Vajzat dhe gratë e Kosovës që shkëlqyen në botë – Distria Krasniqi

KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.

Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.

Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.

Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.

Në vazhdim, KultPlus ua sjell xhudisten kosovare, Distria Krasniqi e cila ka shkëlqyer në “Grand Prix Almada 2022”.

Kampionia olimpike ia doli ta fitojë medaljen e artë në garën që u mbajt në Portugali.

Gjithashtu, Distria Krasniqi është shpallur fituese e Medaljes së Artë në Lojërat Olimpike 2021.

Po ashtu, Federata Ndërkombëtare e Xhudos pati shpallur xhudisten nga Kosova, Distria Krasniqi, si xhudisten më të mirë për vitin 2021 në xhudo. / KultPlus.com

Driton Kuka krenar me Loriana Kukën: Rikthim i suksesshëm pas pauzës së gjatë

Xhudistja nga Kosova, Loriana Kuka, së fundmi është shpallur kampione në European Open Sarajevë, duke fituar medaljen e artë në finale, shkruan KultPlus.

Për këtë sukses, trajneri më i sukesshëm në histori të Kosovës, Driton Kuka, ka thënë se ishte një rikthim i suksesshëm pas pauzës së gjatë.

“European Open Sarajevë!
Kupë Botërore …
Loriana Kuka e artë!
Comeback i suksesshëm pas pauzês së gjatë!
Shënoj 4 fitore në finale mposhti Italianen Politi dhe kështu nisi rrugëtimin e saj drejt Paris 2024!
Shpati Zekaj vendi 7 plasman solid jam i sigurt që do avancoj tutje!
Fatjona e Fisniku shenuan nga një fitore mandej pësuan u plasuan 09-16 në kategoritë e tyre!
Pa plasman mbeti Arbër Kullashi”, shkroi trajneri në “Facebook”.

Distria Krasniqi në këtë muaj fitojë medaljen e argjendtë në Grand Slam të Parisit. /KultPlus.com

Një tjetër arritje madhështore, Krasniqi e argjendtë në Paris

Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, me një tjetër sukses madhështor, fiton medaljen e argjendtë në Grand Slam të Parisit, shkruan KultPlus.

Amandine Buchar arriti që me shumë vështirësi të fitojë në përballje ndaj xhudistes nga Kosova, Distria Krasniqi.

Komentatorët e kësaj ndeshje e vlerësuan meçin si diçka të jashtëzakonshme, dhe ndoshta më të mirin në këtë garë.

Disi u tregua mjaftë e suksesshme në disa përpjekje të cilat i bëri, mirëpo në “Golden Score”, Buchar tregoi fuqinë e saj duke fituar medaljen e artë.

Kosova siguron medalje në Paris, Distria Krasniqi arrin në finale

Distria Krasniqi ka arritur të kualifikohet në finale të Grand Slamit në Paris, duke mposhtur zviceranen Fabienne Kocher me IPPON, shkruan KultPlus.

Krasniqi u tregua shumë e suksesshme në përballjet e saj dhe rrjedhimisht ka arritur kualifikimin në finale.

Chelsie Giles dhe Khorloodoi Bishtrelt janë kundërshtaret e mundshme të Krasniqit në finale.

Në Grand Prix të Portugalisë, Distria fitoi medaljen e artë dhe të njëjtën gjë po synon edhe tani. /KultPlus.com

Distria Krasniqi në ‘gjueti’ për medalje, siguron gjysmëfinalen në Paris

Xhudistja nga Kosova, Distria Krasniqi, pas një meçi shumë të vështirë ndaj kundërshtares Chelsie Giles, në fund ka arritur edhe ta fitojë përballjen, shkruan KultPlus.

Në Grand Slamin e Parisit, Krasniqi me shkronja të arta në shpinë si një kampione olimpike, ka siguruar gjysëmfinalen.

Në kategorinë 52 kilogramë, Krasniqi në gjysëmfinale do të përballet ndaj zviceranës Fabienne Kocher.

Kosova në këtë Grand Slam po përfaqësohet nga katër xhudistë. /KultPlus.com

Distria Krasniqi me fitore të madhe, në Paris mposht francezen Mosdier

Distria Krasniqi ka arritur që të marrë edhe një tjetër fitore në kuadër të Grand Slamit në Paris, shkruan KultPlus.

Disitra po përballet për herë të dytë në kategorinë -52 kilogramë dhe tani vazhdon rrugëtimin në raundin e tretë ku do të përballet me Chelsie Giles.

Në një përballje me nikoqiren Anais Mosdier, Krasniqi arriti që brenda 2 minutave të fitojë me IPPON.

Kosova po përfaqësohet me katër xhudistë në këtë garë, ku së bashku me Distrien janë edhe Akil Gjakova, Laura Fazliu dhe Flaka Loxha.

Presidentja Osmani: Distria Krasniqi me sukseset e saj prej kohësh është bërë ikona e Kosovës së sotme



Sot xhudistja kosovare Distria Krasniqi ka fituar medaljen e artë në Grand Prix të Portugalisë, duke bërë një popull shqiptar, krenarë, shkruan KultPlus.

Ndërsa sot Presidentja Vjosa Osmani nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale e ka uruar xhudisten tonë, duke e cilësuar atë si një ikonë të sotme të Kosovës.

“Distria është fytyra e shtetit tonë, ajo është nderi dhe krenaria!”, ka shkruar Osmani.

Më poshtë gjeni postimi e plotë të saj:

Disi jonë fitoi medaljen e artë në Grand Prix të Portugalisë.

Krenare që sportistët tanë vazhdimisht po demonstrojnë formë fantastike në gara ndërkombëtare, duke e nderuar veten dhe shtetin.

Distria është fytyra e shtetit tonë, ajo është nderi dhe krenaria!

