Dashuria për poezinë, përhumbja mes vargjeve rrëqethëse në brendësinë e shpirtit unik të secilit njeri dhe dëshira për trashëgiminë e traditës gojore mblodhi mbrëmë dashamirësit e poezisë si: Halil Matoshi, Nora Prekazi dhe Shpëtim Selmani në Ditën Ndërkombëtare të Poezisë, një debat ky i organizuar nga Social Creativity, Vlora Ademi dhe Valbona Raifi, shkruan KultPlus.
Kjo ditë e cila është shpallur nga UNSECO si dita botërore e poezisë që nga viti 1999, synon që të nderojë poetët, leximin, shkrimin e po ashtu edhe ndërlidhjen e saj me artet e tjera. Ndonëse poezia është e pakrahasueshme në artin e saj, lidhja e poezisë me artet e tjera vlerësohet si lidhje e veçantë, qofshin lidhjet ato që i shpalosin ndjenjat e përbashkëta mes njerëzve apo edhe ato të kundërtat.
Mbrëmë, shprehja lirike la gjurmë në tryezën e KultPlus Caffe Gallery, më së miri edhe nga vetë të pranishmit e sidomos nga humori i njohur i Halil Matoshit, i cili nisi mbrëmjen me arsyen se pse ai shkruan.
“Poezia nuk ka definicion, por më kujtohet një regjisor i madh rus, Andrei Tarkovsky, i cili thotë se arti e poezia nuk mësohen dhe nuk ka shkollë për to, sepse ato vetëm përjetohen e janë dhuratë nga Zoti. Por mbi të gjitha, poezinë e shoh si befasi dhe për të shkruar poezi të mirë duhet të futesh në një univers në vete. Kush mundet brravo i qoftë. Ndonëse edhe novelistët nganjëherë më zhgënjejnë sepse nuk kanë krijuar atë universin paralel, një kozmogoni unike. Por përpjekja është e barabartë me arritjen”, thotë ai.
Ndërsa me një modesti të jashtëzakonshme, ajo e cila njihej si vogëlushja e urtë, Nora Prekazi, por që shpërtheu fillimisht në pikturë e pastaj në poezi dhe e cila vjen nga një familje e zhurmshme me identitet dhe opinione të forta, poezinë e sheh si një moment individual, një rrëfim ndaj vetes, prandaj edhe shkruan. Ndonjëherë më pak e ndonjëherë më shumë, por që vërtetë u inspirua edhe nga shoku i saj, Shpëtim Selmani, me ç’rast edhe ajo filloi të shkruante përsëri pasi që e kishte lënë një kohë. Ajo filloi të shkruante të vërtetën e saj.
“Poezia duhet të krijojë emocion dhe ndjenjë. Ndjeshmëria, komunikimi, mesazhi, identiteti ynë është ajo çka e rrumbullakon gjuhën tonë. Gjuha është hapësira jonë e të shprehurit”, lë mesazhin Prekazi e cila mbrëmë interpretoi disa nga poezitë e saj siç ishin: ‘Janar’, ‘Më pas’ dhe ‘Deti’, poezi kjo e cila u dallua mjaft shumë edhe nga ambienti në të cilin të pranishmit po e vështronin borën por njëkohësisht ëndërruan për detin.
Fuqia e poezisë dhe emocioni që ajo përcjell së pari dallohet tek komunikimi indirekt, tek ato mesazhet e vogla, të fshehura në një vend të posaçëm për njerëzit e dashur apo ndoshta edhe tek reflektimet personale drejt atyre që nuk kanë guxim të shprehen apo mbase poezia nuk ka efekt fare përderisa nuk mund ta përjetosh atë. Poezia ka lëvizë botën e njeriut duke e tundur atë sa në një emocion në tjetrin. E në natën e mbrëmshme, në mesin e larmive të emocioneve, ishte Shpëtim Selmani, i njohur edhe për Çmimin fitues të European Union Prize for Literature, që solli një sërë poezi që as duart e tij nuk po mund ti mbanin dot.
Përgjatë atmosferës së ngrohtë dhe nën hijen e vargjeve të interpretuara nga Selmani, e sidomos nga ato të fundit të cilat të lënë me gojë hapur ishte edhe poezia e tij, ‘Rrugës për tek Danjela’, e cila tundi audiencën me fjalët ‘fus gishtat në gojë dhe nga aty e heq vetëvrasjen’, që la pas jehonën e saj. Teksa tutje ai vazhdoi edhe me poezitë, ‘Çfarë shoh në mëngjes’ dhe ‘Në dhomën e ditës’, ku publikut i dhuroi vizione me përmbajtje kafshësh të mbështjella në kokë.
