kësaj pyetjeje të alfabetit dhe kryengritjeve të ndryshme shqiptare.Çështja e vetë alfabetit është e një rëndësie të madhe, pasi duke e pranuar, e tregon veten mbështetës të vendosur të decentralizimit, një ide që deri tani është hedhur poshtë nga Turqit e Rinj.
U desh Traktati i Shën Stefanit që të zgjohej ndjenja jonë kombëtare.Ideja për një Bullgari të Madhe që do të depërtonte deri në Shqipërinë e Mesme, solli reagime te disa prej bashkatdhetarëve tanë që formuan Lidhjen e Prizrenit.Një numër i anëtarëve të tyre u dërguan te Z. Waddington në kongresin e Berlinit. Delegati francez pati një simpati të vërtetë ndaj nesh. Simpati që e hasëm edhe pranë Anglisë dhe të gjithë atyreve që luftonin kundër përparimit të racës sllave.
Që atëherë programi ynë filloi të marrë formë. Qysh në shekullin e 18-të, në Shkodrën e Shqipërisë, pati një lëvizje letrare midis priftërinjve katolikë shqiptarë të shkolluar në Romë ose Venecia.Por kjo lëvizje, shumë e kufizuar, nuk përfshinte tërë popullsinë.Më 1879, disa shqiptarë patën idenë e themelimit të një shoqërie letrare në Kostandinopojë për të punuar për zhvillimin e ndjenjës kombëtare te ne.Sami bej Frashëri u ngarkua nga komiteti i kësaj shoqërie për hartimin e një alfabet shqip, nevoja e të cilit u njoh zyrtarisht nga Abdyl-Hamidi.Vepra jonë lulëzonte kur një lëvizje e kundërt u nxit nga shteti osman, dhe patriarkana greke për të shkatërruar idetë nacionaliste shqiptare.Bënë gabim, për mendimin tim, se të dy e imagjinonin se do të vinte një ditë kur ne do të donim pavarësinë tonë politike nga Turqia;dhe pavarësinë tonë fetare, për sa i përket ortodoksëve shqiptarë.Popullsia jonë është shumë e vogël sa që hipoteza e ndarjes sonë të mundshme nga Perandoria Osmane të merrej seriozisht.
Ku do të rekrutonim një ushtri që të ishte në gjendje për të fituar pavarësinë tonë ? Jo më shumë sesa në vitin 1879 kemi pasur tani prirje të tilla.
Sidoqoftë, pothuajse të gjithë anëtarët e kësaj shoqërie letrare shqiptare u dëbuan në 1884, në Tripoli ose në Azinë e Vogël;disa u strehuan në Bukuresht, ku tregtarët shqiptarë të qytetit mbështesnin me ndihmën e tyre financiare shtypshkronjën dhe gazetën, organ i interesave tona.Anëtarët e vjetër të shoqërisë vazhduan të shkruanin nën pseudonime dhe një numër i madh i veprave shqiptare mundën të shtypeshin në Bukuresht.
Emrat e disa prej këtyre anëtarëve janë të mjaftueshëm për të treguar se çfarë elite kishte vendi ynë midis djemve dhe mbrojtësve të tij :Shem Sedin, Sami beu, Naim bej Frashëri, Mehemet Ali bej Vrioni, Ferid pasha (ish-vezir i madh), Ismail Qemal beu, Abedin pasha (ish-guvernator i Arkipelagut), Turkan pasha (aktualisht ambasador në Shën Petersburg), Taksim hoxha (meteorolog i shquar), të gjithë këta janë myslimanë. Të krishterë si Vasa pashai (ish-guvernatori i Libanit), Jani Vreto, Kostandin Kristoforidhis ishin gjithashtu midis mërgimtarëve.
Pastaj erdhi regjimi kushtetues. Deri atëherë nuk kishte asnjë mospajtim midis latinizimit dhe arabizimit të shqiptarëve. Unë pretendoj në çdo paanshmëri se për shkak të Turqve të Rinj ne nuk biem më dakord për këtë pikë të fundit.Turqit e Rinj trajtuan si kaur (katolikë) të gjithë ata që do të shkruanin duke përdorur alfabetin latin; ata gjetën mbështetës midis klerikëve, duke deklaruar se Kurani nuk mund të shtypej me shkronja latine, dhe se favorizimi i një lëvizje të tillë do të ishte një mëkat.
Pjesa konservatore e shqiptarëve vendosi për alfabetin arab dhe elementët progresistë që gjendeshin në mesin e popullit luftuan për shkrimin latin.Madje dhe në kryeqytet, këto dy grupe, në Parlament, ishin qartësisht armiqësore me njëra-tjetrën.
Kjo dëshmon, sidoqoftë, fuqinë e palës pro-latine, e cila përfshin në mesin e saj jo vetëm deputetë të krishterë shqiptarë, por dhe një shumicë të myslimanëve, mendja e ndritur e të cilëve ka qenë në gjendje t’u rezistojë imagjinatave të tmerrshme të mëndjeve të thjeshta, të bëra nga kundërshtarët tanë.Në krye të këtyre deputetëve pro-latinë janë Ismail Qemali, pastaj Esat pasha, Ali Hajdar bej (Jakova), Aziz pashë Vrioni (nga Berati), Hamdi beu (i Çamërisë), Shahin bej Kolonja, Nexhib bej Draga, Mufid beu, Hasan beu, Mishei efendi, Mahmud Polo efendi, Fuad pasha (Prishtina), Hasan Basri bej.
Dy deputetë janë asnjëanës : Hafiz Ibrahim efendiu (nga Peja) dhe Murteza efendiu.
