Koleksioni bardh e zi i disenjatores Jetmira Bejtullahu, një frymëzim nga ikonat e modës

Jeta Zymberi

Në një kohë ku moda duket sikur është në një garë të pandërprerë për të eksperimentuar me ngjyra të ndryshme dhe stile të kundërta, disenjatorja Jetmira Bejtullahu ka arritur të marr vëmendje duke na sjellë një thesar të vërtetë të elegancës, ku janë të lidhura në harmoni të plotë klasikja dhe modernja, shkruan KultPlus.

Klasikja është një vlerë e përhershme që pavarësisht ndryshimeve nuk e humbet aktualitetin dhe po të hysh këto ditë në profilin e disenjatores Bejtullahu, ti mund të takosh Charlotte, Naomi, Jennifer, Dianan, Elizabeth, Mollyn, Sophian, Marilyn apo Pamelan.

Janë fustanet e Jetmirës që bartin emrat e këtyre ikonave të artit e modës duke na shpalosur disa kreacione të cilat janë një interpretim i estetikës së pastër dhe të thjeshtë por që eleganca e tyre arrin të marr vëmendjen e secilit nga ne përkundër faktit që përbërja e tyre është me vetëm dy ngjyra, bardh e zi.

Jetmira Bejtullahu ka treguar për KultPlus se synimi kryesor ishte që të krijoj një koleksion që është i sofistikuar dhe i përshtatshëm për ngjarjet e rëndësishme.

“Ky koleksion është i ndërtuar në mënyrë të tillë që të përcjell një mesazh. Klasikja dhe modernja mund të jetojnë në harmoni të plotë kur bëhet zgjedhja e duhur. Përdorimi i ngjyrave bardh e zi është zgjedhje që simbolizon elegancën”, thotë Jetmira e cila tutje tregon se emrat e fustaneve janë inspiruar nga ikonat e modës duke dashur të nderojë vlerat e tyre.

“Për përzgjedhjen e emrave për fustane jam ndikuar thellësisht nga ikonat e modës dhe artit. Emrat e fustaneve reflektojnë stilin, linjat dhe elemente të dizajnit që lidhen me kontributin e tyre në botën e modës. Ky proces ndihmon të ndërtohet një identitet unik për secilin fustan dhe të komunikojë me përdoruesit (klientët) potencialë”, thotë Bejtullahu.

Klasikja ka një vend të rëndësishëm në koleksionin e Jetmirës, duke ofruar një alternativë të përhershme në botën e modës, duke reflektuar ngjyrat bardh e zi në mënyrë të përsosur.

Kur krijon modele të tilla, padyshim se në mendje gjithmonë ke një person të cilit dëshiron të ja shohësh të veshur atë kreacion dhe kjo padyshim është një ndjenjë e këndshme për të cilën flet edhe Jetmira.

“Është një ndjenjë e bukur kur shoh dikë që ka zgjedhur të veshë një nga krijimet tona. Është një nder për ne të kontribuojmë në shkëlqimin e tyre.”

Për gratë që duan të duken elegante me një fustan nga koleksioni i saj, Jetmira jep disa këshilla të thjeshta.

“Zgjidhni një model që i përshtatet formës së trupit tuaj dhe kombinojeni me aksesorë të thjeshtë për të arritur një pamje të sofistikuar.”

Për të ardhmen, Jetmira Bejtullahu ka plane që të sjell koleksione të tjera të ngjashme dhe të eksperimentojë me stile të reja të modës, duke ruajtur gjithmonë elemente të klasikes dhe elegancës në krijimet e saj.

Përmes këtij koleksioni i cili tashmë është i gatshëm për ju, disenjatorja Jetmira Bejtullahu ka nderuar ikonat e artit duke na rikujtuar se eleganca klasike është gjithmonë në stil. / KultPlus.com

Natyra&Diellza sjellin koleksionin debutues, sjellin freski në botën e modës

Jeta Zymberi

Bota e modës po evoluon vazhdimisht dhe është gjithmonë emocionuese të shohësh dizajnerë të rinj që hyjnë në industri me perspektiva të reja dhe ide novatore. Së fundmi, pata kënaqësinë të shikoj koleksionin debutues të dy motrave të talentuara Natyra&Diellza të cilat kanë sjell freski në botën e modës me fustanet e tyre elegante, vëmendjen ndaj detajeve dhe mjeshtërinë e tyre deri në perfeksion, shkruan KultPlus.

Që në momentin që hodha sytë te krijimet e tyre, u rrëmbeva nga bukuria e modeleve. Çdo pjesë ishte punuar me kujdes dhe saktësi, duke përdorur materialet më të mira për të siguruar një përshtatje të përsosur dhe një ndjenjë luksoze. Vëmendja ndaj detajeve ishte karakteristikë e tyre, në çdo fustan ato vëreheshin në mënyrë unike duke arritur përfundime të shkëlqyera që i dallonin nga çdo gjë tjetër në treg.

Ajo që më bëri më shumë përshtypje në koleksionin e tyre ishte mënyra se si ato ndërthurën pa problem stilet klasike dhe bashkëkohore për të krijuar diçka vërtet unike. Ata kanë një sy të mprehtë për modën dhe kjo është e dukshme në mënyrën se si kombinojnë pëlhura, tekstura dhe ngjyra të ndryshme për të krijuar pamje që janë sa të sofistikuara aq edhe të përparuara në modë.

