Zërat që ‘shërojnë’, Diellza Sylejmani dhe koncerti që përçon shpresë e optimizëm

Vjollca Duraku

Të bindur mbi fuqinë dhe karakterin e fortë të Diellza Sylejmanit, miqtë e saj të enjten mbrëma organizuan koncertin “Miqtë për Diellzën”, që erdh më shumë si simbolikë për diagnostifikimin e hershëm të kancerit, se sa si përkrahje ndaj përballjes së saj me kancerin e gjirit, shkruan KultPlus.

‘E njohim Diellzën’, ‘e fortë’, ‘pozitive’, ‘luftarake’, janë shprehje me të cilat iu referuan mexosopranos Diellza Sylejmani, kolegët e saj me të cilët kishte bashkëpunuar ndër vite.

Kjo njohje për së afërmi e mexosopranos Sylejmani, kishte bërë që miqtë e saj më shumë se për sëmundjen e cila e kishte sfiduar, ishin të vetëdijshëm për fuqinë e saj shpirtërore dhe për mesazhin që ajo këtë kohë po e përçonte në nivele më të thella, për diagnostifikimin sa më të hershëm të kancerit dhe për shtuar dashurinë e kujdesin e miqve ndaj njëri-tjetrit, i cili nga jeta dinamike disi është zbehur.

Mbrëmjen mes shumë të pranishmëve e hapi organizatori Dardan Noka, i cili pas fjalës përshëndetëse e ftoi aktoren Safete Rogova, e cila nën shoqërimin e pianistit Andi Duraku, recitoi fuqishëm vargjet “Dedikim për Diellzën”.

Më pas me veprat Vilja të Franz Lehar, Quando m’en vo të Giacomo Puccini, Ah Lieb… e  Allerseelen të Richard Strauss, dhe Këngën e Hënës të Antonin Dvorak në skenë performuan sopranoja Besa Llugiqi dhe pianisti Misbah Kaçamaku.

Pas interpretimit të tyre, i cili përveç profesionalizmit përçonte elegancë dhe paqe, në sallën me kushtet jo adekuate, dolën në skenë Kori i Grave të Filharmonisë së Kosovës.

“Moj e bukura More, Qenke veshur me të bardha, Trëndelinë të Thoma Simakut, The Rose të Ola Gjeilos, She Wepps Over Rahoon të Eric Whitacre u interpretuan nga Kori i Grave të Filharmonisë nën përcjelljen e klarinetistit Shkumbin Bajraktarit dhe pianistit Andi Durakut me dirigjimin e Hajrullah Sylës.

Interpretimit të Korit të Grave të Filhamonisë, krejt në fund iu bashkua edhe vetë Diellza Sylejmani, për të interpretuar një pikë së bashku me koleget e saj, e cila u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku, pasi qe një veprim i cili shpërfaqte ndërthurje energjish dhe zërash që përçonin forcë dhe optimizëm.

Pas koncertit në një prononcim për KultPlus, foli solistja Besa Llugiqi e cila Diellzën e konsideroi si pjesë të familjes së saj, pasi me njëra-tjetrën njiheshin prej fëmijërisë.

“Për mua ka qenë minimalja që kam mundur  të bëj për Diellzën dhe mendoj për të gjithë ata që sot kanë interpretuar, sepse e njohim prej të vegjël. Kemi punuar bashkë në kor të Filhamonisë,  kemi udhëtuar bashkë, kemi kënduar bashkë, kemi studiuar bashkë, ka shumë vite që Diellzën e njoh dhe gjendja e saj për ne është e papritur. Sigurisht edhe për mua ka qenë shumë e ndjeshme si situatë. Iniciativa e Dardanit ka qenë t’i ndihmojmë me aq sa kemi mundësi, mendoj që të gjithë artistët jemi të hapur dhe nuk kishte me thënë asnjë jo në këtë rast”, ka deklaruar Sopranoja Llugiqi duke thënë që me kënqësi e realizoi këtë koncert duke besuar fuqishëm që Diellza shumë shpejt do të marr veten dhe do të tejkalojë këtë sfidë, sepse e njihte si karakter shumë pozitiv, direkt, shumë luftarak.

