“Dhoma e ditës” është premiera e radhës në Teatrin Dodona e që do të prezantohet më 29 mars, në ora 20:00, shkruan KultPlus.
Kjo shfaqje që reprizat do ti ketë më 30 dhe 31 mars, është mbështetë nga Komuna e Prishtinës vjen me tekst të Richard Kalinoski e me regji të Butrint Pashës.
Me rolet e tyre në këtë shfaqje do të luajnë: Kumrije Hoxha, Vjosë Tasholli, Ermal Sadiku, Arta Lahu dhe Molikë Maxhuni.
Ngjarja flet për jetën e një regjisoreje, Sandrës, që po përgatitet të punojë shfaqjen ”Menaxheria e qelqtë”, ku do të përzgjedh për rol kryesor një aktor ambicioz, Tajllerin, që ndërkohë do të jap arsye për një raport të afërt me regjisoren.
Jashtë jetës profesionale Sandra është një grua e dedikuar për kujdes ndaj nënës së saj të moshuar dhe të vetmuar, Abit,që ka nevojë për vizitat e saj. Në një moment kur Abi do të kuptoj që vajza e saj ka një plan të ri për jetën personale, aty fillon drama në mes dy grave të përhumbura në fatet e njëra-tjetrës.
Konceptualisht shfaqja flet për procesin e shkëputjes së fëmijës nga nëna, nevojën për ndryshime në jetë, barrierat e shkëputjes nga familja e ngushtë dhe fatin e të moshuarve. Kjo shfaqje vë në pah dy pyetje substanciale për jetën e çdo njeriu, se sa iu detyrohemi prindërve dhe sa kanë të drejtë prindërit të përcaktojnë jetën e fëmijëve të tyre? Duke e pasur parasysh faktin që dinamizimi i jetës, nevoja për të ndërruar mënyrë jetese është shprehur dukshëm edhe në shoqërinë tonë, pa vullnetin e tyre të moshuarit janë në mes të situatës ku duhet të adaptohen me mënyrën e jetesës së re, apo duhet të mbrojnë parimet e krijuara ndër vite, si normë shoqërore. / KultPlus.com