Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi në një postim në rrjetet sociale, solli sot një album fotografik të Parkut Kombëtar të Butrintit, që konsiderohet një aset i çmuar për turizmin shqiptar.
Fotot tregojnë pamjet më të bukura të këtij Parku, ku ndërthuren bukuritë natyrore dhe ato historike.
Parkun Kombëtar i Butrintit, është një nga pikat më të rëndësishme të turizmit kulturor, në jug të vendit që tërheq interesin e vizitorëve vendas dhe të huja në çdo strinë të vitit.
Parku Kombëtar i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin juglindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur në dy anë nga liqeni i Butrintit dhe në një anë nga kanali i Vivarit.
Parku Kombëtar i Butrintit ofron një numër të konsiderueshëm vendesh arkeologjike dhe konsiderohet si një “mikrobotë e historisë shqiptare”.
Butrinti është një mikrokozmos i historisë së Mesdheut, që prezanton ngritjet dhe uljet e perandorive të mëdha që kanë mbizotëruar në rajon. Sot është një amalgamë e monumenteve që prezantojnë një hapësirë me mbi 2000 vjet, që nga tempujt helenikë të shek. IV para Krishtit, deri në kalatë osmane të fillimit të shek. XIX./ atsh / KultPlus.com