“Shkruaj sepse mendoj se askush nuk më kupton”, ndonëse jo plotësisht e vërtetë, këto fjalë padyshim që njihen si fjalë të Selmanit, i cili nuk ka një konstatim specifik se pse ai shkruan. Ai ende nuk e ka gjetur arsyejen.
Teksa moderatorja nisi ta hap diskutimin rreth rëndësisë së poezisë, Halil Matoshi potencoi se ai kishte rizbuluar rëndësinë e poezisë në vargjet e Martin Camajt të cilat buronin nga rrënjët e Ndre Mjedës, për të vazhduar me dy poetë modernistë, dhe përmbyllur me thënien: “Nëse poezia nuk është tiranike, nëse poezia nuk vendos pushtet total absolut, ajo nuk është poezi fare”.
“Përjetimi i poezisë duhet të dërgojë në emocione sikur ato të cilat të vdekurin e rrotullojnë, e ringjallin, ku edhe e përmbysin malin. Poezia është një realizim magjik. Nëse lexon dy strofa e për të tretën herë bie në gjumë, edhe kjo është poezi për mua. Poezia së pari është gjuhë e cila e zbulon qenien sikurse edhe lëvorja prej së cilës del lajthia, njëjtë është edhe gjuha shqipe me të cilën ne shkruajmë. Nga pluhuri i fjalëve të moçme shqipe del një filozofi e tërë. Gjuha e përditshme fatkeqësisht është shndërruar në një aktualitet me shumë pak fjalë por gjuha shqipe shtrihet në një thellësi të cilën shumë pak nga ne nuk e dimë. Duhet të gërvishtesh dheun e do të të dalë gjuha” u shpreh Matoshi nën dritën e qiriut dhe nën sytë adhurues të metaforës.
E kështu nuk munguan të qeshurat e publikut të cilat burojnë thellë nga shpirti i tyre teksa dëgjonin interpretimin e poezive të Matoshit siç ishin: ‘Traktat estetik’ dhe vazhdimi i saj ‘Ra ora e të vërtetës’, ku epiqendër e tyre u bë fjala ‘shtojzovalle’, me të cilën publiku do mbajë mend edhe këtë natë sa poetike po aq edhe argëtuese.
Shpeshherë fryma poetike nga vullkani i ndjenjave të përvëluara nga secila jetë që sot frymon, ndodh që ajo frymë të humbet brenda rrjeteve sociale dhe vorbullës të cilën shkaktojnë ato. Natyrisht që poezia ka vlerë, por sa vlerësohet ajo nga falsiteti i njerëzve që lënë kokën për like e komente, tregohet edhe nga Matoshi i cili foli për një ngjarje ku ai e përfundoi një ese dhe mendonte se e kishte formuar mirë ku pasoi me 40 like, por pas një krahasimi ai e pa që nuk ishte ashtu. Prandaj vizioni dhe pamja e jashtme me trillime dëmton poezinë tej mase. Mirëqenia e saj gjithmonë shihet nga brenda prandaj edhe zemra nuk sheh por ndjen.
Ndërsa në anën tjetër kur temë bëhen Çmimet dhe rëndësia e tyre, poeti Selmani potencon se ai më para do të zgjidhte Çmimin Pulitzer sesa Çmimin Oscar për një rol, sepse poezia për të veçohet si një shpëtim nga një gjendje e çfarëdo lloji.
“Nëse nuk dhuron ndjeshmëri, atëherë nuk e quaj poezi”, shprehet Selmani duke uruar se një ditë ti arrijë ato.
Ndërkohë duke pranuar se poeti ka një cikël ku ai i shkruan letra autorëve ku vetëm dy prej tyre janë shqiptarë, pikërisht i pari është Halil Matoshi, të cilit iu interpretua poezia e pa lexuar më parë, me një përfundim: “Nuk njoh një të dalë mendsh më të bukur se ti”. Një përmbyllje kjo mjaft e lezetshme dhe unike, siç di edhe vet poeti ta sjellë në formën e tij. Ndërsa shqiptari tjetër që iu kushtua poezia është Armend Mazregut, miku i tij i afërt i cili momentalisht jeton në Kanada.