Ndërsa oraganizatori Dardan Noka, deklaroi që Diellza e ka tejkaluar sfidën dhe që kjo mbrëmje është organizuar më shumë si mbështetje morale për të, deri në tejkalimin e plotë të sfidës.

“Sonte kemi dashur të mblidhemi, më shumë për ta mbështetur moralisht, në mënyrë që ajo të ndihet edhe më e fortë në këtë luftë, por në të njëjtën kohë edhe për të përçuar një mesazh për të gjithë që të kujdesen për diagnostifikimin sa më të hershëm. Diellza është një prej rasteve që e ka diagnostifikuar sëmundjen shumë herët, dhe unë e besoj që kjo ka për t’i ndihmuar shumë që ajo ta mundë sëmundjen”, ka thënë Noka.

Ai më tutje shtoi se artistët ftesës i ishin përgjigjur shumë pozitivisht, dhe se organizimi i një ngjarjeje të tillë ka qenë fare i lehtë, për shkak të gatishmërisë së artistëve.

“Për mua është e rëndësishme që ka ndodhur kështu për dy arsye. E para, në një kohë kur afrimiteti mes njerëzve mund të vihet në pikëpyetje për shkak të ritmit të jetës që e kemi, dhe janë këto momente kur ti e sheh që njerëzit prapë shpalosin shpirtin human. Janë këto momente që na bëjnë të reflektojmë për kujdesin për njëri-tjetrin në rrethana pa qenë vonë. Kështu që më vjen mirë që janë përgjigjur dhe kjo ka me qenë një ndihmesë për Diellzën në rrugën e saj, që është një rrugëtim shumë i gjatë derisa ajo ta mund plotësisht sëmundjen” ka thënë më tutje Noka.

Në fund të koncertit shumica e të pranishmeve iu bashkuan skenës për t’i dhuruar dashuri, mbështetje dhe respekt Diellza Sylejmanit, për të cilën edhe u organizua kjo mbrëmje artistike./KultPlus.com

‘Miqtë për Diellzën’, mbrëmja frymëzuese që vjen në mbështetje të mezosopranos Diellza Sylejmani

Përmes koncertit “Miqtë për Diellzën”, do të mbahet një mbrëmje frymëzuese në përkrahje të mezosopranos Diellza Sylejmani për betejën e saj kundër kancerit, shkruan KultPlus.

Në koncert do të interpretojnë sopranoja Besa Llugiqi, pianisti Misbah Kaçamaku dhe Kori i Grave i Filharmonisë së Kosovës nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla.

Të gjitha të ardhurat shkojnë si përkrahje modeste për kolegen e tyre mezosoparanon Sylejmani.

Koncerti mbahet më 30 nëntor  në ora 19:00, te Atelija e Pallatit të Rinisë dhe Sportit.

Biletat janë në dispozicion në: https://bit.ly/3sFjYrp

Rikthimi magjepsës i Anila Aliut, premiera “Simfoni Epike” dhe ekselenca e Orkestrës Filarmonike të Kosovës në harmoni të përsosur mes veti

Uranik Emini

Në përkufizimin e saj, Orkestra përfaqëson një grup interpretuesish në instrumente të ndryshme muzikore, duke përfshirë veçanërisht instrumentet me tela të klasës së violës, klarinetat dhe flautat, kornetat dhe trombonat, daullet dhe cembalet, për të luajtur muzikë, si simfonitë, operat, muzika popullore ose kompozime të tjera. E veçanta e Orkestrës Filarmonike të Kosovës është pjesa ku ata veprojnë dhe luajnë sikur të jenë një. Aftësia më e madhe që tregon edhe madhështinë që ata posedojnë, përfshin kapacitetin e tyre për të tingëlluar si një entitet koheziv, që të gjithë luajnë të njëjtin stil për të prodhuar tinguj unikë dhe kësisoj shtojnë edhe më shumë entuziazmin e publikut, shkruan KultPlus.

