Nga një refugjate nga Shqipëria në një shkencëtare të suksesshme në Angli, Detina Zalli: Ëndërroni pa limit e pa frikë

Flonja Haxhaj

Historia na ka mësuar për jetët e jashtëzakonshme të njerëzve të jashtëzakonshëm. Histori të sfidës, vuajtjes por edhe të suksesit, që u bënë referencë frymëzimi për shumë  njerëz në mbarë globin.

E tillë është edhe historia e binjakeve Detina dhe Argita Zalli. Të lindura në Patos të Shqipërisë, ato ishin vetëm 9-vjeçe kur përjetuan frikën më të madhe, atë të Lufës Civile në vitin 1997, e kjo do të përcaktonte më pas gjithë jetën e tyre, e cila përbën një dramë në vete.

Në pamundësi për të jetuar në Shqipërinë e asaj kohe, kësisoj prindërit e binjakeve Zalli vendosin të largohen për në Angli dhe ashtu vepruan. Pas shumë mashtrimeve, ata u nisën drejt Anglisë nëpërmjet rrugëve ilegale, edhe pse rruga deri atje përgjatë udhëtimeve me traget, tren e kamion duke u fshehur, u shndërrua në makthin e radhës për familjen Zalli.

Edhe jetesa në Angli fillimisht u përcoll me vështirësi ekonomike për familjen, po ashtu edhe Argita dhe Detina, si shumë fëmijë të tjerë emigrantë nuk u mirëpritën nga shoqëria në klasë.

Mirëpo, asnjë nga këto nuk u bënë pengesë pë binjaket Zalli. Me punën dhe  përkushtimin e tyre, ato arritën të bëhen shkencëtaret që studiuan e punuan në universitetet më të njohura në botë, punuan dhe vazhdojnë të punojnë me shkencëtarët që kanë fituar çmime ‘Nobel’ e u dalluan qysh në moshë të re me diapazonin e tyre në fushën e shkencës.

Nëpërmjet një interviste për KultPlus, Detina Zalli rrëfen për gjithë këto suksese që erdhën si pasoje e punës dhe fokusimit në ëndërrat e tyre, pavarësisht barrierave që u dolen rrugës.

Përveç në hulumtime shkencore, Detina Zalli, për shumë kohë ka qenë edhe pedagoge në universitete më të mira në gjithë botën si në Oksford, Harvard, ndërkaq tani ajo është e fokusuar vetëm në Kembrixh. E kjo pavarësisht vështirësisë që sjell me vete, Zalli thotë se është një prej punëve që e bën me pasion të fortë.

“Kur ke një pasion aq të fortë, puna të bëhet edhe shumë më e thjeshtë. Janë motivi dhe inspirimi, ajo se çfarë ndryshimi mund të bësh ti për njerëzit e tjerë ajo që të jep një motivim shumë të madh. Pra, duke qenë vështirësitë që shumë shqiptarë e edhe unë kemi kaluar sidomos në vitet 1997/1998, mendoj që të aplikosh në universitete prestigjioze është shumëherë më e lehtë dhe me e thjeshtë në krahasim me vështirësinë e frikën që e kemi përjetuar ne në ato vite”, thotë Zalli për KultPlus, duke shtuar mes tjerash që të studiosh dhe të punosh në këto universitete i ka bërë të ballafaqohet me konkurrencë shumë të madhe por ajo thotë gjithmonë ka funksionuar me parimin ‘Provo më të mirën pavarësisht rezultatit’.

Duke i marrë parasysh vështirësitë që i kanë pasur vetë përgjatë rrugëtimit të tyre akademik, binjaket Zalli kanë themeluar organizatën ‘WeSpeakScience’. Kjo organizatë ka për qëllim që të ndihmojë studentët që vijnë nga kushte të vështira ekonomike duke ofruar kurse falas nga profesorë e ekspertë të njohur.

