Performanca artistike “MuSiNe”, homazh për zërat e mbytur prej diktaturës

“Ditët e Kujtesës ’24” erdhën me një performancë artistike në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me gjethe”, frymëzuar nga jeta dhe vepra e qëndrestarëve të diktaturës, si Musine Kokalari, At Zef Pllumi, Sabiha Kasimati, Genc Leka, Vilson Blloshmi, Uran Kostreci, etj.

Performanca e titulluar “MuSiNe”, u realizua nga studentët e Klubit të Dramës, departamenti i Letërsisë (UT), me kuratore Erestina Gjergji Halilin dhe me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri.

Shfaqja ishte një homazh në përkujtim të atyre që patën guximin dhe kurajon të kundërshtonin regjimin diktatorial në Shqipëri.

Performanca artistike frymëzuese në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me gjethe” solli me gjallëri zërat dikur të mbytur, duke demonstruar fuqinë e artit dhe këmbënguljen për të kapërcyer vështirësitë.

Muzeu “Shtëpia me gjethe” e konsideroi këtë performancë më shumë se një shfaqje, një udhëtim të thellë nëpër histori, duke u bërë homazh atyre që luftuan me guxim për lirinë dhe të vërtetën.

Performancë artistike. Fotot nga Agim Dobi. / atsh / KultPlus.com

AIDSSH publikon dosjen e shkrimtarit Uran Kostrecit, dënuar nga diktatura

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka vënë në dispozicion të studiuesve dhe të interesuarve dosjen e Uran Kostrecit, i burgosur politik nga diktatura komuniste.

“Ju thoni liria, në fakt nuk ekziston. Në rast se ka liri, përse atëherë nuk lejohet edhe Shqipëri demokracia, grevat e të tjera si në vende të botës? Këtu nëse flitet kundër partisë ose pushtetit juve të fusni menjëherë në burg. Atëherë, pse thoni ka liri?”.

Mendimet e Uran Kostrecit për barazinë, lirinë dhe demokracinë mund t’i lexoni në dosjen e përpunimit me nr. 5997, deklasifikuar me vendim të KDZH nr. 2, më 22.01.2018.

Uran Kostreci lindi më 1938 në Sarandë. U arrestua më 5 gusht 1961. Më 28 tetor 1961 Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi “për tradhti ndaj atdheut”, e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet.

Më 28 qershor 1973 Gjykata e Matit e dënoi “se ka fyer përfaqësuesin e pushtetit” dhe se ka bërë “agjitacion e propagandë”, me 8 vjet burg. Kreu gjithsej 20 vjet burg, u lirua më 13 qershor 1981. Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983-1988 në fshatin Kurtaj të Peqinit, ku u dënua me 3 vjet burg për largim pa leje nga internimi. Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botonte për arsye biografie.

Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist në shtypin e përditshëm. Ka botuar disa vëllime me poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave”, të cilën e shkroi në vitet e burgut të Burrelit dhe mundi ta nxirrte që aty, sepse e mësoi përmendësh.

Uran Kostreci ishte kryeredaktori i parë i gazetës “Liria” gazetë e të përndjekurve politikë, ku solli për herë të parë frymën antikomuniste, lëvroi dhe publikoi dosje, figura, klerikë të persekutuar nga regjimi komunist.

Shkrimtari, poeti, gazetari Uran Kostreci u nda nga jeta në korrik të viti 2021, në moshën 83-vjeçare. / KultPlus.com

Përkujtohet kleriku Visarjon Xhuvani, i burgosur nga diktatura

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujtoi klerikun Visarjon Xhuvani, i dënuar me burg nga diktatura komuniste.

Si sot, më 14 dhjetor 1890 lindi në Elbasan imzot Visarion Xhuvani, në lagjen Kala. Mësimet e para i mori në shkollën greke në Elbasan dhe më pas vazhdoi shkollën e mesme fetare në Athinë. Po në Athinë përfundoi dhe Universitetin për Teologji. Në vitet 1919-1923 shërbeu si murg në Sofje të Bullgarisë. Vite më vonë në Universitetin e Kembrixhit në Angli, mori gradën Doktor.

Në vitin 1929 u bë Kryepeshkop i parë i Shqipërisë. Ishte njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja veçanërisht i greqishtes së vjetër e të re, anglishtes, gjermanishtes, serbokroatishtes, rumanishtes dhe italishtes. Visarjon Xhuvani ka shkruar mbi 26 vepra teologjike.

Gjatë luftës ishte mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Fierit. Më 16 prill të 1939 do të bëhej anëtar i delegacionit shqiptar, që i ofroi kurorën Viktor Emanuelit në Vlorë.

Në vitin 1946 u dënua nga diktatura komuniste e më 22 dhjetor 1947 gjykata e dënoi me 20 vite burg, ku pjesën më të madhe qëndroi i burgosur në Burrel. U burgos për 15 vite dhe u lirua në 27 nëntor 1962.

Njohuritë e Xhuvanit u reflektuan në hartimin e dokumentacionit bazë të kishës ortodokse, i cili është në fuqi edhe sot. Statuti themelor i hartuar prej tij dhe i aprovuar nga Kongresi i Korçës më 1929, është i pakorrigjueshëm. Ndërroi jetë në vitin 1965, tre vite pasi doli nga burgu dhe u varros në Shijon në vitin 1965.

Edhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave duke përkujtuar klerikun sjell një foto që ruhet në fondin e saj. / KultPlus.com

Arti i Diktatorit

Duke e kaluar kohën e tij, si i ri, në ecajaket në qytetin e Linzit, Austri, në vizitat e tij të bëra në muze, duke marrë pjesë në opera dhe duke u ulur pranë lumit të Danubit, duke ëndërruar të bëhej një artist i madh, si i ri kohën e tij do ja kushtonte leximit dhe pikturës, ëndërr që do i shembej me refuzim nga Akademia prestigjioze e arteve të Vjenës në Austri me 1907.

Instituti konsideronte se ai kishte më shumë talentë në arkitekturë sesa në pikturë.

Piktura do i bëhej hobi, Hitleri do të pikturoj pothuajse deri në fund të jetës së tij, që përfundoj me vetëvrasje. Përpjekjet e Hitlerit për t’u bërë një artist ishin pjesë e identitetit të tij./KultPlus/

“Si kanë qenë marrëdhëniet e Ismail Kadaresë me Enver Hoxhën”, rrëfehet Elena

Elena Kadare, bashkëshortja dhe bashkudhëtarja e jetës dhe e veprës së Ismail Kadaresë, në një intervistë për “Shqiptarja.com” ka folur rreth shkrimit të librit më të ri “Kur sunduesit grinden”, që u promovua dje në panairin e librit Tirana 2018.

Promovimi është bërë me një pjesëmarrje të pazakontë të lexuesve dhe fansave të Kadaresë pranë stendës së shtëpisë botuese “Onufri”, të cilët “e kanë detyruar” shkrimtarin për rreth 2 orë e 30 minuta të qëndrojë aty duke biseduar e shkruar pareshtur autografe.

Elena Kadare që ishte pranë bashkëshortit të saj në këtë manifestim të vlerave të librit në Tiranë, rrëfen sesi ka nisur si ka nisur intriga e librit “Kur sunduesit grinden”.

Duke e parë Kadarenë, jo vetëm si bashkëshort, por edhe në distancën e lexuesve, Elena Kadare rrëfen makthin e përjetuar të shkrimtarit gjatë diktaturës, sa herë nisnin tentativat për ta dënuar. “Ishte fat që shpëtoi, për ne dhe letërsinë”, thotë Elena Kadare që është edhe vetë shkrimtare në profesion./ KultPlus.com

E kundërshtuan komunizmin, gjashtë vajzat nga Mirdita u vranë për këto arsye

Me mijëra shqiptarë u ekzekutuan nga sistemi i egër i komunizmit për faktin se dolën kundër diktaturës.
Ky regjim, nuk kurseu as femrat, ku të shumta janë ato gra dhe vajza që u vranë apo torturuan barbarisht për një veprim që për regjimin e egër ishte i papranueshëm.

Janë 6 femra nga Mirdita që kanë lënë gjurmë pasi u vranë nga komunizmit. Faji i tyre ishte sepse nuk donin komunizmin.

Marie Tuçi

Prejardhja e saj ishte nga dera e Gjomarkajve, Kapedanë të Mirditës. Ajo u lind në vitin 1928 dhe e vetmja si femër arrestohet në reprezaljet e vitit 1949.
Ishte e shkolluar në shkollat e Motrave Stigmatine në Shkodër, ka punuar si mësuese në Fan. Torturohet nga hetuesit xhelatë dhe prej mundimeve vdes në hetuesi në vitin 1950, e futur në një thes me një mace të egër.

Bardhe Cub Marku

Ajo lindi në Kaçinar të Mirditës në vitin 1927. Studioi në shkollën e Motrave Stigmatine në Shkodër. Vdiq nga torturat e shumta në burgun e Shkodrës në vitin 1947.

Liza Moli
Lindi në Kaçinarë, Mirditë po aty mori mësimet e para. Sigurimi i Shtetit i rrethuan shtëpinë. Për të shpëtuar miqtë që kishte në banesë, ajo me një pistoletë në dorë u hapi rrugën dhe i shpëtoi që të iknin.
Ajo u vra në moshën 20-vjeçare bashkë me babin e saj nga komunizmi. Më pas i dogjën edhe shtëpinë.

Bardhe Bushkola
Ajo lindi në Selitë të Mirditës. Për të mbrojtur jetën e vëllait të saj del para grykave të armëve të forcave të ndjekjes dhe vdes nga plumbat.
Ishte vetëm 16 vjeçe kur e mbylli jetën e saj të re me një akt heroik të dashurisë së motrës për vëllain.

Gjela Llesh Biba
Ishte nëna e tre fëmijëve që për të shpëtuar dhe nderin e shtëpisë, vritet me gjithë bashkëshortin nga Sigurimsat në Bukmirë, Mirditë në vitin 1947.

Dila Karaçi
Ajo lindi në Orosh të Mirditës dhe u martua në Thirrë të Fanit. Kur i kërkuan që të dilte vullnetare për të punuar në hekurudhë, ajo kundërshtoi.
Pas shumë kërcënimeve, familja e saj pranoi të largohet, por ajo tha se do të vetëvritet.
Të nesërmen kur shkuan për ta marrë për në aksion, e gjetën të varur në një pemë në oborrin e shtëpisë. Ishte vetëm 22-vjeçe. / KultPlus.com