I lumtë që me sukseset e saj prej kohësh është bërë ikona e Kosovës së sotme! / KultPlus.com

Distria Krasniqi fiton medaljen e artë në Grand Prix të Portugalisë

Distria Krasniqi e ka vazhduar rrugën e suksesit.

Xhudistja pejane ka shkëlqyer sot në “Grand Prix Almada 2022”.

Kampionia olimpike ia doli ta fitojë medaljen e artë në garën që po mbahet në Portugali.

Krasniqi i deklasoi një nga një kundërshtaret në kategorinë deri në 52 kilogramë, ku u rikthye pas pensionimit të Majlinda Kelmendit. Ajo në finale e mposhti me Ippon garuesen kroate, Ana Viktorija Puljiz.

Paraprakisht, ajo e kaloi rrethin e parë pa luftë. E në atë të dytë e mundi me Wazaari dhe me tri dënime për Ippon francezen Leonie Gonzalez.

Në rrethin e tretë, xhudistja pejane ishte më e mirë se spanjollja Ariane Tori Soler, të cilën e mposhti me tri dënime për Ippon. Me këtë rast, ajo u kualifikua në gjysmëfinale. / KultPlus.com

Distria Krasniqi mposht francezen Leonie Gonzales, kualifikohet për çerekfinalen e Grand Prix të Portugalisë

Xhudistja nga Kosova, Distria Krasniqi, e ka hapur me fitore aventurën e saj të parë për vitin 2022, shkruan KultPlus.

Në Grand Prix të Portugalisë, ajo u ndesh në raundin e dytë ndaj francezes Leonie Gonzalez, në kategorinë 52 kilogramë.

Gjatë gjithë meçit, Krasniqi tregoi shpirtin e saj luftarak me ç’rast arriti edhe ta fitoi këtë përballje.

Krasniqi ka kaluar në fazën qerek-finale dhe po pret për kundërshtaren e saj.

Në këtë Grand Prix janë duke garuar katër xhudiste nga Kosova./ KultPlus.com

Distria Krasniqi: Jam e gëzuar që jam bërë kampione olimpike me Kosovën, por edhe me Shqipërinë do të ishte e njëjta krenari

Uranik Emini

Disa njerëz veçohen në shoqëri se janë të lindur për të qenë të suksesshëm dhe si të tillë, me gjithë atë presion mbi supe, rezultojnë të arrijnë majat e botës dhe rrjedhimisht të bëjnë krenar një popull të tërë, shkruan KultPlus.

Rast i tillë është edhe ai i Kampiones Olimpike, Distria Krasniqi, e cila ka punuar me sportin e xhudos që kur ishte një fëmijë i vogël.

Me këmbënguljen e madhe të vëllait të saj, Krasniqi filloi që të merrej me sportin e xhudos, duke mos menduar asnjëherë që një ditë do të bëhej më e mira e botës.

“Kur vëllai im ka këmbëngulë që unë me u marrë me këtë sport, më ka njoftuar se ka shumë vajza që kanë filluar xhudon, dhe realisht unë fillova duke e marrë fillimisht si lojë, me njohjen e shoqeve të reja, por me kalimin e kohës e kam pa se është një diçka më shumë se lojë dhe kam vazhduar me u marrë seriozisht me të”, thotë Krasniqi në një intervistë për KultPlus.

JudoInside - News - Distria Krasniqi full of confidence after Budapest gold

Puna e jashtëzakonshme ekipore dhe vullneti i madh i trajnerit Driton Kuka për të nxjerrë kampionë nga vendi më i ri në kontinentin e vjetër, rezultoi të ishte aq i suksesshëm edhe pse dukej e pamundur në fillim.

Takimi i parë me Tonin dhe njohja me të filloi shumë më herët përpara se Krasniqi të merrej me këtë sport.

“Toni ka qenë mik me babin tim edhe para se të filloja xhudon. Ai ka insistuar që vëllai të fillojë me xhudo dhe pastaj edhe unë, por njohja me të ka filluar përpara se të merrem me xhudo”, e shpjegon 26 vjeçarja.

Edhe pse e angazhuar me shkollën, kjo e fundit nuk e pengoi asnjëherë që të angazhohej në të gjitha aktivitetet e xhudos që ka zhvilluar ndër vite Krasniqi.

“Xhudo nuk është se ka pasur një ndikim shumë të madh në jetën time të shkollës, mirëpo gjatë shkollës së mesme në klasën e 12-të kam pasur udhëtime të shumta dhe profesorët dhe shkollat kanë pasur tolerancë ndaj meje edhe ndaj gjithë xhudistëve tjerë”, thotë tutje ajo.

Suksesi për të kishte ardhur më vonë, derisa Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova kishin shënuar të parat suksese mbarëkombëtare për të ngritur në piedestalet më të larta të botës emrin e Kosovës.

“Unë jam ma e re se Nora dhe Majlinda, dhe natyrisht që këto kanë pasur rezultate përpara meje. Pas këtyre kam ardhë unë, dhe çdo herë kur këto dyja janë lënduar mund të them se e kam nxjerrë ekipin nga momenti. Gjithmonë e kam dëshmuar vetën kur më është dhënë mundësia, por padyshim që mbështetja e Tonit ka qenë e vazhdueshme dhe unë gëzohem që në fund ia kam vërtetu ato se çfarë ka deklaruar”, shprehet xhudistja.

Gjatë kalimit të viteve dhe përmirësimit të jashtëzakonshëm që kishte shënuar Kosova, trajneri, Driton Kuka shprehej i gatshëm që të dhuronte një kampione për të përfaqësuar Shqipërinë në Kampionatet Evropiane dhe Lojërat Olimpike.

