Pas kërcënimeve nga i dashuri, Betina Ymeri bëri vetëvrasje, prindërit e saj organizojnë protestën: Mos t’ndodhë ma

Me iniciativë të prindërve të Betina Ymerit e cila për shkak të kërcënimeve nga fejuari i saj përfundoi në vetëvrasje, të premtën organizohet protestë nga ora 12:00 para Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Përmes protestës iu bëhet thirrje institucioneve gjegjëse që ta trajtojnë drejt dhe me prioritet rastin e Betinës dhe t’i jap ndëshkim meritor personit që e shtyri drejt vdekjes atë. Dhuna sistematike të cilën e ka përjetuar Betina është një nga realitetet me të frikshme të cilën e jetojnë shumë vajza e gra në Kosovë, dhunë kjo e cila ushqehet nga të gjitha institucionet publike e private që vazhdojnë ta normalizojnë dhe amnistojnë dhunën me bazë gjinore.

Përveç kërkesave drejt institucioneve publike, prindërit e të ndjerës duan ta kthejnë vëmendjen tek nevoja për mbrojtje dhe vëmendje ndaj vajzave të tyre. Përderisa jetojmë në një sistem të dhunshëm si ky i yni, është vendimtare që të angazhohemi më shumë për sigurinë e vajzave, në mënyrë që ato të mos ndihen të vetmuara dhe pa ndihmë kur ato janë viktima të dhunës.

Ky sistem e kjo mendësi duhet të ndryshojë. Andaj, ne ngrihemi në këmbë të premtën për të kërkuar drejtësi për Betinën dhe siguri për të gjitha vajzat dhe gratë në Kosovë.

Mos të ndodhë më edhe një vetëvrasje, mos të tolerojmë më as edhe një kërcënim ndaj vajzave, mos të humbet as edhe një jetë më shumë. / KultPlus.com

Vazhdon protesta për rastin e 11 vjeçares, kërkohet shkarkimi i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se protesta për rastin e dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë, po vazhdon dhe kjo do të ndodhë derisa shteti nuk përgjigjet, përcjell KultPlus.

Përdhunimi i vajzës 11 vjeçare nga 5 djem e burra dhe dështimi institucional nuk mund të tejkalohet me dy shkarkime, dorëheqje e lojë fasjësimesh mes institucionesh. Dhuna ndaj vajzave dhe grave është në nivele pandemike, andaj dhe luftimi i saj duhet të jetë urgjencë kombëtare.

Njoftime të reja tregojnë që 11 vjeçarja ka qenë edhe më herët viktimë e përdhunimit dhe trafikimit. Për më shumë ajo ka qenë nën mbikëqyrjen e shtetit kur u përdhunua në gusht. Ajo u la nga shteti pa mbrojtje i cili u bë bashkëfajtor në përdhunimin e saj. E kjo jo si incident i izoluar por si sjellje e vazhdueshme e shtetit në raport me vajzat dhe gratë që përjetojnë dhunë me bazë gjinore në Kosovë. Shteti vazhdon ta ushqejë fenomenin e dhunës ndaj grave duke mos ndëshkuar mostrajtimin e duhur të rasteve të dhunës ndaj grave.

Neglizhenca e shtetit është duke ua rrezikuar dhe më tej vajzat dhe gratë në Kosovë, sidomos atyre të mitura. 85% të viktimave të dhunës seksuale në periudhën 2019-2021 kanë qenë të mitura sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës. Tutje, raporte kanë treguar se gjykatat vendore kanë dhënë dënime nën minimumin e lejuar me ligj në më shumë se gjysmën e rasteve të dhunës seksuale.

Ndaj kësaj braktisje shtetërore dhe pasigurie, ne zgjidhje të vetme e kemi protestën. Të hënën ne mblidhemi dhe i përgjigjemi me revoltë mos adresimin e duhur të kërkesave tona të së mërkurës. Në përgjigje të adresimit të kërkesave tona nga Qeveria dhe detajeve të reja që e përfshijnë edhe Prokurorinë, protestën tonë do ta nisim tek Qeveria e do ta përfundojmë tek Këshilli Prokurorial. Pas Qeverisë, ne do të ulemi dhe do ta bllokojmë hyrjen e Këshillit Prokurorial deri sa të marrim përgjigje për kërkesat tona.

