Sot, Dita Botërore e Teatrit

27 marsi njihet si Dita Botërore e Teatrit që nga viti 1962, pasi kjo ditë ishte iniciuar në Kongresin e 9-të botëror të Institutit Ndërkombëtar Teatror – INT të UNESCO-s në qershor të vitit 1961, me propozim të Finlandës.

Shënimi i kësaj dite bëhet nga rreth njëqind qendra të INT-së.

Instituti ndërkombëtar teatror INT është themeluar në vitin 1948 nga UNESCO-ja dhe është organizata më e rëndësishme joqeveritare në sferën e arteve interpretuese.

INT insiston ta promovojë këmbimin ndërkombëtar të njohjeve, ta stimulojë krijimtarinë dhe ta rrisë bashkëpunimin ndërmjet njerëzve të teatrit dhe mirëkuptimit të ndërsjellët me qëllim që të përforcohet paqja dhe miqësia mes popujve./ KultPlus.com

Çeku ju drejtohet artistëve në Ditën Botërore të Teatrit: Ne do të jemi përkrah jush në rrugën tuaj aspak të lehtë

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sot në Ditën Botërore të Teatrit ju është drejtuar të gjithë artistëve me një mesazh, përcjell KultPlus.

Ai i ka uruar të gjithë artistët për këtë ditë dhe poashtu ka theksuar se është në dijeni për problemet me të cilat ky komunitet ballafaqohet.

Më poshtë mund të lexoni mesazhin e plotë të Çekut.

Të dashur artistë të teatrit,

Sot, në një nga ditët më të rëndësishme për teatrin në vend dhe në gjithë botën, më lejoni të shpreh mirënjohjen time të thellë për punën, kontributin, përkushtimin e vetëmohimin tuaj në zhvillimin dhe avancimin e teatrit dhe jetës teatrore në vend dhe jo vetëm.

Sukseset dhe rezultatet e punës suaj nuk janë vetëm tuajat, ato suksese në vazhdimësi kanë qenë dhe janë suksese të të gjithë neve si shoqëri e si shtet, ngase pjesën më të mirë të imazhit të Kosovës e keni krijuar ju, artistët, krijuesit e performuesit kosovarë.

Si Ministër i Kulturës i sapoemëruar, jam i vetëdijshëm që kushtet në të cilat veproni nuk janë më të mirat, njoh sfidat e mungesat e juaja, por jam këtu që së bashku me ju të shtyjmë para punë të mira e procese që do të ndryshojnë gjendjen ekzistuese në fushën e kulturës. Bashkërisht me kontributin tuaj, kultura në përgjithësi dhe teatri në veçanti do njohin zhvillimin dhe avancimin e merituar mëtutje.

Më lejoni që secilit prej jush t’ i urojë përzemërsisht 27 Marsin- Ditën Botërore të Teatrit. Ju urojmë punë të palodhshme dhe suksese të vazhdueshme në punën tuaj fisnike. Ju sigurojmë se ne do të jemi përkrah jush në rrugën tuaj aspak të lehtë.

Në pamundësi të shpalljes së laureatëve të çmimeve në fushën e teatrit për vitin 2020, për shkak të kohës tejet të shkurtër nga marrja e mandatit si Ministër dhe duke respektuar këtë proces si të rëndesishëm për vlerësimin e punës suaj, ju siguroj që në ditët në vijim do të përmbyllim procesin e ndarjes së çmimeve të teatrit ashtu siç ju e meritoni duke ju trajtuar me korrektësi e profesionalizëm.

Sinqerisht i juaji,
Hajrulla Çeku,
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit
. / KultPlus.com

Historia e themelimit të Teatrit Kombëtar të Kosovës

Sot në Ditën Botërore të Teatrit, KultPlus ju sjell historikun e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Teatri Kombëtar i Kosovës u themelua në Prizren në vitin 1946 dhe ishte teatri i parë profesional në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore, në fillim u quajt ‘Teatri popullor krahinor’ dhe ishte i vendosur në qendrën sportive ‘Partizani’.

Thuhet se ky objekt ka pasur një skenë shumë të vogël dhe nuk permbushte kërkesat bazike për një vend i cili do te mund te përdorej si një teatër. Themeluesit e teatrit të parë profesional në Kosovë ishin Pavle Vugrinac, Milan and Cica Petrovic te cilët mblodhën aktorë te rinjë të talentuar me dëshirë për të punuar për teatrin dhe emëruan Shefqet Musliun si drejtor gjeneral te atij institucioni.

Themelet e shfaqjeve të ndryshme teatrale të sistematizuara dhe të regjistruara pranë enteve zyrtare gjenden në Prizren ku në vitin 1946 teatri lokal u ngritë në nivel rajonal e më vonë në teatër popullor në nivel krahinorë. Ky ishte institucioni i parë në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore nga i cili më vonë do të krijohet teatri profesionist. Shumë shpejt, disa muaj pas themelimit, ky teatër u transferua në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.

