Alpinistja që pushton malet, Mrika Nikçi, bën thirrje për raportim të ngacmimeve seksuale (VIDEO)

Alpinistja që mposht malet, Mrika Nikçi, i bashkohet thirrjes kundër dhunës me bazë gjinore dhe bën thirrje për raportim të ngacmimeve seksuale, shkruan KultPlus.

Përmes një videoje nga Ministria e Drejtësisë, Nikçi bën thirrje për të raportuar dhunën me bazë gjinore. “As edhe një më shumë”, përfundon fjalën e saj alpinistja shqiptare.

Gjatë këtij viti Nikçi ka qenë viktimë e një sulmi seksual. /KultPlus.com

Rama: Nuk u abuzua vetëm një fëmijë, u turpëruam të gjithë ne si shoqëri

Edhe Kryetari i Prishtinës, Përparim, ka reaguar për rastin e 5 personave, të cilët dyshohet se morën pjesë në dhunimin e një 11 vjeçareje në Prishtinë, ngjarje e cila ndodhi sot, shkruan KultPlus.

Rama thotë se ky rast i ka tronditur të gjithë, duke ftuar organet e rendit që të jenë sa më prezent në hapësirat publike dhe më vigjilent ndaj rasteve të tilla.

Postimi i plotë:

“Rasti i dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë, na ka tronditur të gjithëve.

Jam thellësisht i prekur nga kjo ngjarje dhe ftoj organet e rendit që të jenë sa më prezent në hapësirat publike dhe më vigjilent ndaj rasteve të tilla.

Ne duhet të bëjmë shumë më tepër për t’i dhënë fund këtyre abuzimeve të tmerrshme dhe mosndëshkimit që lejon që këto akte makabre të vazhdojnë të ndodhin.

Është koha që ne të gjithë: gra, burra, vajza, djem, dhe sidomos ne si përfaqësues kryesorë të institucioneve publike, të bashkëpunojmë që raste të tilla të mos ndodhin më.

Nuk u abuzua vetëm një fëmijë, u turpëruam të gjithë ne si shoqëri!

Prandaj, si Kryetar i Kryeqytetit, zotohem se do të punojmë për ndërtimin e mekanizmave që rrisin bashkëpunimin mes komunitetit dhe organeve të rendit, në mënyrë që bashkë t’i parandalojmë rastet e tilla dhe të ofrojmë mbështetje për të gjithë viktimat”, shkruan ai në “Facebook”. /KultPlus.com

E largon gruan nga shtëpia, thotë se ajo nuk u kujdes për nënën e tij

Një burrë nga Podujeva e ka larguar nga shtëpia bashkëshorten e tij, nën arsyetimin se e njëjta nuk ishte përkujdesur për nënën e tij.

Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se i dyshuari është arrestuar dhe se është dërguar në mbajtje për 48 orë, shkruan express.

“Podujevë 18.10.2021 – 10:15. Viktima femër kosovare ka raportuar se për shkak të një mosmarrëveshje që kishte pas me të dyshuarin mashkull kosovar në lidhje me pronën shtëpinë e saj, nuk ishte lejuar të qëndroi në shtëpi kinse ajo nuk ishte përkujdesur për nënën e të dyshuarit. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në raport./ express/ KultPlus.com

Përkujtohet Sebahate Sopi, gruaja që u vra nga ish-bashkëshorti

Dhjetëra qytetarë kanë mbajtur “Manifestimin e heshtur përkujtimor” në kujtim të vrasjes së Sebahate Morina-Sopi nga ish-bashkëshorti i saj.

Në sheshin “Skënderbeu”, pranë objektit të Qeverisë se Kosovës u ndezën qirinj në përkujtim të së ndjerës.

Organizatorja e manifestimit, Aurela Kadriu shprehu mllefin karshi institucioneve për mos reagimin me kohë të këtij rasti, përcjell KultPlus.