Kërkesat për Qeverinë të hënën janë:

1. Legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray)

2. Shkarkimin e zyrtarëve policorë përgjegjës për rastin e përdhunimit të së miturës;

3. Krijimi i një njësiti të specializuar për dhunë seksuale në Polici;

4. Siguri, drejtësi dhe rehabilitim për të mbijetuarat e dhunës seksuale, përfshirë këtu këshillimin psikologjik të vazhdueshëm të të miturës 11 vjeçare të ofruar nga shteti;

5. Futjen e lëndës së edukatës seksuale në shkolla përfshirë këtu edhe qendrat e korrektuese. Edukimi mbi seksualitetin dhe integritetin fizik është qenësor në të kuptuarit e drejt të konceptit të dhënjes së pëlqimit si parakusht i krijimit të çdo marrëdhënieje seksuale.

6. Minstri i Financave, Transfereve dhe Punës, Hekuran Murati të krijojë komision hetues për përdhunimin e të miturës i cili zhvillon punimet publikisht dhe publikon konkluzionet dhe rekomandimet e tij;

7. Këshillit Prokurorial të Kosovës t’i propozojë presidentes shkarkimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë Kujtim Munishi.

Protesta e së mërkurës kundër përdhunimit të 11 vjeçares nga 5 djem e burra, na çoi tek informata të reja që e dyfishojnë fajin e shtetit në këtë krim. Të premten u arrestuan edhe 6 burra tjerë të cilët në qershor e kishin trafikuar, e kishin dhunuar dhe e kishin shfrytëzuar për shërbime seksuale të miturën. Përkundër kësaj, ne jemi pa llogaridhënie prej Prokurorisë së Shtetit që kanë dështuar ta mbrojë viktimën dhe ta parandalojë përdhunimin e saj në gusht.
Në anën tjetër, Qeveria sot na njoftoi që ka nisur punën për kërkesat tona. Ndonëse e mirëpresim këtë, ne do t’i qëndrojmë mbrapa të gjitha kërkesave tona deri sa të gjitha të realizohen.
Në këto kushte, protesta e nesërme nuk mund të ndalet tek Qeveria. Ajo do të vazhdojë drejt KPK-së, ku do të kërkojmë shkarkimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.
Sa më shumë prej nesh, aq më të forta/ë jemi!
“, thuhet në njoftimin e tyre./ KultPlus.com

Nesër mbahet protestë, kërkohet mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë

Disa organizata joqeveritare kanë bërë të ditur se më 31 gusht do të mbahet një protestë në Prishtinë me fillim nga ora 12:00 dhe vendtakimi do të jetë në sheshin “Zahir Pajaziti”, shkruan KultPlus.

Dje u lajmëruam se 5 djem e burra e kanë dhunuar një të mitur 11 vjeçare në Prishtinë. Përdhunimi i shumëfishtë ndaj të miturës raportohet të jetë bërë për shtatë orë.

Ky rast i përdhunimit është edhe një alarm që tregon për pasigurinë dhe tmerrin të cilin e jetojnë vajzat dhe gratë në Kosovë, në çdo hapësirë ku ato gjenden. Në Kosovë, rrugët, parqet, sheshet, dhomat e shtëpisë, hapësirat e shkollës a punës janë shpesh edhe vende krimi. Aty vajzat e gratë ngacmohen, dhunohen e vriten. E shteti e shoqëria, përtej sensacionit, heshtin. E kjo heshtje po ua merr sigurinë dhe jetën vajzave e grave.

Përkundër dhunës së dukshme e të përditshme, shteti është duke dështuar që ta trajtojë sigurinë e grave si çështje të sigurisë publike. Raporte të ndryshme tregojnë që rastet e dhunës ndaj grave hasin në neglizhencë institucionale, me dënime të cilat shpesh janë nën ndëshkimet e parapara me ligj. Kjo qasje patriarkale është duke i lënë vajzat dhe gratë pa mbrojtje dhe lehtësisht të dhunueshme.

Kësaj gjendjeje terrori duhet t’i vije fundi. Vajzat dhe gratë në Kosovë nuk mund të jetojnë asnjë ditë tjetër me frikë. Djemtë e burrat nuk mund të amnistohen nga shteti dhe shoqëria për dhunën që ushtrojnë ndaj vajzave dhe grave. Përdhunimi i vajzës së mitur dhe i dhjetra grave tjera veç gjatë këtij viti përveç që na indinjon, na revolton dhe na fton në radikalizim të mjeteve tona të protestës e vetëmbrojtjes.

