Në ShFMU “Hasan Prishtina” u mbajt takimi letrar me Dije Demiri – Frangun

Aktiviteti i letrar Ora e Shkrimtarit, i katërti me radhë, u mbajt të enjten në SHFMU “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Poetja, studiuesja dhe profesoresha e letërsisë shqipe, Dije Demiri Frangu, u takua me nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle, me ç’rast shpalosi përvojën e saj krijuese në fushën e letërsisë për fëmijë dhe për të rritur, pastaj foli për shumë fenomene letrare dhe estetike, të ndërlidhura me frymëzimin krijues, me idetë, temat, motivet e veprave të caktuara letrare, të cilat e pasurojnë mendjen e njeriut dhe hapin horizontin e dijes.

Përvoja e saj e gjatë në fushën e edukimit si mësimdhënëse e letërsisë për fëmijë në Fakultetin e Filologjisë të Universitetin e Prishtinës, ishte një rast i mirë dhe tejet i veçantë për nxënësit e kësaj shkolle që të dëgjonin për gjëra të reja e të panjohura nga një poete e njohur, e cila bashkëbisedimin e saj e orientoi në disa drejtime, kryesisht përmes pyetjeve të ndërlidhura me botën e librit, se cilët librat pëlqehen më së shumti, pastaj pse shkruhen librat, si shkruhen, pse duhet të lexojmë etj.

Në vazhdim të bashkëbisedimit me nxënës, Dije Demiri Frangu, bëri një përshkrim të veçorive të artit letrar, duke thënë se: “Letërsia na ndihmon ta kuptojmë njeriun dhe tërë njerëzimin nëpër epoka dhe hapësira të ndryshme. Pra, na jep dije, emocion, edukim, argëtim. Letërsia na ndihmon ta krijojmë, para se gjithash, ta kuptojmë të bukurën. Veprat e bukura ndikojnë në ndërtimin e njeriut të bukur shpirtërisht, për të bërë edhe një jetë e një botë më të bukur, më të lehtë për të jetuar në të, me një harmoni e lumturi”, duke shtuar se: “Një vepër e mrekullueshme arti, cilido qoftë mund të ndikojë te një person, mund ta bëjë atë më të sjellshëm, më të pastër, të ndershëm dhe empatik”.

Duke marrë mjaft shembuj nga përvoja e saj, por edhe nga përvoja e shkrimtarëve të letërsisë shqipe dhe të letërsisë botërore, të cilët kanë shkruar vepra të rëndësishme letrare në periudha të ndryshme, poetja tha: “Bota dhe jeta pa art do të ishte më e ashpër, më e vrazhdë dhe më pak empatike. Është fat që mund të krijojmë e të lexojmë”.

Në vijim të bashkëbisedimit me nxënësit, Dije Demiri Frangu, përmendi leximin emocional e kritik, pastaj shkaqet pse leximi eliminon stresin dhe e forcon përqendrimin, si e pasuron fjalorin dhe si ndikon në rrjedhshmërinë e të folurit.

Në fund të takimit letrar me nxënësit poetes iu bënë pyetje të ndryshme si, kur ke kuptuar se mund të bëhesh shkrimtare?, cili libër dhe autor iu pëlqen më së shumti, a jeni e lumtur që jeni poete?

Në një atmosferë mjaft të bukur, në fund të Orës u lexuan disa poezi nga poetja Dije Demiri Frangu dhe nga nxënësit e kësaj shkolle.

Projekti Ora e Shkrimtarit, është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës./KultPlus.com

Liria është përjetësisht foshnje


Dije Demiri-Frangu

Lirinë as buburreci s’ban me shkelë

Liria është e bukur

vetëm se çdoherë vjen e dërmuar e masakruar

dhe pa teshë në trup.

I ka do vragë, do plagë si kujtesa,

si faqet e historisë

e pastaj, ngadalë e bukur duhet dhënë krahët Lirisë,

sy të bukur e të prehët,

se i duhen

duhet dhënë djersët t’ i shërojë plagët,

rrobat më të bukura të njerëzisë t’ mos ngrinë e t’ mos djerësinë.

Duhet ruajtur t’ mos e shkel as buburreci,

është e ndjeshme

se Liria përjetësisht është foshnje,

një temperaturë e vogël mund t’ i shkaktojë meningetis.