Që nga fillimi i pandemisë COVID-19 dhe për shkak të masave parandaluese që kanë mbyllur viktimat me dhunuesit e tyre, në Kosovë kemi parë një rritje masive të rasteve të raportuara të dhunës në familje.

Vetëm gjatë 11 muajve të parë të vitit 2020, janë raportuar 2.000 raste më shumë se në vitin 2019. / KultPlus.com

Dhuna nuk ndalet në Prishtinë, 4 raste në 24 orët e fundit

– Vëllai e rrah vëllain, motra kërcënohet nga vëllai e ish-gruaja e kërcënon burrin.

Në rajonin e Prishtinës gjatë 24-orëve të fundit janë raportuar 4 raste të dhunës në familje.

Derisa në orët e mbrëmjes në kryeqytet, vëllai ka sulmuar fizikisht vëllain, në një tjetër rast në Fushë-Kosovë, vëllai ka kërcënuar motrën, për çka ka përfunduar në mbajtje.

Nga ana tjetër një grua nga Prishtina ka raportuar në polici se ndaj saj bashkëshorti ka ushtruar dhunë psikike dhe policia njofton se aktualisht rasti është nën hetime.

Ndërsa në Podujevë një burrë ka raportuar se nga ish-bashkëshortja e dyshuara femër kosovare, tashmë një kohë në mënyrë sistematike ka shantazhuar, kërcënuar dhe shqetësuar. E dyshuara është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt. / indeksonline / KultPlus.com

19-vjeçarja dyshohet se u dhunua në një mal në Prishtinë nga katër burra dhe mbeti shtatzënë

Një 19-vjeçare po dyshohet se është dhunuar nga katër meshkuj para katër muajsh. Viktima ka deklaruar se dy nga të dyshuarit i njeh, ndërkaq dy të tjerë nuk i ka parë asnjëherë.

Një ngjarje e tmerrshme po dyshohet se ka ndodhur në një fshat të Prishtinës para katër muajsh. Një 19-vjeçare ka raportuar në Polici se është dhunuar nga katër meshkuj, dy nga të cilët i njeh.

Krejt kjo ngjarje po dyshohet se ka ndodhur në mal, në një shtëpi të pabanuar, rrugës që çon në fshatin Koliq të Prishtinës, kanë thënë burime të Gazetës Express brenda Policisë.

19-vjeçarja ka deklaruar se është dhunuar me forcë nga katër personat e dyshuar.

E krejt rastin e ka lajmëruar pas katër muajsh, pasi ka kuptuar se si pasojë e dhunimit, ka mbetur shtatzënë. Ajo ka deklaruar se për këtë, posedon edhe raportin mjekësor.

Ndërkohë, Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se rasti është cilësuar si “Dhunim”.

“Dhunim. Koliq NN. Me 20.01.2021 viktima femër kosovare ka raportuar se para katër muajve është dhunuar nga katër persona të dyshuar dy nga ta i njeh. Rasti është duke u hetuar”, ka njoftuar Policia./GazetaExpress/ KultPlus.com

Gratë nuk i mbrojmë nga dhuna duke shkruar në rrjete sociale

Nga Marigona Jahaj

Gratë nuk mund t’i mbrojmë nga dhu-na ose vde-kja duke shkruar në rrjete sociale, duke marrë pjesë në sfida në Instagram ose duke bërë zhurmë disa ditë pas një vra-sje-je.

Gratë i mbrojmë kur në familje e ndryshojmë të menduarit, dhe i mësojmë fëmijët që jeta e vajzave dhe grave vlen njëlloj si ajo e djemve dhe burrave.

Pra, të dashur prindër: Rritini dhe edukojini vajzat aq të forta, që të bahen të pavarura.

Në vend që t’i thuash «shuj, ti je çikë s’ban me folë», mësoje që zëri saj është i rëndësishëm dhe që fjala e lirë vlen për vajzat ashtu si për djemtë.

