Edhe pse kulti i Dionisit e ka origjinën në Greqinë e lashtë, ai është ende simbolikisht aktiv në shoqërinë tonë moderne. Ja se si shfaqen karakteristikat dionisiane në jetën tonë të përditshme:
Kulti i Dionisit lidhet shpesh me dehjen, festën dhe mungesën e kufijve, edhe pse shoqërohet gjithashtu me kaos dhe dhunë. Kulti i tij ndikoi tek të korrat dhe pjelloria. Por a ka rëndësi sot përfaqësimi dionisian? Si ndikon shprehja e kësaj perëndie të lashtë greke në botën moderne?
Adhuruesit e Dionisit synonin që të lidheshin me perëndinë përmes euforisë dhe ekstazës së prodhuar nga muzika dhe vallëzimi. Siç vuri në dukje Niçe, në Greqinë e lashtë kulti i këtij zoti ishte në kontrast me atë të Apollonit, që përfaqësonte proporcionin, rendin dhe racionalitetin. Megjithatë, figura e Dionisit përfaqëson një element të psikikës që nuk duhet ta lëmë mënjanë nëse synojmë, siç propozon Karl Jung, të pranojmë dhe shkrijmë të gjitha aspektet e ekzistencës sonë.
Shpërbërja e kufijve të vetvetes
Ritet dionisiane zhvilloheshin në vende larg qytetit kryesor. Ato përbëheshin nga valle dhe këngë, dhe kryheshin kryesisht në pyje dhe shpella. Pjesëmarrësit frymëzoheshin nga misteret e zotit dhe zhyteshin në një përvojë mistike përmes vallëzimit, muzikës dhe dehjes me verë ose ndonjë substance tjetër psikoaktive.
E gjithë përvoja synonte shpërbërjen e individit dhe bashkimin ekstazik me grupin. Megjithatë, ndikimi i Dionisit nuk u kufizua vetëm në botën antike. Ai përfaqësohet tek disa aspekte festive të shoqërisë sonë aktuale. Frenimi dhe shkelja karakteristike e mitit dionisian, vazhdojnë të rrjedhin ende sot në ndërgjegjen e qenies njerëzore.
Pavarësisht përpjekjes për të frenuar pasionet nën mbikëqyrjen e arsyes, shumë herë ne vazhdojmë të kërkojmë shpërbërjen e individualitetit tonë në ato që mund të quajmë rituale bashkëkohore. Shumë njerëzish argëtohen në diskoteka, në festa me muzikë elektronike apo recitale, duke u përzier mes djersës, dehjes dhe kërcimeve të egra. Pra ne kërkojmë sërish shpërbërjen, duke gjeneruar një masë uniforme së bashku me ata që ndajnë hapësirën, dhe duke u përpjekur të kapërcejmë për disa orë ndarjen midis trupave.
Kulti i Dionisit dhe shpërbërja e kufijve sot
Diçka e ngjashme ndodh edhe në ndeshjet e futbollit: tifozët, pjesërisht të unifikuar dhe të identifikuar me ekipin, e shprehin këtë gjë me kërcime, britma e brohoritje, duke shfryrë lloj-lloj emocionesh të forta të mbërthyera në thellësi të psikikës së tyre. Edhe sot karnavalet paraqiten si shprehje e Dionisit. Për disa ditë në vit, njerëzit kanë mundësinë të harrojnë moderimin dhe t’i përkushtohen argëtimit. Maskat dhe kostumet i ndihmojnë ata të thyejnë frenimet e tyre dhe të dalin nga vetja.
Kulti i Dionisit dhe teatri
Shumë njerëz e konsiderojnë Dionisin një hyjni periferike të panteonit grek, pasi kulti i tij kremtohej në periferi të qytetit. Megjithatë, ai u integrua në jetën civile edhe nëpërmjet Dionizisë, një festival i financuar nga shteti athinas, në qendër të të cilit ishte një garë midis shfaqjeve teatrale.
