Edhe një medalje për Kosovën, Distria Krasniqi shkon në finale të Evropianit

Distria Krasniqi i ka siguruar Kosovës edhe një tjetër medalje të madhe në xhudo.

Krasniqi është kualifikuar në finale të Kampionatit Evropian në Zagreb, duke e siguruar kështu medaljen.

Me tri fitore dhe një tjetër pa luftë, Distria Krasniqi, u kualifikua në finale të Kampionatit Evropian të xhudos, që po mbahet në Zagreb”, thuhet në njoftimin e Komitetit Olimpik të Kosovës./KultPlus.com


	

Distria e fillon Evropianin me fitore bindëse

Distria Krasniqi e ka filluar me fitore bindëse paraqitjen në Kampionatin Evropian të xhudos në Zagreb.

Disitra është bartëse e parë në kategorinë deri 52 kilogramë. Në xhiron e parë ishte e lirë, ndërsa në të dytën e mposhti ukrainasen Anna Borodina. Ndaj saj realizoi uazari të shpejtë e më pas konfirmoi fitoren me Ippon, me mbërthim.

Flaka Loxha u ndal në luftën e parë në kategorinë deri 57 kilogramë. Ajo humbi në kohën shtesë nga kroatja Tihea Topolovec. Flaka i pësoi tri dënime.

Distria fiton medaljen e artë në Grand Slamin e Parisit

Distria Krasniqi ka firuar medaljen e artë në Geand Slamin e Parisit, në qytetin ku pas gjashtë muajve, do të organizohen Lojërat Olimpike, përcjell KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nga Komiteti Olimpik i Kosovë.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e KOK:

E A R T A D I S I

Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë në Grand Slamin e Parisit, qytetin ku pas gjashtë muajsh organizon Lojërat Olimpike Paris 2024.

Urime Disit, trajnerit Driton Kuka dhe FXHK-së.

RoadToParis2024 #kosovajudo

Grand Slami i Parisit: Distria Krasniqi fantastike, kualifikohet në gjysmëfinale

Distria Krasniqi po vazhdon me paraqitje fantastike në Grand Slamin e xhudos që po mbahet në Paris.

Kampionia olimpike ka arritur të kualifikohet në gjysmëfinale në kategorinë deri në 52 kilogramë, shkruan Gazeta Express.

Krasniqi në çerekfinale e mundi xhudisten nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Khorloodoi Bishrelt, pasi kjo e fundit mori tri penalizime, për t’u diskualifikuar nga gara.

Kësisoj, Distria në gjysmëfinale do të përballet me japonezen, Kisumi Omori.

Kujtojmë se Nora Gjakova u ndal në çerekfinale, por është ende në garë për medaljen e bronztë.

Në anën tjetër, Flaka Loxha u eliminua në raundin e tretë. / KultPlus.com

Distria Krasniqi kalon në finale të Kampionatit Evropian të xhudos

Distria Krasniqi po vazhdon me paraqitje fantastike në Kampionatin Evropian të xhudos që po mbahet në Montpellier të Francës.

Kampionia olimpike është kualifikuar në finale të Evropianit në kategorinë deri në 52 kilogramë, shkruan Gazeta Express.

Distria Krasniqi në gjysmëfinale ishte më e mirë se italiania Odette Giuffrida, e cila u diskualifikua pas tri penalizimeve.

Në finale, Distria do të përballet me xhudisten franceze, Amandine Buchard.

Kurse, në kategorinë deri në 57 kilogramë, Nora Gjakova do të ndeshet me gjermanen, Seija Ballhaus për medaljen e bronztë. /KultPlus.com

Krasniqi dhe Fazliu të parat në botë

Sot është publikuar ranglista e freskuar botërore e xhudos, shkruan KultPlus.

Trajneri Driton Kuka ka njoftuar për këtë përmes një postimi në “Facebook”.