Ky pasion i madh për dizajnin dhe të bukurën, motrat i bëri bashkë edhe në biznes. Ato vendosën që bashkërisht, duke realizuar ëndrrën e tyre, njëkohësisht të realizojnë edhe ëndrrën e çdo vajze/gruaje që të duket bukur e të ndihet rehat me kreacionet e tyre, andaj edhe sollën koleksionin debutues.

“Gjithçka nisi me pasionin për artin dhe krijimin e diçkaje të re. Mes bisedave të shumta mes nesh, vumë re që ndanim të njëjtin pasion për modën dhe dëshirën për të bukurën, në veçanti shfaqjen e gruas në mënyrën më elegante. Andaj menduam të mbledhim forcat dhe si motra të bënim realitet ëndrrën tonë e me pas të bëjmë realitet ëndrrën e çdo gruaje që do të duket bukur”, shprehen disenjatoret që përkundër faktit që vetëm sa kanë hyrë në treg, suksesi nuk po ju mungon.

Figura e gruas ka qenë gjithmonë një burim frymëzimi dhe inspirimi për dizajnerët në fushën e modës, dhe kjo nuk është e habitshme sepse gratë janë shpesh të shquara për elegancën dhe stilin e tyre, duke sjellë një ndikim të jashtëzakonshëm në kulturën e modës. Edhe për Natyrën e Diellzën, muza e tyre është gruaja.

“Frymëzimi dhe kreativiteti jonë si dizajnere bazohet në vet figurën e gruas, forcën, elegancën dhe pasionin që ato përçojnë”, shprehen dizajneret që në këtë koleksion debutues të titulluar “DIVINE”, ashtu sikur vet emri, kanë për qëllim të shfaqin një grua hyjnore që ka guxim dhe vetëbesim në paraqitjen e saj.

Këtij koleksioni, nuk i ka munguar vëmendja e menjëhershme dhe kjo padyshim që është shndërruar në motivim për motrat.

“Për fatin tonë të mirë, ky koleksion ka kaluar çdo pritshmëri tonën si koleksion startues në biznesin tonë, jemi shumë mirënjohëse për të gjitha komentet dhe përkrahjen që kemi marr.”

Por për të arritur suksesin, padyshim që është një proces dhe sfidë e ngjeshur por lidhshmëria që disenjatoret kanë me këtë profesion kalon edhe në nivel personal.

“Ne të dyja kemi një lidhje të ngushtë me këtë profesion, jemi detajiste dhe të përkushtuara në maksimum që çdo produkt që e nxjerrim të jetë i punuar me dashurinë më të madhe, kjo bën që këtë profesion ta dashurojmë çdo ditë e më shumë”, shprehen vajzat.

Vëmendja e tyre ndaj detajeve, mjeshtëria e patëmetë dhe ndjenja unike e stilit i bëjnë ata një forcë për t’u llogaritur në botën e modës. Nuk kam asnjë dyshim se do të shohim shumë më tepër prej tyre në vitet në vijim dhe mezi pres të shoh se çfarë kanë rezervuar për më tutje.

Krejt për fund, ato premtojnë: “Koleksione më shumë, punë të palodhshme dhe detaje unike.” / KultPlus.com

Artinë Ahmeti sjell koleksionin e radhës, krijimet e saj do arrijnë edhe në Paris Fashion Week

Era Berisha

Kurimi deri në perfeksion i çdo detaji, stili ‘’Haute couture’’, takimet vizuale me klientët si dhe vërja në pah e pjesëve më tërheqëse të klientit, konsiderohen si veçantia e disenjatores Artinë Ahmeti, e cila së fundmi ka publikuar koleksionin e veshjeve për vitin 2022 ku ndjeshmëria për idetë unike dhe përshtatja me stilin e tanishëm ka sjell krijime përmes së cilave vihen në pah linjat e bukura dhe të ndryshme trupore ku veshjet japin iluzionin se po përqafojnë trupin e personit si një dorezë e krijuar posaçërisht për ta, shkruan KultPlus.

Pasioni i saj për të krijuar veshje ka nisur qysh në fëmijëri ku dëshira e madhe për krijime të vogla dhe ndryshimi i veshjeve paraprake të saj, ka krijuar lidhjen e ngushtë me profesionin, duke u bërë kështu pjesë e pandashme për të.

Biznesi i saj filloi rrugëtimin në fund të vitit 2019, viti që tronditi botën me situatën pandemike e njëlloj ka goditur rëndë edhe biznesin e saj fillestar. Kjo situatë ka detyruar që puna të ndalohet për disa muaj rresht mirëpo me kalimin e kohës, këtë pauzë disenjatorja e ka zëvendësuar personalisht për të nis krijimet e saj menjëherë pas lirimit të masave.

Përkatësisht në muajin korrik të vitit 2020, Ahmeti ka publikuar koleksionin e parë të saj dhe së bashku me shtatë bashkëpunëtorë, me një punë të palodhshme dhe mund të jashtëzakonshëm, kanë krijuar edhe koleksionin e fundit për vitin 2022.

