Takimi që do të mbahet këtë javë, në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, pas situatës së krijuar në veri të vendit, ka ngritur edhe një çështje tjetër diskutimi, nëse zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit amerikan, Gabriel Escobar, do të marrë pjesë në këtë takim
Kjo, meqë dje nga Ambasada e SHBA’së në Prishtinë është konfirmuar që ai do të marrë pjesë në diskutime, derisa nga Brukseli kanë thënë se në diskutime janë vetëm tri palë (Kosova, Serbia dhe BE-ja), dhe se të tjerët e mbështesin dialogun vetëm nga jashtë.
Gazeta Express i është drejtuar përsëri Ambasadës së SHBA’së në Prishtinë, për t’i pyetur rreth modaliteteve të pjesëmarrjes së zv.ndihmësit të Sekretarit të Shtetit, Gabriel Escobar, në diskutimet që do të zhvillohen në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.
Një zëdhënës i kësaj ambasade, në një përgjigje të shkruar për Gazetën Express, ka ripërsëritur se Escobar do të udhetojë drejt Brukselit dhe se mbështesin fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian si palë e interesuar në këto diskutime dhe partnere e Kosovës dhe Serbisë.
“Ne jemi të kënaqur që Serbia dhe Kosova do të dërgojnë përfaqësues në Bruksel këtë javë për diskutime dhe inkurajojmë të dy palët që të ri-angazhohen hapur, seriozisht dhe menjëherë. Zëvendësndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, do të udhëtojë në Bruksel këtë javë për të marrë pjesë në këto diskutime. Përderisa udhëhiqet nga palët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si palë e interesuar në këto diskutime dhe si partnere e Kosovës dhe Serbisë”, thuhet gjithashtu në përgjigje.
Zëdhënësi i BE’së, Peter Stano, i pyetur nga Gazeta Express rreth pjesëmarrjes së Gabriel Escobar në disktuimet që pritet të mbahen në Bruksel, ka thënë se në dialog janë vetëm tri palë, Kosova, Serbia dhe BE-ja, derisa ka thënë se të tjerët vetëm e mbështesin dialogun nga jashtë.
“Jo, z.Escobar nuk do të jetë prezent në dialog. Dialogu ka 3 pjesëmarrës (Kosovën, Serbinë dhe BE’në). Të gjithë të tjerët vetëm e mbështesin atë (dialogun) nga jashtë”, ka thënë Stano.
Ndërkohë dje nga Ambasada e SHBA’së është konfirmuar që Gabriel Escobar do të udhëtojë drejt Brukselit për të marrë pjesë në diskutimet mes Kosovës dhe Serbisë./KultPlus.com
Andin Hoti, i biri i veprimtarit të zhdukur Ukshin Hoti, tani po angazhohet drejtpërdrejtë në mënyrë institucionale për zbardhjen e fatit të babait dhe të gjithë personave që Serbia i mori dhunshëm dhe për fatin e të cilëve ende nuk dihet.
I emëruar ditë më parë në krye të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur dhe drejtues i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështje të personave të zhdukur, Andin Hoti thotë është i gatshëm të përballet me palën serbe.
Sipas tij, faktori ndërkombëtar duhet të bëjë më shumë presion ndaj Serbisë që të hapë arkivat dhe të tregojë vendndodhjen për 1,632 personat e zhdukur dhe të vihet drejtësi.
Andin Hoti, në një bisedë me KosovaPress, ka thënë se këto dy emërime nuk i sheh si pozitë pune, por obligim moral për të bërë më shumë drejt zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.
“E kam marrë si obligim moral e kombëtar që e ndjej të jap kontribut, të jap maksimumin tim drejt zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, jo për faktin që babai im konsiderohet i zhdukur por për faktin që Kosova ende e ka një plagë të rëndë që e bartë me vete prej 22 vite tashmë, dhe që ende 1632 familje vuajnë dhe e kanë një plagë të hapur për këtë çështje, them kështu sepse e kam edhe rast personal, ende secila prej këtyre familjeve zgjohet prej gjumit me shpresën mos ndoshta sot do ta kemi një njoftim, një lajm se çka ka ndodh me fatin e familjarit që është kidnapuar prej luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë Hoti.