Ishte sakrifica ajo që dje solli të vërtetat ndaj familjarëve të pranishëm, një moment i këndshëm ku Nora Prekazi thotë “E kam sakrifikuar veten një kohë pa shkruar, një sakrificë e keqe që mohon Çlirimin brendësor. Do i sakrifikoja të gjitha, që të gjitha për tu ndjerë më së miri”, teksa duke buzëqeshur ajo iu drejtohet familjarëve në publik.
Prekazi për fund i shoqëroi pjesëmarrësit me poezitë e saj si: ‘‘Zell’, ‘Tymi’ dhe me poezinë e papërfunduar të titulluar ‘Njeri’ e cila flet për vuajtjen, zvarritjen e njeriut dhe se si është që të jesh njeri e të përtypësh hekur, po ashtu ajo krahason vështirësitë edhe me të vrapuarit nën ujë, pastaj e shfaq edhe si një flirtim me vdekjen.
Pas përmbylljes së veçantë të saj, po i vinte fundi edhe dy protagonistëve të tjerë ku Selmani për në fund shpalosi poezinë me domethënie enigmatike të titulluar ‘Amerikë’, ndërsa Matoshi na rikujtoi pandeminë, nga e cila edhe është frymëzuar të titullonte poezinë e tij ‘Stërkala drite’. Ai po ashtu rrëfeu se kërkimi adekuat dhe poetik e edhe shfletimi i fjalorit është i domosdoshëm për krijime poetike.
“Nëse duhet të harxhosh energji për poezinë atëherë shkruaj për vdekjen por për atdheun dhe poezinë duhet të jetosh e jo të vdesësh”, kështu Matoshi përmbylli natën poetike e cila përfundoi me duartrokitje të zjarrta që edhe dëborën që po binte jashtë, do ta shkrinte plotësisht.
Në mbrëmjen e organizuar në KultPlus, i pranishëm ishte edhe maestro, Primo Shllaku, që me madhështinë e tij shpalosi një rrëfim që publikun e la pa fjalë.
“Të flasësh për poezinë në Kosovën tonë e cila po ringjallet nga të gjitha pikëpamjet, kryesisht edhe nga ajo shpirtërore, treguesi autentik i ringjalljes është vetë poezia. Si njeri letrar kam qenë i orientuar në ngjarjet në Kosovë para viteve 90, ku kam konstatuar se Kosova është djepi i një shpirti autentik e poetik. Kam parë poetë të mëdhenj me presion të brendshëm që mezi përmbaheshin për të shpërthyer lavën e tyre. Si në rastin e Azem Shkreli, Rrahman Dedaj dhe Ali Podrimja ku në kushtet e trysnisë së madhe, në një pushtim real, poezia ishte e pa pushtueshme”, tha Shllaku.
Ai tutje u shpreh se në një pjesë kaq speciale shqiptare siç është Kosova, ka qenë i shëndetshëm fati ku poezia, arti, filmi e teatri nuk u bënë kurrë shkalla për ngjitjen në pushtet, përkundër në anën tjetër të Alpeve Shqiptare ku fati ishte shkatërrues dhe la shenja të cilat nuk mund të rikuperohen.
“Në Kosovë ka grupe të mira poeteshash të cilat unë i quaj ‘Amazone’, ku përmes artit poetik arrijnë të thonë shumë më tepër seç arrin të thonë burrat. Pra, ka një transferim të çuditshëm të revolucionit gjinor, e po ndodh pikërisht në terrenin e artit.”
Për Shllakun, poezia është momenti kur ne biem në shtrat, zëmë rahat mes çarçafëve, fikim dritën dhe mbesim me veten tonë. Aty është momenti i së vërtetës. Në atë moment askush nuk është aq i fuqishëm sa të gënjejë vetën e vet.
“Sonte këta njerëz të mrekullueshëm që ishin epiqendra e mbrëmjes, kanë bërë rrëfime konfesionale jashtëzakonisht të thella. Pra kanë pranuar për tu zhveshur në publik për të thënë se ‘ky jam, më shikoni nudo’, dhe ne e kemi parë, jo me mëshirë por me konkursin e brendshëm se ‘a mund të zhveshëm edhe unë si ky’?. Në qoftë se ne arrijmë me kriju këtë, ta dini se i kemi ata që mund të na prijnë”, përfundon ai.
Të pranishmit, të emocionuar pafund nga ky rrëfim, vazhduan bisedat rreth poezisë nën shoqërimin e melodive shqipe që ku më mirë tingëllojnë se në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com
‘