“Ideja e ‘WeSpeakScience’ më lindi përderisa unë isha në laborator, ndërsa bëja eksperimente po mendoja se çfarë mund të bëj unë për të tjerët duke qenë se asnjë njeri nuk më ndihmoi mua, pra çka mund të bëj unë për ata studentë që vijnë nga kushte të vështira ekonomike sidomos nga Shqipëria, Kosova por edhe nga vende të tjera. Më pas thashë se jo të gjithë mund të vijnë në Harvard, por mendoja çfarë mund të bëj unë që Harvardi të shkojë atje ku unë isha atëherë”, deklaroi Zalli duke folur për zanafillën e kësaj organizate.

“ ‘WeSpeakScience’ ofron disa kurse e të cilat janë falas për të gjithë studentët anë e mbanë botës që vijnë nga kushte të vështira ekonomike nga Anglia, nga Evropa Lindore, nga Kosova, Shqipëria, Amerika dhe jam shumë krenare sepse pak a shumë në këtë program janë persona shumë të mëdhenj duke përshirë pedagogë e shencëtarë të famshëm që punojnë në industri të mëdha dhe akademikët më të mëdhenj duke përfshirë Harvard, Kembrixh, Oksford, Imperial College, disa nga shkencëtarët që janë trajnuar nga Nasa , disa pilotë nga ‘Vergion Galactice’, disa austronautë ose që janë trajnuar si ausronautë”, tha në vijim Zalli.

Ndërkaq, për t’iu vënë në ndihmë shumë grave dhe burrave që vuajnë nga kanceri, binjaket Zalli kanë botuar edhe librin ‘Afërdita ime’ i cili mban emrin e nënës së tyre që po ashtu është një paciente që vuan nga kanceri.

Ky libër ka për qëllim të ndihmojë pacientët e kancerit që të kenë më shumë njohuri rreth kësaj sëmundje, rreth medikamenteve e shumë të tjera.

“ Duke ditur vetë se sa e rëndë dhe e vështirë për pacientët e kancerit të kalojnë këtë sëmundje dhe të përballen me të  dhe duke qenë se nëna jonë na ka ne që ja shpjegojmë të gjitha rreth kësaj sëmundje, menduam që përmes këtij libri edhe të tjerët të kenë më shumë informata pasi në Shqipëri, Kosovë e në Maqedoninë Veriore këto informata rreth sëmundjeve të ndryshme mungojnë”, u shpreh Zalli për KultPlus.

Të arrish t’i bësh shumë punë akademike njëkohësisht dhe të jesh një nënë e dy fëmijëve, këtkon shumë përkushtim dhe punë të madhe. Detina Zalli thotë për KultPlus se për të shkëlqyer në të dyja ajo sakrifikon dhe punon shumë.

“Unë kam ndryshuar orarin e punës, ngrihem shumë herët në mëngjes, nga ora 4 deri në ora 7 jam në punë, pastaj zgjohen fëmijët, e me zgjimin e tyre bëj rolin e mamit, i dërgoj ata në shkollë pastaj kur vijnë fëmijët nga shkolla dua t’i dedikohem posaçërisht vetëm atyre, pra jam një mami shumë e përfshirë sepse nuk dua që ata të sakrifikojnë për karrierën time”, tha ajo.

Në krijimin e kësaj mënyre të jetesës ajo  ka marrë për bazë histori të njerëzve të mëdhenj, histori të njerëzve që kanë arritur të jenë të shkëlqyer edhe në punë edhe në jetën e tyre personale pavarësisht sakrificave që edhe profesioni edhe përkushtimi ndaj familjes kërkon.

“Për këtë jam inspiruar nga njerëz të mëdhenj e ndër ta është Barack Obama i cili ka qenë inspirimi më i madh i karrierës sime dhe i jetës sime, duke treguar historinë e tij ai thoshte se ngrihej herët në mëngjes dhe i mësonte nëna e tij në orën 4 të mëngjesit mësimet sepse ajo më pas duhej të shkonte në punë. Pra, të njëjtën gjë po bëj edhe unë me veten time sepse mundohem të bëj sa më shumë punë herët në mëngjes në mënyrë që më vonë të dedikohem fëmijëve që t’i mësoj edhe ata”, tha mes tjerash Zalli.

E gjithë kjo histori suksesi dhe pune duket se ka ardhur nga një synim për një ëndërr të madhe. Për këtë dhe për gjithë ata që duan të arrijnë atë që duan, Zalli dha një mesazh nëpërmjet KultPlus.