“Unë kam qenë shumë e re në moshën kur Toni ka deklaruar se është i gatshëm që t’ia japë një kampione olimpike për përfaqësim shtetit të Shqipërisë, por prapë unë do të kisha pasë dëshirë që ta përfaqësoja Shqipërinë edhe Kosovën. Jam e gëzuar që jam bërë kampione olimpike me Kosovën, por edhe me Shqipërinë do të ishte njëjtë”, thotë Krasniqi, duke dëshmuar se lidhja e madhe që kemi me Shqipërinë vazhdon të burojë gjithmonë në trupin tonë.

Vështirësitë e jashtëzakonshme nëpër të cilat Kosova ka kaluar ndër vite, kanë ndikuar patjetërsisht në zhvillimet e të gjitha sferave.

“Është shumë e vështirë, infrastruktura dhe gjitha gjërat që i kanë shtetet tjera ne nuk i kemi, ata kanë miliona xhudistë dhe e kanë më të lehtë që të bëjnë nxjerrjen e numrave të xhudistëve, ne kemi 20 ose një numër të ngjashëm. Mendoj që më e vështirë është që të jesh trajner sesa xhudist. Toni shpesh herë ka qenë edhe një doktor, edhe një psikolog edhe ka bërë punë shumë të tjera. Një gjë të tillë nuk e kanë vendet e tjera, pasi 5 trajnerë kryejnë punë të ndryshme”, tregon ajo, duke veçuar edhe një herë tjetër punën e madhe që bën trajner Kuka.

E pyetur mbi pjesën e të ardhmes së Kosovës dhe gjeneratave të reja që po vijnë, ajo shpreson se Majlinda mund t’i afrohet sukseseve të trajnerit më të suksesshëm që ka pasur ndonjëherë Kosova.

“Shpresoj që do të kemi sukses edhe në të ardhmen. Gjeneratat e reja janë duke ardhur tani dhe duken të jenë shumë të suksesshëm. Unë shpresoj që do të dalin edhe trajnerë të ndryshëm sikurse Toni, besoj shumë që Majlinda do t’i afrohet shumë sukseseve të Tonit”.

Medaljet e pafundme në Grand Slam-et dhe Grand Prix-et e zhvilluara, Krasniqi i konsideron vetëm teste për të parë se sa e përgatitur është ajo në Lojërat Olimpike dhe Kampionatet Evropiane.

“Të jesh kampione olimpike është një ndjenjë shumë e mirë. Të shohësh veten pas testimeve të ndryshme që ndodhin dhe të arrish rezultate është diçka e madhe. Grand Slam dhe Grand Prix për mua janë si teste ose mësime që të përmirësoj gabimet e mia, që të jem super e gatshme për garat e mëdha siç janë Kampionet Evropiane dhe Lojërat Olimpike. Kur fiton në këto gara e sheh se je në formë të mirë, sidomos është një gëzim i madh kur e sheh edhe emocionet e popullit të Kosovës”, thotë kampionja e Kosovës.

“Sakrifikimi” për të mos marrë pjesë fare në Lojërat Olimpike dhe ta lë gjithë fatin e Kosovës dhe shpresat në duart e Majlindës, në fund rezultuan të sakta.

“Arsyeja kryesore e mungesës sime në Lojërat Olimpike “Rio 2016” ka qenë për arsye se në këto gara një xhudist përfaqëson vetëm një kategori. Atëherë ka qenë Majlinda duke marrë pjesë, edhe pse unë e kam pasur normën olimpike të siguruar, por nuk mund të merrnim pjesë dy xhudistë në një kategori”.

JudoInside - Distria Krasniqi Judoka

Suksesi i madh i xhudistëve nëpër gara të ndryshme, shpesh herë rezultoi që në fund të garave të ketë një finale kosovare, e me ç‘rast Kelmendi dhe Distria janë përballur dy herë kundër njëra tjetrës në finale të garave.

“Kemi qenë dy herë së bashku në finale, Lisbonë dhe Budapest, ka qenë gjithmonë e vështirë me u përballë me të. Nuk kemi se çfarë të flasim për të, i ka arritë të gjitha. Gjithmonë ka qenë e vështirë me u mposhtë. Unë besoj që kur Majlinda ka qenë në formë të mirë, ajo ka qenë 20 për qind më e fortë se të gjithë kundërshtaret e saj”, – e përsëritë edhe një herë 26 vjeçarja, e cila tregon modestinë e saj të madhe.

Të punosh me dikë dhe ta njohësh atë që nga fëmijëria mund edhe të nxisë inate mes vete, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur në kampin ku Toni ka qenë trajner.

“Nuk është vështirë me punu bashkë, ne jemi rritur të gjithë bashkë dhe kemi kaluar më shumë se 20 vite së bashku. Kalojmë më shumë kohë së bashku sesa me familjen ndoshta. Jemi mësuar me njëri-tjetrin dhe nuk punojmë vetëm për vete, i njohim kundërshtarët e secilit dhe e ndihmojnë për gjithçka njëri-tjetrin”.

Kosova në Lojërat e fundit Olimpike, pra ‘Tokio 2022’, u rendit si vendi më i suksesshëm në botë pas Japonisë në xhudo, e për këtë tregojnë më së miri kundërshtarët e xhudistëve nga Kosova.

“Gjithmonë në xhudo, kundërshtarët më të vështirë janë nga Japonia, ata e kanë sportin kryesor xhudon dhe synojnë gjithnjë medaljen e artë. Japonezet kanë qenë kundërshtarët më të vështira, sidomos në Lojërat Olimpike.”

Kosovo celebrates 2nd-ever Olympic medal at Tokyo Games | CBC Sports

Në garat e zhvilluara në Masters të Kinës, Krasniqi arriti që të fitojë të gjitha duelet në më pak se 30 sekonda, duke vendosur kështu një rekord.