Zhanri i tragjedisë ka pasur një rëndësi të rëndësishme në këto festa. Tragjedia e lashtë greke karakterizohej nga tema shumë të thella, si etika, drejtësia, fati, çmenduria, dashuria, fuqia dhe vdekja. Ato u shprehën përmes pasionit të personazheve, dhunës së konflikteve, ironisë së dialogëve dhe emocioneve që gjeneronin fundet e veprave teatrale.
Për Aristotelin, tragjedia kishte elemente të katarsisit, të cilat ndihmuan në pastrimin e emocioneve negative. Sipas teorisë së tij, katarsisi është pastrimi ose çlirimi i emocioneve negative si frika ose trishtimi. Spektatori identifikohet me personazhet e tragjedisë, përmes të cilave i përjeton këto ndjesi. Në fund të tragjedisë, ai përjeton një ndjenjë lehtësimi, edhe nëse ndjenjat negative nuk i janë zhdukur plotësisht. Në këtë mënyrë, spektatori mund të përjetojnë ndjenja si frika dhe trishtimi, pa pasur nevojë t’i përjetojnë ato në jetën reale.
Diçka e ngjashme na ndodh edhe sot, kur shohim një serial apo film që na ngjall emocione të forta, kur zhytemi duke lexuar një roman tërheqës apo edhe në një videolojë. E gjithë kjo na bën të ndjejmë një sërë emocionesh që mund të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë ndjenjat tona.
Rëndësia e kultit të Dionisit dhe dioniziakes në shoqëri
Ndonëse shumë njerëz kanë frikë nga manifestimi i furishëm i Dionisit, shprehja e tij e kontrolluar paraqitet si një valvul shkarkimi për pasionet më të errëta të njeriut. Është e vërtetë që mungesa e kontrollit të një përvoje të tillë është gjithmonë e fshehtë; rreziku i kaosit dhe dhunës mund të sjellë pasoja të padëshiruara në shoqëri.
Megjithatë, nuk duhet të injorojmë faktin se ekspozimi katartik, bart cilësi terapeutike që priren ta qetësojnë shpirtin e njeriut. Të mohosh natyrën e Dionisit për shkak të tejmbushjes së tij të mundshme emocionale do të nënkuptonte mohimin e një hapësire të sigurt shprehjeje ndaj disa pasioneve, të cilat, përndryshe do të përpiqeshin të depërtonin në çdo situatë të përditshme.
Sot përvoja e Dionisit përfaqëson kërkimin e shpërbërjes, heqjen e kufijve midis vetes dhe tjetrit, kalimin nga e shumëfishta në një e vetme, përmes një bashkimi festiv. Përvoja plot liri dhe braktisje që na paraqitet, mund të jetë një mënyrë për të arritur plotësinë, edhe nëse duhet të jemi të kujdesshëm që të mos degradojmë në teprime.
Për të shmangur këtë gjë, është e nevojshme ta përmbajmë këtë përvojë në kuadrin e disa ngjarjeve të ritualizuara, me kujdesin e nevojshëm, në mënyrë që të kanalizojmë në mënyrë të shëndetshme pasionet tona më të thella. / bota.al/KultPlus.com
Si nënë të Dionisit mitet sjellin disa, por në më të përgjithshmen njihet Semele (Hëna), vajza e mbretit të Tebës, Kadmos (Hes. Theo. 940-942). Asaj iu afrua Zeusi nën shëmbëlltyrën e një njeriu të zakonshëm. Kur Hera mësoi për këtë lidhje të fshehtë, iu afrua Semeles, si një fqinjë e mirë, dhe e këshilloi që ta pyeste të dashurin e vet e t’i zbulohej se kush ishte ai në të vërtetë.
Ajo ia dëgjoi këshillën dhe iu lut Zeusit t’i përmbushte një kërkesë. Ai ishte i dashuruar marrëzisht pas saj, ndaj i premtoi, duke u betuar mbi Styksin, betim që nuk mund ta thyenin më pas as dhe vetë Perënditë. Atëherë, ajo iu lut që t’i shfaqej se kush ishte në të vërtetë. Zeusi nuk kishte më rrugë tjetër, ndonëse e dinte fare mirë se as një i vdekshëm nuk mund t’i rezistonte fuqisë së rrufesë së tij e të mbijetonte.