“Mesazhi im kryesor është që në fillim të definojnë nëse kanë një ëndërr apo një dëshirë shumë të madhe sepse ka një diferencë të kesh një ëndërr dhe një dëshirë shumë të madhe. Në qoftë se kanë një ëndërr, pra kur unë kam një ëndërr, unë dhe ëndrra bëhemi një, sa të jetoj unë, jeton edhe ëndrra, jemi në një trup, në një mendje, gjatë gjithë kohës jemi një dhe nuk ka mundësi që ëndrra të mos realizohet sepse në qoftë se ti jeton me ëndrrën, ti e ushqen ëndrrën dhe përpjekjet do të rezultojnë pozitive”, deklaroi Zalli duke shtuar në vijim se të kesh një ëndërr do të thotë edhe të bësh shumë sakrifica, të jesh shumë objektiv me veten dhe të mos dorëzohen kurrë. “Ëndërroni pa limit dhe pa frikë”, përfundoi ajo.

Ndërkaq, binjaket Zalli së shpejti do të publikojnë edhe librin ‘Good Morning, Hope’, e në të cilin ato rrëfejnë historinë e tyre, tmerrin e përjetimeve gjatë rrugës kur po largoheshin nga Shqipëria, e jetesën në Angli, e cila fillimisht nuk ishte aspak e lehtë.

‘Good Morning, Hope’ do të të ketë promovimin më 7 mars, 2023,/ KultPlus.com

KultPlus në shtëpinë e çdo lexuesi, në ditët festive me intervista ekskluzive

KultPlus – e para gazetë online shqiptare që i kushtohet raportimit të denjë mbi artin dhe kulturën, edhe këtë fundvit është përkujdesur për lexuesit e saj.

Sukseset e Kosovës ishin të shumta këtë vit nëpër sfera të ndryshme, andaj KultPlus këto suksese do t’i gëzojë edhe njëherë duke sjellur intervista ekskluzive të cilat do të mund t’i lexoni më 31 dhjetor, 1 e 2 janar në ditët e festive të Vitit të Ri 2023.

Albion Rrahmani, Detina Zalli, Kushtrim Koliqi, Tom Kuka (Enkel Demi), Shukrije Ramadani, Albana Krasniqi, Ilaz Bylykbashi, Lea Ypi, Ornela Vorpsi, Besa Llugiqi, Elez Nikçi, Adelina Paloja, Mrika Nikqi, vijnë me rrëfime ekskluzive duke sjellur histori shumë interesante nga sirtarët e veprimtarisë së tyre, të gjitha këto intervista mund t’i lexoni në www.kultplus.com, që do të publikohen gjatë ditës së sotme.

Si çdoherë, ju ftojmë të na lexoni por edhe të na shkruani mbi personazhet, tregimet dhe momentet që ju doni t’i shihni në KultPlusin tonë dhe tuajin.

Urime festat! /KultPlus.com

Nga vuajtjet e emigrimit deri tek historia frymëzuese, binjaket Zalli sjellin librin ‘Good Morning, Hope’

Flonja Haxhaj

Pothuajse çdo njeri ëndërron të ketë një mirëqenie ekonomike, sociale dhe shpirtërore në vendin e tij të origjinës, mirëpo, kur ajo të pamundësohet, si pasojë e shumë shkaqeve, njeriu e kërkon dhe e ëndërron atë mirëqenie në vende të tjera, shkruan KultPlus.

I tillë ishte fati i shumë shqiptareve që që u detyruan të largohen nga Shqipëria në vitet 90-ta si pasojë e Luftës Civile që filloi në vitin 1997, apo siç  quhej ndryshe Kriza Piramidale.

Shume personave tashmë u ishte rrënuar jeta pasi çdo ditë ndesheshin në rrugë me njerëz të armatosur, e po aq e vështirë ishte edhe për fëmijët, për të cilët vendi ishte bërë shumë agresiv dhe shokët e tyre me të cilët kishin luajtur bashkë, qoftë edhe ata të moshave 12-vjeçare, ishin të pajisur me armë.