Në vend që ta mësoni vajzën «m’i ba punt e shpisë se do t’shkon te burri», fiksoja në kokë që shkollimi dhe karriera është me rëndësi për mos me qenë e varur nga dikush.

Mos i thuaj vajzës që «është e derës huj», por mësoje që ajo është një pjesë e familjes, që ajo ta dijë se gjithmonë e ka një mbështetje dhe një vend të sigurt në shtëpinë tuaj. Mësoje që familja do të luf-tojë bashkë me të nëse dikush nuk e respekton, e bën të ndihet pa vlerë ose ia kufizon lirinë.

Mos i thuaj vajzës që nuk i takon trashëgimia, por mësoje që nuk i mohoet e drejta e pronës – që ajo të ketë pavarësi dhe siguri ekonomike edhe nëse shteti nuk i ofron ndihmë.

Kështu i rrisim vajzat të forta dhe me plot vetëbesim dhe siguri. Kështu i mbrojmë ato! / KultPlus.com

“Burrë s’bahesh nëse e ki grushtin e fortë, as zani i naltë nuk t’ban burrë”

Nga Doruntinë F. Ferati

Burrë nuk bahesh veç pse e ki nji femër n’krevat, as burrninë nuk ta shton mardhanja me to.
Burrë bahesh e je kur respekti mbi grun tande e dashnia për to, m’poshtë çdo gja,
Burrë je nëse gruas tande i shkëlqejnë sytë prej lumturisë që ti ja ofron.

Jo, mos e quaj vetën burrë nëse e dashura jote, ma shumë qanë se qeshë me ty,
Mos thuj jam burrë e jam i fortë, nëse karshi saj shet trimni.

Mos u kreno po e lëndove e ja mbushe sytë me lotë n’pikë t’natës
E as mos thuj unë jam burrë’ e baj çka du,
Burrë s’bahesh nëse e ki grushtin e fortë
As zani i naltë nuk t’ban burrë
Ti je i dobt, e ma i dobët s’bahesh kurrë!

Mos u ndij i lumtur, po e bane nji gru tjetër me buzqeshë, në vend të asaj,
As mos u ndij i plotsum,
Ti je flliqësire, e ma flliqësirë nuk bahesh kurrë!

Në vend të saj, po i dërgove lule dikujt tjetër
E po e bane dikan tjetër t’ndihet mirë
Mos u kreno, turpërohu!

Kur ajo kërkon diçka, mos u mburr po s’ja plotësove kërkesat
Mos e mëbshtet burrninë në nji veprim të tillë
Egërsirë bahesh!

Po u turpërove me dal me njeriun e jetës tande, në nji drekë
Po u turpërove, ta duash, ta respektosh, e ta vlersosh
E po ngurrove t’i tregosh gjithë botës se nuk ka diçka n’jetë ma t’rëndësishme se ajo
Vdis ma mirë! / KultPlus.com

(Shkrimi është marrë i plotë pa ndërhyrje nga redaksia.)

Grafite në Prishtinë: Burrat vrasin gratë, shteti hesht

Disa grafite me mbishkrime në mbrojtje të grave, janë publikuar nga faqja “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”.

Në to shprehet revolta ndaj mos reagimit që po i bëhet grave.

“Burrat po i dhunojnë, përdhunojnë dhe vrasin gratë, ndërsa shteti po hesht. Në Kosovë vazhdojmë të tronditemi nga dhuna sistematike që po iu bëhet grave e cila herë-herë po përfundon me vrasje”, thuhet në reagimin e kësaj faqe e cila edhe ka publikuar më pas disa grafitë.

Tutje thuhet se  gratë ndihet të rrezikuara për shkak të mos reagimit nga ana e shtetit.