Shfaqjet e para të këtij teatri janë punuar kryesisht nga artistët amatorë, entuziastë e idealistë të talentuar, të ndihmuar nga artistët profesionistë nga hapësirat tjera të ish-Jugosllavisë, ndërkohë që, në vitet ’60, ansambli i tij pasurohet me kuadro të reja profesioniste.

Deri në vitin 1989 ky teatër i ka realizuar mbi 400 premiera me rreth 10.000 repriza, të cilat në Kosovë dhe në hapësirat e ndryshme të ish Jugosllavisë janë përcjellë nga mbi 3.200.000 spektatorë. Repertori i këtij teatri është ndërtuar mbi tekstet e shumta të dramaturgjisë kombëtare, botërore dhe ish jugosllave.

Shfaqjet e këtij teatri, të cilat janë prezantuar nëpër festivale të ndryshme me krakter kombëtar dhe ndërkombëtar në ish Jugosllavi, janë vlerësuar me tone të larta nga kritika e atëhershme dhe janë nderuar me çmime të ndryshme artistike.

Kështu, p.sh., në vitin 1967, shfaqja “Erveheja” e regjisorit Muharrem Qena është nderuar me Çmimin e Regjisë më të Mirë në Festivalin e Dramës Jugosllave “Sterijino Pozorje”. Krahas shfaqjeve në gjuhën shqipe, në këtë teatër janë realizuar edhe shfaqje në gjuhën serbe. Bukur shpesh, sidomos pas vitit 1981 e këndej, ky teatër ka vepruar nën presion të rëndë politik nga sistemi dhe regjimi komunist jugosllav.

Në vitin 1990, regjimi serb i Slobodan Milosheviqit, e ka vënë këtë teatër nën administrim të dhunshëm, duke i dëbuar nga teatri shumë nga artistët shqiptarë dhe duke vënë kontroll totalitar mbi krijimtarinë artistike të këtij teatri. Gjatë kësaj periudhe, në një sistem shkollor universitar paralel të krijuar në kushtet e rezistencës aktive paqësore kundër regjimit totalitar serb, nëpër shtëpitë – shkolla u krijuan shumë nga kuadrot artistike, të cilat tashmë janë pjesë e ansamblit profesionist të këtij teatri. Në vitin 1999, pas mbarimit të luftës në Kosovë, ky teatër pagëzohet me emrin Teatri Kombëtar i Kosovës.

Gjatë 10 viteve të pasluftës, në këtë teatër janë vënë në skenë tekste të shumta të dramaturgjisë kombëtare dhe botërore. Teatri Kombëtar i Kosovës është teatër me karakter shtetëror dhe, si i tillë, financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Dumoshi: Kosova është e nderuar që ka një traditë të pasur në fushën e teatrit

Sot në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Teatrit, mirëpo duke qenë se bota po kalon në ditët e një pandemie të vështirë, manifestimet e ndryshme për të festuar këtë ditë janë anuluar pothuajse në gjithë botën, shkruan KultPlus.

Këtë ditë e uroi edhe ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, përmes një statusi në llogarinë e saj në Facebook, ku shprehi respektin dhe mirënjohjen e saj të madhe për punën e palodhshme që bëhet në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Bashkangjitur gjeni statusin e plotë të Dumoshit.

‘Në ditën Botërore të Teatrit dëshiroj t’iu uroj këtë ditë të gjithë profesionistëve të kësaj fushe, dhe njëkohësisht t’iu shpreh mirënjohjen dhe respektin tonë për punën e palodhshme që bëjnë ata për kulturën e Kosovës.
Teatri përfaqëson vlera të larta nacionale dhe universale, prandaj jemi të përkushtuar për ta ndihmuar, të bindur se kështu e ndihmojmë avancimin e përgjithshëm kulturor të Kosovës.
Kosova është e nderuar që ka një traditë të pasur në fushën e teatrit dhe ne jemi të përkushtuar që këtë traditë ta ruajmë dhe ta zhvillojmë më shumë.
Po ashtu, në këtë ditë, dëshiroj të kujtoj me respekt të gjitha ata që kanë dhënë shumë ndër vite për teatrin shqiptar dhe që sot nuk janë më mesin tonë.
Veprat e tyre janë themele të rëndësishme në historinë e kulturës sonë.’ / KultPlus.com

Mesazh për Ditën Botërore të Teatrit: Teatri ka potencialin për t’u bërë një faltore dhe faltorja një hapësirë interpretimi

Teatri si Faltore

Në përfundim të një shfaqjeje të Teatrit Ajoka për poetin sufist Bulleh Shah, një plak, i shoqëruar nga një djalë i ri, erdhi tek aktori që luante rolin e sufistit të madh. “Nipi im nuk është mirë, ju lutem jepeni një bekim atij.” Aktori u mahnit dhe tha: “Unë nuk jam Bulleh Shah, unë jam thjesht një aktor që luaj këtë rol.” Plaku tha: “Bir, ti nuk je aktor, ti je rimishërimi i Bulleh Shahut, avatarit të tij.

