Në prag të Ditës Botërore të Muzikës, violinisti Tedi Papavrami u rikthye në Tiranë me një koncert në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Edicioni XI i Festivalit Muzikor Ndërkombëtar “Different Trains” vijoi dje në TKOBAP, me pjesën e tretë dhe të fundit të sonatave për violinë dhe piano të Beethoven, interpretuar nga violinisti Tedi Papavrami dhe pianisti Francois Frederic Guy.
Një mbrëmje me virtuozet e muzikës klasike, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.
Kjo mbrëmje ishte në vijim të stinës “Different trains festival”, një traditë e bukur tashmë, organizuar me shumë pasion dhe vullnet nga një tjetër artist, Vlorent Xhafaj.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehet nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale se “prania në Tiranë dhe në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të violinistit Tedi Papavrami, një prej ambasadorëve tanë më të mirë në botë, ishte pa dyshim një nga kulminacionet e Muajit të Muzikës”.
“Në shoqërinë e pianistit François-Frédéric Guy u ngjitën në skenë tri sonata për violinë dhe piano nga Beethoven, që përmbyllën dhe ciklin e koncerteve dedikuar sonatave të kompozitorit të madh. Një interpretim emocionues, që meritoi duartrokitje të gjata nga publiku dhe që hapi stinën e festivalit “Different Trains”, që prej vitesh sjell në Tiranë instrumentistë nga më të mirët. Të lumtur të mbështesim aktivitete të tilla”, shprehet Margariti./atsh/ KultPlus.com