Dita Botërore e Sigurisë Ushqimore, OKB: Ushqimi, çështje e të gjithëve

Sot është Dita Botërore e Sigurisë Ushqimore dhe Kombet e Bashkuara synojnë të tërheqin vëmendjen për të ndihmuar në parandalimin, zbulimin dhe menaxhimin e rreziqeve që vijnë nga ushqimi, duke kontribuar në sigurinë ushqimore, shëndetin e njeriut, begatinë ekonomike, bujqësinë, aksesin në treg, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Kjo ditë ndërkombëtare është një mundësi për të forcuar përpjekjet për të garantuar që ushqimi që hamë të jetë i sigurt, siguria ushqimore e zakonshme në axhendën publike dhe për të reduktuar barrën e sëmundjeve që vijnë nga ushqimi globalisht.

Sipas të dhënave të OKB-së, janë rreth 600 milionë raste të sëmundjeve të shkaktuara nga ushqimi në vit. Ushqimi i pasigurt është një kërcënim për shëndetin dhe ekonomitë e njerëzve, duke prekur në mënyrë disproporcionale njerëzit vulnerabël dhe të margjinalizuar, veçanërisht gratë dhe fëmijët, popullsinë e prekur nga konflikti dhe migrantët.

Rreth 420 000 njerëz në mbarë botën vdesin çdo vit pasi hanë ushqim të kontaminuar dhe fëmijët nën 5 vjeç mbajnë 40% të barrës së sëmundjeve që vijnë nga ushqimi, me 125 000 vdekje çdo vit.

Qasja në sasi të mjaftueshme të ushqimit të sigurt është çelësi për ruajtjen e jetës dhe promovimin e shëndetit të mirë. Sëmundjet që vijnë nga ushqimi janë zakonisht infektive ose toksike në natyrë dhe shpesh të padukshme për syrin e thjeshtë, të shkaktuara nga bakteret, viruset, parazitët ose substancat kimike që hyjnë në trup përmes ushqimit ose ujit të kontaminuar.

Slogani i këtij viti është “Siguria e ushqimit, çështje e të gjithëve” dhe fushata promovon ndërgjegjësimin global për sigurinë ushqimore dhe u bën thirrje vendeve dhe vendimmarrësve, sektorit privat, shoqërisë civile, organizatave të OKB-së dhe publikut të gjerë të ndërmarrin veprime./atsh/KultPlus.com

Dita Botërore e Sigurisë Ushqimore, Ekonomi: Siguria e ushqimit, rol jetësor në zvogëlimin e sëmundjeve

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi bëri të ditur se “Ushqim i sigurt sot, për një të nesërme të shëndetshme” është tematika e këtij viti në kuadër të “Ditës Botërore të Sigurisë Ushqimore”.

Çdo 7 Qershor, theksoi Ekonomi, i vihet fokusi sigurisë së ushqimit, si një përgjegjësi e përbashkët midis qeverisë, prodhuesve dhe konsumatorëve.

Të gjithë kanë një rol për të kryer, sepse siguria ushqimore është një proces kompleks që fillon në fermë dhe përfundon me konsumatorin.

“Siguria e ushqimit shpëton jetë. Ajo nuk është vetëm një komponent thelbësor për sigurinë ushqimore, por gjithashtu luan një rol jetësor në zvogëlimin e sëmundjeve që vijnë nga ushqimi”- u shpreh ministrja.

Çdo vit, 600 milionë njerëz sëmuren si rezultat i rreth 200 llojeve të ndryshme të sëmundjeve që vijnë nga ushqimi. Barra e një sëmundjeje të tillë bie më së shumti mbi të varfrit dhe mbi të rinjtë. Për më tepër, sëmundjet që vijnë nga ushqimi janë përgjegjëse për 420 000 vdekje të parandalueshme çdo vit.

Dita Botërore e Sigurisë Ushqimore është një mënyrë e rëndësishme për të ndërgjegjësuar njerëzit për çështjet e sigurisë ushqimore; për të demonstruar se si të parandalojmë sëmundjen përmes sigurisë ushqimore; për të diskutuar qasje bashkëpunuese për përmirësimin e sigurisë ushqimore në të gjithë sektorët; për të promovuar zgjidhje dhe mënyra për të qenë më të sigurt në ushqim.

Konsumi dhe prodhimi i ushqimit të sigurt kanë përfitime të menjëhershme dhe afatgjata për njerëzit, planetin dhe ekonominë. Disponueshmëria e ushqimit të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë mund të mbështetet në të ardhmen duke përqafuar inovacione dixhitale, duke avancuar zgjidhje shkencore si dhe duke respektuar njohuritë tradicionale që i kanë rezistuar kohës.

“Sistemet tona ushqimore duhet të prodhojnë ushqim të mjaftueshëm të sigurt për të gjithë. Njohja e lidhjeve sistematike midis shëndetit të njerëzve, kafshëve, bimëve, mjedisit dhe ekonomisë do të na ndihmojë të plotësojmë nevojat e së ardhmes. Veprimet lokale të bazuara në zgjidhje të barabarta, shpesh të reja, dhe bashkëpunim të forcuar multi-sektorial janë thelbësore për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG)” tha Ekonomi.

Duke u ndalur në siguria e ushqimit në kohën e COVID-19, Ekonomi theksoi se “ndërsa COVID-19 nuk është transmetuar nga ushqimi, pandemia ka mprehur fokusin në çështjet që lidhen me sigurinë ushqimore, të tilla si higjiena, rezistenca antimikrobike, sëmundjet zoonotike, ndryshimi i klimës, mashtrimi i ushqimit dhe përfitimet e mundshme të dixhitalizimit të sistemeve ushqimore”.

Mesazhet që përçohen në këtë ditë të shënuar kanë në fokus: Sigurohu që është i sigurtë – Qeveria siguron ushqim të sigurtë dhe të ushqyeshëm për të gjithë; Rriteni të sigurtë – Bujqësia dhe prodhuesit ushqimorë është e nevojshme të adoptojnë praktika të mira; Mbajeni të sigurtë – Operatorët e biznesit duhet të sigurohen që ushqimi është i sigurtë; Hani të sigurtë – Të gjithë konsumatorët kanë të drejtën e ushqimit të sigurtë dhe të shëndetshëm; Bashkohuni për sigurinë – Siguria ushqimore është një përgjegjësi e përbashkët./ atsh / KultPlus.com