Fundi i dhimbshëm i 50 grave të pasura të Elbasanit në diktaturë

Jo vetëm burrat, por edhe gratë e pasura u shpërfytyruan nga komunizmi. Ato u detyruan që të braktisnin sjelljen e fisme, normat, virtytet dhe të transformoheshin sipas moralit revolucionar me kazma e lopata në duar, shpesh duke i detyruar të punonin në sektorët më të vështirë.

Kjo është një panoramë e viteve ’50 kur gratë dhe vajzat e familjeve më të pasura të qytetit të Elbasanit, pasi u përballën me sekuestrimin e pasurisë dhe pronave, u dërguan të hapnin kanale në bujqësi.

Këto bashkëshorte dhe bija qysh nga 1945 e deri më 1956, shtërnguan fort zemrën kur u burgosën, u pushkatuan, u internuan burrat dhe baballarët e tyre me vulën “armiq të popullit”, “kriminelë lufte” dhe “sabotatorë të Pushtetit Popullor”.

Këto nëna mbajtën mbi shpatulla për vite me radhë dhe provuan shumë nga mëria komuniste, që sa vinte bëhej me vrastare dhe pashpirt. Këto nëna provuan flakjen jashtë shtëpie, daljen në rrugë në mëshirë të të tjerëve, zhveshjen ekonomike dhe financiare, sepse parat ia morën deri në monedhën e fundit; mbetën pa orenditë e nevojshme për gatim, pa ushqime, pa shtroje e mbuloje.

Shkurt pushteti komunist shpejt, shumë shpejt i çoi në atë derexhe, sa po vihej në rrezik edhe jeta. Përveç rekuizimit dhe sekuestrimit, reforma të tjera ekonomike shtërnguese si ajo e triskimit, i detyronte të drejtoheshin për të punuar dhe mbajtur frymën. Por, për to puna ishte e caktuar qëllimisht dhe e vetmja punë për to ishte puna e krahut, sepse vetëm kështu arrihej varfërimi i tyre dhe për më tepër diskreditimi para opinionit shoqëror. Duhej të krijohej koncepti i ri, duhej përmbysur patjetër dinjiteti qytetar i këtyre familjeve, duhej të realizohej falsiteti i barazisë shoqërore të popullit në varfëri.

Kështu shumë gra elbasanase iu drejtuan punës së krahut, si e vetmja mundësi për të mbijetuar dhe siguruar bukën e gojës. Historikisht dihet që femra elbasanase dhe sistemet shoqërore të tjera kishte punuar por kurrë në punë fizike krahu. Edhe para e gjatë luftës gratë e shtresave të varfra punonin si shërbyese, si mbledhëse ullinjsh, në zhveshje e shkoqje misri, por kurrë në punë të rëndë krahu apo ndërtim. (Nga editori, infoelbasani.al)./ KultPlus.com