Koleksioni i fundit ka ardhur si ide eksperimentale e disenjatores, ku ajo ka punuar me disa detaje, forma dhe ngjyra të cilat kanë rezultuar mjaft të dëshiruara nga masa. Objektivi kryesor në krijimet e saj është gjithmonë ‘’Ajo. Femrat’’, dhe jo vetëm që të duken bukur por edhe të ndjehen të fuqishme dhe të jenë vetvetja sepse sipas saj çdo femër është unike në vete, dhe kur ato ndihen rehat e të lumtura në atë që Ahmeti krijon për to, atëherë konsiderohet një arritje tejet e lartë për të.

Në një intervistë për KultPlus, disenjatorja Artinë Ahmeti ka folur rreth koleksionit të saj të fundit që është krijuar për një kohë relativisht të shkurtër por edhe për suksesin e saj që po shkel kufijtë.

“Koleksioni përfshinë 15 veshje, të cilat janë të krijuara për një kohë relativisht të shkurtër duke filluar qysh nga krijimi i temës, inspirimi, skicimi, përzgjedhja e materialeve, pastaj vazhdon me krijimin e patronave, qepjen dhe finalizohet me punën e dorës, gjë që e karakterizon punën tonë. Andaj, edhe procesi zgjat varësisht prej modelit dhe formave që janë për punë”, thotë Ahmeti.

Sipas saj, kur bëhet fjalë për ngjyra dhe llojllojshmërinë e tyre, ajo gjithmonë tenton që t’i përshtatet trendëve të kohës, ndërsa të preferuarat e saj personale mbesin ngjyrat si ajo e zeza dhe nuancat nudo. Kurse, në koleksione dhe krijime ajo punon me cilëndo ngjyrë dhe formë.

“Sa i përket përzgjedhjes, pas pjesës ku zgjedhim temën e inspirimit dhe materialet, unë krijoj një numër relativisht te madh të skicave ku zgjedhen disa prej tyre në mënyrë kolektive. Ndërsa, porositë krijohen zakonisht duke i kombinuar me modelet paraprake të koleksioneve, me disa detaje që klientët dëshirojnë ti ndryshojnë dhe ti personalizojnë”, thotë Ahmeti për KultPlus.

“Secili klientë është i veçantë dhe kërkon një punë e përkushtim maksimal, në mënyrë që të jetë i kënaqur me punën dhe atë që kërkon”, potencon ajo.

Për Ahmetin, sfida më e madhe e hasur ka qenë kjo e fundit që ndodhi në gjithë botën ku si të gjitha bizneset e tjera, është dashur që puna të ndalet duke shtanguar krijimet e disenjatorëve për një kohë të cilën sot duket se është e tejkaluar.

“Besoj që secili në mënyrën e tij e sjell më të mirën në pah përmes krijimeve në frymën, stilin dhe profesionalizmin e personit. Për vete, mendoj që kam studiuar dhe punuar mjaftueshëm që të dal si një dizajnere e kompletuar dhe ti ofroj klientit produktin në mënyrën më profesionale të mundshme, në atë që quhet profesionalizëm”, përfundon Ahmeti për KultPlus.

Disa nga emrat e njohur që bartin emrin e Artinës në veshjet e tyre janë: Miss Alejandra Buitragoc dhe Miss Universe Ecuador 2020, Lejla Espinoza. Kurse, pjesëmarrja më e suksesshme e saj cilësohet ajo e fotosesionit për Miss Universe Colombia 2020, Maria Fernanda, për gazetën më të madhe në Amerikën Latine ‘’Pump Magazine’’, ku Fernanda ka zgjedhur pikërisht firmën e Ahmetit në mesin e shumë disajnerëve të botës.

Synimi i saj për të ardhmen është konsideruar rritja e firmës dhe shtrirja në mbarë botën sepse për momentin bashkëpunimet me tregun ndërkombëtarë si ajo me: Miss Universe Columbio 2020, funksionojnë vetëm online.

Krejt për fund, disenjatorja ka zbuluar se linja e saj do të jetë pjesë e Paris Fashion Week në sezonin e ardhëm të vitit 2022 me një koleksion prej 10 veshjeve.

Artina rrugëtimin e saj në këtë profesion e ka nisur mbarë dhe sukseset në vazhdim duket sikur vetëm po presin ditën e duhur për tu shpalosur. / KultPlus.com

Koleksioni i ri nga Nadira Kika sjell për herë të parë aspekte të reja të disenjatores

Era Berisha

Ndonëse, stresi dhe idetë e paarritshme kanë qenë prezente pothuajse çdo herë, këmbëngulja dhe vetëbesimi janë dy ndjenja që dominojnë në punën e saj të cilën ajo e sheh si një vlerë të madhe ku çdo sakrificë dhe sfidë harrohet lehtësisht kur në fund vëren suksesin e saj në punë e sidomos me koleksionin e saj të fundit që për karakteristikë ka ngjyrat e forta dhe detajet finesë të punuara me dorë, shkruan KultPlus.