Në çastin që gëlltiti lutjen e saj, ai zbuloi natyrën e tij me bubullima e rrufe, nga të cilat ajo e trembur, në vdekje e sipër dështoi, kur ende foshnja ndodhej në muajin e gjashtë të barrës. Kështu lindi Dionisin para kohe, foshnjën me sy të mëdhenj. Mirëpo Hermesi i shpëtoi jetën foshnjës gjashtëmuajshe, duke e fshehur nga Hera në një plagë të thellë, nën kofshën e të atit, Zeusit, për ta rihapur atë, kur t’i vinte koha e duhur për të lindur, pas tre muajsh të tjerë.
Kështu, nga kjo lindje e dytë Dionisi përfitoi pavdekësinë si ati i tij, duke ruajtur njëkohësisht në emrin e tij edhe emrin e të atit nga gjinorja e Zeusit (Dios : Διός) dhe Nysa (mali legjendar i prejardhjes së tij) për të nënkuptuar kështu emri i tij, “Hyjnori nga Nisa”. Sipas këtij miti, Dionisi mbetet i vetmi Hy i pavdekshëm i lindur prej një nëne të vdekshme dhe i fundit Hy që hyri në Olimp.
Figura e Dionisit ka frymëzuar poetë, filozofë, piktorë e skulptorë, muzikantë e plot artistë të tjerë, që nga antikiteti në kohët tona, por një nga veprat e para më të mirëfillta e themelore, me material mjaft të pasur për figurën e tij, mbetet “Bëmat e Dionisit”, një epos me 48 këngë, gati sa “Iliada” dhe “Odisea” së bashku, shkruar nga Nonnos, banor i Panopolisit në Egjypt.
Si nga grekët, ashtu dhe nga romakët, përmendet edhe me emrin Bromios (Zhurmues), për zhurmën që shkaktonte, e njëkohësisht Bakus (Thirrës). Shpesh në literaturë e në poezi e gjejmë dhe me emrin Lysios dhe Lyeos (Halllehtësues) nga greqishtja λυαῖος. Gjithashtu, ai njihet dhe me emrin Keci, për shkak se Zeusi, për ta mbrojtur nga përndjekja e Herës, e transformoi në këtë kafshë, si dhe nga lidhja që për ta fshehur e rritur ia besoi dhisë Amalthea, të njëjtës që kishte rritur po Zeusin e përndjekur nga Kronosi, prandaj dhia mbetet një nga simbolet më të rëndësishme të Dionisit.
Dashuria më e madhe e Dionisit mbetet lidhja e tij me Ariadnën, ajo që ndihmoi me një shpatë Teseun të vriste Minotaurin e me fillin e lëmshit të ridilte nga Labirinti, e që më pas u braktis nga Tezeu në ishullin e Naksosit, edhe pse i kishte premtuar martesë. Si përfundim, ajo martohet me Dionisin, i cili e merr në karron e tij në qiell, duke e kthyer edhe atë në një Hyjneshë.
Në një nga ndodhitë e shumta të Dionisit, ku ia vlen të ndalesh shkurtimisht, është takimi i tij me Midasin, mbretin maqedonas të Brigerve. Në fëmijëri, ndërsa flinte mbi lëndinë, një kolonë milingonash, si në procesion, shkonte e vinte, duke i futur në gojë Midasit të mitur kokrriza drithi. Që atëherë kjo u mor si shenjë se këtij njeriu nuk do t’i mungonte kurrë bereqeti e në fakt kështu ndodhi, ndonëse në shpirt ai ngeli tamahqar.
Rastësia e sjell, që në vendin e tij kalon dhe Dionisi me ndjekësit e tij. Silenosi, që ishte më i moshuari, mësuesi dhe ndjekësi i parë i Dionisit, mbeti pak mbrapa grupit dhe i përhumbur nga dehja, ra në kopshtin e famshëm të trëndafilave të Midasit, që ishin nga më të rrallat e kultit të Afroditës. I mahnitur nga bukuria dhe aroma e tyre, bëri një kurorë me to, e vuri në kokë, u shtri dhe e zuri gjumi. Të nesërmen në mëngjes, e gjen kopshtari dhe e padit te padroni i tij.