E kjo situatë, bëri që shumë shqiptarë të kërkonin largimin nga vendi, e sigurisht kjo mund të bëhej vetëm nëpër rrugë ilegale.

Histori të tillë kishin përjetuar edhe binjaket Detina dhe Argita Zalli. Ato ishin vetëm 9 vjeç, kur në Shqipëri filloi Lufta Civile, e pas kësaj jeta e tyre mori kahje komplet ndryshe. Prindërit e tyre kërkuan me çdo kusht të largoheshin nga Shqipëria, por kjo rrugë nuk ishte aspak e lehtë për ta. Pas dy vitesh përpjekje, familja Zalli ishte nisur drejt vendeve të perëndimit, por i gjithë ky rrugëtim ishte i shoqëruar me shumë frikë  gjatë udhëtimeve me traget, tren e kamion.

Kur më në fund pas shumë sakrificave, ata mbërritën në Angli, jeta atje nuk është se iu përmirësua menjëherë, sepse jeta prej emigranti u solli atyre shumë vështirësi të tjera. Prindërit e tyre e kishin të vështirë të punësoheshin për shkak të mosnjohjes së gjuhës, në anën tjetër motrat Zalli aso kohe 12-vjeçe u detyruan që të visheshin si më të mëdha në moshë për të punuar.

Ato rrëfejnë se pjesë tjetër e vështirë e jetesës atje, ishin fyerjet, racizmi dhe diskriminimi që u bëhej nga shokët e klasës. Por e gjithë kjo histori frike e sakrifice, motrave Zalli u shërbeu si frymëzim për të punuar shumë e për të arritur suksese të mëdha sidomos në fushën e shkencës duke u bërë një histori frymëzuese e suksesi.

Ato patën mundësi të studiojnë e të punojnë në universitet më të njohura në botë si ato të Harvardin, Oksfordit dhe Kembrixhit. Ndonëse u bënë shkencëtare në një moshë shumë të re, ato patën rastin të punojnë me shume shkencëtarë të njohur e laureatë të çmimit Nobel.

Binjaket Zalli janë edhe themeluese të organizatës ‘We speak Science’, e cila ndihmon studentë në të gjithë botën në fushën e shkencës. Po ashtu ato kanë themeluar edhe qendrën e bamirësisë për njerëzit që vuajnë nga kanceri e të cilën e kanë titulluar ‘Afërdita Ime’. Po ashtu, ato së fundi janë bërë edhe pjesë e programit ‘Star’ të ‘Nasa’.

E këto janë vetëm disa nga sukseset që motrat Zalli kanë arritur gjatë karrierës së tyre e që është gjithnjë e në rritje.

Ato së fundi kanë shkruar edhe librin e tyre ‘Good Morning, Hope’, e në të cilin ato rrëfejnë historinë e tyre, tmerrin e përjetimeve gjatë rrugës kur po largoheshin nga Shqipëria, e jetesën në Angli, e cila fillimisht nuk ishte aspak e lehtë.

Motrat Zalli thonë për KultPlus se në këtë libër rrëfehet e gjithë historia e shqiptarëve që në vitet e 90-ta u larguan nga Shqipëria për një të ardhme më të mirë. Disa shkuan në Itali, Greqi e Angli duke rrezikuar jetën.

“Kjo është historia jonë, e të gjithe “neve” që sakrifikuam kaq shumë, që ditëm t’i bënim ballë situatave, racizmit, diskriminimit dhe që çdo herë qe na rrëzonin, na qëllonin, na diskriminonin, ngriheshim perseri në kembe. Kjo është historia e të gjithë shqiptarëve që po nderojnë Shqipërinë kudo që janë në botë.”, thanë ato për KultPlus.

Ndërkaq,libri ‘Good Morning, Hope’ do të të ketë promovimin më 7 mars, 2023, kurse të gjithë ata që janë të interesuar mund ta bëjnë pre book nga java tjetër./ KultPlus.com

Detina Zalli angazhohet në një program të NASA: Kjo ka qenë një ëndërr e imja prej kohësh

Detina Zalli është angazhuar në një kërkim shkencor hapësinor në një prej kompanive më të mëdha në botë, NASA, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Zalli njoftoi se ka arritur që të realizojë një ëndërr të saj, e cila ka qenë e tillë prej kohësh.

