3 qershori, Dita Botërore e Biçikletës

Në kalendarin e Kombeve të Bashkuara, 3 qershori njihet si Dita Botërore e Biçikletës. Kjo ditë tërheq vëmendjen tek përfitimet që vijnë nga përdorimi i biçikletës, një mjet transporti i thjeshtë, i përballueshëm financiarisht, i pastër dhe i përshtatshëm për mjedisin.

“Biçikleta kontribuon në ajër më të pastër dhe më pak ngarkesë në trafik si dhe e bën arsimin, kujdesin shëndetësor dhe shërbimet e tjera sociale më të aksesueshme për popullatat më në vështirësi”, thotë OKB.

Biçikleta është një sistem i qëndrueshëm transporti që promovon rritjen ekonomike, redukton pabarazitë, ndërkohë që forcon luftën kundër ndryshimeve klimatike.

Më 15 mars të vitit 2022, Asambleja e Përgjithshme miratoi rezolutën për integrimin e biçikletave të zakonshme në sistemet e transportit publik, për një zhvillim të qëndrueshëm. Rezoluta theksoi se biçikleta është një instrument i transportit të qëndrueshëm dhe përcjell një mesazh pozitiv për nxitjen e konsumit dhe produkteve që kanë një ndikim pozitiv tek klima.

Autoritetet kujtojnë se aktiviteti i rregullt fizik me intensitet të moderuar si, ecja, çiklizmi ose sporti sjellin përfitime të rëndësishme për shëndetin.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, infrastruktura e sigurt për ecje dhe çiklizëm është gjithashtu një rrugë për arritjen e barazisë më të madhe shëndetësore. Prandaj, përmirësimi i transportit aktiv nuk është vetëm i shëndetshëm, është gjithashtu i barabartë dhe me kosto të përballueshme./atsh/ KultPlus.com

Dita Botërore e Biçikletave – Përdorini për këto pesë përfitime

Përdorimi i më pak makinave për të shkuar në punë ndihmon në uljen e ndotjes së ajrit, por me rastin e Ditës Botërore të Biçikletave që festohet çdo vit më 3 qershor, këto janë disa sugjerime mbi përfitimet personale të përdorimit të përditshëm të biçikletës nga kardiologu dhe mjeku sportiv Guidalberto Guidi, i pyetur nga Dottori.it

1.Përdorimi i përditshëm i biçikletës është i mirë për të gjithë, përfshirë njerëzit me patologji. Aktiviteti që praktikohet me çiklizëm, dhe që përfshin zona të mëdha të muskujve, siguron energji për kohë të gjatë.

Këshilla për të rritur përdorimin e saj është e vlefshme si për subjektet e shëndetshme, gjithashtu për ata me patologji të tilla si presioni i lartë i gjakut, mbipesha, diabeti ose kolesteroli i lartë në të cilin ky aktivitet mund të integrohet me një terapi të saktë të barnave.

2. Ata që nuk duhet ta përdorin atë: Biçikleta nuk rekomandohet për njerëzit me vështirësi në ekuilibër, sepse ata janë më të ekspozuar ndaj rrezikut të rënies, për ata me probleme kronike të frymëmarrjes dhe për të ata që janë subjekte të rënda alergjike.

3.Efektet e dobishme për zemrën dhe sistemin kardiovaskular: Sa i përket sistemit kardiovaskular, një nga fenomenet e para që ndodh ka të bëjë me rritjen e rrahjeve të zemrës dhe me një përmirësim të qarkullimit të gjakut. Në zemër, aktiviteti gjatë pedalimit, zhvillon një rritje të vëllimit të zgavrave të saj.

4. Merrni masat e duhura: Për të pedaluar në mënyrë të efektshme dhe për të ruajtur muskujt nga lodhja e shpeshtë, këmba duhet të jetë krejtësisht paralele me tokën dhe thembra duhet të jetë në bosht me pedalin.

Nuk duhet të shtyhet pedali me gishtin e këmbës ose thembër.

5. Po për fëmijët? Nga pikëpamja fizike, përparësia më e madhe për fëmijët është të mësuarit e koordinimit të nevojshëm për të lëvizur pedalin, për të ndryshuar drejtimin dhe për të qëndruar në ekuilibër. Kjo gjithashtu kontribuon në arritjen e një aftësie autonome për të lëvizur e cila është e ekuilibruar dhe harmonike gjatë pedalimit.

Më të moshuarit gjithashtu provojnë mundësitë e trupit të tyre, prandaj ata e kuptojnë se sa mund të pedalojnë dhe kur fillojnë të lodhen./ os / KultPlus.com