“Vazhdojmë të ndihemi çdo herë më të rrezikuar/a për shkak të mos-reagimit nga shteti. Kjo dhunë ndaj grave është thellësisht gjinore si dhe mos-reagimi shoqëror e institucional është thellësisht patriarkal”, përfundon ky reagim. / KultPlus.com

Ekspozita “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” kësaj radhe viziton Drenasin

Sot, me datë 6 nëntor, qytetarët e Drenasit patën mundësinë të vizitojnë ekspozitën “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”, e cila nga qershori po shfaqet në qytetet e Kosovës. Ekspozita sjell një labirint simbolik që shpalos disa prej rrëfimeve të vërteta të grave dhe burrave që kanë përjetuar dhunë në familje, dhe synon të inkurajojë qytetarët që të thyejnë heshtjen dhe të kërkojnë mbështetje nga institucionet në rast të dhunës.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG) bashkëpunuan për të sjell ekspozitën në sheshin “Fehmi Lladrovci”.

Një pjesë e rëndësishme e ekspozitës ishin “Muret mbajtëse” përmes së cilave qytetarët u informuan mbi atë se çka ofrojnë institucionet kyçe për trajtimin e dhunës në familje dhe se si qytetarët mund të arrijnë tek ato për të realizuar të drejtat e tyre.

Ekspozita në komunën e Drenasit është përkrahur nga Austrian Development Agency dhe Bashkimi Europian përmes UN Women. KultPlus.com

Vasfije Krasniqi: Të përdhunuarat po kanë frikë nga familja e gjerë për t’u shprehur publikisht

Vasfije Krasniqi-Goodman dhjetë muaj pas daljes publike me historinë e saj të përdhunimit seksual gjatë luftës, është rikthyer në televizion për të treguar gjendjen e saj pas atij rrëfimi.

Ajo, në emisionin “PasDite” me Donika Hysenin në RTV Dukagjini, thotë se pasi kishte gjetur përkrahje nga familja e saj e ngushtë kishte vendosur që historinë e saj ta bëj publike edhe në televizion.

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës thotë se shtysa kryesore për këtë dalje të saj publike ka qenë  vajza e saj 16 vjeçare.

Vasfija thotë se shumë gra dhe vajza që kanë qenë viktimë e dhunës seksuale nuk kanë përkrahje nga familjarët.

“Një rast më thirri në telefon dhe më tha çfarë të veprojë kur vëllai që kam në shtëpi nuk e di që unë dhe motra kemi qenë pjesë e grupit të vajzave dhe grave, por ai kur sheh në televizion rastet e përdhunimit fajëson viktimat”, tha ajo, përcjell Telegrafi.

Vasfije Krasniqi – Goodman ka thënë se njeh edhe femra të tjera që janë përdhunuar dhe kanë mbështetjen e burrit dhe familjes së ngushtë, por kanë frikë nga paragjykimi i rrethit më të gjerë familjar.

Vasfija thotë se OJQ-të kanë bërë mjaft për viktimat e dhunës seksuale, por jo edhe shteti, për të cilin thotë se ka mundur të bëjë më shumë dhe ka mundësi të bëjë më shumë për këtë kategori shoqërore.

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës thotë se qetësi shpirtërore do të ketë në momentin kur drejtësia të vihen në vend.

Vasfija thotë se jeta e saj sot është shumë me angazhime pas daljes së saj në publik me historinë e saj të përdhunimit.

Ajo thotë se para se të publikohet historia e saj në televizion, është marrë me vajzën dhe familjen e saj në SHBA.

“Unë për vete kam pasur liri në familje dhe një jetë të mirë familjare, por kam dashur të sensibilizoj shoqërinë edhe për rastet tjera”.

Vasfija thotë se edhe mbështetja publike ndaj kësaj kategorie shoqërore që sot kanë dhënë liderët fetarë është e mirëseardhur dhe një mesazh shumë i mirë edhe për botën, por sipas saj tema e dhunimeve para se gjithash duhet të hapet brenda familjeve.

E mbijetuara e dhunës seksuale në luftën e Kosovës ka thënë se femrat e dhunuara kanë nevojë më së shumti për mbështetjen dhe përkrahjen e familjeve të tyre./Telegrafi/KultPlus.com

Dhuna nuk është vetëm fizike, dhuna është: Ti nuk ki me dal, ama telefonin, fshije atë buzëkuq

Ky tekst është marrë nga një fushatë në Itali, ndërsa të përkthyer e sjell Alketa Spahiu.