“Kam qenë e përgatitur në gara, por në sport varet shumë në qoftë se është “dita jote”. Mundesh me qenë në disponim të madh, por gjithçka mundet me ra poshtë në qoftë se nuk është dita jote. Në një garë të cilën e kam zhvilluar në Masters në Kinë, ka qenë momenti kur asnjë luftë nuk më ka zgjatë më shumë se 30 sekonda, e këtu pikërisht është pjesa e një dite të mirë”, shpjegon tutje ajo.

Pjesa më e vështirë dhe më problematike në sport janë padyshim lëndimet, të cilat mund të ndikojnë që shpesh herë edhe të tërhiqeni nga sporti, megjithatë një fat i tillë nuk e ka ndjekur aspak Krasniqin.

“Lëndime kam pasur në gjurin e majtë por nuk kam pasur ndërhyrje kirurgjike. Kam pushuar vetëm pak dhe përsëri jam rikthyer e gatshme. Shpresoj që mos t’i kem këto lëndime”.

Pjesa që e bën një popull më së shumti krenar, është atëherë kur flamuri ngritet në vende të zhvilluara dhe të njohura të botës. Për Kosovën, një gjë e tillë është më ndryshe, kjo për faktin se disa vende ku zhvillohen gara të rëndësishme, nuk e njohin shtetin më të ri në Evropë dhe rrjedhimisht ngritja e flamurit në këto vende shpreh një krenari më të madhe.

“Në vende të cilat nuk na kanë pranuar ende, është një ndjenjë e veçantë. Në një moment në Spanjë është diskutuar shumë në qoftë se duhet të ngritet flamuri ynë apo jo, po ka qenë një ndjenjë e mirë që e kam marrë medaljen e artë dhe në fund e kemi ngritur Kosovën. Kemi pasur momente të tjera kur Majlinda e Nora kanë shënuar suksese edhe në Rusi e vende të tjera”.

NOC KOSOVO 🥇🥇🥇 a Twitter: "PROUD🙋‍♂️🇽🇰 5⃣ years ago today Russian  soldiers saluted #Kosovo flag🇽🇰 and anthem during judo medal ceremony,  thanks to our pride Majlinda Kelmendi🥇🥋 #JudoKazan2016 #KosovaFlag  https://t.co/p7tVIxAjkz" / Twitter

Një pjesë të veçantë dhe padyshim një mësim për të gjithë njerëzit, Krasniqi e ndau me të gjithë, duke treguar se sa shumë ndikojnë rrjetet sociale dhe komentimi nëpër të ashtuquajtura “dështime” te të gjithë sportistët. Fakti që Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe shumë sportistë të tjerë qëndrojnë larg rrjeteve sociale është pikërisht për faktin se komentet negative mund të dërgojnë edhe deri në “depresion”.

“Rrjetet sociale dhe largësia ndaj tyre. Nuk i përdorim shumë rrjetet sociale, i kemi pasur kur kemi qenë më të reja por ka ndodhë një rast kur Majlinda ka humbë në Lojërat Olimpike në Londër, dhe pothuajse shumica e popullit kanë dhënë komente negative dhe sharje të ndryshme. Kjo gjë ka ndikuar shumë tek ajo, e pothuajse Majlinda ka rënë në depresion. Kemi shembuj edhe nga xhudistë të tjerë nga vende të ndryshme të cilat nuk i përdorin gjithashtu rrjetet sociale, kjo pasi ndikon shumë tek ne dhe puna jonë. Kur humbim edhe nuk kemi performancë të mirë, vijnë shumë komente negative, për këtë jemi distancuar tani për tani”.

Kur bëhet fjalë për komplimentin më të mirë që Krasniqi ka pranuar ndonjëherë, kishte të bënte gjithmonë me pjesën që ajo ishte më e mira në botë.

“Kam marrë shumë komplimente, por më së shumti më pëlqente kur thoshin që jam xhudistja më e mirë në botë, edhe pse tani e kam marrë edhe këtë çmim. Ka qenë ndjenjë e veçantë kur trajnerët dhe xhudistët e shteteve tjera kanë thënë se jam më e mira dhe patjetër që e kam konsideruar gjithnjë si një motivim shtesë”.

JudoInside - Daria Bilodid Judoka

Prindërit, si shtylla kryesore e shtëpisë, ndikojnë detyrimisht në zhvillimin tënd dhe sigurisht edhe në jetën tënde profesionale. Mbështetja e vazhdueshme e tyre ka rezultuar që në fund të nxjerrin një kampione të artë olimpike.

“Ndoshta edhe në momentet e mia më të vështira kur kam menduar se duhet me u tërheqë nga xhudo, janë mbështetësit e mi kryesorë, prindërit, që gjithmonë më kanë mbështetur. Çdo herë më kanë mbështetur për të vazhduar përpara, edhe kur nuk jam ndjerë mirë. Janë shtysa ime më e madhe”.

Ëndrra më e madhe e Krasniqit është që të rijetësojë edhe një herë tjetër sukseset që i ka arritur deri më sot.

Ndërkaq, kur bëhet fjalë për mesazhin e saj te të rinjtë, Krasniqi shprehet se nuk duhet të dorëzohen asnjëherë.

“Vetëm me vazhdu me punu. Nuk ka lidhje nëse humb shpesh ose nëse je i ri. Vetëm nëse nuk ndalesh dhe punon me seriozitet gjithmonë ka me t’u shpërbly puna që e ke bërë”.

Kosova mund të jetë një vend shumë i vogël dhe jo shumë i zhvilluar në aspektin ekonomik, megjithatë kur bëhet fjalë për kampione olimpike dhe sukses në gara ndërkombëtare, atëherë sporti i xhudos mund të “kollitet” dhe patjetër që të dëshmojë se Kosova është një fuqi e gjithashtu edhe një prodhuese e kampioneve olimpike. Sukseset e Majlindës, Norës dhe Krasniqit kanë bërë krenar një popull të tërë, e ndërkohë e ardhmja po duket të jetë me optimizëm e shpresë të madhe. /KultPlus.com

Distria pas triumfit telefonon prindërit: Po ndjehen shumë krenarë me mua -  KosovaPress

Nora Gjakova: Dua ta fitoj edhe një medalje për Kosovën, pensionohem pas Lojërave Olimpike në Paris

Flonja Haxhaj

E lindur në Pejë, Nora Gjakova është një prej emrave që po bën histori në sportin e xhudos në Kosovë duke shënuar suksese të mëdha nëpër botë.

