22 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.
Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.
Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ishin forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik, duke u gjetur ballë për ballë me trupat e Rusisë të cilët një ditë më parë ‘befasisht’ kishin marrë Aeroportin e Prishtinës me qëllimin e ndarjes së Kosovës.Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës.
Në vijim, KultPlus risjell disa fotografi të 12 qershorit të vitit 1999. Fotografi këto që shfaqin emocionet e mëdha të qytetarëve të Kosovës, në ditën e çlirimit të vendit.
Fotografitë: Profili i Kenneth Andresen. / KultPlus.com
22 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.
Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.
Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ishin forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik, duke u gjetur ballë për ballë me trupat e Rusisë të cilët një ditë më parë ‘befasisht’ kishin marrë Aeroportin e Prishtinës me qëllimin e ndarjes së Kosovës.Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës.
Në vijim, KultPlus risjell disa fotografi të 12 qershorit të vitit 1999. Fotografi këto që shfaqin emocionet e mëdha të qytetarëve të Kosovës, në ditën e çlirimit të vendit.
Fotografitë: Profili i Kenneth Andresen. / KultPlus.com
Në kujtim të të gjithë atyre që u flijuan në luftën çlirimtare dhe të Bedri Sadikut.
Të nesërmen e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës e cila i dha fund luftës në Kosovë, u nisa me autobusin e parë nga Struga në Shkup. Kisha kohë që nuk kisha ushtruar profesionin tim të gazetarit, pas një përvoje unike me korrespondentët e huaj nga Los Angeles Times, Radio CBS, San Franscico Chronicle etj. Mora në telefon kolegun e së përditshmes “Rilindja” Blerim Rekën i cili ma preu shkurt: Hajde se Bedriu dhe unë duam ta nxjerrim një numër të gazetës!
Edhepse e dija se ai e din mirë çka do të thotë të botosh gazetë të përditshme, e pyeta se a ishte i ndërgjegjshëm për atë që më tha, si ka mundësi që tre veta të botojnë një gazetë të përditshme. Eja ti në qarshinë e Bitpazarit e mandej e shohim, më tha Blerimi dhe ma këputi lidhjen telefonike. Blerim Rekën si shkupjan që ishte dhe Bedri Sadikun, preshevar i ngulitur në Shkup si korrespondent i “Rilindjes”, i gjeta në një lokal të vogël me papafingo, bashkë me heroin e paimponuar që rrinte në prapavijë Jonuz Zymberin, roli i të cilit do të vijë në shprehje më vonë gjatë procesit të shtypjes dhe distribuimit të gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Në atë lokal ishin vendosur ca kompjuterë ku shpresonim ta faqosim gazetën dhe ta shpërndajmë me 12 qershor në të gjitha kampet e refugjatëve dhe qytetet shqiptare të Maqedonisë.
Blerim Reka mori përsipër gjithë gazetën 12 faqëshe “Rilindja”, Bedri Sadiku si korrepondent me shpirt luftarak, gazetar që të conte morrnicat, mori për detyrë të hyjë në Kosovë me trupat e para të KFOR-it. Mua si gazetar i rubrikës së politikës së jashtme m’u nda detyra që të përgatisja tre faqe gazetë me jehonën që clirimi i Kosovës po bënte në mediet botërore. Ndërkohë që shkonim e vinim te zyrat e korrespondenturës në qendrën tregtare Qairqanja, ku Bedriu kishte zyrën e “Rilindjes”, kisha drojën e madhe se si do të dalë kjo gazetë nga ne tre gazetarë. I thashë Blerimit se e kam ndërmend ta shkruaj një editorial me titullin “Kosova Neoshqiptarizma për Shekullin e Ri”, për ëndrrën time të lirisë. Blerimi po bënte gati editorialin e tij që u botua në ballinë për normandizimin e Kosovës. Bedriu kishte bërë gati fotoaparatin dhe notesin e tij të gazetarit dhe e kishte detyrën më të vështirë. Fati po na buzëqeshte që në fund të informonim lirshëm dhe sipas ndërgjegjes sonë profesionale. Sa me fat, sa përgjegjësi, sa gëzim dhe sa ndjenja të përziera që kur një gjakim historik përmbushet duke u bërë realitet, fillon të shohësh rreth vetes me mosbesim se a është e vërtetë kjo që po ndodhte.
