Me 30 nëntor, shfaqja nga Dino Mustafiq vjen në Kosovë

Dino Mustafić, regjisori nga Sarajeva e Bosnjës, vjen në PITF – Prishtina International Theater Festival 2018 si regjisori i shfaqjes “Nëna dhe fëmija”, një shfaqje që përfaqëson Shqipërinë.

Regjisori i teatrit dhe filmit Dino Mustafić, u lind më 6 korrik 1969. Ai diplomoi nga Akademia e Arteve në Sarajevë, në degën e regjisë dhe nga Fakulteti i Filozofisë në Sarajevë, dega e letërsisë së përgjithshme dhe bibliotekarisë. Ai ishte edhe drejtor i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit MESS në Sarajevë dhe poashtu regjisor i dokumentarëve (“Miracle in Bosnia” dhe shumë të tjerë), programeve muzikore dhe shfaqjeve teatrore. Filmi i tij i parë “Remake” sipas Zlatko Topçiqit, ka qenë një sukses i madh. Dino është shfaqur në festivalet e shumta ndërkombëtare të filmit në të gjithë botën, ku edhe fitoi çmime.

Filmi “Remake” u shpërblye si filmi më i mirë debutues, po ashtu mori shpërblime për aktorin më të mirë (Ermin Bravo) dhe për Paqen dhe Mirëkuptimin Kulturor në Festivalin e Filmit të Verës në San Francisko, çmimin ‘’Special Future’’ në Festivalin e Filmit në Munih dhe çmime të tjera në Berlinale.

Ai është nominuar për Çmimin e Artë të Tulipit në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Stamboll, çmimin e madh në Festivalin e Filmit në Paris, çmimin e Lindjes së Perëndimit në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Karlovy Vary dhe Tigrin e Artë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Roterdam.

Në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Novi Sad, në 2016, ai u shpërblye si ‘’Regjisori më i mirë’’.

Shfaqjen nën regjinë e Mustafić, keni mundësinë ta shihni të premten, më 30 nëntor 2018, nga ora 19.00, në Teatrin AAB “Faruk Begolli”. / KultPlus.com

Dino Mustafiq po e bën gati shfaqjen ‘Jugori’ në Shkodër

Në teatrin “Migjeni” të qytetit të Shkodrës ka filluar puna për vënien në skenë të dramës “Jugori”. Vepra e autorit gjerman Fassbinder do të vijë premierë në skenën teatrore nga regjisori i njohur Dino Mustafic. Kjo vepër teatrore, që do të vijë në fillim si premierë te teatri “Migjeni” ka angazhuar artistë nga Tirana dhe Shkodra. Në skenë në role do të jenë aktorët e trupës së teatrit “Migjeni”, por dhe më gjerë. Në dramën “Jugori” mes aktorëve përmendim Nikolin Ferketa, Rita Gjeka, Merita Smaja, Jozef Shiroka, Pjerin Vlashi, Linda Jarani, Nensi Bakalli, Simon Shkreli, Tristan Halilaj etj.

Asistent regjisore në dramë është Melisa Becovic, skenograf Sadik Spahija, koreografia Gjergj Prevazi dhe kostumografe Rita Spahija. Për koreografia Gjergj Prevazi ky bashkëpunim me regjisorin Dino Mustafic vjen në vijim dhe të veprave të tjera, që janë vënë në skena të ndryshme në Shqipëri, por dhe në shtete të tjera. Janë rreth 14 bashkëpunime që Prevazi ka me regjisorin e njohur Dino Mustafic, si në Maqedoni, Bosnjë, Kosovë, Serbi, Kroaci dhe Shqipëri. Vepra përcjell mesazhe të forta për shoqërinë tonë. Edhe pse ngjarjet zhvillohen në Gjermani, ajo është aktuale dhe për shtete të tjera. Në dramën e autorit gjerman Fassbinder, që quhet “Jugori”, në qendër të saj është një refugjat. Në vepër është diskriminimi si një nga fenomenet me të cilat po përballet Europa edhe në ditët e sotme.

Për pjesëmarrësit kjo vepër që pritet të jetë në skenë ka lidhje dhe me Shqipërinë, pasi shumë shqiptarë kanë emigruar jashtë. Vepra i vendos ngjarjet në Gjermani, dhe në tërësinë e saj e tregon diskriminimi jo vetëm për arsye të individëve me kombësi të huaj, por dhe për arsye të besimit fetar, individualiteteve të ndryshme kulturore, etj. Drama “Jugori” që muajin që vjen do të jetë premierë në skenën e teatrit të qytetit të Shkorës dhe ka bërë bashkë artistë të njohur, zbërthen krizën e shoqërisë gjermane edhe jo vetëm në raport me të huajt. Kush është i huaji dhe çfarë quajmë të huaj? “Jugori”, sepse nuk ka identitet që vjen nga një shtet i përcaktuar, por që vjen nga jugu i Europës.

Aktiviteti me teatrin

I lindur në Bosnje, Dino Mustafic, e ka lidhur jetën herët me skenën. Ai është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Sarajevë, dhe është drejtor i një festivali ndërkombëtar teatror MESS, që mbahet në Sarajevë prej gati 20 vitesh. Në skenën e Teatrit Kombëtar ai solli një nga veprat më të vështira të Peter Shaffer “Equus”, që autori e shkroi në vitin 1973.