I ulur përballë Midasit, me kurorën e trëndafilave ende në kokë, Silenosi filloi t’i tregonte për vendin se nga vinte, duke i përshkruar natyrën e mrekullueshme të maleve me përrenj e lumenj të shumtë, që i zbresin si fije flokësh, për qytetet e ndërtuara me gurë ciklopikë e me mure të lartë, të pakapërcyeshëm, për jetën e barabartë që bëhej në to, me sistemin më të përkryer të drejtësisë, për gëzimin e papërshkrueshëm të fëmijëve dhe për pemën e veçantë buzë lumit, që bënte dy fruta të ndryshme.
Njëra prej tyre shijonte aq sa s’thuhet e të lejonte të plakeshe pa u sëmurë kurrë, ndërsa frutin tjetër kur e haje, të rikthente fëmijë, ndaj ky vend ishte i mbushur me cicërimat e tyre. Kështu vijoi të tregonte për vendin e tij Silenosi e Midasi ta dëgjonte me kureshtje për pesë ditë e netë pa ndërprerje. Pas kësaj, Midasi, i mahnitur nga rrëfimtari, i dërgoi lajm Dionisit, ku i kumtonte që këtë njeri ai nuk e lëshonte kurrë më.
Dionisi i shqetësuar, u kthye menjëherë e iu lut mbretit ta lëshonte, me kushtin se do t’i plotësonte çdo dëshirë tjetër që ai të kishte. Midasi i sigurtë se nuk mund t’i realizohej, i kërkoi se dëshironte që çdo gjë që të prekte, të kthehej në ar. Dionisi ja përmbushi dëshirën e Midasi, në një kohë të shkurtër, u mbush me një pafundësi ari. Por shpejt kuptoi se sa më i pasur bëhej, aq më shpejt po i afrohej vdekjes, pasi transformonte në ar jo vetëm gurët e çdo gjë tjetër, por dhe të gjitha gjërat e shijshme që i vendosnin mbi tavolinë, madje dhe ujin, sepse sapo binte në kontakt me to, ato ktheheshin në ar e kështu filloi të rrezikohej nga uria dhe etja, se nuk mund të ushqehej dot më.
Atëherë i dërgoi lajm Dionisit të vinte e ta çlironte nga ky bekim, që me rrugën drejt vdekjes po kthehej në një mallkim, pavarësisht se ishte njeriu më i pasur i botës. Dionisi i tha se duhej të zhytej i tëri në burimin e lumit Paktolos, me ujëra të kristalta, pranë malit Tmolos. Midasi e dëgjoi dhe mbasi e kreu detyrën, shpëtoi nga e çuditshmja dëshirë për të kthyer në ar çdo gjë. Sot e kësaj dite tregohet se në atë vend, rëra ka përmbajtje të pasur ari.
Pas pak kohësh, Midasi, sëbashku me shumë ndjekës, u shpërngul në Azi dhe u birësua nga mbreti i frigëve, Gordios, i cili nuk kishte fëmijë e trashëgimtarë. Ky mbret ka mbetur në histori për nyjen e famshme gordiane, e cila ishte një shirit lëkure i bërë nyje nga Dionisi, në formën e mistershme të kultit të tij dhe që përfaqësonte njëkohësisht edhe emrin e tij. Askush nuk mund ta zgjidhte këtë nyje, deri me ardhjen e Aleksandrit të Madh, i cili e preu, duke zëvendësuar përfundimisht kultin fetar me forcën e shpatës.
Tek etruskët, pranë Tinias, që ishte Perëndia më e rëndësishme, del dhe Fuflunsi, Perëndia e verës, që është versioni i tyre për Dionisin. Është pikërisht Plini (Nat. 14,1), i cili thekson se Perëndia më e rëndësishme e qyteti etrusk Populonia nuk ishte Tinia, por Fufluna, nga emri i të cilit vjen dhe emri i qytetit.
