Presidenti Ilir Meta dekoroi sot artisten e shquar të kinematografisë shqiptare Elida Janushi dhe pionerin e kameras, Dhimitër Lala me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Meta e dekoroi aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit zonjën Elida Janushi, me motivacionin: “Në vlerësim të mjeshtërisë së rrallë aktruese si dhe të kontributeve ndaj artit e kinematografisë shqiptare, të dhëna përmes roleve të shumta të luajtura në skenë dhe ekran. Me mirënjohje për realizimin e arrirë të dhjetëra personazheve të grave dhe vajzave të interpretuara e të portretizuara me individualitet të veçantë përmes botës së saj të pasur emocionale dhe me ngjyrimet e gjetura plastike.”
Ndërsa mjeshtri i kamerës, Dhimitër Lala u vlerësua nga Presidenti Meta me motivacionin: “Për kontributin e vyer profesionist të dhënë si një nga operatorët e parë dhe pionierët e kamerës, duke zënë një vend të merituar në historinë të kinematografisë shqiptare si dhe duke hedhur kështu themelet e saj në vendin tonë. Me mirënjohje për realizimin me mjeshtëri të lartë artistike gjatë karrierës së tij të dhjetëra dokumentarëve dhe kronikave, duke shërbyer si një shembull frymëzimi për brezat e rinj”.
Në fjalën përshëndetëse drejtuar të familjarëve dhe personaliteteve të artit, kulturës dhe kinematografisë, të pranishëm në ceremoninë solemne, Kreu i Shtetit tha se “nderojmë dy figura, që në zhanret e tyre kanë dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh për dekada”.
“Jeta e kino-operatorit Dhimitër Lala është e mbushur me një kontribut të jashtëzakonshëm për filmin shqiptar, por duke prekur njëkohësisht momente vlerësimi shumë të larta, si dhe dënime shumë të padrejta në periudha të tjera. Lala është nga kineastët e parë shqiptar që hodhi themelet e Artit të Shtatë në Shqipëri dhe njëkohësisht ndër kineastët e parë që xhiruan në Televizionin Shqiptar prej vitit 1971, vit kur nisën transmetimet ditore të këtij televizioni”, tha ai, ndërsa ndalet edhe në arrestimin dhe dënimin me 6 vjet burg për agjitacion e propagandë, në burgun famëkeq të Spaçit.
“Karriera e tij e suksesshme, me realizimin me mjeshtëri të lartë artistike të qindra dokumentarë dhe kronikave, apo thënë ndryshe e afro 50 mijë metra film të xhiruar, ka hynë në historinë e kinematografisë shqiptare”, tha Meta.
Po kështu, ai vlerësoi një artiste shumë të dashur për publikun shqiptar, një bijë të denjë të Devollit, aktoren Elida Janushi.
“Elida Janushi i përket një brezi të shquar artistësh të skenës dhe ekranit, që shënuan një hop cilësor në interpretimin e roleve dhe figurave, në dramën dhe kinematografinë shqiptare. Edhe pse Elida Janushi ka disa vjet që është shkëputur nga skena dhe jeton larg atdheut, ajo ka lënë gjurmët e saj të pashlyeshme në rolet e realizuara gjatë karrierës së saj, me zërin e saj plot humor e kumbues, me interpretimet e saj të mrekullueshme, duke u bërë krenaria jo vetëm e vendlindjes së saj, por e mbarë neve”, tha Meta. /ata/ KultPlus.com