7 marsi i fundit i një mësueseje, 40 vjet mes nxënësve, ‘sekreti’ i jetëgjatësisë në shkollë (VIDEO)

Kujtimet që mësuese Julika Simo ruan nga 40 vite mësimdhënie janë të panumërta.

Edhe pse vetëm pak muaj larg daljes në pension, në këtë 7 mars pasioni i mësueses së artit pamor është aq i freskët sa në ditën e saj të parë të mësimdhënies.

 “Me mbarimin e shkollës fillova të jap mësim dhe prej viteve të para të mësimdhënies e deri më sot nuk jam ndalur për asnjë çast së dhëni me shumë përkushtim për nxënësit. Kam 40 vite që kam dhënë mësim dhe në hapat e parë me shumë dashamirësi dhe për çudi nuk më ka ikur kurrë ai pasioni për nxënësit. Është viti i fundit që po jap mësim dhe të them të drejtën më vjen shumë keq se ra kjo periudhë e vështirë”, u shpreh mësuesja e vizatimit në shkollën 9-vjeçare ‘Emin Duraku’,

Përkushtimi, durimi dhe dashamirësia ndaj nxënësve për të janë çelësi i jetëgjatësisë në arsim.

“Asnjëherë nuk duhet thënë fëmijës që: “Sa keq e bëre këtë. Jo, jo fshije, grise”, u shpreh ajo më tej.

I them: ‘Shumë bukur e ke bërë, po nëse do e korrigjosh edhe pak këtë, ajo do dalë një figurë tjetër”,

Pas 40 vitesh punë në shkollën 9- vjeçare Emin Duraku në Tiranë, sot mësuese Juli ndjehet krenare për ish-nxënësit e saj, të cilëve u mësoi hapat e para të vizatimit.

 “Kam në memorien time emrat që tashmë janë bërë vërtete shumë të zotë, nëse do përmendja Gëzim Meta që është një super piktor i punimit të portretit, David Meçani, i uroj suksese se ka bërë dhe një studio të vogël dhe punon peizazhet”, tha ajo më tej.

Edhe në këtë 7 mars të fundit në mësimdhënie, nuk kishin si të mungonin lulet dhe dedikimet.

 “Nxënësit përsëri nuk harruan, dhe buqetat me lule, edhe disa punime, me atë çiltërsinë e tyre duke i dhënë prioritet shkrimit dhe ilustrimit”, u shpreh zonja Simo./euronews/ KultPlus.com