“Sot Ranglista Botërore e Xhudos …
Kosova në dy kategori numër 1!
Disi 52 kg
Laura 63 kg
Kaq prej xhudos për sonte!
Laura për herë të parë mban numrin 1 në Ranglistën Botërore”, shkruan ai.

Suksesi madhështor i Distria Krasniqit po vazhdon, ndërsa suksese të mëdha ka arritur edhe Laura Fazliu. /KultPlus.com

Distria Krasniqi e argjendtë në Azerbajxhan

Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e argjendtë në Grand Slamin, që po mbahet në Azerbajxhan.

Distria në finale u mposht nga japonezja Kisumi Omori, në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Përndryshe, Distria në xhiron e parë ishte e lirë, në xhiron e dytë ajo mposhti me Wazaari, garuesen nga Brazili, Jessica Pereira.

Në çerekfinale mposhti me Ippon në sekondat e para, garuesen nga Maroku, Soumiya Iraoui.

Distria në gjysmëfinale mposhti me tri dënime për Ippon në vazhdime, garuesen italiane, Odette Giuffrida, nënkampione olimpike nga Rio 2016./KultPlus.com

Distria dhe Nora në finale të Grand Slamit të xhudos

Kampionet olimpike, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, janë kualifikuar në finale të Grand Slamit të xhudos, që po mbahet në Baku të Azerbajxhanit, përcjell KultPlus.

Krasniqi (-52 kg) fitoi tri luftëra, ndërsa Nora (-57 kg) katër.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Kulturës, Rinsë dhe Sportit duke ju dëshiruar suksese në finale. / KultPlus.com

Federata Ndërkombëtare e Xhudos e rangon të parën në botë Distria Krasniqin

Me të arritur suksesin në “Mastersin” në Budapest xhudoja kosovare ka prekur një nivel të ri, xhudistja Distria Krasniqi është ranguar si e para në botë, këtë më herët e kishte arritur vetëm Majlinda Kelmendi.

Federata Ndërkombëtare e Xhudos e ka ranguar prej të gjitha kategorive Distria Krasniqin të parën.

Xhudistja ka ndërruar kategori në vjeshtën e vitit 2021, ajo kishte fituar të artën olimpike në kategorinë 48 kilogramë me pas kaloi në kategorinë 52 kilogramë dhe tani është më e ranguara me 8,280 pikë si e para në botë./ KultPlus.com

Distria Krasniqi, xhudistja më e mirë në botë

Sportistja kosovare, Distria Krasniqi tashmë është shpallur xudistja më e mirë në botë për kategorinë deri në 52 kilogramë.

Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka treguar renditjen ku xhudistja kosovare ka mbledhur 7 mijë e 275 pikë, duke lënë prapa xhudisten britanike, Chelsie Giles, e cila ka marrë 7 mijë e 10 pikë dhe japonezen Uta Abe, e cila i ka 6 mijë e 800 pikë. / KultPlus.com

Distria kalon në rrethin e tretë në Botërorin e Katarit

Distria Krasniqi ka kaluar në rrethin e tretë të Kampionatit Botëror të xhudos, i cili ka nisur sot në Katar.

Xhudistja kosovare e kaloi rrethin e parë në kategorinë deri në 52 kilogramë pa luftë, ndërsa në atë të dytë e eliminoi gjermanen Mascha Ballhaus, shkruan “Gazeta Express”.

Kampionia olimpike kosovare shihet si njëra prej favoriteve për ta fituar medaljen e artë në Botërorin e Dohas.

Në kategorinë e “Disit” garoi edhe Erza Muminoviq, e cila u ndal qysh në luftën e parë. / KultPlus.com

Distria fantastike, kualifikohet në finale dhe i siguron Kosovës medalje

Distria Krasniqi ka arritur me sukses në finale të Grand Slamit të Tbilisit.

Xhudistja kosovare triumfoi në gjysmëfinale ndaj gjermanes Mascha Ballhaus, shkruan Gazeta Express.