Ajo ishte Zhulietë, ai nuk ishte Romeo

Dije Demiri Frangu

Ajo ishte Zhulietë
E kishte pas mbjellë në tanë trupin dashninë
Ai nuk ishte Romeo
Ende nuk dinte gjë për lindjen e Shekspirit

Ajo ishte Zhulietë
Zemra e vogël e saj si gështenjë në prush digjej
Ushqente gurët gjethet me dashni
E nëpër pore i rritej afshi si farë jete

Ai nuk ishte Romeo
Peshk i verdhë sillej ujit të jetës
S ‘e shihte bregun asnjëherë
Në formë dashnie asgjë nuk shihte
Fjalët si pupla i iknin i hynin nëpër përralla

Ajo ishte Zhulietë / KultPlus.com

Ishin do gra pa sytjena me dantella

Dije Demiri-Frangu

Ishin do gra
U heqnin dërlat fjalëve si grunit egjren
zdralin ua gërryenin theshethemave
që shtëpitë t’jetonin mbushur zëra
me fëmijë përdore me fëmijë në krah në shpinë
shkundnin fytyrën e vjeshtës
mollët me tri kafshime i hanin
s ‘merreshin me Frojdin as me valixhen e tij mbushur sëmundje
epshe e vrasje mbushur
ishin do gra bre
mehlem e kishin fjalën
e kurrë s’kishin veshur sytjena me dantella


jetonin gruisht, grunisht
era bukë ju vinte nga larg
gra ninulla pa pasur kurrë abetare n’ dorë
pa shkelur shkallëve të teatrit nusëronin bukur
bënin kompozime letërsi piktura për pajë
maje mali

ishin do gra e një nga një dërlat u hiqnin fjalëve
dashni toke dashuri qengji koteleje përhapnin
e kurrë s’kishin veshur sytjena me dantelle
ato gra./ KultPlus.com

May be an image of 1 person

‘Varret janë përrallë vetë’

Poezi nga Dije Demiri-Frangu

Lagja që s’flet

Varrezat
Janë dhembje
Aty gjithsecili
Është vet ja
Edhe gjyshi im
Aty mbrëmë fjet

Janë mendime të heshtura
Këngë që pushojnë
Ditë të palosura
Dhembje të vjetruara shumë

Kur nata i mbulon
Mendoj
Gjyshi tani përralla
Yjeve u tregon

Varret janë përrallë vetë
O gjithë ai gaz i gjyshit
Ku mbet
Ku u tret

Ai shkoi
Në lagjen që s’flet / KultPlus.com

Derisa ta vrasim luftën

Poezi nga Dije Demiri-Frangu

E di ju do t’flini me frikën për gjymtyrët e atdheut
Për drekën e fëmijëve lodrat e tyre
Do t’i mbyllni dritaret me perde të trasha
T’mos e shihni qiellin si ua masakrojnë vrasësit
Zemrat do t’i keni shesheve udhëve
Nëpër gjethet e atdheut nëpër lumenjtë e tij
do flini e do zgjoheni me vdekjen
nëpër trosha buke fytyrën do t’ia shihni
Do t’i fusni shtëpitë në valixhe për të ikur nga absurdi
unë nuk e kuptoj luftën
më duket psikologji e komplikume
Po krejt kështu disi ka qenë në Kosovë
E në shumë atdhe të tjerë
Do të jetë
Derisa ta vrasim luftën / KultPlus.com

“Zemra që të bije tamam”, një nga veprat e rralla në letërsinë shqipe për fëmijë

Naile Demiri

Poezitë që shprehin harmoni midis fizikes e shpirtërores

     Një vepër letrare, një përmbledhje e poezive, “Zemra që të bije tamam”, e poetes tani të dëshmuar për talentin e saj poetik, prof.  Dije Demiri- Frangu, e përbërë nga tetëdhjetë e tre  poezi të ndryshme, duke prekur majat e imagjinatës së fëmijëve, është një vepër briliante poetike, e lexohet me vëmendje, shihet se i vë në funksion fuqitë imagjinative të fëmijëve, që priten shumë shpejt të shpien drejt njohjes së realitetit dhe krijimit të kushteve për një jetë sa më njerëzore.

     “Zemra që të bije tamam” me fizikë të fëmijës shpreh një harmoni të plotë në mes të fizikës, shpirtërores dhe të menduarit deri edhe tek ato imagjinatave. Ndjenjat, dëshirat, përjetimet emocionale, motivet, nevojat, e deri te imagjinatat funksionojnë e harmonizohen në personalitetin e fëmijës vetëm atëherë kur zemra e tij i bije tamam fizikës së tij. Thënie e vjetër e një pedagogu “Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë”.

      Poezia është një ndër krijimtaritë më të spikatura të artit letrar. Si gjini e letërsisë, poeti shpreh botën e brendshme, ndjenjat më sublime të tij përmes vargut, pra është gjini letrare ku porosia e poetit shprehet me vargje, sikur në këtë përmbledhje poezish ku prof. Dije i plason porositë e saj. Vetë poezia shprehet me figura stilistike siҫ janë: metafora, krahasimi, hiperbola, litota etj..

