Kompozitori legjendar jetoi 88 vjet (1882-1971), duke qenë kësisoj dëshmitar i disa prej ngjarjeve më dramatike të shekullit të 20-të, ngjarje që gjetën shprehje të gjallë në kompozimet e tij. Karriera e tij muzikore filloi si rebelim dhe u zgjodh nga “Disney” për të krijuar botën. Bashkëpunoi me Pikason dhe Auden, influencoi nga kompozitorët Boulez te Tavener. Muzika e shekullit XX është e paimagjinueshme pa Stravinskin, një nga kompozitorët që priu modernizmin në muzikë, në fillim të shekullit të 20-të, me ndikim të qëndrueshëm dhe të gjithanshëm.
Kompozitori, pianisti dhe dirigjenti rus i shekullit të 20-të (francez i natyralizuar dhe më pas amerikan), spikat për guximin në tërësinë e kompozimeve, guxon të kapërcejë barrierat e standardeve stilistike në ansamblin e kompozimeve. Një qytetar i vërtetë i botës, lindi në Rusi më 17 qershor, u strehua në Zvicër gjatë Luftës së Parë Botërore, më pas kaloi në Francë ku mori nënshtetësinë dhe ku miqësohet me një pjesë të mirë të inteligjencës avangardë, kryesisht miqësia e sinqertë me Pikason, apo marrëdhënia me Coco Chanel. Më vonë, u largua për në Shtetet e Bashkuara, ku gjithashtu mori nënshtetësinë.
Rritur në një familje muzikantësh, me babain këngëtar dhe nënën pianiste, që në fëmijëri Stravinski u prek nga mungesa e mjaftueshme e dashurisë së prindërve dhe këmbëngulja e tyre për të mos e bërë muzikën profesionin e tij. Për pasojë, ndoqi kurse juridike në universitetin e Shën Petërburgut në vitin 1901, së bashku me leksione harmonie dhe kontrapunkti. Kur i vdiq i ati, hoqi gradualisht dorë nga ligji për t’iu përkushtuar muzikës. Takimi me Rimsky-Korsakov ishte vendimtar, ai u bë mësuesi i muzikës, duke i mësuar kryesisht orkestrimet dhe format klasike.
Në thelb, fillimi i karrierës së Stravinskit lidhej me takimin me Diaghilev, ku kompozoi muzikën për “Ballets Russes” të këtij të fundit, që u pasua me një sukses të madh dhe Stravinski u bë i famshëm. /Konica.al/Mirëpo, kompozimet e tij, nisur nga aspekti provokues, pasi nuk respektojnë rregullat, shkaktuan edhe pakënaqësinë e disave, veçanërisht “Riti i Pranverës” shkaktoi skandal.
Karriera dhe puna e kompozitorit mund të klasifikohet në disa stade. Fillimisht i frymëzuar nga folklori rus, më pas iu kthye një stili më të zhveshur, para se të kthehej në forma më klasike. Shpeshherë, kompozitori e përshkruante Nikolai Rimsky-Korsakov, si babanë e tij të dytë. 29 maji 1913 konsiderohet të jetë pika fillestare e epokës moderne në art, pasi kjo qe edhe dita e shfaqjes së parë të “Riti i pranverës”, prodhuar nga kompania “Ballets Russes” e Diaghilev në Paris./Konica.al/Karriera muzikore e Stravinskit tradicionalisht ndahet në tri faza. Zakonisht dekadat e para referohen si periudha ruse, ndërsa kompozitori studioi folklorin rus dhe eksperimentoi me format e tij. Baletet e para u pasuan nga “Les noces”, “Renard”, opera “Mavra” etj.
Më pas, Stravinski i kushtoi disa dekada neoklasicizmit, duke e hapur këtë fazë të karrierës me “Pulcinella”, që u vu në skenë po nga kompania e Diaghilev. Kryeveprat e kësaj periudhe përfshijnë baletet “Apollo”, “Le baiser de la fée”, “Simfoni në tre lëvizje”, “Orfeu”, “Agon”, operat “Oedipus rex”, “The Rake Progress” dhe melodrama muzikore “Persephone”. Periudha e mëvonshme zakonisht quhet si serial ose dodekafonik dhe përfshin “Threni” dhe “A Sermon, a narrative and a prayer”, bazuar në tekste dhe motive biblike, dramën muzikore “The Flood” dhe pjesë orkestrale “Variations: Aldous Huxley in memoriam”.
Stravinski ishte një nga kompozitorët më pjellorë, krijimtaria e tij përfshin mbi 7,500 faqe me partitura muzikore. Ai mund të punonte për 18 orë në ditë dhe dita standarde e punës, edhe në moshë të shkuar, ishte 10 orë. Njëlloj si prindrit, Stravinski ishte karizmatik për ata që e rrethonin, një bashkëbisedues tepër simpatik. Ai ishte shok, sidomos me anëtarët e “Les Six” (“Të gjashtët”): Klod Debusi, Marsel Prusti, Pablo Pikaso, Koko Shanel dhe Çarli Çaplin.
Fundi i “marrëdhënies së dashurisë” midis artistëve avangardë rusë dhe regjimit sovjetik, në fund të viteve 1920 i dha fund edhe karrierës së kompozitorit në BRSS. Vetëm gjatë zbutjes së Hrushovit, në 1962, për të festuar 80-vjetorin e kompozitorit, Stravinski u ftua të jepte koncerte në Moskë dhe Leningrad. Madje, gojëdhënat thonë se udhëheqësi sovjetik e ftoi të qëndronte në Rusi, por Stravinski u kthye në Nju Jork, ku vdiq në 6 prill 1971. Në respektim të testamentit, ai u varros në Veneciee.
Milan Kundera, në lidhje me ndryshimet e kompozimeve, shprehet se Stravinski ishte një i internuar, i privuar nga vendlindja nga Revolucioni Bolshevik, zgjodhi të rrënjoset në muzikën e të gjithë muzikantëve, për të filluar me ta, “sipas mënyrës së tyre”, një dialog nepsqar, të cilin nuk e ndali deri në frymën e fundit. Mirëpo, Stravinski ishte edhe një eksperimentues, që kërkonte kuintesencën, aleancat origjinale të tingujve, ritualin, madje edhe të shenjtën. /Konica.al / KultPlus.com