Gjatë tërë ditës, Krasniqi tregoi formë fantastike, duke i arritur tri fitore.

Në finale, Krasniqi do të përballet me xhudisten nga Uzbekistani, Diyora Keldiyorova. / KultPlus.com

Xhudistja Distria Krasniqi rrëmben të artën në Paris

Distria Krasniqi ka mposhtur hungarezen Reka Pupp për ta rrëmbyer kështu medaljen e artë në Grand Slamin e Parisit.

Në përballjet që Disi ka pasur ndaj Rekas, vlen të theksohet se kjo është fitorja e saj e gjashtë, ndërsa ka pësuar vetëm një humbje.

Në gjysmëfinale të kategorisë deri 52 kg, Distria e mposhti francezen Amandine Bucharsld.

Ndaj saj dominoi plotësisht dhe fitoi me dy uazari, përkatësisht me Ippon./KultPlus.com

Sporti vazhdon të mbetet si ambasadori më i mirë për Kosovën

Uranik Emini

Sukseset e Kosovës në sport kanë rezultuar që kjo e fundi të ngritet në piedestalet më të larta të botës dhe emri i Kosovës e himni i saj të jehoi edhe në vendet të cilat nuk e kanë njohur vendin më të ri në Evropë, shkruan KultPlus.

Për të shkruar rreth sukseseve të Kosovës në xhudo, ju duhet të bëni kërkime më të mëdha, kjo për faktin se sukseset në këtë sport për Kosovën janë shumë më të mëdha sesa në shumë sporte të tjera.

Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Flaka Loxha, Laura Fazliu, Akil Gjakova e Loriana Kuka, shijuan suksese të jashtëzakonshme këtë vit, duke dëshmuar edhe një herë tjetër fuqinë që sporti ka si një ambasador nëpër shtete të ndryshme. Të prirë nga trajnerët Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi, xhudistët nga Kosova patën shumë suksese këtë vit.

Distria Krasniqi

Duke filluar nga Grand Prix në Portugali më 28 janar, ku zuri vendin e parë, Distria Krasniqi, shijoi suksese të shumta këtë vit. Fitoi medalje të argjendtë në Grand Slam të Parisit, ndërsa ishte e para në Grand Slamin “Tbilisi”, “XIX Mediterranean Games 2022” dhe “Jerusalem Masters 2022”.

Loriana Kuka & Laura Fazliu

Që të dyja ishin në formën e tyre më të mirë të karrierës. Kuka e cila shijoi suksese në “Sarajeva European Open 2022”, duke fituar vendin e parë dhe “XIX Mediterranean Games 2022”, duke u stolisur edhe një herë tjetër me medaljen e artë. Ndërkaq, Fazliu në kategorinë (-63 kg.) fitoi në përballje me Flavia Favorini për të fituar vendin e parë dhe gjithashtu pati suksese të mëdha edhe në “”XIX Mediterranean Games 2022”.

Granit Xhaka

Granit Xhaka qeshi i fundit në përballjen me Serbinë në Kupën e Botës të mbajtur në Katar këtë vit. Kapiteni i Arsenalit ishte në qendër të një përleshjeje masive mes dy grupeve të lojtarëve pas një përplasjeje me mbrojtësin serb, Nikola Milenkoviç. Milenkoviç po tentonte të mbronte topin për një goditje goli kur u përplas me Xhakën dhe shtyu mesfushorin. Xhaka nuk u ndal dhe dyshja u përball me lojtarët nga të dyja palët duke u përfshirë në një përleshje që gradualisht u kthye në mes të parkut. Të dy lojtarët morën karton të verdhë për problemet e tyre, me Xhakën që duhej të tërhiqej nga skena nga shokët e skuadrës ndërsa tensionet vazhduan të përshkallëzoheshin. Xhaka u kurorëzua si më i miri i ndeshjes, në fitoren 3-2 të Zvicrës ndaj Serbisë. Ai u vlerësua shumë për gjestin e madh që bëri në këtë takim, duke veshur maicën me emrin “Jashari” përpara gjithë stadiumit.