     Struktura e poezisë së prof. Dijes, është e ndërtuar mirë dhe është shumë e qëndrueshme. Vargu, rima, figurat stilistike e elementet tjera të strukturës së poezisë moderne të poetes nxjerrin si flakadan artistiken dhe kënaqin shpirtin e fëmijës dhe të lexuesit. Ato prekin majat e artit poetik.

     Rima si kombinim i dy e më shumë vargjeve të një poezie, në poezinë e znj. Demiri shprehet bukur e qartë, duke i dhënë poezisë vlerë estetike, ku gërshetohet përmes fijeve estetike nga e bukura në të madhërishmen, nga imagjinata në konkreten.

Vargu poetik i poetes Dije Demiri- Frangu përshkohet nga vargu AABB, rima e puthur; nga vargu ABAB, rima e kryqëzuar; nga vargu ABBA, rima e alternuar; nga AAAB, rima e vargut të fundit përputhet, i jep kuptim vargut të fundit të strofës tjetër, etj, Ja se si e ndërton vargun poetja:

“Kam lindur në çastin 

Kur shpërthente një gonxhe në Tibet

E në gjithë kopshtet e botës lëshonte aromë

Si unë frymën në këtë qytet” f. 10.

Ndonëse ka vende, poezi, që poetja nuk udhëhiqet nga vargu, por me një gjuhë të fuqishme artistike ajo shpreh ndjenjat e saj ku lexuesi mahnitet në dendësinë e artistikes. 

     Poetja me kujdes të veçantë në poezinë e saj udhëheq me figura stilistike  nga alegoria, metafora e deri te figurat e sintaksës poetike, siҫ janë; asidenti, polisidenti, etj..

Poezia faqe 33, e kësaj përmbledhje “Asnjëri nuk mbet fëmijë” ngërthen në vete anën edukative, raportet shoqërore, fuqitë ndërtuese të personalitetit të fëmijës, marrëdhëniet familjare e deri te iniciativa e vetë angazhimit për një botë më magjepsëse. Jo fëmija të rritet pa diell e të mbyllet në  Facebook.

“ O në këto rrjete sociale

Më shumë po hamë nervozë sesa po pimë bozë

I kamë fshirë të gjitha fushat

Edhe topin në livadhe

Gjyshja me të drejtë pisket:

I qitën edhe fëmijët fare

Si po rriteni kështu pa diell, o medet

Të gjithë u bënë të rritur e me Facebook

Asnjë fëmijë nuk mbet, o medet”.

     Ose poezia “Gabojnë fëmijët” f. 96.

Gabojnë fëmijët

Kur me një fjalë vrasin lojën

Kur pas sheqerkave nuk e lajnë gojën

Kur pinë duhan gabojnë sa janë të mëdhenj

E bëhen të zinj si ndonjë tren.’

     Vepra poetike “Zemra që të bije tamam” është një nga veprat e rralla në letërsinë shqipe për fëmijë, prandaj konsideroj se ka nevojë që kjo vepër të gjendet në bibliotekën tuaj familjare, ngase vërtetë ka fuqi frymëzimi, socializmi, edukimi e arsimimi. Me vargun poetik, poetja depërton në botën e fëmijëve duke ua trasuar rrugën e kërkuar./ KultPlus.com

Jam myt tu shkru vargje

Poezi nga Dije Demiri Frangu:

që sa vjet jam myt tu shkru vargje
për qiellin si xham të thyer Katedraleje
për lulet që çdoherë tradhtojnë në vjeshtë
jam myt tu shkru vargje,
për do shikime aktoreske që shuhen sa mbyll sytë
e lojna që ta qesin gazin e mashtrim janë
për fëmijët e Ademve dhe Ademin e Prekazit
s’kisha ide si shkruhet
si hyjnë në vargje gjithë ata shpirtra t’kaltër
më duhej t’ i thyeja gjitha mitet e s ‘kisha forcë ma pa Ademët,
s’ mund vargëzoj s’kam shpirt sa duhet për ta
e jam myt t’u shkru vargje për perëndimin e diellit
dhe fjalët që i bartë era / KultPlus.com

Perden askush nuk e ka lëvizur më

KultPlus solidarizohet me viktimat e virusit me poezinë “Perden askush nuk e ka lëvizur më”

Poezi nga Dije-Demiri Frangu

(Ideja: nga bisedat me miken kalabreze që jeton në Romë, A. Dorsa)

