Bac, u kry, Destan Gashi realizon skulpturën gjigande të Adem Jasharit në Vjenë

Çekani dhe dalta më të cilën ishte gdhendur prej muajsh guri gjigand, kishin pushuar së punuari. Skulptura prej gurit e cila në mënyrë figurative është me plis në kokë dhe me gojë të hapur, nga e cila nxjerr zjarr dhe tym heroi ynë kombëtarë, Adem Jashari është përfunduar. Ajo tashme gjendet në oborrin e shtëpisë së skulptorit shqiptar në Vjenë, Destan Gashit. Kjo skulpturë për artistin tonë, është kryevepra e punimeve të tij të deritashme.

Të punon një skulpturë prej gurit figurën e Adem Jasharit, për Destan Gashin ishte ëndërr e kamotshme. Por, gjithmonë dëshironte diçka të re, diçka që nuk është realizuar deri më tash. Dëshironte që ai punim të kishte një mesazh, të bëhej me shpirt dhe zemër. Tonelatat dhe përmasat e gurit tregonin më së miri peshën që heroi Adem Jashari e ka në zemrën e skulptorit Gashi. Dhe, kjo u realizua. Ajo tash e disa ditë gjendet në kopshtin e tij.

Albinfo Austria vizitoi shtëpinë e skulptorit Destan Gashi në Vjenë dhe shikoi për së afërmi madhështinë e punës së realizuar.

E gjitha vepra e punuar nuk është bazuar në asnjë fotografi. Gjithçka është e lindur nga imagjinata e artistit, Destan Gashit. „Në imagjinatën time ishin ngulitur momentet e fundit të Adem Jasharit, kur ai në mënyrë figurative kishte plisin e bardh në kokë dhe kur në përballje me armikun, nxirrte tym e flakë nga goja“, thotë Destan Gashi  për Albinfo Austria.

Në kohën e pandemisë, në banesën tij, Destan Gashi kishte marr pak argjilë dhe ia kishte filluar të bëj një skicë. Skica e punuar nga argjila i kishte dal shumë e bukur dhe origjinale.  Në bazë të asaj skice pastaj kishte porositur gurin dhe kishte filluar punimin. „Për afro 4 muaj punë e përditshme dhe e pa ndërprerë derisa e jetësova kështu siç është. Është kënaqësia më e madhe që më ka dhënë ndonjë punim gjatë karrierës sime. Nuk kam përjetuar asnjë lodhje, kisha vullnet të punoja ditë e natë. Ndoshta, sepse para vetës kisha një figurë madhështore, një legjendë të historisë dhe kombit tonë, e kisha një emër të madh: ADEM JASHARI“, thotë Destan Gashi duke treguar dashurinë që ai ka për heroin dhe sakrificën e Adem Jasharit për atdheun.

Skulptura e Adem Jasharit, kryevepra e Destan Gashit

Skultori Destan Gashi ka punuar edhe punime të tjera të cilat janë poashtu të përzemërta për të, si p.sh: Djaloshin e sapolindur të Rozafës, por kjo sipas tij është letërnjoftimi dhe kryevepra e tij.

„Gjithçka që kam pasur në brendësi e kam derdhur në këtë skulpturë. Është e punuar me shumë dashuri, me zemër, me shpirt…“.

Guri në të cilën është gdhendur figura e Adem Jasharit është prej shtufi (Sandstein)  është gurë i ardhur nga Burgenland. Skulptura peshon 1.2. Tonelatë i rëndë, me gjerësi prej 1 metër me 1.2 metra dhe lartësi prej 1.1 metra.

Megjithatë, dëshira e Destan Gashi është që kjo skulpturë të jetësohet në oborrin e shtëpisë së tij në fshatin Zeqisht në komunën e Rahovecit. Por, ëndrra e tij nuk ka përfunduar këtu. “Në kokën dhe mendjen time tashmë është që e njëjta figurë e Adem Jasharit të punohet nga guri i kuq i Therandës në një peshë prej 6 tonësh”, thotë ai.