Detajet si rol kyç në fushën e saj, konsiderohen një diferencë e lartë mes modeleve të ndryshme dhe stilit personal të veshjeve prandaj edhe nuk është aspak e vështirë që detajet të mbizotërojnë kur ato janë në vendin e duhur. Përveç detajeve dhe siluetave, në koleksionin e saj të fundit që dallon shumë nga stili i zakonshëm i saj me të cilën jemi mësuar ta shohim, vërehet një ndryshim i madh për sa i përket ngjyrave ku ajo e kuqja, indigo dhe portokalli përplasen fuqishëm në veshje të cilat shfaqen si një bombë e ngjyrave. E kjo në fakt është një ndryshim i madh për Kikën sepse ajo për herë të parë ka shfaqur një anë të sajën që nuk është parë më herë, për arsye se ajo anon më shumë në ngjyrat pastel.

Një pikë tjetër e fortë e këtij koleksioni si një veçanti e radhës janë edhe ‘headpieces’, që njëkohësisht me ngjyrat e ndezura, vijnë për herë të parë e të cilat janë të punuara me dorë. Ndërsa, koleksioni numëron gjithsej 10 veshje apo fustane të cilat përafërsisht kanë marrë kohë rreth 1 deri në 2 muaj ku intensiviteti nuk ishte i pranishëm për shkak se puna e ngadaltë ka sjell një punë të cilën Kika e ka dëshiruar që herët për të parë fundin total të koleksionit.

Në një intervistë për KultPlus, disenjatorja Nadira Kika, ka shpalosur edhe detajet që mbizotërojnë në të gjitha koleksionet e saj.

“Kryesisht janë: ngjyra kuqe, kaltër, portokalli dhe hiri. Nuk kam ndonjë ngjyrë që shihet më pak në dizajnet e mia por për sa i përket koleksioneve të mia, ngjyrat e kuqe janë ato që i përdori më pak sepse është një ngjyrë që nuk më inspiron dhe nuk e gjej veten”, thotë Kika.

Sipas saj, fillimisht, është një koncept mbi të cilin ajo bazohet ku ekziston një ‘moodboard’ me të cilën janë ngjyrat, format dhe detajet që atë e frymëzojnë. Kështu që nga ai moodboard procesi i saj vazhdon me skicim pastaj vazhdon me përzgjedhjen e materialeve deri në realizimin e skicave.

“Për të gjithë ata që e përcjellin stilin tim me siguri kanë parë dy lloje të stileve gjatë këtij rrugëtimi, unë gjithmonë mundohem t’i mbaj dy llojet e stilit si: “Ready to wear” dhe “Pret-a-couture”, ku njëri është me veshje të përditshme dhe tjetri është me fustane elegante. Kurse, porositë e klientëve janë kryesisht ato çka ne i postojmë në rrjete sociale, ndonjëherë me ca ndryshime në bazë të linjave trupore”, thotë Kika.

Për Kikën, njëra ndër porositë të cilën ajo do e veçonte do të ishte ajo e një gruaje e cila ka pasur kancer të gjirit e një punë kjo me të cilën Kika ka punuar me shumë delikatesë, dashuri dhe ndjeshmëri. Kurse, si njëra ndër vështirësitë më të mëdha, ajo përmendi njohjen e targetit me të cilin ajo punon. Koha dhe përkushtimi për të gjetur targetin e duhur janë dy pikat kryesorë që kanë shënuar vështirësinë e madhe në punën e saj.

Ajo tutje ka folur rreth specialitetit me të cilën dallohet nga të tjerët në fushën e saj, e për çka ajo mundohet të sjell çdo herë diçka më unike.

“Fillimisht, unë mendoj se stili im personal e bënë diferencën mes meje dhe dizajnerëve të tjerë. Llojet e materialeve me të cilat unë punoj dhe i sjell, mundohem që çdo herë të jenë më unike, e po e njëjta vlen edhe për çmimet e ndryshme. Gjithashtu, besoj se jam njëra ndër dizajneret e pakta që i mban dy linja njëkohësisht, atë me veshje të përditshme dhe atë me fustane elegante”, përfundon Kika për KultPlus.

Ndërsa, synimet e saj për të ardhmen përfshijnë së paku një apo dy koleksione brenda këtij viti, kurse momentalisht ajo është duke punuar në disa plane afatgjate për sa i përket tregut ndërkombëtarë. Në ndërkohë, të pasionuarit pas veshjeve diversive, detajeve unike qoftë në veshjet e përditshme apo edhe solemne si dhe pas ngjyrave të llojllojshme, mund ta ndjekin punën e disenjatores Nadira Kika. / KultPlus.com

Kreacionet e Elife Arifit marrin vëmendje nga “Medium Gallery” në Florida

Lyente taket e këpucëve të saj çdo ditë me ngjyra të ndryshme, ndërsa sot gëzon sukses ndërkombëtar në botën e modës.

Syri i Elife Arifit, si duket që nga mosha e re kishte nuhatur materialin, dhe aty për aty kishte arritur të vizatojë një dizajn specifik për të. E sot, ka edhe brendin e saj  të veshjeve të titulluar “EL Creations” që arriti për një kohë shumë të shkurtër të njihet edhe ndërkombëtarisht, shkruan KultPlus.

Elife Arifi, kreatore e rrobave tashmë që dy vite, është ideatore dhe pronare e brendit vendor të veshjeve “El Creations” në Gjilan  – titull që ia kishte vënë për shkak se nuk përmban vetëm rroba, por gjithçka që rrjedh prej materialeve të ndryshme.