Në moshën 10-vjeçare ajo dhe vëllai i saj u bënë pjesë e klubit të xhudos, e po të njëjtit klub ku ushtrojnë edhe tani. E ai që i shtyri që të inkuadrohen në këtë sport, ishte babai i tyre, i cili më herët është marrë me sporte luftarake, përkatësisht me karate.

E për një 10-vjeçare e cila është dashur ta balancojë jetën e saj mes xhudos dhe shkollës, xhudistja Gjakova thotë se fillimi ishte i vështirë edhe duke e ditur faktin se ky sport kërkon shumë disiplinë, punë dhe përkushtim.

Nora Gjakova

“Fillimi ka qenë goxha i vështirë sepse kur kam ardhë unë, këtu ka pasë vajza që kishin fillu më heret me u marrë me xhudo, e normal që është një sport luftarak e ku është dashtë me u ndeshë me to. E dihet që askush nuk ka dëshirë me humb e sidomos kur je fëmijë, por mendoj që kjo më ka bërë më të fortë sepse gjatë gjithë kohës është deshtë me u mundu më tepër për me i mbërri ato, e në anën tjetër ka qenë edhe e vështirë me i ndjek stërvitjet sepse nuk kemi guxu asnjëherë të bëjmë mungesa. Me një mungesë, Dritoni na thoshte që s’kemi përgatitje, s’kemi gara. Domethënë qysh në fillmin ne ju kemi nënshtru një disipline 100 për qind pavarësisht pse kemi qenë fëmijë.”- thotë Gjakova.

Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova

Në vitin 2021, në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi ia siguruan Kosovës dy medalje të arta olimpike. E pavarësisht punës disa-vjeçare e triumfit në shumë gara të rëndësishme evropiane, Gjakova thotë se asnjëherë nuk e ka imagjinuar se do të marrë pjesë e do të arrijë një sukses kaq të madh në Lojërat Olimpike, duke marrë parasysh faktin që Kosova nuk ka qenë e anëtarësuar në shumë organizata sportive.

“Gjithçka ka shku me kohë, t’u fitu diçka ma të vogël e t’u kërku ma shumë. T’u e sfidu veten edhe kemi mbërri në këtë nivel.” – shton më tutje ajo.

Xhudistja Gjakova ka komentuar paraqitjen e gjithë ekipit në këto lojëra, duke e konsideruar si një paraqitje shumë të mirë, ku të gjithë përfaqësuesit e Kosovës kanë qenë pretendentë për medalje dhe kanë punuar me atë frymë duke e ndihmuar njëri-tjetrin.

“Kemi qenë të gjithë të përgatitur dhe nuk do të ishte çudi nëse secili ishim bërë kampion olimpik, kjo u tregua edhe në këto Lojëra Olimpike. Në përfundim, dy medalje të arta olimpike është diçka që ka me mbetë gjatë në histori dhe shpresoj shumë që ta rrisim këtë numër.”- shton ajo.

Ashtu sikurse kanë thënë më parë Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e sportistë të tjerë, edhe Nora Gjakova suksesin e saj ia atribuon trajnerit Driton Kuka i cili së fundi edhe është shpallur trajneri më i mirë në botë për vitin 2021 në sportin e xhudos.

Driton Kuka dhe Nora Gjakova

“Sa herë shkojmë në shtete të tjera, na e kanë lakmi për mënyrën se si ushtrojmë na, mënyrën qysh ne kemi bashkëpunim me Tonin edhe jam shumë e lumtur që edhe zyrtarisht ai është tash trajneri më i mirë në botë.” – vazhdon Gjakova.

Po ashtu, për KultPlus, Nora Gjakova ndan momentin më emocionues për të, atë kur mori medaljen e artë në Lojërat Olimpike.

”Ka qenë një moment shumë i lumtur, momenti kur jam shpallë kampione olimpike, kurse kur jam ngjitur në podium ka qenë një prej momenteve që më ka bërë të ndihem më krenare se kurrë më parë, sepse gjithmonë të kujtohen të gjitha sfidat që i ke kalu edhe gëzohesh qe ke qëndru kaq e fortë dhe ke mbërri deri këtu pavarësisht se është diçka që nganjëherë edhe frikësohesh edhe me ëndërru, por unë kam punu shumë për atë medalje dhe jam shumë e lumtur që e kam shiju atë moment.” – thotë Gjakova, e cila e konsideron ktë fitore si më të rëndësishmen në karrierën e saj.

E me synimin që të shënojë suksese si në ‘Tokio 2020’, Nora Gjakova thotë se do të vazhdojë karrierën e saj edhe për një cikël olimpik.

“Mendoj të marr pjesë edhe në Lojërat Olimpike në Paris, ndërkohë kemi me pasë edhe gara të tjera, kampionate evropiane e botërore, por qëllimi kryesor do të jenë Lojërat Olimpike në Paris. Kam dëshirë me e fitu edhe një medalje për Kosovën. Këto kanë me qenë edhe lojërat e fundit për mu.” – deklaron Gjakova për KultPlus.

Për të përmbyllur këtë vit në mënyrën më të mirë të mundshme, Federata Botërore e Xhudos, renditi Nora Gjakovën të parën në ranglistën e garuesve për vitin 2021, në kategorinë nën 57 kilogramë.