Të interesuarit të cilët kanë dëshirë ta shohin për se afërmi skulpturën e Adem Jasharit por edhe skulptura dhe punime të tjera, Destani së bashku me bashkëshorten, piktoren, Barbara Gashin do të hapin ekspozitë nga data 5-18 shtator. Gjatë javës, ekspozita është e hapur nga ora 16.00 – 19.00, të shtunën prej 12.00 – 18.00 dhe të dielën prej orës 10.00 -18.00. Në këtë ekspozitë do të prezantohen edhe disa piktura nga Barbara Gashi. / Albinfo / KultPlus.com

Skulptori Destan Gashi, “guri” i çmueshëm i Kosovës

Nga Pjeter Logoreci

Me Destan Gashin u njohëm në një galeri arti në Vjenë, ku të dy u gjendëm për të  shijuar punimet e piktorit Kosovar Gazmend Freitag. Destanin e kisha parë një herë, në verë, në koloninë e artit në Velipojë të cilën e drejton mjeshtri shkodran, skulptori  Skënder Kraja. Pas njohjes e bisedave të  para, ai më ftoj që të vizitoj studion e tij e cila gjindet (në Himberg) në periferi të Vjenës. Sapo ishte mbyllur një ekspozitë e tij në Vjenë të cilën nuk pata mundësi ta shoh, kështu që e prita me shumë kënaqësi ftesën pasi do të  shihja veprat, të gjithë punën e tij.

Skulptori Destan Gashi në Atelien e tij

Eshtë shumë interesante të kundrosh një skulptor gjatë procesit të punës në atelie, prandaj mora me vehte edhe aparatin fotografik që të mund të fiksoj mbresat e mija. Sapo hyra në atelienë e tij u përballa së pari me flamurin kombëtar që varej në krahun e një “burri – gurë” shtatëlartë që të krijonte përshtypjen se sapo kërkonte ta ngrinte diku lart… Pas pesë minutash u ndjeva lirshëm, por edhe në një ambient ” të njohur e të këndshëm” për mua, mbasi shumë objekte më “flisnin” shqip… Në vëndin ku isha ulur për të shijuar kafen që më ofroj mikpritësi, isha i rrethuar nga legjenda e figura që i njihja që fëmijë….

Gjëja që më çuditi shumë ishte se përpara gurëve – figura që po punoheshin nuk kishte asnjë model të gjallë, vizatim apo maket, pasi Destani punonte direkt me sy të lirë në gurë. Destani është ndër të paktët artista bashëkohorë që ushtrojnë në Vjenë artin e vjetër të skulpturës. Për të shuar kuriozitetin tim, ai filloj të më tregojë me pasion origjinën e karakteristikat e gurëve të tij…..ja mermeri i bardhë me vjen nga Carrara e Italisë… , por unë nuk po dëgjoja mbasi instinktivisht isha afruar pranë fëmijës – gurë që pi qumshtin e gjiut të Rozafës….Po po atje ku dhemb dhëmbi vete gjuha …..më permendi ai nga kujtimet e malli që më kishte mbërthyer….po ..Shkodra (kështu më quan ai mua – Shkodra)…ky është guri i bardhë i Carrarës që ngjanë me gurët e lagur nga qumështi i bardhë i nënës Rozafa….

Legjenda e Rozafës e gdhendur në gur nga Destan Gashi

Vazhduam të bisedonim rreth jetës së tij private dhe artistike. Ai më tregoj se vinte nga një familje e varfër nga Zoqishti / Rahoveci i Kosovës ku kishte mbaruar shkollën fillore duke treguar shenjat të veçanta të talentit të tij në krijimin e figurave të vogla nga balta amtare, të cilat mësuesit ja pelqenin shumë. Më vonë pas shumë vështirësish ekonomike dhe familjare kishte frekuentuar shkollën e mesme të artit figurativ në Pejë. Në shpirtin rebel të Destanit digjej dëshira për të prekur me dorë rrugët e artit. Kështu me punë këmbëngulëse arrin të fitojë konkursin e pranimit në Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura në Bruksel e cila drejtohej nga Profesoresha e njohur Vanservenbergen, ku me 1978 diplomohet për pikturë. Më pas kthehet në Kosovë ku punon për dy vjet si mësues vizatimi i shkollës Zoqishtë. Gjatë kohës në fshat, i ringjallet dëshira e vjetër për skulpturën dhe vendosë të plotësojë njohuritë e tija në fakultetin e skulpturës të Akademisë së Arteve të Bukura të Brukselit që drejtohej nga Profesori Martin Guyaux, ku me 1985 merr titullin e diplomën e Skulptorit profesionist. Më pas vendoset në Vjenë, pasi në vitin 1981 kishte njohur shoqen e tij të jetës, Barbaren, vajzën nga Vjena.