Papritur na erdhi një koncept krejt i ri i teatrit, ku aktori bëhet rimishërimi i personazhit, që ai / ajo e portretizon. Eksplorimi i tregimeve të tilla si ai i Bulleh Shahut, dhe që ka aq shumë në të gjitha kulturat, mund të bëhet një urë lidhëse mes nesh, krijuesve të teatrit dhe një audiencetë panjohur, por entuziaste.

Ndërsa performojmë në skenë, ne nganjëherë largohemi nga filozofia jonë e teatrit, nga roli ynë si paralajmërues i ndryshimeve shoqërore dhe lëmë pas një pjesë të madhe të masave.

Në betejën tonë me sfidat e së tashmes, ne privojmë veten nga një përvoje lëvizëse thellësisht shpirtërore që teatri mund të ofrojë.

Në botën e sotme ku fanatizmi, urrejtja dhe dhuna janë në rritje dhe planeti ynë po zhytet thellë e më thellë në një katastrofë klimatike, duhet të rimbushim forcën tonë shpirtërore.

Duhet të luftojmë apatinë, letargjinë, pesimizmin, lakminë dhe mosrespektimin e botës në të cilën jetojmë, planetit ku jetojmë.

Teatri ka një rol, një rol fisnik, në dinamizimin dhe mobilizimin e njerëzimit për t’u ngritur nga rënia e tij në humnerë. Ai mund të lartësojë skenën, hapësirën e shfaqjes, në diçka të shenjtë.

Në Azinë e Jugut, artistët prekin me nderim dyshemenë e skenës para se të shkelin në të, një traditë e lashtë ku ndërthuren ana shpirtërore dhe kulturore. Është koha për të rimarrë atë marrëdhënie simbiotike midis artistit dhe audiencës, të kaluarës dhe të ardhmës.

Bërja e teatrit mund të jetë një veprim i shenjtë dhe aktorët me të vërtetë mund të bëhen avatarë të roleve që luajnë.

Teatri ka potencialin për tu bërë një faltore dhe faltorja një hapësire interpretimi./ Nga Shahid NADEEM, Pakistan, Përktheu: Elmaze Nura / KultPlus.com

Dita Botërore e Teatrit pa ndonjë aktivitet

Sot në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Teatrit. Për shkak të virusit COVID-19 në Kosovë nuk është paraparë ndonjë aktivitet për të shënuar këtë ditë.

Shënimi i Ditës botërore të teatrit ishte iniciuar në Kongresin e 9-të botëror të Institutit ndërkombëtar teatror – INT të UNESKO-s në qershor të vitit 1961, ndërsa që nga viti në vijim ai shënohet me datën 27 mars, datë kjo kur është hapur sezona e “Teatrit të kombeve” në Paris. Sot kjo shënohet në mënyra të ndryshme në pothuajse njëqind qendra të INT-së.

Instituti ndërkombëtar teatror INT është themeluar në vitin 1948 nga UNESKO-ja dhe është organizata më e rëndësishme joqeveritare në sferën e arteve interpretuese. INT insiston ta promovojë këmbimin ndërkombëtar të njohjeve, ta stimulojë krijimtarinë dhe ta rrisë bashkëpunimin ndërmjet njerëzve të teatrit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë me qëllim që të përforcohet paqja dhe miqësia mes popujve. / KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Teatrit

27 marsi njihet si Dita Botërore e Teatrit që nga viti 1962, pasi kjo ditë ishte iniciuar në Kongresin e 9-të botëror të Institutit Ndërkombëtar Teatror – INT të UNESCO-s në qershor të vitit 1961, me propozim të Finlandës.

Shënimi i kësaj dite bëhet nga rreth njëqind qendra të INT-së.

Instituti ndërkombëtar teatror INT është themeluar në vitin 1948 nga UNESCO-ja dhe është organizata më e rëndësishme joqeveritare në sferën e arteve interpretuese.

INT insiston ta promovojë këmbimin ndërkombëtar të njohjeve, ta stimulojë krijimtarinë dhe ta rrisë bashkëpunimin ndërmjet njerëzve të teatrit dhe mirëkuptimit të ndërsjellët me qëllim që të përforcohet paqja dhe miqësia mes popujve./ KultPlus.com