“Është një ndjenjë shumë e mirë, si e pashë lajmin u gëzova shumë sepse gjithmonë kam qenë aty e dyta apo e treta. Por e para me qenë në ranglistë është kënaqësi e madhe” – theksoi Gjakova duke shtuar se për të ky vit ka qenë i papërsëritshëm, ku i fitoi krejt ato çka një sportist mund t’i fitojë, si medalje në kampionatet evropiane, ashtu edhe të botës dhe medalje olimpike.

Ndërkaq, në pyetjen se a i inkurajojnë të tjerët e sidomos vajzat të inkuadrohen në këtë sport, Gjakova thotë se nëse ekziston vullneti për me arritë rezultat, atëherë në sportin e xhudos, dyert janë të hapura, e gjitha mbetet tek individët edhe pse sipas saj rruga është e vështirë, kërkon shumë përkushtim, sakrifica të mëdhaja, mirëpo nëse dëshiron me i arrit majat, atëherë duhet sakrificë e madhe.

E përgjatë gjithë këtij rrugëtimi, Nora Gjakova dhe xhudistet e tjera patën një mbështetje të madhe nga publiku shqiptar, i cili iu gëzua çdo arritjeje të tyre. E kjo mbështetje, Gjakova thotë se i jep më shumë vlerë suksesit, u jep motivim për të punuar më shumë e për të pasur gjithmonë paraqitje të mira./KultPlus.com

Nora Gjakova (Photo: Harry How/Getty Images)

KultPlus në shtëpinë e çdo lexuesi, në ditët festive me intervista ekskluzive

KultPlus – e para gazetë online shqiptare që i kushtohet raportimit të denjë mbi artin dhe kulturën, edhe këtë fundvit është përkujdesur për lexuesit e saj.

Sukseset e Kosovës ishin të shumta këtë vit nëpër sfera të ndryshme, andaj KultPlus këto suksese do t’i gëzojë edhe njëherë duke sjellur intervista ekskluzive të cilat do të mund t’i lexoni më 31 dhjetor, 1 e 2 janar në ditët e festive të Vitit të Ri 2022.

Arona Zyberi, Zgjim Terziqi, Ferit Zekolli, Memli Kelmendi, Nora Gjakova, Doresa Rexha, Edi Shukriu, Distria Krasniqi, Yllka Gashi, Saranda Bogujevci, Hajrulla Çeku, Kaltrina Krasniqi, Dori Basha e Gzim Gashi vijnë me rrëfime ekskluzive duke sjellur histori shumë interesante nga sirtarët e veprimtarisë së tyre, të gjitha këto intervista mund t’i lexoni në www.kultplus.com, që do të publikohen gjatë ditës së sotme.

Si çdoherë, ju ftojmë të na lexoni por edhe të na shkruani mbi personazhet, tregimet dhe momentet që ju doni t’i shihni në KultPlusin tonë dhe tuajin.

Urime festat! /KultPlus.com

Kosova përmes xhudos shfaqi fytyrën e saj të vërtetë – ‘Vajzat e Arta’ krenuan një popull

Shteti i Kosovës ka shënuar suksese dhe ka shkruar histori me shkronja të arta përgjatë viteve të fundit në sportin e xhudos, shkruan KultPlus.

Këtë vit, në Lojërat Olimpike të zhvilluara në Tokio, Kosova arriti që të marrë dy medalje të tjera olimpike.

Të udhëhequra nga trajneri më i suksesshëm në histori të Kosovës, Driton Kuka, xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova ngritën flamurin e Kosovës në piedestalin më të lartë, duke triumfuar me medalje të artë në këto lojëra olimpike.

Suksesi i tyre i madh ka ndikuar që emri i Kosovës të përmendet në të gjithë botën dhe të marr njohje e ndoshat edhe “xhelozi” prej shumë vendeve.

Vajzat e Arta të Kosovës u pritën me ceremoni shtetërore me të arritur nga Lojërat Olimpike dhe patën një fjalim përpara qytetarëve në sheshet e Prishtinës.

Në anën tjetër, Toni është shpallur trajneri më i mirë në sportin e xhudos për vitin 2021, derisa edhe Krasniqi u shpallë xhudistja femër më e mirë për këtë vit që po lëmë pas.

KultPlus gjatë ditës së sotme do të bëjë publikimin e intervistave ekskluzive me vajzat e arta Distria Krasniqi dhe Nora Gjakovën. /KultPlus.com

Përditësohet ranglista botërore e xhudos, Krasniqi e Gjakova në vendet e para

Xhudistet kosovare, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi po e përmbyllin këtë vit me një tjetër sukses.

Në përditësimin e ranglistës së garuesve për vitin 2021 nga federata botërore e xhudos, Distria Krasniqi është rënditur e para në kategorinë nën 48 kilogramë kurse Nora Gjakova rënditet e para në kategorinë nën 57 kilogramë, përcjell KultPlus.

“Kosova dominon prapë botën,pas përditësimit të Ranglistes Botërore dy Kampionet tona Olimpike janë në vendin e parë!”- thuhet në njoftimin e Federatës së Xhudos në Kosovë./KultPlus.com

Krerët shtetëror reagojnë mbi sukseset e Kukës dhe Krasniqit: Po shkruani histori për Kosovën

Kosova përmes sportit në xhudo është ngritur në pediestalet më të larta në vendet, lojërat e kampionatet botërore, shkruan KultPlus.

Së fundmi, xhudistja e Kosovës, Distria Krasniqi është shpallur xhudistja më e mirë në sportin e xhudos për vitin 2021.

Përpos saj, edhe trajneri Driton Kuka është shpallur si trajneri më i sukesshëm për këtë vit në sportin ku ai tani ka veçse tri medalje të arta.