Të mërkurën, ne mblidhemi në protestë dhe kërkojmë:

1. Mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë;
2. Trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për dhunuesit;
3. Legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray).

Përderisa dhuna ndaj nesh veç sa është duke u përshkallëzuar, përgjigjet tona në vetëmbrojtje do të radikalizohen. Aty ku shteti dështon të na mbrojë neve, ne do e mbrojmë vetën me çdo mjet në dispozicion. Deri secila nga ne të jetojë e lirë nga frika dhe dhuna! / KultPlus.com

E sulmuan me acid në fytyrë në mes të Tiranës, Dule: Rindërtova fytyrën time, jetën time dhe qepja shpirtin tim si një enigmë

Shkruan: Vilma Dule

S’ka data që shënojnë jetën tonë, një numër i thjeshtë ose një ditë është e ngarkuar me një kuptim të keq ose të bukur bazuar në atë që na solli ose fatkeqësisht ndonjëherë që na largoi.

27 gushti ka qenë ditë zie për mua këto vitet e fundit, në fakt edhe këtë vit po bie shi (rastësi?!).

Më 27 gusht 2013 në Tiranë u sulmova me acid për arsye profesionale. Unë (E di që shumica e njerëzve thjesht pyesin veten por pse! ), sepse isha grua dhe sepse kisha fuqinë që meshkujt e vegjël dhe narcizistë donin me çdo kusht (sikur me të drejtë të kishin të drejtë për këtë vetëm sepse kishin lindur burra) edhe me koston që të më hiqnin buzëqeshjen, fytyrën, identitetin tim… lënduan brenda, shkrijnë temperamentin tim siç u përpoqën të shkrinin lëkurën time me acid.

Një pjesë e imja vdiq më 27 gusht 2013, dhe ndërsa ti vajton një të vdekur, për 8 vitet e ardhshme çdo 27 gusht qaja kujtimin për veten, për jetën që kisha humbur dhe për zgjuarsinë që ma morën.

Rindërtova fytyrën time, jetën time dhe qepja shpirtin tim si një enigmë… por sa gra si unë e bëjnë? Sa gra kanë “fat” që i mbijetojnë dhunës?

Pse e themi të gjithë; me ligje që nuk na mbrojnë dhe pa rrjet mbështetës për viktimat. Mbijetesa jonë (qoftë në Itali, Shqipëri) ose diku tjetër) dhe tani është bërë çështje FATI.

Pra, edhe sot qaj pak, me lotët e fundit që më kanë mbetur nga ajo 26 vjeçarja që u dogj me acid, “se po e kërkonte”, sepse “kush e di çfarë bëri”, sepse “askush nuk të pëlqen fare”.

Vajtoj për atë vajzë, një nga shumë, që për ty nuk do të kishte pasur kurrë emër nëse nuk do të kishte mbijetuar.

Por unë jam GJALLË dhe jam Vilma Dule.

Jam një e mbijetuar, një luftetare dhe pas 9 vitesh i premtoj vetes që ky do jetë viti i fundit që qaj por jo i fundit që do flas për historinë time dhe kundër dhunës ndaj grave.

Jetë të gjatë luftëtarët e mi.

Kokën lart dhe zemrën hapur, gjithmonë. / KultPlus.com

Ministrja Haxhiu reagon për dhunën ndaj grave, rastin e vajzës së rrahur në Prizren e paraqet në polici (VIDEO)

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shprehur shqetësimin e saj për rastet e dhunës ndaj grave, përcjell KultPlus.

Ky reagim vjen pasi Haxhiu pa një video të publikuar në media ku shihet duke u rrahur një vajzë në Prizren.

Përveç këtij rasti, çdo ditë në Polici po raportohen raste të dhunës së burrave ndaj grave.

“Jam jashtëzakonisht e shqetësuar me dhunën fizike dhe emocionale të ushtruar ndaj grave, vajzave e fëmijëve. Fatkeqësisht është rrënjosur aq thellë në shoqërinë tonë, sa dhunuesit mund ta ushtrojnë atë publikisht, pa asnjë pikë problemi. Nëse dhunuesit dhunën fizike e ushtrojnë edhe publikisht, e marrim me mend se çka ndodhë prapa dyerve të mbyllura!”, ka shkruar Haxhiu duke u shprehur tutje se çdo formë e dhunës ndaj vajzave, grave dhe fëmijëve, duhet trajtuar seriozisht dhe menjëherë.

