3 dhjetori shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të veçanta, e për këtë Kuvendi i Kosovës ka shpallur vitin 2022 si vit i dedikuar për këta persona, shkruan KultPlus.
Një postim mbi këtë ditë e ka bërë edhe aktorja e njohur, Yllka Gashi, e cila ka thënë se sot më shumë se kurrë duhet të reflektojmë e të bjmë ndryshime drastike që kjo kategori të përfshihet në të gjitha sferat e shoqërisë sonë.
“Në Kosovë ende ka fëmijë që nuk kanë kushte e mundësi për shkollim gjithëpërfshirës. Kjo është e papranueshme dhe duhet të ndryshojë”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Ajo ndau gjithashtu disa takime që ka pasur në të kualuarën me fëmijët me nevoja të veçanta.
“Si Ambasadore Artiste e Save the Children në Kosovë, kam pasur fatin të takoj fëmijë me nevoja të veçanta dhe jam mahnitur me prindët e tyre, posacërisht me nënat të cilat ua kanë dedikuar jetën dhe bëjnë çdo sakrificë të mundshme që fëmijët e tyre ta kenë jetën më të lehtë e kualitative. Është koha që edhe institucionet përkatëse të bëjnë më shumë për përfshirjen e këtyre qytetarëve në shkollim, vendimmarrje, politikë, kulturë, sport dhe çdo fushë tjetër të jetës”, përfundoi ajo.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë më shumë se një miliardë njerëz ose rreth- rreth 15% e popullsisë së botës – jetojnë me ndonjë formë të kufizimit të aftësive të tyre. /KultPlus.com