– Ti nuk ki me dal; ama telefonin; fshije atë buzëkuq; veshu më mirë; krehu më mirë; bëj grim me shumë; bëj grim më pak; nuk ki me shku te nana jote; shoqet e tua janë të pamoralshme; mshele gojën; nuk vlen asgjë; ti nuk ki më punu, mendo për fëmijët; jo palestër; nuk ja del me bo kurrë send të hajrit;
– te kontrollon shpenzimet; nuk të është afër në momentet kur ke nevojë ndërsa pretendon që ti të jesh gjithmonë afër tij kur ai ka nevojë.

Dhuna është ai:

– që të tradhton; që të poshtëron; qe të shan kishe tu bo hajgare; qe nuk kujdeset për familjen; që nuk të bon kurrë asnjë kompliment; me të cilin raportet seksuale janë obligim; që të refuzon; që të vnon në siklet; që vetëm ta lëshon një shikim e ti ki frikë me fol.

Sibel Halimi: Rrëfimi i Vasfije Krasniqit duhet të jetë alarm për autoritetet politike

Rrëfimi i Vasfije Krasniqit duhet drejtuar edhe institucioneve të Kosovës, duhet të jetë alarm për autoritetet politike, të cilat e kanë shpërfillë problemin e grave të mbijetuara nga dhuna seksuale gjatë luftës.

Fillimisht, realiteti kosovar mbylli çështjen e të mbijetuarave gjatë luftës në sirtarët e politikës. Pastaj, mbi këtë çështje, shteti nuk ndërtoi asnjë premisë diskutimi. Çfarëdo tentative që erdhi jashtë politikës përfundoi si zë i mekur karshi gjuhës dominuese të kësaj kulture politike.

Reagimet të përcjella me gabime nga më të ndryshme nga sfera politike, përqendruan vëmendjen e grave të mbijetuara nga dhuna seksuale, të cilat iu nënshtruan një dhunimi për së dyti, por kësaj here të karakterit verbal dhe mostrajtimit të plagëve të tyre. Situatë kjo, e cila stigmatizoi gratë jo vetëm në sferën publike, por ndikoi negativisht edhe tek vet gratë dhe familjet e tyre.

Rrëfimet si ky është dashtë që moti të dëgjohen, por konsensusi shoqëror bëri që ato të mbyllen për 20 vite rresht. Tash, vargut të rrëfimeve duhet t`i bashkëngjiten të tjera rrëfime për t`i dhënë fund atyre me një epilog. Qoftë në bisedimet politike me Serbinë, qoftë në rregullimin e statusit të tyre./ KultPlus.com

“Një ditë” shkriu rrëfimet e 30 grave në lëvizjet e mahnitshme të Trupës së Baletit të Kosovës

Tregimet e grave kosovare mbrëmë erdhën të shkrira në vallëzimin e tetë balerinëve të cilët sollën premierën “Një ditë”, duke shënuar kështu edhe Ditën Ndërkombëtare të Dhunës ndaj Gruas, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Kjo shfaqje mbrëmë erdhi nën koreografinë e amerikanes Christie Coleman, ndërsa në skenë e jetësuan në mënyrë të përsosur balerinët: Teuta Krasniqi, Sead Vuniqi, Leonora Rexhepi, Fisnik Smani, Fatmir Smani, Vjollca Llugiqi, Jeta Musolli dhe Donmir Biblali.

Në një kënd të hollit të Teatrit të Kosovës një grua e re tërheq vëmendjen e të pranishmëve me vallëzimin e saj të lehtë cili përkufizon lirinë që ajo ka deri në momentin kur kapet nga një dorë burri, e që përfaqëson autoritetin e vëllait të saj i madh.