Rreth këtyre ngjarjeve historike kanë reaguar edhe krerët shtetror të Kosovës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

JudoInside - Driton Kuka Judoka

“Një tjetër arritje e jashtëzakonshme e ekipit të xhudos të Kosovës. Urime Driton Kukës për fitimin e çmimit të arritjeve të trajnerit 2021, dhe Distria Krasniqit që u shpall xhudistja e vitit”.

“Kënaqem kur shoh ekipin tonë t’i sjellë më shumë lavdi vendit. Të gjithë e festojmë suksesin tuaj”, ka shkruar Kurti në ‘Twitter’.

Në anën tjetër, Osmani ka shtuar se këto dy rezultate janë historike për sportin e Kosovës.

“Edhe dy rezultate historike për sportin në Kosovë. Kampionia olimpike, Distria Krasniqi, është përzgjedhur nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos si xhudistja më e mirë në botë”.

“Ndërsa, Driton Kuka, mjeshtri i xhudos, u zgjodh trajneri më i mirë në botë në këtë sport”.

“Krenari dhe emocione të jashtëzakonshme. Kosova e artë”, ka shkruar Osmani në  një postim në Facebook.

May be an image of 1 person and text that says 'ulse ULTIN CAR impul TaiS ank soc el. rg han ပ otpban *tra ijf. TaiSh RG vel, org Horen FUD JUDOKA YEAR D.KRASNIQI AWARD WINNER KOS JA IJF'

Ministri Çeku përmes një postiomi në “Facebook”, uroi të dy për çmimet e merituara, derisa falënderoi ata për krejt çfarë po bëjnë për shtetin e Kosovës.

“Toni, trajner Kosove, më i miri në botë! Urime mjeshtër, faleminderit për krejt çfarë po bën për shtetin tonë. Kampionja jonë olimpike Distria Krasniqi shpallet xhudistja më e mirë e vitit në botë. Urime kampione, plotësisht e merituar”, ka shkruar ai.

Federata Kombëtare e Xhudos ka bërë shpërndarjen e këtyre çmimeve përmes një ceremonie virutale. /KultPlus.com

May be an image of 1 person and text that says 'CAR imp ORG 1 N2) D.KUKA KOS AWARDWINNER AWARD JUDO AW AWARD ARD 2021'

E jashtëzakonshme, pas Kukës edhe Distria Krasniqi zgjidhet xhudistja më e mirë në botë për vitin 2021

Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka shpallur xhudisten nga Kosova, Distria Krasniqi, si xhudisten më të mirë për vitin 2021 në xhudo, shkruan KultPlus.

Përmes një ceremonie të zhvilluar online, IFJ, ka bërë të ditur se Distria Krasniqi është zgjedhur sportistja më e mirë në botë për vitin 2021.

“Faleminderit. Nuk e prisja fare, të them të drejtën. Nuk po e prisja fare, por dua të falënderoj të gjithë ata që kanë ndarë kohën për të votuar mua dhe jam pa fjalë aktualisht. Jam shumë e lumtur dhe mendoj se kjo është suksesi më i madh që kam tani, sepse të zgjedhesh në një kategori të caktuar është në rregull, por të zgjedhesh më e mira, për mua është diçka shumë e veçantë. Andaj, dhe falënderoj ata që më votuan sepse kjo më motivoi ende më shumë për të shfaqur një xhudo të mirë në të ardhmen dhe të jem akoma më e mirë”, tha Krasniqi me plot emocion.

Ceremonia virtuale e çmimeve gjatë ditës së sotme ka bërë nderimin e disa xhudistëve, organizatave dhe individëve më të mirë në botë që kontribuan në një vit tjetër historik për xhudon.

Së bashku me trajnerin Driton Kuka, Kosova ka arritur që të fitojë tre medalje të arta olimpike, dy vetëm në Lojërat e fundit që u mbajtën në Tokio.

Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova arritën që të fitojnë vendin e parë dhe kësisoj të sjellin dy medalje të tjera në Kosovë, pas Majlinda Kelmendit që e shkroi historinë e para.

Gjatë kësaj ceremonie virtuale, trajneri Kuka është zgjedhur si trajneri më i mirë për vitin 2021 në sportin e xhudos. / KultPlus.com

Historike, Driton Kuka zgjedhet trajneri më i mirë në botë për vitin 2021 në sportin e xhudos

Federata Ndërkombëtare e Xhudos ka shpallur trajnerin nga Kosova, Driton Kuka, si trajnerin më të mirë për vitin 2021 në xhudo, shkruan KultPlus.

Përmes një ceremonie të zhvilluar online, IFJ, ka bërë të ditur se Kuka është zgjedhur trajneri më i mirë në botë për vitin 2021.

Ceremonia virtuale e çmimeve gjatë ditës së sotme ka bërë nderimin e xhudistëve, organizatave dhe individëve më të mirë në botë që kontribuan në një vit tjetër historikë për xhudon.

Trajneri Kuka udhëhoqi shtetin e Kosovës në dy medalje të arta në Lojërat Olimpike që u zhvilluan këtë vit në Tokio.

Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova arritën që të fitojnë vendin e parë dhe kësisoj të sjellin dy medalje të tjera në Kosovë, pas xhudistes tjetër nga Kosova, Majlinda Kelmendit që shkroi historinë e para. /KultPlus.com

Ekipi turk fiton Champions League në xhudo falë paraqitjeve të Distria Krasniqit dhe Laura Fazliut

Ekipi turk, Galatasaray ka arritur të fitojë Champions League në sportin e xhudos. Pjesë e skuadrës turke në xhudo janë edhe dy xhudistët kosovare Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu.

Të dyja xhudistet kosovare me paraqitjet e tyre kanë qenë protagoniste dhe kanë ndihmuar skuadrën e Galatasarayt të fitonte komepticionin më të rëndësishëm për xhudon.

Kjo u bë e ditur nga trajneri Driton Kuka.