“Për rastin e dhunës fizike në Prizren, kam raportuar policinë dhe prokurorinë dhe pres që institucionet ta trajtojnë me prioritet këtë rast, dhe viktimat e qytetarët të sigurohen se dhunuesit do të ndëshkohen.” / KultPlus.com

‘BOLL MA – Asnjë grua e vajzë më pak, asnjë vdekje më shumë’, si thirrje kundër dhunës ndaj grave

Qendra për art edhe komunitet – Artpolis ka organizuar një protestë si thirrje kundër abuzimit sistematik të vajzave dhe grave dhe vdekjeve të tyre si pasojë e kësaj dhune, mungesës së përgjigjes së duhur institucionale në parandalimin dhe ndarjen e dënimeve të merituara për kryerësit e këtyre veprave, shkruan KultPlus.

Protesta do të mbahet më 5 dhjetor 2021 nga ora 12:00-13:00 në platonë e sheshit ‘Zahir Pajaziti’.

KultPlus ua sjell njoftimin e plotë të Artpolis:

Të indinjuara nga abuzimi sistematik i vajzave dhe grave dhe vdekjeve të tyre si pasojë e kësaj dhune, mungesës së përgjigjes së duhur institucionale në parandalimin dhe ndarjen e dënimeve të merituara për kryerësit e këtyre veprave, Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet bën thirrje për – ASNJË VAJZË E GRUA MË PAK NË MESIN TONË, ASNJË VDEKJE MË SHUMË TË VAJZAVE DHE GRAVE TONA.

Më 5 dhjetor 2021, në ora 12:00-13:00, në platonë e sheshit “Zahir Pajaziti”, ju ftojmë të na bashkoheni në protestën tonë përmes performancës artistike ASNJË VAJZË E GRUA MË PAK NË MESIN TONË, ASNJË VDEKJE MË SHUMË TË VAJZAVE DHE GRAVE TONA.

Së bashku si vajza, gra, aktiviste e artiste kërkojmë që dhuna të ndalet dhe drejtësia të arrihet!

Këtë të Diele, të veshura në të bardha, do të performojmë në heshtje për të gjitha vajzat e gratë që përjetuan dhunë e u vranë mizorisht si pasojë e saj.

Ejani të Marshojmë drejt ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës për të parashtruar kërkesat tona për parandalim dhe drejtësi!

Kërkojmë drejtësi për vajzat dhe gratë që abuzohen në familje dhe shoqëri!

Kërkojmë drejtësi për vajzat dhe gratë që humbën jetën si pasojë e dhunës në familje!

Ky aktivitet organizohet nga Artpolis dhe përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia./KultPlus.com

OBSH: Një e treta e grave në botë janë viktima të dhunës fizike, pandemia e ka rënduar gjendjen

“Një e treta e grave në botë janë viktima të dhunës fizike, veçanërisht seksuale”, paralajmëroi të martën Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) sipas së cilës pandemia vetëm sa e përkeqëson situatën.

Rreth 736 milionë vajza dhe gra mbi moshën 15-vjeçare janë sulmuar.

“Dhuna ndaj grave është një e keqe endemike në të gjitha vendet dhe të gjitha kulturat dhe dëmton miliona gra dhe familje,” paralajmëroi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Megjithëse nuk ka prova të forta deri më tani, ndikimi negativ i pandemisë që zgjat deri në një vit është i qartë, duke detyruar qindra miliona njerëz të qëndrojnë në shtëpi dhe duke shkaktuar krizën ekonomike globale”, tha Claudia Garcia-Moreno, bashkautore e raportit.

“Ne e dimë se situata e shumë grave është përkeqësuar dhe se 641 milionë gra ose 26 për qind e të gjithë njerëzve mbi moshën 15-vjeç, kanë qenë viktima të dhunës së partnerit”, tha ajo, raporton France Press.