Skulptori Destan Gashi në punë e sipër në atelien e tij

Pas viteve me impenjim të plotë për formimin e tij, fillon përiudha e krijimtarisë ku pat prodhimtari të bollëshme. Në punën e tij ai frymëzohet me tema nga folklori shqiptar, por edhe bukuria e femrës prek shpirtin e tij artistik. Figurat e femrës të skalitura në gurë zënë një vënd të madh në krijimtarinë e tij. Kushdo që përballet me punën e tij, kupton botën e madhe shpirtërore të Destanit, temperamentin rebel e po ashtu shpirtin e butë të tij. Figurat si Rozafa, Dy Vajzat, Nëna me Binjaket, Aurora, Vajza Afrikane, Vajza në Plazh, Nymphe, po ti kundrosh, të mbushin me dhëmbshuri, por  edhe me dashuri njërzore. Nga energjia e  eleganca e fantazisë së Destanit, janë krijuar figura që “flasin” vetë si: Kërcimtarja, Balancë, Lisa, Kërmilli. Artisti Gashi në të shumtën e rasteve viziton personalisht guroret (minierat e gurit) nga ku vendosë për bllokun e gurit në masën e  ngjyren e parashikuar. Nganjëherë, aty në minierë frymëzohet dhe i lindin idetë e reja për krijesa të reja artistike. Zakonisht, për punët e tija ai përdorë materiale guri nga “Sölker, Krastaler, Mermer nga Wachau, Arlburger, Gummerner, Mermer nga Südtirol, gurë Italian nga Carrara, gurë Brasilian apo të Salzburgut”. Kombinimi i ngjyrës dhe linjave (strukturës) të gurit ka ndikimin e vet në fantazinë dhe kreativitetin e Destanit. Më tërhoqi vemendjen punimi Gruaja e Hasit ku struktura dhe ngjyrat e gurit ishin të larmishme e të ngjashme me veshjen kombëtare të asaj zone, pra gjetja ishte e përsosur si vetë bukuria e gruas së gdhendur në atë mermer.

Foto 4. Gruja nga Hasi, mermer nga Bummerner, 2010

Destan Gashi ka punime të cilat gjinden në të gjithë anët e botës që nga Amerika, Italia, Austria, Gjermania, Zvicra, Spania, Lichtensteini, Belgjika, Hollandë…të cilat janë të vëndosura në sheshet kryesore të qyteteve (e që janë pronë e shtetit – Bashkisë) apo i përkasin ndonjë koleksionisti privat. Ai është nderuar për punën e krijimet e tija me shumë çmime ndërkombëtare. Qysh student ai u nderua nga Bashkia e Brukselit për punimin në gurë të Dona Barbantia, e cila është e vendosur në qëndër të qytetit.

Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, gurë zalli, 2009

Bustin e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, një punë krejt e veçantë nga sa ne jemi mësuar ta shohim në Shqipëri, ai e ka të shitur tek një koleksionist privat në Dibër.

Gjatë karrierës së tij artistike Destani së bashku me Barbaran, gruan e tij austriake, kanë organizuar shumë ekspozita, në Austri e në shumë vende të Europës. Suksesi i tyre ka qënë i padiskutueshëm, gjë që është pasqyruar gjërësisht në shtypin e kohës.

Figurë në rërë, Jesolo 2005

Skulptori Destan Gashi është një figurë e njohur edhe për pushuesit dhe turistët në Itali dhe Austri, nga figurat e tij të punuara në rërë gjate bregdetit Italian,  apo në figurat e krijuara në dëborë në bjeshkët e Austrisë. Në ekspozitat që hapen në Vjenë ku marrin pjesë shumë artistë nga Austria, i përherëshëm  dhe i vlerësuar nder to  është edhe skulptori ynë Destan Gashi. / KultPlus.com