Xherdan Shaqiri

Paraqitjet briliante të Shaqirit në Kupën e Botës, nuk kanë munguar asnjëherë. Në këtë rast, Shaqa ndan një rekord të madh së bashku me dyshen e jashtëzakonshme, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi, duke qenë lojtarët e vetëm që kanë shënuar në tre botëroret e fundit. Për shqiptarët ishte gëzim edhe më i madh, për arsye se Shaqiri shënoi në portën e Serbisë, në fitoren 3-2 në Kupën e Botës.

FC Ballkani

Përpos që fituan për herë të parë në historinë e klubit të tyre, trofeun e Superligës së Kosovës, ekipi nga Suhareka shkroi histori edhe për diçka tjetër. Kosova për herë të parë po përfaqësohej në arenën ndërkombëtare nga një klub i Superligës së Kosovës dhe ishte pikërisht Ballkani që e bëri këtë gjë. Ballkani arriti që të fitojë një ndeshje, të barazojë një tjetër dhe të humb katër herë në mungesë të fatit dhe përgatitjeve të duhura për takimet evropiane. Me katër pikë të grumbulluara, historia e shkruar nga Ballkani do të jetë e pranishme çdo herë.

Kosova

Më 24 mars të këtij viti, Kombëtarja e Kosovës shënoi një fitore të madhe në takimin miqësor ndaj Burkina Faso, duke fituar me rezultat 5-0. Viti për Kosovën filloi mbarë. Më pas, në një tjetër takim miqësor, Kosova barazoi 1-1 me kombëtaren e Zvicrës, për të fituar më pas në kuadër të Nations League me rezultat 2-0 ndaj Qipros. Forma e mirë e Kosovës nuk ishte e tillë edhe në takimin me Greqinë, kur humbi 1-0 si mysafire më 5 qershor të vitit 2022. Edhe pse shënoi fitore në takimin me Irlandën e Veriut, 3-2, Kosova humbi edhe një herë tjetër nga Greqia, 2-0, dhe më pas edhe Irlanda e Veriut u hakmarr me rezultat 2-1 për të përfunduar ëndrrën e Kosovës në Nations League. Takimin e fundit në Nations League, Kosova e fitoi 5-1 në takim me Qipron. Ndërkaq, dy takimet e fundit, ai ndaj Armenisë dhe Ishujve Faroe përfunduan me barazim. 2-2 ndaj Armenisë dhe nga një gol shënuan secila kombëtare, Kosova e Ishujt Faroe më 19 nëntor.

Donjeta Sadiku

Boksierja Donjeta Sadiku mori medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të Budva, një sukses historik. Ajo gjithashtu siguroi medaljen botërore në Kampionatin Botëror të Boksit, që u mbajt në Stamboll të Turqisë.

Getta Beqa

Getta Beqa fitoi dy medalje ari në Kampionatin Mesdhetar IFBB, Maltë duke siguruar një sukses të madh në arenën ndërkombëtare. /KultPlus.com

Distria Krasniqi fiton medaljen e artë për herë të katërt në “Jerusalem 2022”

Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e artë në Mastersin e xhudos “Jerusalem 2022”.

Xhudistja kosovare e përsëriti këtë sukses për herë të katërt. Në finale të kategorisë deri në 52 kilogramë, Distria e mposhti britaniken, Chelsie Giles.

Ndërsa, 27-vjeçarja raundin e parë e kaloi pa luftë, teksa pastaj mposhti spanjollen, Ana Perez Box. Në gjysmëfinale triumfoi kundër Reka Pupp të Hungarisë.

Kampionia olimpike fitoi edhe 1800 pikë olimpike “Paris 2024”.