Duke qenë që edhe shkollën e mesme të artit e ka përfunduar në Gjilan, dhe është e diplomuar në Akademinë e Arteve në UP , ajo asnjëherë nuk ishte shkëputur nga moda.

Elife Arifi rrëfen për KultPlus fëmijërinë e saj dhe dëshirat që i kishin rrjedhur qysh si e re për dizajnin dhe artin në përgjithësi.

“Si fëmijë gjithmonë kam eksperimentuar me rroba, me këpucë dhe materiale të ndryshme. Më kujtohet, qysh e re ndërroja ngjyrën e këpucëve. Zakonisht më pëlqenin takat, me ato eksperimentoja duke i lyer me ngjyra të ndryshme. I bëja të dukeshin tërësisht si këpucë të reja. Edhe si fëmijë  kam mbajtur me vete gjithmonë një fletore, në të cilën e vizatoja gjithmonë një vajzë të njëjtë, por me rroba ndryshe. Aty arrija ta shpreh gjithë kreativitetin që e kisha”.

Arifi tregon gjithashtu se nuk e kishte pasur edhe shumë të lehtë që ta niste brendin e saj. Kishte filluar me shërbime online, fillimisht te familjarët, pastaj duke i plasuar në rrjete sociale, si Facebook dhe Instagram, kishte arritur të depërtojë edhe në një masë tjetër. Ajo çfarë i kishte ndihmuar shumë kishte qenë kursi që e kishte ndjekur, pasi aty ishte vlerësuar puna e saj. Nga aty ajo kishte marrë vullnetin për të vazhduar punën deri të nisja e brendit.

“Në fund të vitit të katërt në fakultet fillova të merrem më shumë me skica. Aty e testoja veten, fillova ta mësoja pak a shumë zanatin e punës, dhe merresha edhe me detaje. Fillova edhe një kurs mode. Më kujtohet si sot kur e dërgova një dizajn të një palltoje tek mësuesja e modës, dhe Flutura Dedinjës i pëlqeu shumë. Nga ai vullnet që mu dha, fillova të merresha fillimisht me pallto. Një muaj qëndrova në atelie duke dizajnuar pallto të ndryshme. Kur fillova t’i publikoja nisi edhe reagimi i të tjerëve”.

Nga këtu lindi edhe dëshira që ajo të niste brendin e saj dhe në shtatorin e vitit 2018 ajo hapi brendin e saj “EL Creations” në Gjilan.

Duke i parë kreacionet e saj, ngjasojnë shumë në të përditshmen, por disa detaje thyejnë ato nuanca dhe bëjnë që ato të duken më të veçanta. Edhe qëllimi i kreatores është që ta vë në pah të zakonshmen, por duke e futur gjithmonë një element më tërheqës dhe më të dukshëm. Kombinimi i disa materialeve dhe ngjyrave në një veshje është ajo çfarë e veçon kreatoren.

“Mundona të përditshmen ta sjell me një ekstravagancë minimale, që secilën veshje  te përditshme , ta bëjë të duket më unike. Kam dëshirë shumicën e materialeve t’i përziej në një vend. Kombinimi i materialeve është diçka që e adhuroj. Varësisht prej modelit i kombinoj edhe ngjyrat. Ndërsa koleksionet që i bëj zakonisht përshtatem me një ngjyrë. Për shembull kur në një kreacion e përdori të kaltërten, atëherë i kombinoj të gjitha nuancat e kësaj ngjyre në një veshje.”

Duke qenë që shumica e kreatorëve bëjnë fillimisht skicën e pastaj hynë në procesin e punës me material, tek Elifja nuk ndodhë e njëjta gjë. Ajo në shumicën e rasteve nuk vizaton skicën, por shkon drejt e në material. Aty arrin ta bëjë ndryshimin

“Gjatë procesit të punës më së shumti eksperimentoj. Në skica nuk bëj eksperimente. Pra, me material unë arrij të manipuloj. E veçanta ime është që shkoj drejt e në material, vetëm përmes prekjes arrij ta dalloj a mund të dalë mirë. E mendoj çfarë mund të nxjerrë nga ajo. Kam filluar vetë, zakonisht edhe rrobat kur i kam blerë, i kam ndryshuar, kam  eksperimentuar, i kam bërë në mënyrën time, edhe tash bazën më të fortë e kam te materiali në kukëll, sesa në skica.”

E pas lansimit të brendit “El Creations”, palltot e dizajnuara morën vëmendje nga galeria e modës e quajtur “Medium Gallery” me bazë në Florida, SHBA. E kontaktuar nga ata, Arifi bëri marrëveshje në lidhje me kreacionet e saj. Ajo rrëfen më shumë se si arriti deri te kjo marrëveshje dhe se a pati sukses deri më tani.

“Pas koleksionit të palltove më kontaktoi fotografia zyrtare nga Medium Gallery, një agjencion i Amerikës, nga Florida,  përmes Facebook-ut. Ata më ftuan për një kohë të caktuar atje, të shkoj të punoj, por duke qenë se kam qenë tejet e angazhuar me punë, dhe për shkak të kërkesave aq të shumta këtu, nuk kam arritur ta pranoj në atë formë, por ne e bëmë një marrëveshje tjetër. Unë kreacionet i qep dhe dizajnoj këtu e pastaj përmes postës i dërgoj atje. Fatmirësisht gjithçka po funksionin si duhet.”