“Kjo situatë ka kapur gratë që janë abuzuar tashmë. Papritmas ato janë akoma më të izoluara dhe në praninë e vazhdueshme të një partneri i cili po i abuzon ato. Përveç kësaj, vështirësitë financiare dhe stresi për shkak të fëmijëve në shtëpi dhe probleme të tjera në lidhje me pandeminë mund të shkaktojnë dhunë të re”, shtoi ajo./ KultPlus.com

Kamera kap burrin duke e goditur gruan teksa e nxirrte me karrocë nga QKUK-ja

Shpërthimi i një bombole gazi brenda një restoranti në Ferizaj ka lënë 42 persona të lënduar, deri më tani. Viktimat kanë pësuar lëndime të ndryshme trupore dhe të paktën 14 nga ta kanë marrë djegie të shkallës së dytë. Në mesin e personave që kërkuan ndihmë mjekësore janë edhe dy fëmijë.

Gazetarët po përcjellin vizitat e zyrtarëve të shtetit, të cilët po vizitojnë të lënduarit.

Burri që po e nxirrte një grua me karrocë nga Emergjenca, kapet nga kamera tek e godet këtë të dytën në kokë.

Nuk kuptohet veprimi i burrit veçse shihet se ai i jep një goditje me dorë prapa kokës. Ndërsa, reagimi i gruas nuk dallohet qartë.

Video është shkëputur nga gazeta online Reporteri./ KultPlus.com

Protestë për dhunën ndaj grave, theksohet dështimi i institucioneve për reagim në kohë

24 vite e gjysmë iu dha dënimi një vrasësi të dyfishtë, i cili ia morri jetën gruas dhe vajzës së tij. Shumë raste për dhunën në familje u raportuan së fundmi, e madje disa përfunduan me fatalitet. Për të protestuar dhunimin dhe vrasjen e grave, organizata “Replikë” ka organizuar një aksion rrugor, shkruan KultPlus.

“Jom njeri, s’jom rob”, “Poshtë patriarkati”, “Personalja është politike”, “Gjyqësor Kanunor”, “Edhe sa thirrje të humbura” ishin disa nga mbishkrimet e pankartave të protestës ndaj padrejtësive që po iu bëhen grave në hallka sociale e institucionale.

Kjo protestë me qëllim të parandalimit të shpërndarjes së virusit u realizua me biçikleta, ndërkaq disa që nuk kishin mundësi t’i siguronin ato, vazhduan brohoritjet në këmbë.

Bjeshka Guri, aktiviste në kuadër të kësaj proteste shprehi pakënaqësinë e saj në emër të protestuesve për dështimin e institucioneve për reagim në kohën e duhur, atëherë kur grave iu nevojitet mbrojtja.

“Institucionet tona promovojnë një kulturë dhune, duke i fajësuar viktimat e duke mos dënuar kriminelët. Jemi lodhur duke pritur në ankth për të dëgjuar për gratë e radhës që vriten e për ato që vazhdojnë të dhunohen”, theksoj Guri.

Pavarësisht lejueshmërisë së limituar të këtyre aksioneve si pasojë e Covidit, ajo tregoj se kjo protestë ka rëndësi për ta sepse jetërat e grave janë duke u rrezikuar.

“Jeta e çdo gruaja vlen dhe ne nuk mund të heshtim kundrejt padrejtësive ndaj grave vetëm pse janë gra”, u shpreh Bjeshka Guri. Në fund të fjalimit të saj, u bë thirrja publike për përgjegjësi të institucioneve të Kosovës për të siguruar drejtësi për gratë.

Protestuesit të cilën nisën aksionin e tyre në Sheshin “Zahir Pajaziti” filluan protestimin duke ecur e duke ngasur biçikletat e tyre nën brohoritjet: “Dhuna nuk ka arsyetim”, “Edhe sa thirrje të humbura”, “Drejtësi për Valbonën, për Klarën, për Antigonën”, “Dhuna po rritet, dënimet po ulen”, “Pa drejtësi nuk ka qetësi”, “Edhe sa herë doni me na vra”, “Shteti po vazhdon me na dhunu”, “Jeta e grave hajgare për shtetin”.

Protestuesit kishin zgjedhur rrugët qendrore të Prishtinës, për t’i vetëdijesuar qytetarët dhe institucionet për pasigurinë që po iu shkaktohen grave. Kështu, ata kaluan përpara Prokurorisë Speciale, Policisë së Kosovës, Avokatit të Popullit, mirëpo askush nga institucionet përkatëse nuk reagoj asgjë, përveçse dy policëve të cilët dolën dhe ecën bashkë me protestuesit. Ata vazhduan edhe në rrugët e tjera të kryeqytetit. /KultPlus.com

“Edhe sa herë duhet me na vra?”, RrGK proteston para Prokurorisë speciale për rastet e dhunës ndaj grave

“Dhuna nuk ka arsyetim”, “Edhe sa herë duhet me na vra?”, “Mos i jep zemër dhunuesit”, dëgjoheshin zëra grash duke protestuar para Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shprehën pakënaqësinë e tyre për dënimet e ulëta për vrasësit e grave, shkruan KultPlus.

