Suada Qorraj
Vargje dhimbjeje, dashurie por dhe një lidhjeje që kalon përtej shpjegimeve të zakonshme. E përjetuara që nuk zhbëhet, një jetë e humbur që lë shumë pas vetes, sekondat e fundit, e gëzimin e parë, por krejt në fund një botë e shembur. Pikërisht dhe kënga ‘Frymë’ vie si përjetim personal i kantautorit Vlashent Sata, por që arrin të gjej vend tek secili që dikur jeta i përballi me të njëjtën humbje, shkruan KultPlus.
‘Me pas ditë se ish’ kènë i fundit përqafim t’kisha rrok pak ma shumë, pak ma shumë, pambarim’, janë vetëm rreshtat e parë që krahas mistikes që mbanë në vete lidhja baba dhe djalë, shprehin mall të pafund e të pashoq.
Në një intervistë për KultPlus, Vlashent Sata tregon se kënga ‘Frymë’ mbanë në vete një ndër tekstet më personale, por më të vështira për tu shkruar.
“’Frymë’ është këngë më personale se flet për dhimbjen më të madhe, që është humbja e babait tim, e që besoj që ju ka fol shumë njerëzve që kanë humbur njerëzit e vet. Teksti ka qenë mjaft i vështirë për tu shkruar sepse nuk dija se çka doja të thoja. Më ka marrë plot dy muaj si këngë që të finalizohet komplet’’, thotë kantautori.
Sipas tij kënga flet për momentet e fundit nga periudha kur ti nuk do të jesh më njësoj, ato sekondat që nuk e dijmë që është hera e fundit që përqafon një njeri të dashur, që e dëgjon për të fundit herë, para se jeta të shembet, kurse e vemja shpresë të ngelet horizonti.
‘Frymë’ krahas ndjeshmërisë së madhe që posedon brenda tekstit, ka dhe një tjetër ndjeshmëri po aq të madhe në videoklipin e këngës, ngase mesazhi i saj përcillet dhe përmes kukullave, loja e të cilave sjellë përditshmërinë, dhe lidhjen e një prindi me fëmijën e tij, në një dimension krejtësisht ndryshe.
“Është kënga e vetme që mund ta shikosh po qa intensivisht sa mund ta dëgjosh. Mund të them është projekti më i veçantë që kam bërë, si një lloj ngushëllimi i dyanshëm mes publikut dhe meje, sepse dhimbja e humbjes së një prindi është diçka që nuk zhbëhet”, rrëfen Sata kur pyetet se pse zgjodhi kukullat për të përçuar mesazhin e tij.
Krejt në fund kantautori tregon se kënga është edhe një formë ngushëllimi për të gjithë njerëzit që kanë humbur dikë, me shpresën se dikur sado pak do të kaloj dhe nuk do të jetë nevoja që të shkruhen këngë të tilla./ KultPlus.com