Grama në Dibër po zbulohet gjithnjë e më shumë nga turistët

Grama në Dibër është kthyer në një atraksion ku ndalen mijëra vizitorë e turistë të dhënë pas turizmit malor.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndau sot pamje nga kjo zonë, teksa shtoi se, “klima e freskët në Gramë të Dibrës gjatë verës e bën atë një vend ideal për hiking”.

“Përmes bjeshkësh me lule apo në shtigje malore, e gjithë kjo hapësirë është një zonë që po zbulohet gjithnjë e më shumë nga turistët vendas dhe të huaj”, tha Balluku.

Grama është cilësuar perla e Dibrës, e pasur me bjeshkë të sheshta, liqenin e bukur dhe gjelbërim të pafundmë. Me t’u ngjitur në bjeshkët e Gramës, syri sheh vetëm gjelbërim pafund, burime të shumta uji të kristaltë dhe shumë të ftohtë. Në Gramë ka një sërë monumentesh natyrore, ndaj edhe është ndër vendet më të lakmuara nga vizitorët vendas dhe turistët e huaj.

Grama shtrihet në verilindje të Peshkopisë, rreth 12 km larg qytetit dhe shkon deri në 2400 metra mbi nivelin e detit. Ajo është pjesa më e bukur e parkut kombëtar Korab-Koritnik. Ngjitja për në bjeshkë është shumë e bukur, të jep ndjesinë e një ballkoni, pasi prej aty mund të shikosh gjithë fushën e Dibrës, qytetin e Peshkopisë dhe plot bukuri që aty natyra i ka vizatuar me shumicë./atsh/KultPlus.com

Bjeshka e Hinoskës në Dibër, një rrugëtim i pasur me peizazhe të larmishme

Bjeshka e Hinoskës, e pozicionuar rrëzë malit të Velivarit (2369m), vetëm 1 orë larg qytetit të Peshkopisë cilësohet nga turistët e aventurës si një nga destinacionet më unike e tërheqëse.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro shprehet se ky destinacion të ofron mundësi për ta eksploruar nëpërmjet shtigjeve.

Një rrugëtim i pasur me peizazhe të larmishme, gjatë së cilit turistët dhe vizitorët mund të shohin luginën e Drinit të Zi dhe malet e Lurës.

Shtegu turistik që kalon në fshatin Melan, në fshatin Ilnicë dhe në bjeshkën e Hinoskës ofron një larmi të peizazheve natyrore  nga ku mund të shihet edhe vargmalit i Korabit në njërën anë, dhe lugina e Radikës dhe maleve të parkut të Mavrovës në anën tjetër.

Biodiversiteti i larmishëm, burimet ujore, kullotat alpine dhe qetësia shpirtërore që të përcjell ky vend e bën atë një nga destinacionet më të preferuara gjatë stinës së verës dhe jo vetëm.

Zona e Dibrës është shumë e pasur me bimë mjekësore dhe aromatike, ku numërohen rreth 80 lloje të ndryshme që nga sherbela, aguliçe, murrizi, dëllinja e kuqe, trëndafili i egër, bishtkali, trëndafili i egër, hithra deri te molla e egër.

E tillë është edhe bjeshka e Hinoskës e cila ka shumëllojshmëri bimësh mjekësore që janë shndërruar tashmë në një burim të rëndësishëm ekonomik për familjet e këtyre zonave. / atsh / KultPlus.com

Margariti: Në Dibër do të ngrihet itinerari i Skënderbeut

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka njoftuar nga një takim në Dibër se do të ngrihet itinerari i Skënderbeut, edhe të 100 kullave, që do t’i ftojnë vizitorët, jo vetëm të shkojnë kalimthi, por të qëndrojnë e të shpenzojnë kohë në këtë zonë me një natyrë të mrekullueshme.

“Me dibranët, që me aq fanatizëm ruajnë çdo gjurmë të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, u takuam dje për çështje të artit dhe trashëgimisë kulturore”, u shpreh Margariti në rrjetet sociale.

Ministrja tha se, Qarku i Dibrës shquhet si një destinacion kulturor, pasi Dibra e kullave, e mikpritjes dhe kulinarisë, e njerëzve zemërbardhë e të mençur ka gjithë potencialin për të qenë e tillë.

Takimin me dibranët, ministrja Margariti e zhvilloi në Bulqizë.

“Falë Rrugës së Arbërit, Bulqiza po i afrohet gjithnjë e më tepër kryeqytetit, sepse aty pranë është edhe Maqellara, edhe Zerqani, që me më shumë bashkëpunim e besim mund të rimëkëmben e të kthehen në qendra ftuese kulturore”, theksoi Margariti. / atsh / KultPlus.com

99 vjet nga lindja e një prej artistëve më të mëdhenj të skenës shqiptare, Sulejman Pitarka

Më 2 shkurt 1924 në Dibër lindi një nga artistët më të mëdhenj të skenës shqiptare, Sulejman Pitarka.

Kjo ditë shënon datëlindjen e artistit Sulejman Pitarka, i cili ka luajtur me sukses 50 role në Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe 20 të tjerë në fushën e kinematografisë, shkruan KultPlus.

Ai ka hyrë në historinë e dramës shqipe si autor i dramës “Familja e peshkatarit”. Më 1927, i lindur në Dibër, kur ishte në moshën trevjeçare së bashku me familjen e tij u vendosën në Durrës, ku edhe e kaloi fëmijërinë e tij.

Disa përvoja skenike, pothuaj rastësore, gjatë shërbimit ushtarak (1945 – 1947) e shtynë të interesohej më shumë për teatrin dhe të përfshihej në lëvizjen amatore të Durrësit. Më 1951, u përzgjodh për t’iu bashkëngjitur trupës, ende në formim, të Teatrit Popullor (sot Kombëtar) në Tiranë, ku u bë menjëherë margaritari i kurorës.

Luajti rreth 50 role, duke shkëlqyer njësoj, si në dramë, ashtu edhe në komedi./ KultPlus.com