Mbrëmja e së dielës për shumë qytetarë ishte e rezervuar për Orkestrën e Filarmonisë së Kosovës, e cila koncertin e saj e filloi nga ora 20:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit Rinisë. Nën drejtimin e maestro Gridi Kraja, koncerti u hap me uverturën “Coriolan” të Ludwig van Beethoven për të vazhduar me “Koncertin në G major” të Maurice Ravel të interpretuar nga pianistja e re por e shquar kosovare Anila Aliu e cila u rikthye në një koncert me Filarmonia e Kosovës pas 10 vitesh. Ajo debutoi me Filarmoninë kur ishte vetëm 12 vjeçe, si fituese e çmimit “Pianistja e re”.

Pjesa e dytë e koncertit ishte e rezervuar për premierën botërore të “Simfoni Epike” nga Fatos Qerimaj me tekst të Robert Wilton dhe me soliste mexosopranon Diellza Sylejmani.

Në një intervistë për KultPlus, Anila Aliu është shprehur e lumtur për rikthimin e saj në Filarmoninë e Kosovës.

“Sonte ka qenë një koncert i mrekullueshëm, kam pasur nderin dhe kënaqësin që të performoj me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës pas 10 viteve. Gjithmonë është një nder i veçantë që të performosh në skenën kosovare përpara një publiku kaq entuziast, para shumë profesorëve të mi, para familjarëve dhe dashamirëve të artit”.

Kushtet e krijuara nga vështirësitë nuk e “thyejnë” Filarmoninë e Kosovës

Anila Aliu ka marrë pjesë në festivale të ndryshme nëpër botë, duke udhëtuar kështu në vende të ndryshme. Ajo beson se përkundër faktit se Kosova dhe kushtet e saj në këtë fushë nuk janë aspak në të njëjtin nivel me shtetet e tjera, megjithatë punohet shumë për të arritur rezultate.

“Këtë koncert do ta mbaj në mend gjithmonë, edhe pse kushtet të cilat i kemi këtu nuk janë aspak në nivel me ato të koncerteve ndërkombëtare. Përkundër kësaj, vlen të përmendet fakti që edhe pse në kushte të vështira, muzicientët këtu punojnë shumë edhe jemi munduar që të japim maksimumin dhe të shijojmë këtë mbrëmje, po besoj që edhe për publikun ka qenë një koncert fantastik në bazë të duartrokitjeve dhe entuziazmin që shfaqën. Të performosh para publikut tënd është një përgjegjësi më e madhe, më sfiduese sigurisht, mirëpo natyrisht që performimi përpara njerëzve të tu është diçka që nuk përshkruhet me fjalë”, përfundon ajo.

Nga ana tjetër, Fatos Qerimaj shpjegon për KultPlus se si erdhi te momenti për të shkruar veprën që pati premierën botërore këtë natë, “Simfonia Epike”, me tekst të Robert Wilton.

“Unë shkëputa një fragment nga Edit Dura që thotë The Land of The Living Past, e kjo më bëri që të shkruaj këtë simfoni në kohën e pandemisë, duke përfshirë konceptin epik dhe lirik të natyrës shqiptare, konkretisht atë të veriut. Kjo ishte edhe arsyeja që vendosa ta realizoj këtë vepër premierë në Prishtinë, duke pasur parasysh epizmin dhe lirikën e trevës përkatëse”.

Energji e pashtershme për të prodhuar magji pranë publikut

“Ajo që unë mora sot nga orkestra e Filharmonisë së Kosovës ishte një energji teper pozitive, e cila shpalosi me të vërtet një krenari orkestrale që është brenda veprës, për të treguar trashëgiminë dhe të ardhmen”, shpjegon kompozitori Qerimaj.

Dirigjenti Gridi Kraja pohon se bashkëpunimet me Filarmoninë e Kosovës janë të shpeshta, ndërsa e vlerëson shumë performancën nga kjo këta të fundit dhe veçanërisht nga pianistja Anila Aliu.

