Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon që Arben Ahmeti të mos shfaqet në TV, pasi u arrestua për dhunë ndaj gruas

Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar pas arrestimit të gazetarit Arben Ahmeti pas dyshohet se ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes së tij, përcjell KultPlus.

Në një njoftim për media, Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon nga institucionet që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ndaj Ahmetit, duke i caktuar masë të sigurisë.

“Sot përmes mediave u njoftuam për një rast të dhunës në familje nga një person publik dhe gazetar në mediumet tona. Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes këtij reagimi kërkon që institucionet të ndërmarrin veprimet e nevojshme që dhunuesit të ndalohen dhe ndaj tyre të caktohen masat e sigurisë, me qëllim që të njëjtëve t’iu ndalohet përsëritja e dhunës në familje dhe RrGK kërkon dënim meritor sipas legjislacionit që aktualisht kemi në fuqi”, thuhet në reagimin e tyre.

Gjithashtu nga RrGK kërkojnë që Ahmeti të shkarkohet nga të gjitha pozitat udhëheqëse dhe prezenca e tij në media të penalizohet, duke mos qenë i pranishëm në debate televizive.

“Gjithashtu, përmes këtij reagimi RrGK kërkon që gazetari Arben Ahmeti të shkarkohet nga të gjitha pozitat udhëheqëse dhe prezenca e tij në media të penalizohet dhe të mos jetë i pranishëm në debate televizive. Prezenca e tij në media dhe paraqitja e tij publike janë të rrezikshme pasi që përmes tyre mund të promovojë dhunën dhe potencialisht edhe ta normalizojë atë”, thuhet tutje në njoftim.

“Madje, personat publikë të cilët janë dhunues vetëm se bëjnë thirrje që dhuna të rritet dhe gratë të trajtohen si objekte. RrGK kërkon që rastet e tilla të trajtohen me seriozitetin më të madh nga institucionet tona dhe dhunuesit të vuajnë dënimin meritor. Përmes këtij reagimi, ftojmë mediat që të raportojnë për rastin me saktësi të plotë duke mos e kursyer për hir të “miqësisë” që kanë me gazetarin Arben Ahmeti.”

Po ashtu, bëjnë thirrja që viktima të marrë ndihmën e duhur dhe të nevojshme, dhe se siç thonë “RrGK do të monitorojë reagimin e institucioneve ndaj këtij rasti”. / KultPlus.com

Në Londër protestohet kundër dhunës ndaj grave

Pavarësisht kufizimeve për shkak të pandemisë së Coronavirusit të ri (COVID-19), në Londër u organizuan protesta kundër dhunës ndaj grave, transmeton KultPlus.

Rreth 200 protestues, kryesisht gra, u mblodhën në Sheshin “Trafalgar” dhe kërkuan ndëshkime më të rrepta nga autoritetet për dhunën ndaj grave, raporton Anadolu Agency (AA).

U organizua një marsh protestues ku pjesëmarrësit mbanin pankarta me mbishkrime të ndryshme.

Megjithëse në Britani është ndaluar tubimi i më shumë se 6 personave, policia nuk ndërhyri ndaj protestës. / KultPlus.com

Reklama e kompanisë ‘Candeo’ konsiderohet si nxitëse e dhunës ndaj gruas, kërkohet raportimi i saj

“Disa sende zgjasin më shumë se lidhja jote”…. është fraza më të cilën përmbyllet video reklama e kompanisë së mobileve “Candeo” e cila shfaq edhe skena dhune, shkruan KultPlus.

Një grua e cila goditet nga burri me mjete të forta, këputja e kokës së gruas dhe gjuajtja e saj afër derës, janë skenat që e përbëjnë këtë reklamë e cila ka nxitur reagime të shumta të qytetarëve të cilët e kanë konsideruar përmbajtjen e kësaj reklame si nxitëse të dhunës ndaj gruas.

Madje është kërkuar edhe raportimi i kësaj reklame.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Merita Salihu ka thënë se reklama është e dëmshme për shoqërinë, kurse paraqitjen e kësaj reklame në Radio Televizionin e Kosovës e ka konsideruar jo profesionale.

“Kjo reklamë prezanton dhunë të skajshme. D.m.th., biznesi e zhvillon reklamën me skenarë të dëmshme për shoqërinë; Radio Televizioni i Kosovës ua servon taksapaguesve të vet po atë reklamë të dëmshme, pa kurrfarë filtri, analize, kontrolli e profesionalizmi”, ka shkruar ajo në Facebook.

Mirëpo Salihu nuk është e vetmja që përmbajtjen e kësaj reklame e ka konsideruar të dëmshme dhe jo profesionale. Shqetësimet e saja i ka shprehur edhe Donika Emini ku pamjet që sipas saj tregojnë që pas tradhtisë burri ia heq gruas kokën vetëm sa nxisin dhe shfaqin mendësinë “e prishtë” në vendin tonë. / KultPlus.com

Për më tepër vlerësojeni vetë reklamën:

https://www.facebook.com/watch/?v=1663947803752632

Dhuna ndaj gruas shfaqja e radhës e Trupës së Baletit të Kosovës

Në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës ndaj Gruas, Baleti Kombëtar i Kosovës në bashkëpunim me UN Women do të sjellë premierën e shfaqjes “Një ditë”, nën koreografinë e koreografes Christie Coleman.

Kjo shfaqje paraqet ngjarjet e përditshmërisë kosovare në raport me trajtimin ndaj gruas. Ahmet Brahimaj, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës ka thënë për KultPlus, se projekti është ofruar nga UN Women.

“Edhe pse kemi dhënë gjashtë premiera për këtë vit, e kemi pranuar këtë projekt për shkak se kemi dashur edhe ne të japim kontributin tonë kur bëhet fjalë për dhunën në familje”, tha Brahimaj.

Premiera do të shfaqet në Teatrin Kombëtar të Kosovës më 25 nëntor ndërsa në këtë shfaqje do të luajnë gjithsej tetë balerinë, në përbërje të katër çifteve.

Pas prezantimit se kësaj shfaqje në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ajo do të vazhdoj të shfaqet edhe në pesë qytete të tjera të Kosovës duke përfshirë Pejën, Gjakovën dhe Gjilanin./ KultPlus.com