“Xhudistet e klubit tonë i huazuam për Ligën e Kampionëve për ekipin Galatasaray! Disi dhe Laura protagonistet kryesore në titullin e fituar në Champions League mbajtur në Paris! Fituan në të tri luftërat e tyre! Kjo edhe zyrtarisht ishte gara e fundit në sportin e xhudos për sivjet”, ka deklaruar trajneri Kuka. / KultPlus.com

Distria feston ditëlindjen e saj, trajneri Kuka e uron në mënyrë të veçantë

Kampionia e artë e Kosovës, Distria Krasniqi, feston 26 vjetorin e saj ditën e sotme, shkruan KultPlus.

Në ditën e saj të lindjes, trajneri Driton Toni Kuka e ka uruar atë përmes një videoje të veçantë të postuar në llogarinë zyrtare në “Facebook”.

“Disi sot feston ditëlindjen! Urime Kampione Olimpike. Urimi shkon me videon e hudhjes Historike në zemër të Tokios kundër Japonezes në finalen e Olimpiadës”, shkroi ai.

Krasniqi ka fituar medaljen e artë në kategorinë 48 kilogramë gjatë Lojërave Olimpike “Tokio 2020”. /KultPlus.com

‘Vajzat e Arta’ të Kosovës dekorohen edhe nga Federata Evropiane e Xhudos

Federata Evropiane e Xhudos (EJU) në një mbrëmje të mbajtur mbrëmë në Stamboll të Turqisë ka shpërblyer sportistët më të mirë për këtë vit, shkruan KultPlus.

EJU ka shpërblyer me dekoratë kampionet olimpike nga Kosova, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, për arritjet e tyre gjatë vitit 2021.

Me dekoratë u shperblye edhe Federata e xhudos e Kosovës për medaljet e fituara në Lojërat Olimpike.

Nora dhe Distria fituan medalje të arta në Lojërat Olimpike Tokio 2020 që u zhvilluan në verën e këtij viti. /KultPlus.com

May be an image of 3 people, people standing and indoor
May be an image of 3 people, people standing and indoor

Driton Kuka dhe Distria Krasniqi në konkurrencë për më të mirët e vitit 2021, votimi online (LINK)

Federata Ndërkombëtares e Xhudos ka hedhur votimin online për të zgjedhur më të mirët e vitit 2021.

Në konkurrencën e trajnerëve, Driton Kuka është në mesin e pesë trajnerëve më të mirë.

Sa i përket garuesve, në garë është Distria Krasniqi.

Votimi është online dhe një votë juaja për Dritonin e Distrian është një nder më shumë për Kosovën si shtet./Indeksonline/ KultPlus.com

Votimi bëhet KËTU

Unë, bija jote Kosovë

Poezi nga Vlora Konushevci

Unë, bija jote Kosovë t’i njoh tokat djerrë,
t’i njoh shtëpitë e zbrazuna, shpresat shtjerrë,
t’i njoh britmat e krimbat që dheun kalb ta kanë,
t’i njoh gratë që shpirtin gjallë ta mbajnë;
ta di lemerinë e nanave që errësu e ka diellin,
dhimtat që rrafshu e kanë bregun,
varret ku lulëkuqet çelin
ma mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë bija jote. / KultPlus.com

Ndahen shpërblimet shtetërore për xhudistet, Çeku: Është gjithmonë inspirues dhe frytdhënës çdo takim me ta

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sot ka ndarë shpërblimet shtetërore për xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova dhe për trajnerin Driton Kuka, pas rezultatit kulmor që patën në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.

“Ndërsa Qendrën Nacionale të Xhudos e cila u përurua ditën e djeshme, me investime të reja ta shndërrojmë në një kompleks sportiv dhe platformë ndërkombëtare, të cilën do ta përdorim edhe për të promovuar shtetin tonë”, thotë Çeku.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Nder i veçantë që sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të pres vajzat e arta të Kosovës, xhudistet, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe trajnerin Driton Kuka.
Së bashku më zëvendësministren, Daulina Osmani atyre u ndamë shpërblimet shtetërore për sportistët pas rezultatit kulmor që patën në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”.
Është gjithmonë inspirues dhe frytdhënës çdo takimi me ta. Së bashku do të vazhdojmë të punojmë që sportin e xhudos ta shtyjmë përpara, ndërsa Qendrën Nacionale të Xhudos e cila u përurua ditën e djeshme, me investime të reja ta shndërrojmë në një kompleks sportiv dhe platformë ndërkombëtare, të cilën do ta përdorim edhe për të promovuar shtetin tonë. / KultPlus.com

Çeku: Jam i lumtur që gjeneratat e reja do ta kenë një vend të denjë për zhvillimin e aktiviteteve sportive

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ka përuruar inagurimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, përcjell KultPlus.

“Sportistet që i kanë dhënë shpresë, krenari dhe emocion një kombi të tërë, që me sukseset e tyre kanë kaluar çdo parashikim, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe xhudistët tjerë, së bashku me trajnerin e tyre, Driton Kuka, tashmë do të kenë shtëpinë e tyre të xhudos”, ka shkruar Çeku.

KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:

Sportistet që i kanë dhënë shpresë, krenari dhe emocion një kombi të tërë, që me sukseset e tyre kanë kaluar çdo parashikim, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe xhudistët tjerë, së bashku me trajnerin e tyre, Driton Kuka, tashmë do të kenë shtëpinë e tyre të xhudos.

Sot në qytetin e Pejës, në një ambient shumë të veçantë, të rrethuar me malet e bukura të Rugovës, përuruam Qendrën Nacionale të Xhudos.

Jam shumë i lumtur që tash gjenerata të tëra talentësh të rinj në sportin e xhudos, do ta kenë një vend të denjë për zhvillimin e të gjitha aktiviteteve sportive, të dedikuar pikërisht për ta. / KultPlus.com