Arifi tregon që përpos marrëveshjes në Floridë, kërkesat janë të shumta edhe nga Evropa dhe shpreson që mos të ndalen me kaq. Duke qenë që brendi i saj nuk përfshin vetëm veshje, si dhe nuk ka kufizime qoftë për vajza, meshkuj, të rritur apo fëmijë edhe çmimet janë të përballueshme, ambiciet e saj nuk ndalen këtu.

Këtë brend, Elife Arife synon ta bëjë edhe fabrikë, e cila do t’i përfshinte të gjitha kreacionet e saj të veçanta, e gjer më tash e ndjen veten me fat që ka arritur deri këtu. Kjo bën që ajo të punojë më shumë dhe t’i jap vetes më shumë vullnet që të bëjë hapa drejt suksesit më të madh. / KultPlus.com

Disenjatoret shqiptare në fokusin e gazetës ‘Washingtonian’ dhe televizionit ‘Fox’

Të suksesshme në punën e tyre janë edhe dy vajza shqiptare të cilat kanë marrë vëmendjen e gazetës “Washingtonian”, përcjellë KultPlus.

Gazeta “Washingtonian” ka përmendur në artikullin e saj, duke e cilësuar si një vend të veçantë dhe ide që prodhon sukses, sipërmarrjen e dy emigranteve shqiptare në Washington SHBA, Amy dhe Zoja Bitiçi.

Dizenjatorja me 30 vjet eksperiencë, Zoja Bitiçi nga Shqipëria, ka mbaruar Insitutin e Teknologjisë së Modës në New York. Ndërkohë Amy Bitici, ka eksperiencë në fushën e biznesit dhe dizajnit, dhe të dyja së bashku, e kanë çuar këtë sipërmarrje drejt një eksperience globale.

Ky kombinim ka bërë që produktet e tyre, të paraqiten në stacionin televiziv “Fox 5” në Washington me titull: Rikthehet eksperienca e fustaneve të nusërisë në Washington.

Më poshtë po ju sjellim edhe artikullin e plotë të gazetës “Washingtonian”: https://www.washingtonian.com/2017/01/30/new-york-style-meets-london-attitude-zoyas-atelier/?fbclid=IwAR2MtMgVgxrYXbWigMBMD4ohxK3PC2Y–zTztZ7AvsnCTw3-B6akGPBsbCc . / KultPlus.com

Vitet e 80-ta inspirim për koleksionin e ri të Merita Harxhi-Kocit (FOTO)

Jeta Zymberi

Kohët e kaluara kujtohen me shumë nostalgji, ajo nostalgji për shumëkënd kthehet në inspirim. Njëjtë ka ndodhur me disenjatoren Merita Harxhi Koci e cila vitet e 80-ta i ka si pikënisje për krijimin e koleksionit të saj më të ri, shkruan KultPlus.

Sipas Meritës, vitet e 80-ta janë periudha e fundit në këto dekada, ku femra ka synuar të duket e bukur në mënyrë natyrale.

“Fustanet e këtij koleksioni, janë të dizajnuara enkas për festat e fundvitit, dhe në një mënyrë përmbajnë në vete retro-glamur. Në fakt, jam inspiruar me modën e viteve 80 – ta, periudhë e cila e thekson sensualitetin e femrës në mënyrë suptile. Pas kësaj kohe, fillon edhe përdorimi në masë i operacioneve plastike dhe botox-it”, ka thënë Merita për KultPlus.

Disenjatorja tutje ka folur për periudhën e viteve 80-ta, në kohën kur ajo ishte një vajzë e re me një pasion të theksuar për modën.

“Këtë koleksion e kam bërë me shumë kënaqësi, për shkak se ajo ka qenë mosha e rinisë sime të hershme, kohë kur kam filluar të eksperimentoj me veshje. Në atë kohë, shumicën e gardërobës e kam dizajnuar dhe qepur vet. Natyrisht, më ka ndihmuar edhe nëna ime, e cila ka shije dhe talent të jashtëzakonshëm për dizajnimin dhe qepjen e rrobave”.

Gjatë kësaj periudhe shija e saj ishte mjaft e rafinuar, ku për vete ajo dizajnonte fustane të shkurt, këmisha me mëngë të gjëra me rrudha te krahët. Në pjesët e poshtme të fustanit ka preferuar të përdor ngjyra të forta. Ishte koha kur ajo eksperimentonte me materiale të lehta, rrëshqitëse dhe me shkëlqim.

“Shumica e këtij koleksioni është të themi një rimake apo një reminishencë e gardërobës që e kam veshur gjatë viteve 1988 dhe 1989. Prandaj, edhe e kam punuar me shumë dashuri dhe emocion”.

Përkundër këtij përkushtimi dhe dashurie për këtë koleksion, Merita ka vendosur çmimet të jenë të arsyeshme, me idenë që çdo vajzë që punon të mund t’ia ofroj vetes një fustan për festat e fund vitit, ose të ja bëjë dhuratë dikujt.

