Grupi i famshëm nga Korea Jugore, “BTS”, e ka lëshuar një deklaratë publike përmes së cilës e dënuan urrejtjen dhe dhunën e fundit kundër aziatikëve në SHBA. Ata po ashtu treguan eksperiencat e tyre me racizmin.
Deklarata e shtatë anëtarëve të grupit u postua në rrjetet sociale, me ç’rast ishin munduar të mos marrin vëmendje personale nga ky reagim, por thjeshtë të bënin thirrje për paqe, respekt dhe dashuri.
“U dërgojmë ngushëllimet më të sinqerta gjithë personave që i kanë humbur të dashurit e tyre. Ndiejmë hidhërim dhe zemërim të thellë. Edhe ne i kujtojmë momentet kur jemi përballuar me diskriminim si aziatikë. Jemi detyruar të durojmë komente të ndryshme pa arsye dhe jemi tallur për mënyrën se si dukemi. Madje na pyetën pse aziatikët flisnin në gjuhën angleze. Prandaj, nuk mund ta shprehim me fjalë dhimbjen e të qenit objekt urrejtjeje dhe dhune për një arsye të tillë racore. Përvojat tona nuk janë të rëndësishme në krahasim me ngjarjet që kanë ndodhur gjatë javëve të fundit. Por këto përvoja ishin të mjaftueshme për të na bërë të ndihemi të pafuqishëm dhe për të na ulur vetëbesimin. Ajo që po ndodh tani nuk mund të ndahet nga identiteti ynë si Aziatikë. Na është dashur kohë e konsiderueshme për ta diskutuar me kujdes këtë temë dhe menduam thellë se si duhej ta shkruanim mesazhin tonë. Por ajo që duam ta përcjellë mesazhi ynë është plotësisht e qartë. Ne qëndrojmë kundër diskriminimit racor. Ne e dënojmë dhunën. Ju, ne dhe të gjithë njerëzit kemi të drejtë të respektohemi. Prandaj do të qëndrojmë së bashku kundër këtij fenomeni të keq për çdo shoqëri”.
Megjithëse nuk e përmendën ndonjë ngjarje specifike, deklarata e grupit vjen pas ngjarjes tragjike të 16 marsit e cila ndodhi jashtë Atlantës, dhe ku një person i armatosur i vizitoi tri salla masazhi aziatike ku edhe i vrau me armë zjarri tetë persona, përfshirë gjashtë gra aziatike.
Vitin e kaluar, anëtarët e grupit “BTS” e shfaqën përkrahjen publike për protestat e lëvizjes “Black Lives Matter” kundër racizmit dhe brutalitetit policor në Amerikë. Këto protesta u shpërndanë edhe në shtete tjera anembanë botës.
Në qershor të vitit 2020, grupi shumë i suksesshëm i muzikës K-pop dhe studioja e tyre incizuese “Big Hit Entertainment”, i dhuruar 1 milionë dollarë për grupet e lidhura me protestat “Black Lives Matter”, dhe ndihmuan në grumbullimin e miliona dollarëve tjerë nga fansat e tyre besnik anembanë globit. / KultPlus.com