Postimi i plotë:

“Krenar që jam pjesë e Programit STAR të NASA. Kjo ka qenë një ëndërr e imja prej kohësh. Nuk mund të të falënderojmë sa duhet Egle Cekanaviciute për mundësinë unike dhe brilante për të mësuar dhe angazhuar më shumë në kërkimin shkencor hapësinor. Një falenderim i madh për mikun tim Willian Abraham da Silveira për mbështetjen e tij në këtë program”, thuhet në postimin e saj.

Kjo nuk është hera e parë që Zalli punon për NASA-n, pasi një përvojë të tillë e kishte edhe më herët.

Dy binjaket, Argita dhe Detina, kanë pasur arritje të majme në fushën e shkencës vitet e fundit, përpos faktit që kanë studiuar në Harvard. /KultPlus.com

Tani asistente në Universitetin e Kembrixhit, Detina Zalli rrëfen tmerrin e largimit nga Shqipëria për në Angli në vitin 1999

Detina Zalli, e cila është asistente në Universitetin e Kembrixhit, së fundi ka dhënë një intervistë për gazetaren amerikane në Mbretërinë e Bashkuar, Trisha Goddard në të cilën ka rrëfyer tmerrin e largimit nga Shqipëria gjatë vitit në vitin 1999, kur Shqipëria po përjetonte Krizën Piramidale, transmeton KultPlus

Zalli, shpjegon se gjatë kësaj kohe në Shqipëri, të gjithë madje edhe fëmijët mbanin një armë me vete, e kjo e bënte shumë të vështirë jetesën.

“Ne kemi kaluar në kohë shumë të vështira në vitin 1997. Në atë kohë unë isha vetëm 9 vjeç dhe nuk kisha dëgjuar kurrë më parë për Universitetin e Harvardit, të Kembrixhit apo të Oksfordit, as nuk e dija që ekzistojnë sepse shqetësimi i shpirtit tim ishte ta gjeja babanë tim të gjallë sepse frikësohesha që ai mund të jetë qëlluar rrugës për në shtëpi, kështu që kam dalë nga shtëpia fshehurazi në mes të natës, mes të plumbave dhe granatave vetëm për ta gjetur atë sepse siç thuhet “S’ka frikë më të madhe për një fëmijë sesa humbja e një prindi”, rrëfen Zalli, e cila më tutje shpjegon se edhe shokët që dikur lunate me ta, atë kohë mbanin armë me vete e që e pamundësonte qëndrimin me ta.

E gjithë kjo vështirësi, e kishte bërë familjen Zalli që ta mendojnë largimin nga Shqipëria përmes rrugëve ilegale.

“Fillimisht babai ynë ra në kontakt me një doktor në Shqipëri i cili e kishte siguruar babanë tim që ishte një rrugë që qonte njerëzit nga Shqipëria për në Britaninë e Madhe përmes airoplanit, pra ne duhet të paguanim 12,000 dollarë, të cilat ne nuk i kishim, e që babai im u detyrua t’i marrë hua nga 12 njerëz për pesë ditë e që ishte një detyrë shumë e vështirë dhe pasi ne i dhamë paratë, plani ndryshoi dramatikisht, ne mësuam që doktori ishte pjesë e një grupi mafioz dhe kur ne shkuam në aeroport për të udhëtuar për një Mbretërinë e Bashkuar na thanë që të shkojmë në shtëpi sepse s’ka një udhëtim të  tillë përderisa na i kishin drejtuar armët”, deklaron Zalli.

Ajo thotë se familja e saj u detyroua që të merrte rrugën për në Itali, në fillim ishte e planifikuar që të udhëtonin me anije të shpejta por më pas plani ndryshoi dhe ata udhëtuan me traget, e nga aty mund të shkonin për në Milan e Paris me tren.