Më vonë do të luftojë edhe Nora Gjakova për medaljen e bronztë. / KultPlus.com

Sot feston ditëlindjen kampionia olimpike, Distria Krasniqi

Kampionia olimpike e Kosovës, Distria Krasniqi, feston ditëlindjen e saj të 27-të, shkruan KultPlus.

Krasniqi konsiderohet si një nga sportistet më të suksesshme në historinë e Kosovës.

Edhe trajneri Driton Kuka e ka uruar atë, përmes një postimi në “Facebook”.

“Urime Disi! Ditëlindja e Kampiones sonë Olimpike! 100 të lumtura dhashtë Zoti”, shkruan Kuka.

Ajo mori një medalje të artë në garën e xhudos 48 kg në Lojërat Olimpike Verore 2020 në Tokio. Në gusht të vitit 2021, ajo u nderua me dekoratën “Nderi i Kombit “të Shqipërisë nga Presidenti i Shqipërisë. /KultPlus.com

Një IPPON i jashtëzakonshëm nga Distria Krasniqi (VIDEO)

Distria Krasniqi, kampione olimpike, aktualisht është në garë për ekipin e Galatasaray të Turqisë në Ligën e Kampionëve në Xhudo, shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje e nivelit të lartë është për klubet evropiane të xhudos.

Marrëdhëniet e Federatës Kosovare me Galatasarayn janë shumë të mira, prandaj shpesh here kemi parë xhudistet nga Kosova që të përfaqësojnë ekipin turk.

Distria e nisi garën me një fitore mjaft të bukur. /KultPlus.com

Distria Krasniqi fiton medaljen e bronztë në botërorin e xhudos 

Kampionia Olimpike, Distria Krasniqi fitoi medaljen e bronztë në botërorin e xhudos, që po mbahet në Tashken të Uzbekistanit.

Ajo në luftën për medalje mundi izraeliten, Gefen Primo në kategorinë 52 kg.

Në raundin e parë, Distria kaloi pa luftë, kurse në të dytin triumfoi me IPPON për 30 sekonda. / KultPlus.com

Kosova përfaqësohet nga 4 xhudistë në Kampionatin Botëror të xhudos, mungon kampionia olimpike

Ekipi i Kosovës në xhudos do të marrë pjesë në garën më të rëndësishme, që prej përfundimit të Lojërave Olimpike Tokio 2020. Është Kampionati Botëror i xhudos, që prej 6 deri më 13 tetor 2022 do të mbahet në Tashkent të Uzbekistanit.

Kosova përfaqësohet me katër garuese. Ekipit i prinë Distria Krasniqi, që garon në kategorinë deri në 52 kilogramë, Flaka Loxha (-57 kg), Laura Fazliu (-63 kg) dhe Loriana Kuka (-78 kg).

Krasniqi është kampione olimpike Tokio 2020 dhe medaliste e bronztë e botës 2019, Kuka është medaliste e bronztë e botës 2019, ndërsa Fazliu që po shijon formë të mirë këtë vit, është nënkampione e Evropës 2022. Loxha dalëngadalë po ngritet në nivele të larta. Të gjithë janë bursistë olimpikë për Lojërat Olimpike Paris 2024.

Botërorit do t’i mungojnë familja Gjakova, Nora dhe Akili. Të dy sipas trajnerit Driton Kuka mungojnë shkaku i lëndimeve. Nora është kampione olimpike Tokio 2020, ndërsa vitin e kaluar fitoi medaljen e bronztë në Botëror, në kategorinë -57 kg. Akili është kampion i Evropës 2021, kategoria -73 kg dhe vendi i shtatë në Tokio 2020.

“Xhudistët tanë nisin garat të premten, kur në tatami është Krasniqi. Loxha, garon të shtunën, Fazliu të dielën, ndërsa të martën Kuka”, thuhet në njoftimin e Komitetit Olimpik të Kosovës. 