Hoti ka theksuar nevojën për rritje të presionit nga faktori ndërkombëtar mbi palën serbe, meqë siç thotë ai, Serbia është adresa e vetme për personat e zhdukur.
“Ne kemi nevojë shumë për përkrahjen dhe trysninë e faktorit ndërkombëtar. Në këtë rast, adresa e vetme për personat e zhdukur me forcë është Serbia, Qeveria e Serbisë, sepse ne e dimë që gjenocidi që ka ndodhur në Kosovë e ka bërë qeveria e atëhershme e Serbisë dhe adresa e vetme edhe për zbardhjen e fatit të këtyre personave është qeveria e Serbisë, por ne edhe si delegacion do të tentojmë të bashkëpunojmë me komisionin homolog që e kemi në Serbi atje, komisionin qeveritar të tyre për personat e zhdukur, në mënyrë që Serbia duke e pas përsysh edhe presionin ndërkombëtar, që po shpresojmë ta rrisim, të hap arkivat e luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ai.
Zbardhja e fatit të personave të zhdukur, Hoti ka thënë se është çështje humane dhe duhet të trajtohet si e tillë, por sipas tij, për Serbinë vazhdon të jetë politike andaj shton se presioni i faktorit ndërkombëtar mbetet rruga e vetme që Serbia të bindet për hapjen e arkivave.
Hoti ende nuk e di kur do ta ketë takimin e parë me palën serbe, por thotë se do ta tejkalojë aspektin emocional dhe prioritet do ta ketë zbutjen e plagës së secilit familjar që ende pret të dëgjojë lajm për më të dashurit e zhdukur.
“Si do të jetë përballja ime me palën serbe duke pasur parasysh që, nuk po them direkt që është ajo aty është e përfshirë, por duke pasur parasysh që ata përfaqësojnë diçka që më kanë zhdukur prindin mua dhe 1632 persona të tjerë në Kosovë, mirëpo për mua, dhe mendoj që për të gjithë qytetarët e Kosovës, interesi primar, kryesor, është zbardhja e fatit të personave të zhdukur, pas parasysh edhe përvojën profesionale, mendoj dhe jam i bindur që në aspektin emocional mund ta tejkalojë, dhe aspektin emocional mund ta kem si ndihmesë time në mënyrë që të mund të jem ballëhapur sepse unë jam ballë hapur para palës serbe, neve jemi viktima, ata janë agresori në këtë rast, dhe të kërkojmë drejtësinë për 1632 personat e zhdukur”, ka thënë Hoti.
I biri i Ukshin Hotit ka thënë se e ka marrë mbështetjen e familjeve të personave të zhdukur dhe zotohet se do të jetë zëri i tyre në çdo takim.
Ai ka vlerësuar se çështja e personave të pagjetur duhet të jetë prioriteti kryesor i institucioneve të Kosovës, pa zgjidhjen e së cilës thotë se nuk duhet të ndodh marrëveshja finale me Serbinë.
“Institucionet e Kosovës nuk është që po bëjnë zero punë, por nuk po bëjnë mjaftueshëm punë në mënyrë që të rrisin trysninë ndaj faktorit ndërkombëtar. Me sa unë e kam parë, dy takimet e fundit që kanë qenë në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, në të dyja ka qenë prioritet çështja e të zhdukurve, këtë gjë e kam kërkuar edhe në vitin 2017 kur kam qenë deputet, që çështja e të zhdukurve në dialogun Kosovë-Serbi jo vetëm të jetë prioritet, por të jetë kusht për përfundimin e një marrëveshje Kosovë-Serbi. Nuk konsideroj dhe nuk besoj që duhet të ndodh marrëveshja finale e Kosovës me Serbinë pa zgjidhur fatin e personave të zhdukur në Kosovë”, ka thënë Hoti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka emëruar Andin Hotin kryesues të Komisionit qeveritar për Persona të Pagjetur dhe kryetar të delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur në kuadër të grupit punues për persona të zhdukur./ koha.net / KultPlus.com
Rrjeti i Grave të Kosovës ka kërkuar përfshirjen e grave në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Në reagimin e RrGK-së thuhet se është shqetësuese mospërfshirja e asnjë gruaje në ekipin e ekspertëve për këtë proces.
“Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me shqetësim ka përcjellur zhvillimet e fundit rreth angazhimit të ekspertëve për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, kjo sepse në këtë ekip ekspertësh figurojnë vetëm burra”, thuhet në reagimin e RrGK-së.
Reagimi i plotë:
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me shqetësim ka përcjellur zhvillimet e fundit rreth angazhimit të ekspertëve për dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, kjo sepse në këtë ekip ekspertësh figurojnë vetëm burra.
Përmes kësaj letre publike, RrGK, si rrjet që përfaqëson interesat e 158 organizatave anëtare, zotohet se do të monitorojë të gjithë procesin e dialogut, duke kërkuar vazhdimisht që ekipi negociues të jetë gjithëpërfshirës dhe që prioritetet e grave të jenë pjesë e agjendës. RrGK kërkon përfshirjen e grave në ekipin dialogues, si dhe përfshirjen e prioriteve të grave në temat që do të diskutohen. Po ashtu, kujtojmë se RrGK në të kaluarën ka kërkuar përfshirjen në dialog të së paku një gruaje me përvojë nga shoqëria civile, ashtu siç përcaktohet edhe nga Rezoluta 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. E po ashtu, edhe Ligji për Barazi Gjinore kërkon përfaqësim të barabartë të grave në pozita të tilla vendimmarrëse.
Kështu, RrGK rithekson se jemi të gatshëm të ofrojmë emra të grave të kualifikuara, si dhe mbështetje në organizimin e konsultimeve publike drejt arritjes së një procesi demokratik, transparent dhe gjithëpërfshirës, i cili është qenësor për arritjen e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe rajon.
Gjatë vitit që lamë pas, i cili shënoi 20 vjetorin e miratimit të Rezolutës 1325, RrGK u dërgoi letër të hapur Qeverisë së atëhershme të Kosovës dhe të dërguarit special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, z. Miroslav Lajčák. RrGK shprehu shqetësimin për mos përfshirje të grave në ekipe negociuese si dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me Qeverinë e Kosovës për të propozuar emra të grave me përvojë në këtë fushë, duke listuar po ashtu nevojat e identifikuara në raportin tonë të fundit “Një ulëse në tryezë: Kontributi i grave në proceset e ndërtimit të paqes në Kosovë dhe pritjet e tyre nga këto procese”.
Ky raport ka identifikuar se nevojat e grave dhe vajzave ndaj këtij procesi mbesin të ngjashme me ato që gratë kanë ngritur që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Ky raport, poashtu theksoi faktin se një paqe e qëndrueshme arrihet vetëm atëherë kur ka përfshirje të barabartë të grave dhe burrave. Gjithashtu gratë nuk priren të nënshkruajnë marrëveshje të cilat ato nuk do të mund t’i zbatonin.
Si e tillë, ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që në agjendën e dialogut të përfshijë nevojat dhe prioritetet e grave dhe vajzave të ndryshme në Kosovë, të identifikuara rishtazi në këtë raport:
• Të sigurojë pjesëmarrje përmbajtësore të grave në vendimmarrje në lidhje me negociatat dhe dialogun, si përmes përfshirjes në ekipin zyrtar të negociatave ashtu edhe në konsultime publike;
• Të kërkojë njohje të Kosovës nga Serbia dhe kërkim falje publike nga shteti serb për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë;
• Të sigurojë kthimin e personave të pagjetur;
• Të sigurojë ndjekjen penale ndaj personave që kanë kryer krime lufte në Kosovë, përfshirë dhunën seksuale të kryer gjatë luftës, duke arritur kështu drejtësinë; dhe
• Të sigurojë kompensim dhe dëmshpërblim për shkatërrimet materiale, duke përfshirë kthimin e pensioneve.
Që nga viti 2006, RrGK ka qenë aktiv duke përcjellur dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke përfshirë këtu temat dhe përbërjen e ekipit negociues, dhe do të vazhdojmë të jemi zë aktiv në këtë fushë, derisa gratë dhe nevojat e tyre të jenë të përfshira barabartë në dialog. / KultPlus.com