Nanë
Një qen me këmbë të thyer është shtrirë në oborr të teze Silvës
plot zëra macash vijnë nga andej e shoh që perden askush nuk e ka lëvizur më
Lampa e oborrit ende është ndezur s’ di si s’po pëlcet
Po thonë toka është çmendur ajri ka luajtur mendsh
Nanë
Drunjtë sikur janë në zi s ‘kanë nxjerr ende asnjë gjeth
Edhe poezive u është shterrë qumshti
Një i marrë ngatërroi lojën me vdekjen po thonë nënë
Unë s’ kam shkuar te frizeri më e flokët nuk i kam hiç mirë
S ‘kam dalur të blejë as buzëkuq
Thanë operacione plastike s’ po bëjnë më doktorët
S ‘po di a të tregoj, edhe tezja Lauarë
Që më pat dhuruar për ditëlindje fustanin e mbesës së saj
Me një trendafil mbi arkivol u nis dje për tek ti
Ndoshta krejt po vijnë moshatarët e tu se po thonë
Vdekja botës i ka modeluar nje fustan te zi

S’ di nëse është dikush t ‘na përcjellë pas një kohe
Edhe punëtori e arkëmordjes kishte vdekur dje
U sa të bukura i bënte lulet përreth tij

Mirupafshim nanë,
Mund t’vimë të gjithë këtyre ditëve
Mos ke frikë unë jam e mbyllur- nga dritarja e thyer
Po shoh frikën si ec udhëve

Topika në disa romane të decenies së fundit

Dije Demiri- Frangu

Empiria kombëtare historike, e kombinuar të shpeshtën me kodin mitik, ka ndërtuar në prozën tonë një strukturë të larmishme të topikës,duke harmonizuar njësi tematike të ndryshme në kontekste të ndryshme kohore e me forma të ndryshme të rrëfimit, që bartin poetikën e kësaj proze.

Konflikte historike dhe shpirtërore, që lidhen me psikologjinë tradicionale dhe me faktet reale, gjenerojnë nëntema tema e ide të cilat të dekoduara, shpërfaqin preokupimin e krijuesit tonë. Viteve të fundit hetohet një kombinim, një paralelizëm mes temave me subject të së kaluarës e aktualitetit, e sidomos tema që lidhen me politikën aktuale. Një numër i krijuesve merret me historinë jo të largët-luftën e fundit në Kosovë në kontekst të problemeve ndërnacionale, që vazhdojnë të prodhojnë pasiguri dhe urrejtje. Ato, doemos se janë janë bartëse të refleksionioneve autoriale, mbi përvojat e individëve historik, e të atyre bashkëkohorë, por cdoherë me tendencë të reflektimit të ideve qytetare dhe të lirisë, si koncept universal.Duke ndërtuar gjendje historike e fiksionale, duke prekur edhe kufinjtë e mitit, nxjerret qëllimi i rifunksionalizimit të historisë dhe mitologjisë, risementimi I lashtësisë dhe identitetit, në shërbim të aktuales.

Topika e këtyre romaneve del të jenë raportet ndëretnike, vrasja e humanes nga politika, të pagjeturit e luftës, mitet sërbe e sidomos thirrja për një pajtim, që del të jetë edhe si shlirim i autorëve dhe ideve të tyre për një liri globale.

Avansimi i prozës sonë përmes këtyre romaneve të reja, shënohet me qasjen psikoanalitike të autorëve në ndërtimin e subjekteve letrare, ku bota e njeriut të sotëm, si mekanizëm të brendshëm lëvizës e edhe frenues, ka pasigurinë, stresin, krizat ndryshme dhe ankthet. Këto romane nuk kanë vetëm vlerën e romanve të lexueshëm, por duke shmangur linearitetin, arrijnë të ndërtojnë nëntekstin, perspektivën rrëfimore, krahas retropektivës, informacionit, kuptimeve mitike, duke bërë rrëfimin si ligjërim, storje, imazh dhe kuptim./ KultPlus.com

Muzika e zezë

Poezi e shkruar nga Dije Demiri-Frangu.

duke fluturuar me fjollat e bardha të pambukut
rrëshqet erave të fushave e
vjen e fle në zemrën time
si mbi kodrën e avullt
palca e zërit

-muzika e zezë
e zezë ajo këngë

si zezësia e syve të tyre bukur
ajo më bie shpirtin e largët ulëritës
në ndjesitë e mija

e nisi e shoh shkëlqimin e lëkurës plot diell
dhe flokun e tyre të zi nga pikëllimi i tharë
me shekuj

muzika e zezë
ngjashëm me gjirin e zi të nënës afrikane
që nxjerr qumësht të bardhë
më rrit shpirtin