Kampionati Botëror është gara që sjell më së shumti pikë olimpike për Paris 2024.

Ndërkaq, Krasniqi mbetet një nga favoritet për të sjellë medalje në Kosovë. /KultPlus.com

‘Ti ke forcën që nderon kombin’, Distria Krasniqi pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte njoftuar para disa javëve se kampionia olimpike nga Kosova, Distria Krasniqi, do të jetë pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, shkruan KultPlus.

Përmes një njoftimi në rrjete sociale, Ministria e Mbrojtjes ka shpërndarë një fotografi të Krasniqit, duke shkruar se Ti ke forcën që nderon kombin’.

“Distria KRASNIQI, xhudistja e pamposhtur nga Kosova fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. E para në botë në kategorinë deri në 48 kilogramë me 5,920 pikë. Distria, është pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura që nga viti 2021”, thuhet në postimin e tyre.

Ndërkaq, Krasniqi po bëhet gati edhe për Lojërat Olimpike 2024, që do të mbahen në Paris. /KultPlus.com

Kuka kërkon që punësimi të jetë praktikë edhe për trajnerët

Gjatë ditës së sotme është njoftuar se Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova do të jenë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Kuka, ka thënë se me këtë vendim po avancohen të drejtat e sportistëve që arrijnë rezultate kulminante.

Ai gjithashtu ka thënë se Qeveria Shqiptare duhet që patjetër të parasheh që punësimi të jetë praktikë edhe për trajnerët.

Postimi i plotë:

“Kampionet Olimpike do jenë me vendim të qeverisë Shqiptare bartëse të titullit të Nderit- Kolonel të Ushtrisë Shqiptare,të kuptohem Grada Nderi dhe poashtu do kenë paga Mujore! Kryeministri Shqiptar Edi Rama me këtë vendim po avancon të drejtat e sportistëve që arrijnë rezultate Kulminante! Luiza Gega dhe Briken Calja poashtu do mbajnë gradën e nderit Kolonel. Praktika e Shtetit Shqiptar është praktikë në pothuajse çdo shtet Evropian! Praktikë që jemi duke e diskutuar me Ministrin Çeku të filloj edhe në Kosovë.Patjetër që duhet kritere të veçanta e jo ndryshe! Por që është praktikë e mirë sdiskutohet aspak. Qeveria Shqiptare patjetër duhet të parasheh që punësimi të jetë praktikë edhe për trenerët! Prapë me kritere të veçanta.Spo flas për veten time aspak! Nga Shteti Shqiptar do doja vetëm Pasaportën Shqiptare sepse e kam për zemër!Krenar me Sportistët tanë Shqiptar kudo që janë Shqipëri e Kosovë …Pa komente politike ju lutem”, thuhet në postimin e Driton Kukës. /KultPlus.com

Nën gradën kolonel – Nora Gjakova, Distria Krasniqi pjesë e Ministrisë së Mbrojtjës në Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook” se Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi do të jenë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Postimi i plotë:

“TRIUMFI HISTORIK I LUIZA GEGËS SI PASQYRË E MEXHELISIT TONË SOCIAL-POLITIK

Në një botë ku faktet janë gjithnjë e më të shpërfillura dhe mllefet e inatet gjithnjë e më shumë alternativë e fakteve, mexhelisi politik e mediatik shqiptar është kthyer në një “çmendinë”, që përditë çmend dynjanë!

Kjo s’është diçka e re dhe s’do t’i shkruaja këto rreshta, sikur të mos isha mahnitur nga çmenduria që plasi sheshit bashkë me triumfin historik të Luiza Gegës. Shenjat e para të çmendurisë u panë qysh në fillim, kur nisën edhe zërat që uronin Luizën për të sharë qeverinë. Qeveria e poshtër e kishte braktisur e syrgjynosur deri në Afrikë, vajzën e shkretë të jetimores së sportit shqiptar – ndërkohë që në fakt Luiza është mbështetur nga kryebashkiaku i Tiranës, për t’u stërvitur në lartësinë mbi 3 mijë metra të Kenias, ku stimulohet rritja e rruazave të gjakut.