Ky aksion i RrGK u lejua nga Policia e Kosovës të zhvillohej nga 5 persona dhe të jetë “simbolik”. Organizatoret mbanin pankartat “17 gra të vrame, edhe sa të tjera për me ju çel sytë?”, “Asnjo Mo”, “Nuk ka arsyetim”. Ato kërkuan drejtësi për çdo grua që ka qenë viktimë e dhunës, madje për rastet që kanë përfunduar me vdekje ato mbajtën 5 minuta heshtje.

Përgjatë vitit 2020 kanë vdekur 6 gra dhe ky numër vlerësohet si alarmant për RrGK. Ashtu siç u shpreh koordinatorja kundër Dhunës në Baza Gjinore në kuadër të këtij rrjeti, Erëza Kurti, arsyeja e protestimit përpara Prokurorisë, anipse vendimin e cakton Gjykata, qëndron në faktin se ato kërkojnë që veprat të kualifikohen siç e meritojnë dhe ashtu siç i kanë kryer.

“Kemi pasur raste që ka ndodhur tentim në vrasje dhe janë kualifikuar si dhunë në familje. Jo, ajo nuk është dhunë në familje sepse tentim vrasja është një shkallë para vrasjes dhe ne jemi të shqetësuar deri në këtë pikë që mos të ndodh edhe vrasja”, theksoj koordinatorja Kurti.

Poashtu sipas RrGK rasti i vrasjes së dyfishtë të Petër Ndrecajt do të duhej të ndëshkohej me burgim të përjetshëm dhe jo 24 vite e gjysmë.

 “Ku është drejtësia u themi institucioneve relevante, a është drejtësia vetëm për burrat, a është ky shtet vetëm i burrave? Edhe sa gra duhet me u vra që policia, gjykata, prokuroria, të gjitha këto institucione me i hap sytë”, u prononcua për media Erëza Kurti.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) pati reaguar ditë më parë për dënimin e shqiptuar ndaj Pjetër Ndrecajt për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij./KultPlus.com

“Çikat shqiptare nëse dojnë me shpetu, mos të martohen”

Dhuna ndaj gruas është njëra ndër dukuritë më të pranishme në Kosovë. Rasti i fundit që tronditi vendin tonë, ishte rasti i Qëndresa Baranit, e cila u therr 11 herë me thikë nga bashkëshorti i saj.

Fatmirësisht, Qëndresa është jashtë rrezikur për jetë. Mirëpo, Qëndresa nuk është as e para as e fundit viktimë e dhunës fizike e psiqike. Shumë gra në Kosovë e jo vetëm ballafaqohen çdo ditë me dhunë fizike duke mos pasur mundësi apo mbështetjen e duhur nga institucionet përkatëse, e shpesh herë edhe nga familja.

Lidhur me rastin e Qendresës ka pasur reagime të shumta nga individ të ndryshëm dhe organizata jo qeveritare që merren me të drejtat e grave. Një ndër reagimet e fundit është edhe ai i Zana Avdiut e cila në rrjetin social Facebook ka shkruar se e vemja mënyrë që vajzat shqiptare të shpëtojnë nga dhuna është të mos martohen fare.

KultPlus ju sjell më poshtë statusin e saj të plotë:

Shqiptari nuk vret gra e femije- u pat kane nje parulle ne nje loje futbolli ne Tirane, me nje ekipe te serbise.

Nuk shkon java, nje grua vritet e nje tjeter therret 11 here, nga burrat e tyne ( shqiptare).

Pak para asaj loje, nje tjeter burre ( shqiptar) e vrau gruan e tij, me shufer metalike, ne Gjilan.

Pak ma heret nje tjeter i vrau gruan dhe rene e tij, ne Prishtine. Nje tjeter gruan e tij ne Prizren me 15 plumba. Nje tjeter ne Gjakove, nenen bashke me vajzen. Nje tjeter e vrare ne Peje, edhe e hedhun ne mal.

Edhe shume e shume gra tjera, te vrame ne menyre mizore.

