Libri ‘Good Morning, Hope’, i motrave Detina dhe Argita Zalli tashmë është përkthyer edhe në gjuhën shqipe, shkruan KultPlus.
“Mirëmëngjes, shpresë” është titulli që ky libër bart në gjuhën shqipe e ku motrat Zalli rrëfejnë historinë e tyre por njëkohësisht historia e shqiptarëve që në vitet e 90-ta u larguan nga Shqipëria për një të ardhme më të mirë. Disa shkuan në Itali, Greqi e Angli duke rrezikuar jetën.
Libri në gjuhën shqipe është përkthyer nga shtëpia botuese “Botime Pegi” dhe më datë 17 nëntor libri do të promovohet tek Europa House e ku prezentë do të jenë edhe motrat Zalli.
“Me shume kenaqesi ju njoftojme qe libri jone, Good Morning, Hope eshte perkthyer nga shtepia me e madhe botuese ne Shqiperi, Botime Pegi dhe do te dali ne Shqiperi. Ne daten 17 Nentor, diten e premte, une do te jem ne Shqiperi per te folur rreth librit. Do te mbahet nje event per kete tek Europa House ne oren 17:00. Ketu mund te blini dhe librin. Mirepresim te gjithe! Detina dhe Argita!”, shkruajn motrat Zalli.
Detina dhe Argita Zalli ishin vetëm 9 vjeç, kur në Shqipëri filloi Lufta Civile, e pas kësaj jeta e tyre mori kahje komplet ndryshe. Prindërit e tyre kërkuan me çdo kusht të largoheshin nga Shqipëria, por kjo rrugë nuk ishte aspak e lehtë për ta.
Pas shumë sakrificave, familja Zalli shkuan në Angli, por jeta atje nuk ishte një lule e çelur. Prindërit e tyre e kishin të vështirë të punësoheshin për shkak të mosnjohjes së gjuhës, në anën tjetër motrat Zalli aso kohe 12-vjeçe u detyruan që të visheshin si më të mëdha në moshë për të punuar.
Fyerjet, racizmi dhe diskriminimi që u bëhej nga shokët e klasës ishte një tjetër sfidë me të cilën u përballën për vite me radhë. Por e gjithë kjo histori frike e sakrifice, motrave Zalli u shërbeu si frymëzim për të punuar shumë e për të arritur suksese të mëdha sidomos në fushën e shkencës duke u bërë një histori frymëzuese e suksesi.
Ato patën mundësi të studiojnë e të punojnë në universitet më të njohura në botë si ato të Harvardin, Oksfordit dhe Kembrixhit. Ndonëse u bënë shkencëtare në një moshë shumë të re, ato patën rastin të punojnë me shume shkencëtarë të njohur e laureatë të çmimit Nobel. Libri i tyre, është një përmbledhje e bukur e gjithë kësaj rruge të egër por frymëzuese. / KultPlus.com