Por shpërthimi çmendurak mori dhenë, kur kampionia e re e Europës u prit në kryeministri, për t’u nderuar siç i takonte pas një triumfi të paparë në historinë e sportit shqiptar. Kampionët e urrejtjes profesionale, modele të mbrapshta publike, që ushqejnë mllefin dhe yshtin inatin anonim të rrjeteve sociale, u lëshuan me tërbim në ekrane e portale, duke e komentuar ngjarjen si pengmarrje të Luizës për propagandë apo deri si shitje të shpirtit të saj tek regjimi!…

Foli më shumë se njëherë kampionia me gojën e saj, për si dhe sa shumë kanë ndryshuar gjërat, si është mbështetur sporti dhe ajo vetë vitet e fundit, e qysh mbështetja financiare ia ka bërë më të lehtë rrugëtimin e saj drejt majës. Madje ajo, vajzë e rrallë, me një mirësjellje mbresëlënëse, nuk harroi të dërgonte mesazhi falenderimi nga Mynihu, kur në fakt falenderimet i takonin vetëm e vetëm asaj. Po ku kanë veshë të dëgjojnë ata që edhe Amerikën duan ta mbrojnë nga ambasadorja amerikane, jo më Luiza Gegën nga unë!

Halli i madh këtu është se e keqja, e cila ka marrë formën e vorbullës marramendëse të lajmeve të rreme, fabrikimit të fakteve alternative, gjobave mediatike e sulmeve politike, të përziera me garuzhden e vjetër të egërsisë provinciale, ka dalë jashtë të gjithë kufijve të njerzillëkut më bazik. Helmimi i përditshëm i gjakut të shoqërisë është kthyer në rutinë dhe faktet trajtohen si opinione, ndërsa opinionet imponohen si fakte me inat, mllef e urrejtje të pangushëllueshme. Kur thua të vemë ndonjë rregull ligjor, se ky ortek llumi do të fundosë çdo vlerë njerzillëku e normë bashkëjetese shoqërore, duke e varrosur si qen të ngordhur, mundin e prindërve e përpjekjen e shkollës për edukimin e fëmijëve, të ngrihen e të thonë jo! Duhet veç vetërregullim, po se si e qysh do të ndodhë ky vetërregullimi nuk ta thotë dot kush! Nejse, s’është ky qëllimi i këtij shënimi të gjatë.

Sot unë dua të këmbëngul tek faktet! Pa asnjë shpresë se do të dalë kush e t’i kërkojë falje Luiza Gegës, se për falje lexuesve as bëhet fjalë. Por me bindjen që sidoqoftë, faktet u duhen atyre që kanë ende respekt për veten e për të vërtetën e mbështetur mbi fakte.

E PARA, sot nuk ka më protagonistë të braktisur të sportit, po ka sistem shpërblimesh për protagonistët, miratuar me vendim qeverie kohë më parë dhe në bazë të të cilit:

Për vitin 2021 kanë përfituar shpërblim në bazë të rezultateve në arenën ndërkombëtare 14 protagonistë, 7 sportistë dhe 7 trajnerët e tyre. Ndërsa për vitin 2022 kane përfituar 44 vetë, 22 sportistë dhe 22 trajnerët e tyre, për rezultate të larta ndërkombëtare. Gjithashtu, për herë të parë, janë dhënë shpërblime edhe për kampionë Ballkani, ndër ta edhe për Luiza Gegën.

