Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë kremtoi 20 vjetorin e themelimit

Në një ngjarje kulturore e artistike, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në praninë e qindra dashamirëve të artit të të shkruarit ka kremtuar 20-vjetorin e themelimit të saj pikërisht në Qendrën Kulturore Shqiptare “Illyria” në New York.

Në këtë përvjetor si asnjëherë më parë kishte pjesëmarrje edhe nga shtete të ndryshme në SHBA, si dhe shkrimtarë nga Kanadaja e Meksika. Ngjarja u nderua nga mysafirët e saj special, shkrimtari disident Visar Zhiti- Anëtar Nderi i shoqatës dhe Gjekë Marinaj, i cili është ndër themeluesit e parë të shoqatës, dhe President Nderi i saj. Kryetari aktual i shoqatës Mëhill Velaj, i cili e drejtoi programin, në fjalën e tij theksoi “Unë si kryetar i kësaj shoqate ju shpreh mirënjohje dhe respekt të veçantë për punën e palodhshme të cilën e keni bërë dy dekada, në mënyrë që edhe këtu në Amerikën e largët të dëgjohet fjala shqipe, të zhvillohen veprimtari të ndryshme letrare e artistike edhe në kuadër të festave tona kombëtare e letrare artistike. Dinjiteti asnjëherë nuk ju mungoi, bashkë me kontributin tuaj dhe e bëtë pa hezitim e me plot vullnet. Kjo e bëri që Shoqata të funksionojë pa vështirësi, gjë që jam krenar me ju se pa ju dhe angazhimin tuaj, puna individuale nuk do të sillte suksese të cilat po i shohim sot e do t’i shohim edhe më shumë në të ardhmen e afërt e sidomos kur kjo shoqatë, po përqafon në gjirin e saj edhe shumë anëtarë të rinj të cilët po i bashkohen shoqatës sonë. Të bashkuar do të arrijmë suksese edhe më të mëdha”.


Në fjalën e tij presidenti i shoqatës Adnan Mehmeti duke i përshëndetur të pranishmit foli për arritjet e shoqatës në këto dy dekada, duke vënë theksin tek botimi i revistës periodike “Pena” dhe botimet e një pas njëshme të anëtarëve të shoqatës. Ai përmendi se librat e anëtarëve të shoqatës shpërndahen rregullisht nëpër bibliotekat e shoqatave të ndryshme shqiptare në SHBA, nëpër bibliotekat amerikane e deri tek Biblioteka e Kongresit Amerikan.
Me nga një fjalë përshëndetëse u paraqitën Visar Zhiti, anëtar nderi i shoqatës dhe shkrimtar i njohur, Gjekë Marinaj, kryetari i parë i shoqatës, Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York Frymëzim Isufaj, këshilltari shqiptar i New Yorkut Mark Gjonaj, kryetari i “Vatrës” Elmi Berisha, Skendër Kodra, kryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave, poeti nga Kanadaja Shani Pnishi, producenti Bujar Alimani, studentja Ilva Xhaferri, ndërsa Enkeleda Çelaj – Mundija, e bija e të ndjerit poetit Luigj Çekaj recitoi në kujtim të tij një poezi të poetit Luigj Çekaj. Me recitale të ndryshme u paraqitën aktorët e njohur në komunitetin shqiptar të Amerikës: Halil Tetaj, Shaban Lajçi dhe Avni Abazi.

Në këtë vit jubilar, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë prezentoi para publikut edhe anëtarët e rinj të saj: Elida Rusta, Arjana Fetahu- Gaba, Ibadete Humolli- Tetaj, Monda Hamitaj, Prend Ndoja, Engjell Zerdelia, Hamide Shabani, Fjorela Forde, Merita Prenga dhe Hamit Alaj.

Në 20 vjetorin e saj Shoqata e Shkrimtarve Shqiptaro Amerikanë ndau edhe çmime:

Çmimi “Faik Konica”- Sevdai Kastrati

Çmimi “Fan Noli”- Julia Gjika

Çmimi “Peter Prifti”- Shaqir Salihu

Çmimi “Isuf Luzaj”- Kozeta Zylo

Çmimi “Arshi Pipa”- Arjeta Ferlushkaj

Çmimi “Rozi Theohari”- Ermira Mitre

Çmimi  “Agron Fico”- Bexhet Asani

Çmimi “Bilal Xhaferri”- Namik Selmani

Çmimi “Sami Repishti”- Luz Thaçi

Çmimi “Prenk Gruda”- Sabije Veseli

Çmimi “Luigj Çekaj”- Bora Balaj

Çmimi “Sotir Andoni”- Petraq Risto

Çmimi “Seladin Velaj”- Gjeto Turmalaj

Çmimi “Valter Lazeri”- Eleonora Gjoka.

