Ka vdekur sot Edi Shukriu, shkrimtarja, arkeologia dhe historiania e shquar kosovare, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës të cilët njëherit edhe kanë njoftuar për detajet rreth varrimit të të ndjerës.
“Me dhembje dhe pikëllim të thellë njoftojmë opinionin se më 17 janar 2023 ndërroi jetë akademike Edi Shukriu, një emër i njohur dhe i çmuar në fushën e arkeologjisë, të historisë, të letërsisë, të angazhimeve politike, institucionale dhe kulturore në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare”, thuhet në njoftim.
ASHAK tutje kanë bërë të ditur se varrimi i së ndjerës do të bëhet më datë 18 janar 2023, ora 15:00, në varrezat katolike të qytetit të Prizrenit.
Ndërsa, mbledhja komemorative do të mbahet gjithashtu më datë 18 janar, në mjediset e ASHAK-ut në orën 11:00 dhe homazhet do të bëhen nga ora 12:00-13:00. / KultPlus.com