“Ne fillimisht ishim në Paris dhe atje na thanë që rruga e vetme ishte të udhëtonim për në Bolonja dhe mënyra e vetme për të shkuar ishte përmes kamionëve. Ajo ishte si skenë filmi, ti duhej të ishe shumë i përgatitur për të udhëtuar me kamion. Të gjitha veprimet bëheshin gjatë natës, dhe të fshiheshe prapa pëlhurave të kamionit për t’I ikur policisë franceze. Ishte shumë e frikshme por ne duhej ta realizonim këtë udhëtim për të ikur sepse s’kishim zgjidhje tjetër, sepse ata na kishin marrë paratë dhe s’kishte mundësi kthimi.”, thotë Detina Zalli, duke rrëfyer tmerrin dhe frikën që kanë përjetuar gjatë asaj ikje.

Por, Zalli shpjegon që jeta e tyre ndryshoi komplet pasi  shkuan në Angli, sepse atje meqë ajo dhe motra e saj kanë pasur njohuri për gjuhën angleze ka qenë më e lehtë pavarësisht vështirësive që jeta prej refugjati ofron.

Më pas ajo tregon se për të siguruar jetesën e familjes së tyre ato janë veshur me taka për t’u dukur më të mëdhaja në mënyrë që të mund të punojnë.

E gjithë historinë e tyre, binjaket Zalli e kanë shfrytëzuar për të punuar më shumë, e çka e dëshmojnë edhe me arritjet që ato tani i posedojnë.

“Kam bërë disa vite hulumtime shkencore, kam pasur rastin të punoj me shumë laureatë të çmimit Nobel, kam punuar në Universitetin e Harvardit, tani jam në Kembrixh, po ashtu jam themeluese e organizatës “Ëe speak Science”, po ashtu kam bërë shumë bashkëpunime në fushën e biologjisë”, thotë Zalli, e cila po ashtu thekson se bashkë me motrën e saj kanë hapur një qendër bamirësie për njerëzit që vuajnë nga kanceri e të cilën e kanë titulluar ‘Afërdita ime’.

Ndërkaq, historinë e tyre, Detina dhe Argita Zalli do ta publikojnë në librin ‘Good Morning, Hope’ I cili do të promovohet më 7 mars 2023 në Amerikë./ KultPlus.com

Më poshtë mund të shihni intervistën e plotë të Detina Zallit:

Shkencëtarja shqiptare në Universitetin e Oksfordit, flet për vaksinën

Shqiptarja Detina Zalli, kërkuese shkencore në Universitetin e Oksfordit në Britaninë e Madhe, ka qenë prezente në media dhe rrjete sociale me këshilla rreth pandemisë.

Ajo ka publikuar informacionin se vaksina e përgatitur nga Oksfordi është pranë aprovimit dhe se në Angli tashmë janë porositur rreth 100 milionë doza.

“Vaksina do të jetë efikase dhe ndaj variantit të ri të koronavirusit”, ka shkruar shkencëtarja shqiptare.

“100 milionë vaksina të Universitetit të Oxford-it janë porositur në Angli. Vaksina duhet të aprovohet këto ditë. Vaksina duhet të punojë dhe me variantin e ri të virusit. Më shumë informacione do t’u shkruajmë ditët e ardhshme. Më poshtë është shpjeguar se si është ndërtuar vaksina”, ka shkruar ajo në rrjetin social Facebook. / KultPlus.com

Dy motrat shqiptare pas Harvardit në Oxford, kësaj radhe në ndihmë kundër luftës me Covid19

Detina dhe Argita Zalli janë dy motra shqiptare të cilat sëfundi po ushtrojnë profesionin e shkencëtarëve në London University College, shkruan KultPlus.

Motrat Zalli sëfundi kanë njoftuar se së shpejti do të publikojnë një broshurë informative rreth Covid19. Disa muaj më parë ato kanë publikuar një libër mbi sëmundjet tumorale.

Ndër të tjera, vlen të ceket se motrat Zalli kanë qenë tejet aktive gjatë kësaj periudhe pandemike duke ofruar shumë shpesh informacione e këshilla për diasporën dhe jo vetëm.

Dy motrat Detina dhe Argita Zalli në vitin 1999 emigruan si shumica e shqiptarëve duke shkuar në Angli, ku tashmë atje jetojnë dhe veprojnë me një karrierë të suksesshme. / KultPlus.com