Edhe ish- editori i gazetës “Dielli” Dalip Greca, i cili për vite ka qenë bashkëpunëtori i ngushtë i tyre, ka uruar shkrimtarët e kësaj shoqate për përvjetorin e saj: “Ndjehem mirë që në këto dy dekada të udhëtimit të shoqatës kam qenë bashkë me shoqatën në shumicën e veprimtarive të organizuara, në panaire, në promovimet e shumta, madje dhe bashkë organizator me “Vatrën” e “Diellin” në disa prej promovimeve siç ndjehem mirë që në bibliotekën më të pasur të komunitetit, në bibliotekën e “Vatrës” është krijuar këndi i krijueseve të Diasporës sonë në SHBA. Ndërkohë gazeta “Dielli” ka qenë e hapur online dhe në shtyp për shoqatën siç ka qenë “Vatra” një shtëpi libri me dyer të hapura për promovime”- thuhet ndër të tjera në urimin e tij.

“Ditët e Kulturës Shqiptare” së shpejti fillon në kuadër të festave të muajit nëntor

Si çdo vit në kuadër të Festave të Nëntorit, Diaspora shqiptare në Kroaci organizon aktivitete të ndryshme kulturore në disa qytete të Kroacisë.

Nga dita e djeshme, “Ditët e kulturës shqiptare” rifillon aktivitet për deri më datë 27 nëntor. Këto aktivitete zhvillohen në Qendrën Kulturore Shqiptare të organizuar nga Këshilli i komunitetit shqiptar në qytetin e Karllovacit dhe Bashkësia shqiptare në prefekturën e Karllovacit, në mbështetje të Unionit Shqiptar në Republikën e Kroacisë.

Aktivitetet janë të ndryshme ku përfshihen prezantime të librave të rinj, filma dhe shfaqje teatër, muzikë shqiptare etj. / KultPlus.com

Kurti flet para diasporës, thotë se këto katër muaj ndryshoi gjithçka në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasditen e së enjtes takoi diasporën në “Parkun e Qytetit” në Prishtinë. Para tyre, kreu qeveritar tregoi të arriturat, që sipas tij janë bërë nga ekzekutivi në këta katër muaj.

Kurti u tha mërgimtarëve se këta muaj qeverisje është dëshmuar se është e mundshme të punohet ndryshe dhe më mirë në Kosovë.

“Gjatë këtyre katër muajve kemi dëshmuar që vërtet është e mundshme, ndryshe dhe shumë më mirë në Kosovë në çdo aspekt. Përderisa në fushën e luftimit të korrupsionit e të krimit pak a shumë të gjithë e keni përshtypjen, unë jam i lumtur edhe në aspektin ekonomik Kosova ka përparime. Psh doganat e Kosovës në pesë muajt e vitit përherë të parë e kanë kaluar nivelin prej 500 milionë eurove të hyra dhe kjo është 28 për qind më shumë se vitin e kaluar… Eksportet janë rritur për 66% qarkullim në ekonomi 15 % dhe presim që buxheti i Kosovës që është 2.5 miliardë të na mundësoj me qeverisjen tonë të mirë ta përmbyllim vitin me së paku 7.9% të bruto produktit vendor si rritje ekonomike për Kosovën”, tha ai.

Ai foli edhe për shitjen e bonove të diasporës, që filloi sot.

“Kemi filluar edhe me bonot e thesarit. Tashmë i kemi bonot e diasporës të veçanta ofertat në vlerë të gjithmbarshme prej rreth 1 milionë euro që nuk është keq për ditën e parë. Në javët qe vijnë do të përballemi me pandeminë Covid19, kësaj radhe me mjete të shtuara për shkak të vaksinave që i kemi sigluara, por gjithashtu edhe duke respektuar distancën fizike në mënyrë që çfarëdo varianti i ti të mos rrezikoj shëndetin publik. Por edhe krizat tjera ekonomike sociale që kanë qenë dhe vazhdojnë edhe kësaj dite do ta kenë një kabinet të ministrave që do të punojnë ditë e natë dhe që sigurisht qe do t’i ngadhënjej për hir të qytetarëve”

Kreu i ekzekutivit falënderoi mërgatën për ndihmën që ia kanë dhënë Kosovën në çdo epokë si dhe për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.

“Në veçanti ju falënderoj për pjesëmarrjen demokratike në zgjedhjet që janë bërë në Kosovë dhe keni ndikuar për ndryshimet qe janë realizuar dhe do të realizohen por dhe që të mos ngelemi vetëm ata që dërgojnë mjete financiare por që ta kenë edhe zërin politik e publik. Nuk ju shohim vetëm si burim i të ardhurave për familjet tuaja dhe atdheun tonë por edhe si burim j dijes i shkathtësive i profesioneve meqenëse studentët, profesionistët e akademikët ndër më të mirët që i ka shteti ynë e kombi ynë janë po ashtu në mërgatën tonë”, tha ai. / Express / KultPlus.com

Worcester, një projekt historik për diasporën më të vjetër shqiptare në SHBA

Në Uster të Shteteve të Bashkuara të Amerikës jeton një ndër komunitetet më të vjetra të diasporës shqiptare në SHBA.