Në qendër të veprës është historia e një psikanalisti, i cili ka një magjepsje patologjike nga kuajt. Historia është e bazuar në një ngjarje të vërtetë, mbi një krim që një 17-vjeçar kishte bërë duke verbuar gjashtë kuaj. Me këtë vepër Shaffer kërkon të ndërtojë arsyet që e çuan adoleshentin drejt një krimi të tillë, por me vështrimin e një psikologu. E vendosur në shumë teatro të botës, kjo dramë konsiderohet si një vepër e karaktereve të forta psikologjike.

Një vit më parë në Tiranë ai solli në skenë edhe shfaqjen “Mamaja dhe fëmijë” shkruar nga Jon Fosse. Por edhe më herët regjisori Mustafic ka bashkëpunuar me teatrot shqiptare. Me Teatrin Shqiptar në Shkup ka ngjitur në skenë shfaqjen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, vepër e Ismail Kadaresë. Në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës ka ngjitur në skenë veprën teatrore “Rock’N’Roll”. Po ashtu, sërish në bashkëpunim me Teatrin Shqiptar në Shkup, ka sjellë shfaqjen “Opera për tre grosh”. Në aktivitetin e tij regjisori Dino Mustafic, që tashmë ka nisur punën me teatrin e Shkodrës do të sjell premierën teatrore “Jugori”. / Julia Vrapi / KultPlus.com

Ema Andrea merr çmimin aktorja më e mirë në Festivalin e Teatrove në Podgoricë

Ema Andrea është shpallur në mënyrë unanime nga juria e FIAT Festivalit Internacional Alternativ të Teatrove si aktorja më e mirë, me interpretimin e rolit të nënës, tek vepra “Nëna dhe fëmija” nën regjinë e Dino Mustafiq.

Andrea ka shkëlqyer në interpretimin e veprës së Jon Fosse. Kjo vepër në këtë festival është vlerësuar me dy çmime, pasi Dino Mustafiq është vlerësuar me çmimin si regjisori më i mirë. Andrea është vlerësuar për interpretimin e fuqishëm jo vetëm përmes zërit por edhe trupit, duke u mishëruar në rolin tronditës të nenës. Vepra u vu në skenë në Tiranë muaj më parë në Tulla Center.

“Nuk kemi kohë të ndalojmë dhe po humbasim dashurinë për nënën, miqtë, fëmijën, gruan. Ajo çfarë dua të them me këtë dramë është një temë e madhe, që e gjejmë jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë botën. Pothuajse të gjithë ndjehemi si të burgosur. Me këtë shfaqje ngremë pyetje, shprehim idetë tona, shfaqim emocionin dhe idetë pozitive, sepse teatri nuk është vetëm një akt estetik, por edhe një akt social. Vetmia e njeriut është tema më e afërt e aktualitetit që po jetojmë. Ja, unë kam reflektuar. Sapo të mbarojë shfaqja kam menduar të marr nënën time në telefon”, do të shprehej Andrea për këtë vepër.

Për regjisorin Mustafiq që duket se ka gjetur tek Andrea aktoren e vërtetë për role tronditëse, kjo vepër është një mesazh për shoqërinë bashkëkohore që po ikën gjithnjë nga gjërat thelbësore të raporteve njerëzore. Në krah të Andreas në këtë vepër interpreton aktori Matia Llupa. Historia e një djaloshi që takon nënën pas 20 vitesh, një takim i mbushur me skena të rënduara psikologjike një debat i cili i çon deri në incest, ndërtohen në një atmosferë të jashtëzakonshme nga Andrea dhe Llupa, shkruan GSH./ KultPlus.com

Dino Mustafiq rikthehet në Tiranë, përzgjedh aktorët për shfaqjen “Nëna e fëmija”

Regjisori i njohur boshnjak Dino Mustafiq është rikthyer sërish në Tiranë, pas suksesit me veprën “Equus” që u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar.

Nën shoqërinë e Ema Andreas, Mustafiq ka dëgjuar intepretimet e aktorëve meshkuj që hynë në audicion për një rol në shfaqjen “Nëna e fëmija”, e Jon Fosse që do të vihet në skenë nga Dino Mustafiq. Dukej një numër i madh djemsh nën moshën 25 vjeç të interesuar për këtë rol.

Në këtë audicion u përzgjodh aktori Matia Llupa. Tulla – Culture Center do të presë ‘Nëna e fëemija’ të Fosse, me regji të Dino Mustafiq në fund të muajit tetor.

Vepra do të mbështetet nga Fondacioni M.A.M.I lindur në Bosnjë, me origjinë shqiptare, Dino Mustafiq, e ka lidhur jetën herët me skenën. Ai është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Sarajevë, dhe është drejtor i një festivali ndërkombëtar teatror MESS, që mbahet në Sarajevë prej gati 20 vitesh. Në skenën e Teatrit Kombëtar ai solli pak muaj më parë një nga veprat më të vështira të Peter Shaffer.

Vendosja në skenë e veprës së Peter Shaffer nuk është hera e parë e bashkëpunimit të regjisorit Mustafiq me teatrot shqiptare.

Me Teatrin shqiptar në Shkup ka ngjitur në skenë shfaqjen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, vepër e Ismail Kadaresë. Në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Kosovës ka ngjitur në skenë veprën teatrore “Rock’N’Roll”. Po ashtu, sërish në bashkëpunim me Teatrin Shqiptar në Shkup, ka sjellë shfaqjen “Opera për tre grosh”. “Nëna e fëmija” e dramaturgut norvegjez Fosse është ngjitur më parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, nën regjinë e Bekim Lumit. Drama trajton një temë universal, që është ajo e abortit dhe braktisjes së fëmijës, përmes katër personazheve. Një djalë kthehet tek e ëma pas më shumë se 20 vjetësh në kërkim të arsyes për braktisjen e tij. / KultPlus.com