Cdo dite 5 raste ( gra) e lajmerojne dhunen e burrave te tyne, ne polici.

Pervec te eger e te dhunshem, edhe rrenca bre. Pas shume vrasjeve te grave, dalin rrejne veten edhe boten me aso parulla.

Nashti vrases te tjereve nuk jeni, a te grave te juve, po!

E cikat shqiptare nese dojne me shpetu, mos te martohen!/ KultPlus.com

Burri e goditi gruan 10 herë me thikë, reagon RrGk: Drejtësia në gjumë, gratë po vazhdojnë të përjetojnë dhunë

Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar lidhur me dhunën që po raportohet ndaj vajzave dhe grave në Kosovë.

Nëpërmjet një postimi në Facebook RrGK ka reaguar për rastin e një ditë më parë ku një grua u godit 10 herë me thikë nga burri i saj. Sipas tyre përderisa gratë janë duke përjetuar dhunë, drejtësia është duke fjetur në gjum.

Më poshtë mund të lexoni statusin e tyre të plotë:

Drejtësia në gjumë, gratë po vazhdojnë të përjetojnë dhunë

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shpreh indinjatë të thellë për këtë rast, duke u zotuar njëherish që do të ngremë zërin për të kërkuar drejtësi për këtë grua, ashtu si për çdo grua tjetër të dhunuar, plagosur e të vrarë.

Dhuna ndaj grave vazhdon të mbetet një prej formave më pak të ndëshkueshme të dhunës

RrGK do të monitorojë reagimin e institucioneve ndaj këtij rasti dhe do t’i shfrytëzojë të githa mundësitë ligjore që dorasi të marrë dënimin më të lartë. RrGK nuk do të ndalet derisa dhuna ndaj grave të mos trajtohet vetëm si lajm apo si diçka e mbyllur dhe private. / KultPlus.com

“Gruaja histerike është i vetmi subjekt që dhuna patriarkale nuk ka arritur ta nënshtrojë, është i vetmi subjekt i lirë”

Nga Sead Zimeri

Histeria është reagimi më normal i subjektit që jeton pa liri dhe që vazhdimisht i nënshtrohet dhunës dhe kërcënimeve për dhunë. Si e tillë histeria është shprehje e një situate të padurueshme dhe e vetmja shprehje emocionale e vërtetë në raste të tilla. Në histeri e gjejmë të vërtetën për situatën e padurueshme të subjektit. Çfarë është befauese prandaj nuk është që subjekti i tillë bëhet histerik por që ai/ajo akoma nuk është bërë histerik. Histeria është shpirti i rrebelimit, tregon që dhuna nuk e ka nënshtruar tërësisht subjektin, që subjekti ka arritur ta ruajë lirinë e saj që e shpreh në formë histerike. Histeria sinjalizon shpirtin rrebelues të subjektit, psherëtimën e të shtypurve, dhe refuzimin e situatës së padrejtë. Histeria është rezistencë.

Kur të shtypurit i merret e drejta e histerisë ajo më ka pushuar së ekzistuari si subjekt lirie, dhe tani vetëm sa i përçon diktatet e sunduesit të saj sikur të ishin të vërteta absolute. Kur subjektit histerik i kërkohet të shprehet me një gjuhë të sjellshme dhe të dialogut, ta respektojë mendimin dhunues (seksist) të bashkëbiseduesit të saj, asaj i kërkohet në fakt që ajo ta pranojë situatën e dhunës si normale, si të domosdoshme, dhe në besim që dhuna është legjitime. Histeria flet pikërisht për një tregim tjetër, atë që dhuna nuk është kurrë legjitime, që ajo është traumatike, që ajo nuk duhet toleruar.

Kërkesa për t’i respektuar të gjitha opinionet, pavarësisht që njëra palë ushtron dhunën dhe tjetra është viktimë e saj është në thelb kërkesë e dhunshme, kërkesë për ta shtypur edhe më tepër subjektin histerik. Në këtë rast, nuk ka barazi të vërtetë, prandaj kërkesa për barazi në mirësjellje, kërkesa për dialog është kërkesë hipokrite, kërkesë për ta mbuluar një situatë të dhunshme që shkakton trauma nga më të ndryshmet. Kërkesa për mirësjellje, në këtë rast i kërkon viktimës që ajo të mos mirret me situatën, me trishtimin që ajo i ka shkaktuar asaj por të ngrihet mbi të dhe të pretendojë që asaj nuk i pengon, nuk i shkakton traumë një situatë e dhunës. Kërkesa për mirësjellje është kërkesë që subjekti i traumatizuar, që subjekti histerik, të krijojë një imazh të rremë të vetes, që të mos i qëndroj besnike vetes por diskursit që ia normalizon dhunën./KultPlus.com

