Dhoma e Tregtisë kërkon nga Qeveria e Kosovës mbështetje të drejtpërdrejtë dhe të pakushtëzuar për punëtorët dhe sektorin privat, shkruan KultPlus.
Mbi 250 mijë punëtorëve të sektorit privat , sipas DTIK-së, u është rënduar gjendja për shkak situatës ekonomike të krijuar në vend.
“Rikujtojmë se janë mbi 250 mijë punëtorë të punësuar në sektorin privat të cilët mbajnë familje dhe jeta i’u është rënduar për shkak të gjendjes ekonomike të krijuar në vend, e të cilët mund të mos përfitojnë nga pako e re e masave e paralajmëruar nga Qeveria e Kosovës pasi që e vetmja pikë e paraparë për këtë kategori, në kuadër të kësaj pako është kushtëzimi prej 50 për qind të rritjes së pagës deri në 100 euro për tre muajt e pare, ku realizimi i së njëjës do të jetë shumë i vështirë për një pjesë të madhe të bizneseve”, thuhet në reagimin e DTIK-së.
Ata vlerësojnë se kjo rritje do të jetë e vështirë për shumicën e bizneseve, prandaj edhe kërkojnë mbështetje.
“Punëdhënësit e sektorit privat e që janë shumicë, do ta kenë shumë vështirë të bëjnë ngritjen e pagave për punëtorët e tyre, për shkak se të njëjtit kanë probleme me inkasim të mjeteve dhe sigurimin e qëndrueshmërisë financiare për bizneset e tyre, në mënyrë që të njëjtat të mos falimentojnë”, thekson kjo odë.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë gjithashtu kërkon që Qeveria e Kosovës të marrë në konsideratë gjendjen e rënduar financiare të bizneseve në vend dhe të mos kushtëzoj punëtorët e sektorit privat, ashtu siç nuk ka kushtëzuar punëtorët e sektorit publik dhe të njëjtit të përfitojnë në mënyrë të barabartë nga shteti. /KultPlus.com