Gjatë një vizite në Worcester, që njihet ndryshe Uster, në Massachusetts, ambasadorja shqiptare në SHBA, Floreta Faber zhvilloi takime me përfaqësuesit e diasporës, drejtuesit e Muzeut Historik të Uster, Presidenten e Institutit Politeknik te Usterit WPI, si dhe vizitoi një numër biznesesh shqiptare.

Që në fillim të shekullit të kaluar, shqiptarët e ardhur kryesisht nga Korça dhe Shqipëria juglindore, por jo vetëm, të vendosur në Worcester, kanë ruajtur me shumë përkushtim gjuhën, dashurinë për atdheun, si dhe shumë nga traditat dhe kulturën shqiptare. Ndërkohë, këta qytetarë shqiptaro-amerikanë kanë dhënë një kontribut të çmuar në jetën ekonomike, politike si edhe kulturore në SHBA.

Në kuadër të veprimtarisë së tyre, komuniteti shqiptar, me mbështetjen e Muzeut Historik të qytetit dhe të Institutit Politeknik WPI po zhvillojnë një projekt shumë dimensional i cili do përqëndrohet në historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan të Worcester dhe njohjes së publikut me të.

Ambasadorja zhvilloi takime me të dy institucionet me qëllim mbështetjen e këtij projekti, rëndësinë e tij në evidentimin e punës dhe jetës së këtij komuniteti në 100+ vitet e fundit. Ambasadorja kërkoi bashkëpunimin e këtyre institucioneve për të vijuar projektin dhe falenderoi për punën e filluar dhe vijuar edhe gjatë periudhës së pandemisë.

Ambasadorja dakordësoi me përfaqësuesit në organizimin e një aktiviteti madhor në Uster, gjatë vitit 2022, që përkon me 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. /diasporashqiptare/ KultPlus.com

Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë ndan çmimet e artit

Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë ka ndarë tetë çmimet për krijuesit në mërgatë në zhanre të ndryshme të artit.

Çmimet u shpallën në kuadër të festës së Pavarësisë dhe fituesit janë bërë të ditur nga kreu i saj poeti Musa Jupolli.

Dita e Flamurit shkruhet me shkronja t’arta, ndaj në këtë ditë madhore të kombit Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë ndanë këto shpërblime:

Shqipe Bytyqi: Pena e Artë “Martin Camaj”

Rexhep Rifati: Për veprimtari jetësore (Dielli Dardan)

Gani Bytyçi: Çmimi Vjetor LKSHM

Sylë Bajrami: 28 Nëntori-Dita e Flamurit

Violeta Allmuça: Alfabeti- Kongresi i Manastirit

Falenderim

Hazir Mehmeti:

Për libër të vitit «Pranverë e Helmuar»

Mirënjohje

Gonxhe Letmi Begisholli

N’artin e poezisë për fëmijë dhe të rritur

Mirënjohje

Ilaz Hysaj

Për veprimtari atdhetare e kulturor

Kritika letrare përcakton vlerën artistike të artit, letërsisë, shkencës, kulturës gjuhësore, sportive dhe edukuese, arritjen, po edhe frymëzimin, dhe na bënë që të ndjehemi mirë me artin, me filozofinë, me jetën shpirtërore!

Shqipe Bytyqi

Kësaj radhe me pëlqim dhe pajtim të Kryesisë së LKSHM-së, Pena e Artë «Martin Camaj» i jepet Shqipe Bytyqit.

Shkrimet, poezia e Shqipe Bytyqit janë të kohës, kohë kjo e kalimit nga dhimbja në shpresë!

Në shkrimet e Zonjës Bytyqi gjejmë plagtë e atdheut, në veçanti Dardaninë e plagëve të këtij shekulli, po edhe shpresën për t’arritur ditë më të mira, aty ku letrat dhe filozofia banojnë me një çerdhe dashurie me historinë, me kulturën arbërore për njohje, për studime!

Rexhep Rifati

Për Vepër Jetësore «Dielli Dardan» çmohet kontributi i Rexhep Rifatit n’udhëtimet e tij të palodhshme, ku gjejmë shpirtin e krijuesit, gazetarit e fotografit me përshkrime dhe filozofi të pasur, me fotografi kujtimi që do të ruhen brez pas brezi, me theks udhëtimet e Z. Rifatit në venbanimet e arbëreshëve janë pasuri që i kalojnë të gjitha çmimet!