“Pra, thjesht, meqë periudha e viteve 80-ta është koha kur kam filluar të dizajnoj për vete, kohë e artë për mua, krejt koleksionin do ta ofroj me fitime minimale”, ka përfunduar Merita për KultPlus, duke premtuar që do të vazhdoj të sjell koleksione shumë të bukura në të ardhmen e afërt. / KultPlus.com

“Vlerë”, koleksioni i disenjatores Saime Buleshkaj që për bazë ka motivet tradicionale

Kur modernia bashkëvepron me antiken shpesh rrezikon të mos realizohet në mënyrën më të mirë. Bashkëveprime të tilla gjejmë në pikturë, në grafikë e shumë shpesh edhe në veshje. Këtë realizim së fundi e ka bërë një disenjatore, veshjet e së cilës nuk kanë dështuar së paraqituri motivet e bukura të tradicionales mbi ato të modernes, shkruan KultPlus.

Është kjo Saime Buleshkaj e cila ka filluar të merret me dizajnin e modës qysh në moshën 13 vjeçare ku më pas vazhdoi të merret me dizajnin si profesion, duke ndjekur kurse të ndryshme të rrobaqepësisë e më pas edhe studimet në fushën e Dizajnit të Modës. Ka punuar për shtëpi mode dhe dizajnerë të njohur të vendit.

 Këtë vit, Saime Buleshkaj ka hyrë në tregun e modës me një stil më të veçantë, ku për bazë ka motivet tradicionale. Disenjatorja për KultPlus potencoi se ideja pse ka vendosur që në veshjet e saj moderne të ketë motive tradicionale ka ardhur si dëshirë për të paraqitur diçka nga rrënjët tona, nga kultura jonë si komb, në mënyrë që vlerat tona të përditësohen përmes modernizmit të tyre në veshjen formale.

Ky është koleksioni i parë i Saimes, koleksion ky që e ka emëruar “Valuable” që në shqip do të thotë “Vlerë”, përmes të cilit solli siluetat e fustaneve, jelekët e deri te qëndisja e detajeve të cilat vijnë nga periudha e të parëve tanë.

Sipas saj, këto veshje janë pritur mjaft mirë, ajo u shpreh se: “E kanë mirëpritur shumë këtë koleksion dhe si duket kam prekur një pikë që kishte qenë shumë e nevojshme për kohën. Pasi që disa prej këtyre veshjeve mund të vishen edhe të ndara dhe jo vetëm për raste formale e më pas të përfundojnë dollapëve si të pa vlera”.

Poashtu, disenjatorja ka potencuar se do të vazhdoj të trajtoj këto motive edhe në të ardhmen përmes koleksioneve të tjera.

“Ka qenë shumë e vështirë sigurimi i materialeve të tilla, mirëpo në momentin që i kam pasur në dorë materialet, me punë dhe përkushtim ia kam dal të realizoj atë që kam pasur në plan”. pohoi Saime Buleshkaj. / Xh. Hysenaj /KultPlus.com

Diana Qerimi: Jo të gjithë mund të vishen sipas trendit, fillimisht vjen personaliteti i njeriut


Krijimi i veshjeve është një art në vete, aty bashkohen shumë elemente duke filluar nga prerjet, ngjyrat, materialet e të gjitha këto duke u munduar të kombinohen për trupin dhe karakterin e një personi të caktuar. Por, kur dizajneri arrin në atë pikë sa për të veshja të marrë tjetër kuptim duke u kombinuar kështu edhe me personalitetin e njeriut, atëherë ai dizajner ka hyrë tërësisht në botën e këtij arti krijues shumë të veçantë. Në këtë pikë tashmë ka arritur edhe disenjatorja Diana Qerimi e cila suksesshëm po e vazhdon rrugën në botën e artit të bukur, e nga ku po sjellë veshje të cilat ndonëse konsiderohen si më të thjeshta për nga dukja, ato janë magji në vete. Të thjeshta por të realizuara me shumë detaje e ngjyra të kombinueshme, veshjet e Dianës arrijnë të tërheqin gjithmonë vëmendje. Dizenjatorja Qerimi në një intervistë për KultPlus ka shpalosur më shumë rreth këtij arti, trendeve të fundit, mënyrës së krijimit, por ajo flet edhe për punën e kolegëve të saj dhe konkurrencën.

Jeta Zymberi

KultPlus: Keni arritur të identifikoheni në mesin e shumë dizajnerëve dhe të cilësoheni si më e mira, sa ka qenë e vështirë të arrini në këtë pikë?

Diana Qerimi: Sigurisht që konkurrenca të bën që asnjëherë mos të dorëzohesh dhe gjithmonë të kesh vullnet për të sjellë gjëra të bukura dhe ndryshe prej të tjerëve. Por gjithashtu shkakton edhe lodhje e cila veç kur e shikon suksesin në fund tejkalohet.

KultPlus: Cilat janë pikat tuaja më të forta si dizjanere?

Diana Qerimi: Unë si dizajnere i kushtoj rëndësi të madhe prezantimit të koleksioneve që unë sjell, edhe gjithmonë kujdesem që vajzat që e pëlqejnë punën time të kenë çdo sezonë koleksione të reja nga brendi DQ.

KultPlus: Çka ju diferencon prej kolegëve?