Pas kësaj, e gjithë ngjarja zhvillohet në skenën e Teatrit të Kosovës, ku pjesa e tjetër e shfaqjes fokusohet në ndërveprimin e një familje tradicionale ku balerinët përfaqësojnë dy prindër, një djalë dhe dy vajza. Lëvizjet e balerinëve japin mesazhin e qartë për çështjet me të cilat përballën gratë dhe me rolin e burrave në krijimin e këtij realiteti. Një grua duhet të bëjë gjashtë lëvizje për të arritur në një vend të caktuar, kurse burri arrin në atë vend me një lëvizje të vetme. Punët e shumëfishta të grave vijnë përmes lëvizjeve të shpeshta të balerinave, e të cilat në shumë raste kufizohen brenda një hapësire të një dore të burrit, e që shpesh gjatë vallëzimit kjo dorë drejton edhe lëvizjet e tyre.

Janë burrat ata që zotërojnë pushtetin në punë dhe familje dhe kjo shfaqje paraqet të katërt burrat të ulur në karriget e kuqe brenda skenës. Janë gratë ato që në këtë skenë shpesh ulen për tokë e ngrehen zvarrë madje edhe nga vet gratë, dhe janë po ato që ngrihen përsëri së bashku.

Koreografja Christie Coleman për KultPlus tregoi në mënyrë të detajuar lidhur me zanafillën e këtij projekti, i cili për të reflektuar në mënyrë kaq të saktë realitetin e familjes tradicionale, kishte kaluar në biseda të thella me rreth tridhjetë gra të kryeqytetit.

“Unë kam intervistuar tridhjetë gra në Prishtinë me të cilat diskutuam shtatë çështjet me të cilat ato përballen në baza ditore dhe po ashtu këtu dua patjetër të tregoi se shumica e probleme me të cilat ato përballen janë probleme ndërkombëtare, të njëjta probleme mi kanë treguar edhe miqtë e mijë që jetojnë në Nju Jork. Çështja e parë që nxirret në pah nga bisedat e mija janë e drejta pronësore, e dyta është se një grua humb vendin e punës edhe pse ajo është më e kualifikuar se një burrë, pastaj rrëfime tjera lidhen me punët e shumëfishta që ato duhet të bëjnë gratë si të kujdesen për shtëpinë, fëmijët, për burrin dhe të shkojnë në punë. Një vajzë tjetër paraqitet nën mbikëqyrjen e familjes lidhur me atë se ku shkon, çfarë bën dhe me kë takohet. Vajza tjetër flet për imazhin e trupit dhe problemet e portretizimit të femrave në media ku ka për qëllim të tregoi se standardet e bukurisë nuk janë ato se çfarë ne vërtetë jemi. Dhe çështja e fundit që trajton kjo shfaqje është se 61 për qind e grave në botë përjetojnë dhunë në forma të ndryshme dhe 40 për qind e grave në Kosovë vuajnë nga dhuna në familje dhe kjo është diçka për të cilën ne nuk flasim dhe kjo ishte pikërisht arsyeja përse e kemi ndërthurur në shfaqjen tonë sepse nëse gratë e tjera e shohin atëherë ato e kuptojnë se nuk janë të vetmet që përballën me këtë probleme dhe kështu mund të tregojnë edhe ato përjetimet e tyre”, shpjegoi për KultPlus, koreografja Christe Coleman.

Ajo po ashtu përmes KultPlus përcolli edhe një porosi duke thënë që trajtimi i barabartë gjinor vjen vetëm atëherë kur përpjekjet e shoqërisë arrijnë të jenë të barabarta.

“Shoqëria mund të ec përpara vetëm nëse edhe gratë i shtyjnë të ecin përpara. Nëse duam ta bëjmë ndryshimin, duhet ta bëjmë të gjithë së bashku. Të gjitha këto pabarazi që unë i përmenda, janë pabarazi të cilat ne jemi rritur duke i parë si të natyrshme dhe unë mendoj që është koha që të ndalemi dhe të reflektojmë se çfarë mund të bëjmë lidhur me këto probleme”, përfundoi Coleman.