“Ky ishte një koncert i veçantë do të thosha, sepse në këtë koncert luhej një vepër krejtësisht premierë. “Simfonia Alpine” e Fatos Qerimaj, e bazuar në motive veriore të Shqipërisë. Simfoni shumë e veçantë e fuqishme dhe me mesazh e të gjitha. Një performancë shumë, shumë e mirë edhe nga Anila Aliu. Një koncert që është shumë sfidues për orkestrën, por mund të themi se u arrit shumë mirë. Solistja bëri një lojë shumë të mirë dhe gjithashtu edhe uvertura e njohur “Coriolan” nga L. V. Beethoven. Jam shumë i kënaqur me koncertin, gjithmonë mbetem i kënaqur me orkestrën, me të cilët kemi një bashkëpunim gjithmonë, janë kolegët e miqtë e mi”, shprehet Kraja.

Edhe solistja mekso-soprano, Diellza Sylejmani, tregon për KultPlus se përkundër vështirësive të shumta në mungesë të kushteve, sidomos mungesës së sallës adekuate, në Kosovë ka artistë të jashtëzakonshëm.

“Për mua ishte një nder së pari dhe sigurisht edhe një kënaqësi të isha pjesë e veprës premierë të Fatos Qerimajt. Kjo vepër është shkruar nga kompozitori në periudhën e pandemisë dhe për të e ka pasur një domethënie të veçantë. Pjesa ku unë këndoj fillon e këndohet për tokën, për malet, për shqiponjat, të cilat e karakterizojnë Shqipërinë. Paraqitja mund ta keni parë edhe vetë që ishim shumë afër me publikun, saqë e kisha ndjenjën që po i këndoj te veshi i dikujt. Në Kosovë ka artista, këngëtarë e instrumentista shumë të mirë që nuk po mund ta shprehin veten e tyre më së miri si shkak i mungesës së një salle adekuate”, thotë Sylejmani.

Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, në një prononcim për KultPlus, bën të ditur se janë duke u planifikuar disa hapësira të mirëfillta për Filarmoninë e Kosovës.

“Orkestra e Filharmonisë së Kosovë janë të mrekullueshëm, jam pothuajse në çdo koncert të tyre. Jemi duke punuar shumë që të krijojmë hapësira të mirëfillta për ta. Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës jemi duke punuar për të transformuar hapësira që të krijojmë mundësi të performancës së Filharmonisë së Kosovës. Edhe Salla e Kuqe është e vjetërsuar, por edhe tani e kemi një projekt për të rigjeneruar këtë hapësirë, por përkundër kësaj orkestra ishte e mrekullueshme, sigurisht edhe pianistja Anila Aliu”, thotë Rama.

Ai shton gjithashtu se ndërtesa e Operës dhe Baletit do të duhen 2 ose 3 vjet që të jetë gati, ndërsa deri atëherë plani është që godina e Gërmisë të shndërrohet në Galeri dhe Sallë Koncertesh.

“Fillimisht është dalë konkursi ndërkombëtar, që do të aplikojnë për të dizajnuar objektin e Operas dhe Baletit, pasi kjo të përfundojë pastaj vazhdohet me dizajnimin e kësaj ndërtese, e më pas sigurisht edhe ndërtimi i saj. Mesiguri do të kalojnë 2 ose 3 vite që kjo ndërtesë të përfundojë. Mirëpo, përkundër kësaj po them se kemi paralelisht edhe iniciativa tjera, ku ndërtesa e Gërmisë do të transformohet në Galerinë e Qytetit si dhe një Sallë Koncertale, së bashku me Bashkimin Evropian. Proceset byrokratike sigurisht që janë me shpejtësi më të vogël sesa ne kemi dëshirë, por jemi duke punuar që t’i shtyjmë përpara sa më shpejt”, përfundon Rama.

Filharmonia e Kosovës aktivitetin e muajit nëntor do ta përmbyll me koncertin “Dua më shumë Shqipërinë” duke iu bashkuar Orkestrës dhe Korit të Teatrit Kombëtar të Operës në Tiranë më 26 nëntor në sheshin “Skënderbej” në koncerti i cili organizohet në shënim të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. /KultPlus.com