Një padi e ngritur kundrejt Institutit të Artit në Detroit, pretendon se një pikturë e Van Gogh e shfaqur në ekspozitën e këtij muzeu është e vjedhur.
Piktura, e quajtur “Lexuesja e romanit” dhe e njohur gjithashtu si “Zonja që lexon”, e vlerësuar të jetë 5 milion dollarë, ishte në pronësi të koleksionistit brazilian Gustavo Soter, deri në momentin që Instituti i Artit në Detroit e ka huazuar atë nga një palë e tretë e cila nuk është pronari i saj ligjor.
Gjykatësi në shqyrtim të çështjes ka urdhëruar përkohësisht muzeun e Detroit që të mos e zhvendosë, dëmtojë, shkatërrojë ose përdorë pikturën përgjatë shfaqjes së saj në ekspozitë në mënyrë që të ruhet vlera e saj.
Piktura e vitit 1888, e punuar me vaj në kanavacë, përshkruan një grua të re duke lexuar një libër të verdhë përpara një sfondi të verdhë të bibliotekës. Kjo pikturë do të qëndrojë si pjesë e ekspozitës deri në mbylljen e saj më 22 janar, teksa një seancë dëgjimore më 19 Janar do të vendosë për fatin e saj. /topchannel /KultPlus.com