Balerina Jeta Musolli erdhi mjaft dinamike përmes rolit të saj të një ylli të popit, e cila në të njëjtën kohë përjeton dhunë sistematike nga familja dhe i dashuri. Gjatë shfaqjes vallëzimi i saj që nënkupton lirinë dhe synimet e vërteta të saj shpesh ndërpriten nga personazhet që e rrethojnë. Shpesh duke dënesur dhe në luftë me realitetin, ajo arrin deri në fund për të jetësuar qëllimet e saj.

Jeta Musolli e përshkruan si shumë sfidues rolin e saj në këtë shfaqje ndërsa tregoi për KultPlus se bashkëpunimin e dytë me koreografen Christie Coleman e vlerësoi si shumë të suksesshëm.

“Për mua personalisht ka qenë shumë e vështirë sepse nuk ishte aspak e lehtë ta përjetosh një skenë të tillë por duke qenë se këto gjëra ndodhin edhe në jetën reale mendoj se mesazhi që e transmetuam sonte ka qenë mjaft i qartë që një herë e përgjithmonë duhet të ndalet kjo dhunë. Ky bashkëpunimi ashtu si bashkëpunimi i parë me Christie ka qenë shumë i mirë, unë jam munduar që të jap atë çfarë ajo ka kërkuar nga roli dhe besoj që e kemi gjetur gjuhën e përbashkët”, është shprehur Musolli për KultPlus.

Në dorën e balerinëve një letër që simbolizon pasurinë e familjes kalon sa në një dorë sa në tjetrën mes pëshpëritjeve “E imja”, dhe po ajo letër më pas shqyhet nga vajza dhe djali për të treguar që nëse pasuria nuk ndahet në mënyrë të barabartë atëherë ajo nuk i takon askujt.

Po ashtu një lloj abuzimi vije edhe fshehur në njërin nga këndet e teatrit i cili shfaqet vetëm në periudha të shkurtra, duke reflektuar kështu natyrën e fshehur të dhunës, e cila shpesh ndodh prapa dyerve dhe syve të mbyllur të shoqërisë.

Vjollca Llugiqi në këtë shfaqje erdhi në rolin e nënës e cila përmes djalit të saj shpesh bën edhe trysni ndaj vajzës së saj deri në momentin kur edhe ajo përballet me vështirësi në gjetjen e një punë.

Vjollca Llugiqi tregoi për KultPlus se puna një mujore për këtë shfaqje është përcjell më shumë emocione dhe entuziazëm duke qenë se brenda saj trajton një temë të ndjeshme.

“Duke qenë se ky është bashkëpunimi i dytë me koreografen Christie normalisht që ka qenë pak më lehtë pasi tashmë e njohim stilin e saj, dhe mënyrën e punës se saj e cila mundohet që çdo ngjarje të tregohet në detaje me anë te lëvizjeve. Ka qenë vërtetë një punë me shumë entuziazëm për një muaj pa pushim, po ashtu me shumë emocione të ndryshme duke pasur parasysh se çfarë teme e ndjeshme ishte sidomos për neve femrat, ka pas shume emocione edhe gjatë ushtrimeve duke dëgjuar gjithmonë nga një histori te një gruaje e cila në një apo tjetrën mënyrë ishin të dhunuara psiqikisht dhe fizikisht nga gjinia e kundërt. Shpresoj qe kjo shfaqje te jetë një nga mënyrat më të mira që zëri i femrës të dëgjohet me fuqishëm”, është shprehur Vjollca Llugiqi për KultPlus.

Kjo shfaqje ishte rezultat i bashkëpunimit i Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Un Women ndërsa është aktivitetit qëndron në kuadër të fushatës gjashtëmbëdhjetë ditore për sensibilizimin e shoqërisë lidhur me dhunën ndaj gruas./ KultPlus.com