Grekëve u njihet edhe kultura e mbjelljes së vreshtave dhe prodhimit të verës, si gjaku i vreshtave, deri dhe emri i saj i zbuluar në një vazo të Graviskës të shekullit të VIII pr. Kr., mbi të cilën është shkruar fjala vinun marrë direkt nga greqishtja dorike voinon (kjo e prejardhur nga fjala krete oinos), të cilën e trashëgoi latinishtja e gjuhët simotra latine dhe që është mjaft e ngjashme me shqipen venë.
Figura e Dionisit mbetet shumë enigmatike për sa i takon misionit dhe bëmave të tija. Ndërkohë, ajo është dhe një hallkë lidhëse edhe me figurat e kulturave të tjera. Historia e rilindjes së tij nga kofsha e Zeusit, të kujton Perëndinë hetite të Erës, që lind nga kofsha e Kumarbisit. Njëkohësisht, me rilindjen e tij brenda plagës dhe me fitimin e përjetësisë, ngjason me Krishtin e ringjallur të dalë nga varri, si dhe me faktin i lindur nga një Zot me një grua të vdekshme, nga zjarri i rrufesë, si Shpirti i Shenjtë.
Ky Zot vreshtak i blertë, vdes me ardhjen e dimrit e rilulëzon përsëri në pranverë, pra vdes e ringjallet si Krishti dhe vreshta e tij duke na dhënë shpresën se asgjë nuk përfundon me vdekjen, provë e jetës së përjetshme, që tregon se shpirti e gëzon atë vetëm mbas tretjes përfundimtare të trupit. Këtë mesazh ai e çon kudo në udhëtimet e tija të pareshtura, si një misionar i Krishtit Evangjelist, duke predikuar sa në njërin vend në tjetrin.
Me varkën e tij në formën e hënës së re e njëkohësisht, të quajtur po me këtë emër “Hënare” (mos harrojmë se dhe Ariadne ishte hyjnesha krete e hënës) dhe bazuar tek episodi i piratëve të detit, shkruar në një hymn të vonshëm homerik, ku piratët i transformon në kafshë të ndryshme, si dhe me kultivimin e vreshtave e prodhimin e verës, ngjan me Noen e me kulturën islamike, për sa i takon formës së lundrës së tij.
Festa kananite e Tabernakulit në Palestinë ngjan me festat e tija bakante. Sipas Euripidit, pamja e kultit të tij përfaqësohej nga një maskë e bërë me drurin e hardhisë e pikërisht pema e tij e shenjtë mbeti hardhia dhe festa e saj festohej në shtator, që në atë kohë i takonte muaji i dhjetë i vitit dhe përkonte me vjeljen e rrushit.
Viti i shenjtë asokohe ndahej sipas 12 lloj pemësh. Simbolikisht gjethja e rrushit me pesë cepa simbolizonte dorën ndjekëse të Herës. Episodi i jetës së tij, kur të përndjekur nga xhelozia e Herës, e hedhin ende fëmijë brenda në një shportë në lumë, në mëshirë të fatit, të kujton Moisiun, apo dhe me shkopin e tij Thyrsos të përdredhur, të kujton stapin e Moisiut, që kthehej në gjarpër.
Kurora e tij me një gjarpër, të sjell ndër mend pamjen faraonike, si dhe copëtimi i trupit të tij nga titanët, me urdhër të Herës, dhe riformimi i tij nga Apoloni, ashtu si dhe për misteret e saja të vdekjes, lidhen me figurën e Osiridës. Ai mbetet dhe një nga heronjtë e rrallë që ka zbritur në botën e të vdekurve, për të marrë e për ta prurë në jetë nënën e tij, të cilën nuk e njohu dot që nga lindja e megjithatë nuk e harroi kurrë.