Një ekspozitë e veçantë lidhur me dhunën ndaj grave do të hapet në Uashington

Mbi të gjitha akuzat e ngacmimit seksual dhe sulmeve që vijnë nga të gjitha anët e artit dhe botës argëtuese, një muze i Uashingtonit ka hapur një ekspozitë që fokusohet në shkaqet dhe zgjidhjet e epidemisë së dhunës ndaj grave, shkruan The Washington Post, përcjellë KultPlus.

Projekti “El Tendeero” vazhdon deri më 5 janar në Muzeun Kombëtar të Grave në Art. Puna e artistes feministe nga Meksika, Monica Mayer përmes instalacionit të saj kërkon një seri pyetjesh rreth ngacmimit dhe dhunës duke ftuar pjesëmarrësit që të përgjigjen me përvojat e tyre.

Punimet do të bazohen në përgjigjet e shkruara në letrat rozë./ KultPlus.com

Garueset në Miss Peru tregojnë statistika për dhunën gjinore, në vend të përmasave të tyre (VIDEO)

Në vend që të ofrojnë buzëqeshjet e zakonshme me rroba banje, garueset e këtij viti në paraqitjen e Miss Peru përdorën një platformë që detyroi jurinë dhe anëtarët e publikut të përballen me dhunën gjinore.

Në mes të një numri të dyshimeve të ngacmimeve seksuale ndaj njerëzve të shquar në Shtetet e Bashkuara (që arritën një rritje të madhe me ngritjen e fushatës #MeToo), kjo paraqitje e tyre ishte një rikujtim se gratë në mbarë botën po luftojnë çdo ditë për të përmirësuar cilësinë të jetës së tyre, shkruan Vogue, përcjellë KultPlus.

Gjatë pjesës së paraqitjes së Miss Peru, kur nga garueset pritej që të tregonin përmasat e belit dhe të shpatullave, ato ofruan statistika për dhunën gjinore në vendin e tyre. BuzzFeed News raportoi mbi të dhënat e tmerrshme nga një vend ku gratë janë viktima të abuzimit në numra tronditës.

Disa nga prezantimet e këtyre garueseve ishin:

“Emri im është Camila Canicoba dhe unë përfaqësoj departamentin e Lima. Përmasat e mia janë: 2,202 raste të vrasjeve të grave të raportuara në nëntë vitet e fundit në vendin tim”.

“Emri im është Juana Acevedo dhe përmasat e mia janë: Më shumë se 70 për qind e grave në vendin tonë janë viktima të ngacmimeve në rrugë”.

“Almendra Marroquín këtu. Unë përfaqësoj Caete-n dhe përmasat e mia janë: Më shumë se 25 për qind e vajzave dhe adoleshentëve abuzohen në shkollat e tyre”.

“Emri im është Bélgica Guerra dhe unë përfaqësoj Chincha-n. Përmasat e mia janë: 65 për qind e grave universitare që sulmohen nga partnerët e tyre”.

Organizatorët gjithashtu shfaqën copëzat e gazetave prapa garueseve gjatë paraqitjes me rroba banje, me tituj që përshkruanin vrasjen dhe sulmin e grave. Organizatori, Jessica Neeton gjithashtu mbrojti daljen me rroba banje kundër akuzave për objektivizëm, duke thënë se “gratë mund të dalin lakuriq nëse duan”.

Në raundin e fundit, garueset u pyetën se cila do të ishte ndihma më e mirë për t’i dhënë fund vrasjeve të grave në Peru. Iniciativa është pjesë e një lëvizjeje më të madhe në Amerikën Latine, #NiUnaMenos, “Jo më pak,” e cila filloi nga feministet argjentinase. Më shumë se 50,000 peruane u bashkuan në protesta #NiUnaMenos në gusht. Çështja është bërë edhe më shumë pikëlluese kohëve të fundit, pasi që Maritza García, presidente e komisionit të grave të Perusë, tha se gratë ishin më fajtore për rritjen e numrit të vrasjeve te grave./ KultPlus.com