Ish-presidentja Atifete Jahjaga ka hapur konferencën “Diaspora Flet 2020” ku pjesëmarrës ishin edhe dy ambasadorët amerikanë të Kosovës dhe Shqipërisë, Philip Kosnett dhe Yuri Kim.
Sipas njoftimit aty u zhvillua një maratonë diskutimesh, propozime dhe reflektime mbi angazhimin e diasporës nga profesionistë shqiptarë kudo në botë.
“Reflektim mbi 20 vitet e fundit të angazhimit të Diasporës Shqiptare, se çfarë kemi mësuar nga e kaluara dhe çfarë mbart e ardhmja në 20 vitet e ardhshme dhe a kemi bërë sa duhet për të ndërtuar komunitetet tona në mënyrë sistematike, ishin disa nga pyetjet të cilat ngjallën debat të strukturuar në 5 sesionet e realizuar me temën avokimi dhe diplomacia”, thuhet në njoftim.
Gjatë një bisedimi 30 minutësh në mes të ish-presidentes Jahjaga dhe Valbona Zeneli, udhëheqëse e Departamentit të Nismave Strategjike në qendrën “George C. Marshall”, u fol për migracionin, rolin e grave në migrim, remitancat dhe nevoja për bashkërendimin e aktiviteteve në mes të diasporës dhe institucioneve të vendit amë.
Jahjaga e pyetur rreth fenomenit të migracionit u shpreh se migrimi duhet të jetë një zgjidhje dhe jo një obligim i ndikuar nga faktorët e brendshëm.
Ajo kërkoi një angazhim dhe një seriozitet nga elita politike për të trajtuar diasporën si pasuri kombëtare duke shprehur në fund përulje ndaj diasporës dhe ndihmës së saj në ndërtimin e Kosovës.
Vlerësim ndaj rolit të diasporës në etapa të ndryshme u tha edhe në panelin e dytë me temë angazhimi i diasporës 20|20 – Forcimi i bashkëpunimit. Një reflektim mbi të kaluarën, rrëfim mbi lobimin e shqiptarëve jashtë vendit, rezistencën dhe roli i diasporës sot u diskutuan përgjatë këtij paneli, ku folës ishin Avni Mustafaj, Edita Tahiri, Shenasi Rama, Afërdita Rakipi dhe Besnik Pula.
Ndërsa sa i përket përfaqësimit politik të diasporës u theksua se mungon vullneti politik për të integruar diasporën në politkëbërjen ditore dhe shtetërore. Në këtë panel u përmend edhe projektligji për Diasporën dhe votimi i tyre në misionet diplomatike.
Sipas ish-deputetit Korab Sejdiu ajo çfarë ndodhi ishte se politikanët e pozitës vendosën që ta mbanin peng këtë projektligj ngase e dinin se nuk mund të kalkulonin në votat e diasporës.
Ndërkohë, ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko tha se marrëdhënia me diasporën po kthehet nga sasiore në cilësore.
Liza Gashi, folëse në këtë panel theksoi se partitë politike nuk duhet të jenë prezente në diasporë por duhet të përfshijnë atë brenda programeve të veta.
Mark Gjona, Këshilltar Bashkiak i Nju Jorkut njëherësh edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Diasporës (KKD) tha se shtetet shqiptare duhet të koordinohen për angazhimin e diasporës si një komunitet global dhe unik.
Në këtë ditë nuk munguan edhe fjalimet inspiruese si dhe debati i frymëzuar për artin dhe diplomacinë. Ylfete Fanaj, Shpresa Loshaj, Osman Osmani, Ori Hoxha, Ermal Sulaj, Desar Sylemjani, Ariana Kosova dhe Adelajda Matuka, profesionistë nga diaspora, përmes mesazheve 5 minutëshe treguan historitë e tyre inspiruese. Ylefete Fanaj filloi fjalimin me këngën ‘moj e bukura more’ dhe u shpreh se ajo nuk jeton në një botë zvicerane të ndarë dhe një botë shqiptare të ndarë, por në një botë unike ku i sheh të përbashkëtat para dallimeve. / KultPlus.com