Ky fakt, së bashku me Ariadnën e braktisur, e interpreton simbolikisht figurën e Dionisit si mbrojtës kundër femrave të dhunuara. Nënën e vuri si të shenjtë në tempullin e Artemisit në Troizen, ku festohej çdo vit ringjallja e saj, e dokumentuar në sa e sa vazo të pikturuara e më pas, e ngjiti dhe në Olimp, duke e kthyer në të pavdekshme, ngjashmërisht me gruan e tij Ariadne, e cila sigurisht do të kishte vrarë veten po të mos e kishte martuar Dionisi. I gjithë riti i festimit në tempull kishte origjinë pellazge. Gëzimi dhe liria e këtij kulti frymëzoi autorët e vjetër grekë e ato modernë dhe nuk është rastësi që vargjet më të bukura janë shkruar për të, ku me gëzim lusin atë që gëzimin dhuron, me yllin e pastër që në kohën e të vjelave ndrit.
Simboli i tij i dhisë dhe flijimi i saj për të e afron me legjendat tona, si dhe bishti i lahutës që përfundon me kokën e dhisë.
Sipas Aristotelit Dionisi është dhe themeluesi i tragjedisë, me këngët korale dhe ritet drejtuar atij. Ai dhe etimologjinë e fjalës “tragjedi” në greqisht tragodia – τραγωδία, e bazon në lidhje të ngushtë me simbolin e Dionisit, cjapin, nga greqishtja trágos “cjap” dhe ode “këngë”, me nënkuptimin “kënga e cjapit”.
Ishte pikërisht kjo kafshë që i sakrifikohej Dionisit në festat e tija, në kujtim të transformimit të dikurshëm nga Zeusi. Në kohërat e mëpasshme, kjo kafshë, për natyrën e saj të shkathët, të ndezur në pjellori, mjaft e lirë në lëvizjet e kryeneçësisë së saj, mori simbolikisht etiketimin teologjik të epshit e të mosbindjes, duke iu veshur gabimisht si shëmbëlltyrë Satanait.
Në fakt, në antikitet, ajo mbahej si krijesë perfeksionisht e pastër, ndaj zgjidhet në Bibël si fli në vend të Isakut, shlyese e mëkateve në festimet hebraike të Jom Kippur-it, sikurse na përshkruhet në kapitullin e 16 të librit Levitiku. / gazetamapo.al / KultPlus.com
Arkeologët në Romë kanë gjetur një kokë të madhe mermeri të Dionisit, i njohur gjithashtu si Bacchus, perëndia e lashtë romake e verës, vallëzimit dhe pjellorisë.
Zbulimi u bë gjatë gërmimeve në zemër të qytetit. Koka i
përket një statuje të madhe të kësaj Perëndie, që daton nga epoka perandorake.
Arkeologët po gërmonin pranë një muri mesjetar, kur gjetën
kokën e mermerit, për të cilën ata besojnë se përfaqëson Dionisin, që romakët e
njihnin si Bacchus.
“Fytyra është e rafinuar dhe e hirshme, e re dhe femërore.
Të gjitha këto na bëjnë të mendojmë se mund të jetë një përshkrim i
Dionisit”.Koka e mermerit do të pastrohet dhe do të vendoset në muze për tu
parë nga turistët.
Koka daton midis shekullit të parë para Krishtit dhe
shekullit të 2 pas Krishtit, sipas Claudio Parisi Presicce, drejtor i muzeve
arkeologjike të Romës.
“Sytë e zbrazët, të cilët me siguri ishin të mbushura me
qelq ose me gurë të çmuar, datojnë në shekujt e parë të Perandorisë Romake”,
tha ai, raporton TCH.
“Sipërfaqja nuk është plotësisht e dukshme, sepse ende nuk i
kemi dhënë një pastrim tërësor. Ne mendojmë se ende mund të ketë gjurmë të
ngjyrës origjinale të ruajtur në brezin rreth flokëve “.
Dionisi ishte djali i Zeusit dhe Semelës, bijës së vdekshme të mbretit të Tebës. Ai njihej si zot i verës, kultivimit të verës dhe kultivimit të rrushit, si dhe të fertilitetit, teatrit dhe ekstazës fetare. U adhurua nga grekët e lashtë si një nga 12 Olimpistët para se të përfshihej në panteonet romake të perëndive si Bacchus./KultPlus.com