Gani Bytyçi

Proza, poezia dhe arti figurativ ke Gani Bytyçi thuase janë me një udhëtim të pandarë!

Aty ku pena dhe brusha ndihen mirë jeta ka kuptim, ky kuptim rrjedh si lumë në artin e dhe kulturën e Gani Bytyqit!

Sylë Bajrami

Po patët pak kohë të njohtoheni për traditat arbërore ndaluni të Sylë Bajrami, po patët edhe pak kohë më shumë dëgjojeni me nota të bukura shpirti si lumë që rrjedhë në trojet e Arbërit poezitë dhe këngët e Sylë Bajramit!

Violeta Allmuça

Shkrimet e Zonjës Allmuça n’artin e letrave janë kulturë, tema dhe stili i saj janë pasuri e një gjuhe të rrjedhshme që lënë kujtesë dhe adhurim në renditje të letrave të bukura shqipe, ndaj Alfabeti është në shpirtin e krijueses Allmuça!

*

Falenderim

Hazir Mehmeti,

Mësues i gjuhës, i artit dhe dashurisë për Atdhe, i vyer në tema të njëshme që të ndirtësohet me të dhëna jeta e të riut, të njihet historia dhe vuajtja shqiptare, e veçmas ajo e Dardanisë të një shekulli të dhimbjeve!

Libri «Pranverë e Helmuar» do të mbetet në arkivat e Atdheut si dëshmi e një Epoke të plagëve të mëdha!

Mirënjohje

Gonxhe Letmi Begisholli

Kthehuni nga Dibra, që ta shohim lindjen e diellit, që t’i mësojmë fëmijtë tanë për gjuhën dhe kulturën shqiptare!

Pa kaluar nepër poezinë për fëmijë vështirë do ta keni të shkruani vargje për të rritur, do të thonte poetja Gonxhe Letmi Begisholli !

Mirënjohje

Ilaz Hysaj

Ka vite e vite në udhëtimet e tij për Çeshtjën e Pavarësisë së Kosovës, ka vite e vite që asnjëhrë nuk iu nda «barra» si t’i ndihmohet Atdheut!

Ilaz Hysaj që n’orët e hershme i dhe kuptim kulturës dhe artit të kombit, n’ecjet e tij në takime të rëndësishme që të kalohet porosia për njohje të Kosovës në diplomacinë dhe politikën ndërkombëtare!

Po edhe angazhimet e tij në shkrime, proza jete e poezi, metaforë e ruajtur në artin e tij të shenjtë, aty ku piqen e bukura dhe dhimbja!/ Diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Diaspora shqiptare në Gjermani vazhdon ta ndihmojë Kosovën

Ditë më parë në Essen është mbajtur takimi i radhës i Unionit të Biznesmenëve Shqiptarë në Gjermani. Diaspora shqiptare në Gjermani edhe një herë dëshmoi se është e gatshme të ndihmojë shqiptarët e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Në këtë takim nikoqire ishte firma Kelmendi Gmbh. Unioni ka marrë në pronësi nga UNDP fondin për investime të Luksemburgut. Për punësimin e kosovarëve në firmat anëtare të Unionit u formua grupi punues nga Zenun Krasniqi dhe Ejup Xhemajli, po ashtu në këtë takim kryesia e Unionit mori vendim që t’u ndihmojnë edhe hapjen e 15 bizneseve te vogla në Kosovë kryesisht në Krushë tē komunës së Rahovecit.

Duhet theksuar se arsyeja e përzgjedhjes së Krushës është se në këtë vend dëmet e shkaktuara nga lufta janë mjaft të theksuara dhe, siç e dimë në këtë pjesë mbijetojnë me punët bujqësore dhe punëdore kryesisht të udhëhequra nga gratë kryefamiljare. Këtë projekt për ta menaxhuar u zgjodhën Gani Nuha dhe Ilir Balija, shkruan kosovapres.

Vlen të cekët se edhe për “Projektin e 10 pacientëve për shërim gratis në Gjermani” u formua Komisioni në krye me Besim Rexhepajn, i cili ishte edhe iniciator i projektit.

Kryetari i Unionit, Ejup Berisha, gjatë hapjes të takimit, duke i përshëndet të pranishmit tha se Kosova ka nevojë më tepër se kurrë për investime nga Gjermania në ngritjen dhe zhvillimin ekonomik.

Unioni gjatë këtij takimi miratoj vendimin që të bashkëpunojë ngushtë me Rrjetzimin Global, por derisa rrjeti me seli në Amerikë nuk përfshin kërkesat e arsyeshme të Unionit që janë ngushtë të lidhura me ligjet gjermane në Statutin e posapërpiluar, Unioni Gjerman nuk mund të bëhet anëtar në Rrjetin Global. /Albinfo.ch / KultPlus.com