E DYTA, sot nuk ka më shpërblime spontane për ata që nderojnë flamurin kuqezi në arenën ndërkombëtare dhe nuk ka më as harresa, për të paguar detyrimet që burojnë nga vendimi përkatës i qeverisë. Bashkëngjitur vendimi, të cilin jam i bindur që urrejtësit profesionistë të ekraneve e të portaleve, të cilët e duan me zor çdo gjë në Shqipëri sa më zi, e që edhe triumfin e Luiza Gegës e përdorën si zift për ta derdhur mbi armikun politik, nuk do ta lexojnë https://qbz.gov.al/…/024170e9-1ddf-429b-b0f6-8705f4bd33ff

E TRETA, sot nuk ka më vetëm shpërblime për rezultatet më të larta, po edhe trajtim të përhershëm për kampionët ndërkombëtarë shqiptarë, përfshirë edhe shqiptarët e Kosovës! Bazuar në një tjetër vendim qeverie të disa viteve më parë, “Për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe përfitimin e trajtimit për përgatitjen sportive të sportistëve, që përfitojnë statusin e nivelit të lartë”, janë punësuar si më poshtë nga Ministria e Mbrojtjes:

1.Atletja Luiza GEGA.

2. Peshëngritësi Briken CALJA.

3. Xhudistja Nora GJAKOVA.

4. Xhudistja Distria KRASNIQI.

5. Xhudisti Indrit ÇULLHAJ.

6. Atleti Ilir KËLLEZI.

7. Peshëngritësi Ilirian SULI.

E KATËRTA, sot nuk ka më ndalesë në rrugën e progresit, që nënkupton edhe përmirësime e korrigjime të vazhdueshme të punës sonë, në shërbim të vendit dhe njerëzve të këtij vendi. Ministria e Mbrojtjes ka propozuar disa kohë më parë ndryshime ligjore, të cilat do të mundësojnë përfshirjen e kampionëve ndërkombëtarë në rangun e gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe krijimin e një strukture speciale, ku ata do të angazhohen si mentorë të ushtarëve tanë, me pagën sipas gradës, në shërbim të atdheut deri në daljen e tyre në pension. Këto ndryshime i shërbejnë njohjes së kontributit të sportistëve në promovimin dhe lartësimin e emrit të vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Ligji është në fazën e bashkërendimit me institucionet e linjës, pasi është përmbyllur konsultimi publik dhe në mes të shtatorit do të hyjë në procedurën parlamentare.

Sportistët e punësuar aktualisht pranë Ministrisë së Mbrojtjes, që do të përfitojnë nga ky ligj gradën e kolonelit janë:

1. Luiza GEGA – “Kolonel”

2. Briken CALJA – “Kolonel”

3. Nora GJAKOVA – “Kolonel”

4. Distria KRASNIQI – “Kolonel”

DHE E FUNDIT, kur flitet për sportin të gjithë jemi në borxh, me këtë vend dhe rininë e këtij vendi, por ama kur flitet me fakte për mbështetjen për sportin, nuk ka asnjë krahasim të imagjinueshëm, se të mundshëm jo e jo, mes këtyre viteve të qeverisë sonë dhe të gjitha viteve të tjera bashkë. Pa ekzagjerim, as dita me natën nuk dallojnë kaq shumë sa këto dy periudha për sportin. Natyrisht do të kishim dashur të bënim më shumë më shpejt, por kur kujtoj se nga jemi nisur, them lavdi Zotit që ia kemi dalë të bëjmë sa kemi bërë. Ndërkohë që patjetër, padiskutim, edhe në sport dallimi mes ku jemi dhe ku duhet e duam të jemi është ende shumë i madh.

Si përfundim, jam i bindur që as tërë këto fakte nuk do të hedhin dot dritë mbi shpirtrat katran, ku merr jetë urrejtja profesionale e mendjembrapshtëve që e përndjekin këmba-këmbës këtë vend, qysh nga dita e krijimit të alfabetit shqip. Por s’kemi ç’bëjmë tjetër përveçse të marrim shembull nga Luiza Gega:

Të vrapojmë më shpejt”, thuhet në postimin e Ramës. /KultPlus.com