Diana Qerimi: Për momentin e kam përshtypjen që në përgjithësi po i kushtojnë rëndësi shumë fustaneve ekstravagante (me gurë, rruza e pupla), ndërsa unë po mundohem që sa më shumë të ju ikë këtyre kreacioneve, meqë unë edhe njihem pak më shumë me thjeshtësinë e përkushtimin në detaje e ngjyra.

KultPlus: Ju tashmë si një dizajnere me përvojë, a keni arritur në pikën që sapo të shihni klientin për të cilin do të krijoni të ju vijë edhe ideja se çfarë do të krijosh. Sa është e rëndësishme që veshja t’i përshtatet njeriut edhe me personalitet dhe sa e praktikoni ju këtë gjë?

Diana Qerimi: Asnjëherë nuk mundesh që me shikim të parë të dish saktësisht se çka dëshiron klienti sepse jo gjithmonë pamja e jashtme është ajo çka e paraqet dhe prezanton klientin. Sigurisht që diskutojmë rreth personalitetit të asaj se qysh ajo ndihet më mirë e pastaj flasim edhe për detajet se qysh do t’i dalë edhe trupi më shumë në pah. Gjithmonë mundohem që pjesët më të mira të ja vë në pah dhe ato jo të përshtatshmet të fshihen në mënyrë që si përfundim gjithçka të duket perfekte dhe të nxjerrim bashkë më të mirën e mundshme. E kam shumë me rëndësi  që çdo vajze me ju përshtatë veshja me personalitet.

KultPlus: A ndodhë që klienti të ju inspirojë për kreacione?

Diana Qerimi: Po, shumë shpesh kam kliente me energji super pozitive që më japin vullnet dhe kreativitet për të punuar e mandej ato detaje edhe i përsëris e i përpunoj për koleksionet e ardhshme.

KultPlus: A mendoni që njeriu duhet të vishet sipas trendeve të fundit edhe nëse nuk i shkon për stili, apo secili duhet të vishet sipas stilit të tij dhe t’i qëndrojë besnik asaj që i shkon më shumë?

Diana Qerimi: Jo të gjithë njerëzit mund të vishen sipas trendit, fillimisht vjen personaliteti dhe pastaj trendi. Por gjithashtu mund të them që njeriu me karakterin e tij ka aq shumë fuqi, që sjellin risi të vazhdueshme në trendet botërore.

KultPlus: Cili është trendi i këtij viti?

Diana Qerimi: Këtë vit kemi me u kënaq tu shiku ngjyra të shumta duke e veçuar ngjyrën portokalli të ndezur, materialet me print dhe kombinimin e shumë materialeve në një veshje.

KultPlus: Cilin kreacion tuajin do ta veçonit dhe pse?

Diana Qerimi: Nga të gjitha kreacionet do të veçoja koleksionin “INSECT COLLECTION“, kjo për arsye se gjithçka ka filluar aty.

KultPlus: Për cilin artist botëror do të dëshironit të krijoni veshje?

Diana Qerimi: Do të doja shumë të krijoja veshje për artisten Rihanna sepse gjithçka që ajo vesh e bën të duket edhe më unike me prezantimin e saj. Kjo do të ishte një dëshirë e madhe e imja.

KultPlus: Puna juaj është shumë inspiruese për të tjerët, po ju nga inspiroheni?

Diana Qerimi: Inspirimin shumicën e kohës e marr kur udhëtoj, në gjërat e bukura që i shoh e i prek, po gjithashtu edhe në trendet e fundit.

KultPlus: Nuk jeni e fokusuar vetëm në një linjë të rrobave, kreacionet tuaja janë pothuajse gjithëpërfshirëse, po ku e gjeni ju veten më shumë?

Diana Qerimi: Mundohem që secila vajzë të gjej pak a shumë veten në veshjet e mia, qoftë ato të përditshme ose ato solemne. Unë shpeshherë kam vullnet më të madh për të krijuar sende të përsëritshme ndoshta që e kam vetëm një periudhë të caktuar e të shkurtër që mundem me i kriju ato.

KultPlus: Cili është mendimi juaj për kolegët, sa e vlerësoni punën e tyre?

Diana Qerimi: Jam shumë e lumtur që vendi jonë ka krijuar kaq shumë artistë e dizajnerë, sigurisht që e mira e kësaj është që secila vajzë e gjen veten te njëri prej neve.

KultPlus: Cili prej dizajnerëve shqiptarë vlen sipas jush?

Diana Qerimi: E vlerësoj artin e secilit që mundohet me paraqit në mënyrën e vet.

KultPlus: Cila është arritja jote më e madhe deri më tani?

Diana Qerimi: Arritja më e madhe është kur shoh kaq shumë vajza që e adhurojnë punën që unë bëj.

KultPlus: Cila është ëndrra jote më e madhe?

Diana Qerimi: Ëndrra ime është që brendi DQ të ketë depërtimin ndërkombëtar e të sjellë çdo vit sfilata të përmasave ndërkombëtare.

KultPlus: Me pak fjalë, si do ta përshkruani vitin që po e lëmë pas?

Diana Qerimi: Viti 2018 ka qenë një vit me shumë punë e përkushtim, shpresoj edhe viti 2019 të vijë me shumë punë e suksese të reja. / KultPlus.com