Pala pro-arabe, më pak në numër, përfshin : Riza beun (nga Shkodra e Shqipërisë), Shaban pashën (nga Peja), Jahja Alia Jasi Bej (turk por deputet nga Shqipëria), si dhe Wasif efendiun (nga Manastiri), Haxhi Aliun (nga Elbasani). Së fund, dy prej tyre po kërkojnë një terren pajtimi; këta janë Said efendiu (nga Shkupi) dhe Shefqet efendiu (nga Dibra).
Jo vetëm që partia pro-latine fiton nga numri dhe cilësia e anëtarëve të saj, por ajo gjithashtu fiton nga veprat që ka botuar dhe nga mbështetja e gjuhëtarëve evropianë si Petersen në Kopenhagë, G. Meyer, dhe i ndjeri L. Benlov, etj.Akoma më mirë, për përhapjen e ideve të tyre, shqiptarët pro-latinë krijuan gazeta deri në Amerikë : Flamuri dhe Dielli. Albania është një revistë e botuar në Boston, ku jetojnë afro 30.000 shqiptarë.Në Egjipt botohet Shkreptinia (Rrufeja – L’Eclair).Ndërsa për sa i përket vetë Shqipërisë, janë botuar gazeta të ndryshme si : Lidhja Ortodokse, Korça, Bashkimi, Koha.Liria botohet në Selanik dhe Shqipetari në Kostandinopojë.Një kolegj i formimit të mësuesve (Normalja) qe themeluar në Elbasan, por ai u mbyll nga autoritetet.Sapo është formuar një shoqëri letrare shqiptare në Kostandinopojë, në modelin e asaj të vitit 1879.
Ndërsa pro-latinët kanë bërë përparim të madh, ende nuk është realizuar një vepër te shqiptarët pro-arabë, megjithë kërkesat për përkthyes të bëra nga Ministri i Arsimit Publik.
Me pak fjalë, ne duam për Shqipërinë një ligj decentralizimi si ai për të cilin po mendohet në këtë moment për Jemenin.Ne gjithashtu bëjmë thirrje që t’u jepet fund këtyre dërgesave të qëllimshme të zyrtarëve shqiptarë në Azinë e Vogël dhe më gjerë.Ky është një gabim në programin e Turqve të Rinj, një burim acarimi për bashkatdhetarët tanë të brengosur nga mungesa e besimit të treguar ndaj tyre nga regjimi i ri.Nëse shqiptarët do të ishin armiqësorë ndaj këtij regjimi, do të ishte aq e lehtë për ta të dëmtonin qeverinë si në vendin e tyre ashtu edhe atje.Nga ana tjetër, neve na dërgojnë zyrtarë që nuk e njohin gjuhën tonë, zakonet tona dhe që nuk mund të kenë asnjë kontakt me popullin.Kështu i ndodhi Mazhar beut, guvernatorit të përgjithshëm të Kosovës, i cili qe shkaku i trazirave të vitit 1910.Ishte kryesisht ai që krijoi këtë konfuzion të dëmshëm, midis alfabetit shqip me shkronja latine dhe arabe.
Kryengritja e vitit 1910 nuk ishte një reagim kundër regjimit të ri të Xhonturqve, por kundër keqadminstrimit lokal.Këtë reagim mori parasysh qeveria qendrore, duke marrë kështu në konsideratë këto keqkuptime.Talaat beu, atëherë Ministër i Brendshëm, u nis për të bërë një hetim në Shqipëri;por për të mos e kompromentuar situatën e partisë Bashkim dhe Progres, ai largoi Mazhar beun vetëm tre muaj më vonë, duke e emëruar atë guvernator të përgjithshëm në Andrinopojë.
Ne shpresojmë që udhëtimi i Madhërisë së Tij do të inaugurojë, në Shqipëri, një epokë drejtësie dhe drite (zhvillimi).Ky udhëtim është i mirëpritur si një shenjë e pajtimit midis shqiptarëve dhe turqve.Ne besojmë se, me kalimin e kohës, qeveria do të ndryshojë vrazhdësinë e politikës së saj ndaj nesh.Shqipëria do të jetë roje besnike e Perandorisë në detin Adriatik dhe do ta mbrojë atë nga të gjitha rreziqet që mund t’i vijnë nga ana tjetër e detit.Por qeveria duhet të krijojë shkolla kombëtare dhe shkolla të përbashkëta për të tërhequr, arsimuar dhe fituar besim tek të rinjtë tanë. Nuk ekziston asnjë lloj industrie te ne.Hakmarrja (Gjakmarrja) ende mbretëron në Shqipëri dhe për t’u ushqyer me prodhime të gjuetisë, për t’u mbrojtur kundër plaçkitësve dhe të tjerëve, është e domosdoshme që malsorët tanë të kenë armë.
Vetëm për këtë qëllim ata po përpiqen të gjejnë pushkë dhe jo me idenë e një revolte.Aq më tepër, gati 2 deri në 3.000 shqiptarë janë strehuar në Mal të Zi, i cili u ofroi atyre azil.Ka një rrezik këtu për qeverinë turke dhe ne jemi duke pritur që ajo të ndërmarrë hapa për t’i lejuar që të gjithë këta refugjatë të kthehen në shtëpitë e tyre.
Është thënë se Shqipëria nuk është kurrë e qetësuar (në paqe).Kjo do të vijë me kalimin e kohës dhe akoma më shpejt kur qeveria e re xhonturke të kuptojë interesat e saj !”
Këto janë deklaratat që më bëri Dervish Hima. Më duhet të them të vërtetën se ekziston te ai një sinqeritet i padiskutueshëm dhe një përpjekje e vërtetë drejt paanshmërisë.