Të nesërmen me 11 qershor 1999 Bedriu ishte nisur heret për në Kosovë, ndërsa me Blerimin dhe shokun e tij të ngushtë Jonuzin, hapëm dyqanin ku do të faqosej “Rilindja” e lirisë. Secili nga ne kryenim punën tonë, me mendime te Bedriu. Lajmet për disa vrasje të qytetarëve të Prishtinës na goditën fort por nuk arritën të na ndalin frymën.
Dikur pasdite vonë Bedriu kthehet. Rrëfen për rrugëtimin e tij nga Shkupi deri në Prishtinë. Kur trupat e para të KFOR-it ishin ndalur për pak në rrugë afër Lipjanit, ai pa e dijtur kish hyrë në qendër të Prishtinës dhe te Hotel Grandi po merrte fotografitë e trupave ruse dhe soldateskës së harlisur serbe. Në atë tollovi ku të gjitha palët për arsyet e veta synonin të defilonin në shesh, Grandi ishte shndërruar në pikë nevralgjike. Një shkëndijë mund ta rindizte konfliktin e armatosur.
Bedriu erdhi si fryma e lirisë së plagosur dhe na rrëfente Prishtinën e rrëzbitur nga izolimi, lufta dhe frika. Duke pirë cigare, duke ndërruar fjalë, duke punuar shpejt, dikur pas mesnatës arritëm ta faqosim “Rilindjen” në 12 faqe.
Jonuz Zymberin e kisha parë tek sorollatej me saktësinë e një zvicerani nga detyra në detyrë në misionin e tij të përkrahjes së botimit, por nuk e kisha parë kurrë si i hapi sytë, qeshi me të madhe dhe e mori gazetën për ta dërguar heret nadje në një shtypshkronjë në Koqani. Të dërmuar nga dita më e ngarkuar emocionale në jetën tone, Blerimi dhe unë shkuam të bëjmë një sy gjumë. Puna e Jonuzit fillonte tekt tash. Kur u zgjuam dikur vonë në mëngjes dhe pasdite u takuam me Jonuzin e kthyer nga Ohri, ne u vetëdijësuam se cfarë pune kishim kryer. Në të gjitha kampet e refugjatëve nga Kosova dhe qytetet shqiptare në Maqedoni gazeta “Rilindja” ishte pritur si dallëndyshja e lirisë. Të gjithë ekzemplarët ishin shpërndarë gratis dhe gëzimi ishte aq i madh sa ishte larë me lotë. Kosova u çlirua dhe këtë akt e kishin shënuar tre gazetarë: Blerim Reka, Bedri Sadiku dhe Lulzim Mjeku. / KultPlus.com
22 vite pas përfundimit të luftës, Kosova për herë të parë me Muze të Dëshmorëve.
Në këtë muze do të ekspozohen dokumente dhe eksponente të dëshmorëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Vizitorët e këtij muzeu, nga sot, do të mund t’i shohin të grumbulluara në një vend dokumentet që e dëshmojnë gjenocidin e kriminelëve serbë në Kosovë, ku aktualisht janë duke u ekspozuar mbi 215 biografi individuale të dëshmorëve të rënë, hartat rajonale të operacioneve të UÇK-së, si dhe po ashtu filma dokumentarë kushtuar dëshmorëve.
Lajmi u bë i ditur nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili përmes nja statusi në rrjetin social Facebook, bëri të ditur për hapjen e Muzeut të Dëshmorëve.
”Ne edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të punojmë maksimalisht, me të gjithë institucionet e vendit, familjet e dëshmorëve dhe shoqatat e dala nga lufta, për ta pasuruar sa më shumë këtë muze me dokumente të tjera.
Serbia, gënjeshtrat e saja për Kosovën i përsëritë çdo ditë, ndërkaq Kosova, të vërtetat e saja për Serbinë, nuk po i përsëritë pothuajse fare. Në këtë drejtim, uroj që kjo muze përveçse të shërbejë për dokumentimin e krimeve të serbe, po ashtu le t’i shërbejë gjeneratave të reja për t’u njohur me historinë e lavdishme të UÇK-së dhe popullit shqiptar”, ka shkruar ndër të tjera Mytaher Haskuka në statusin e tij. / KultPlus.com
Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s dhe njëkohësisht nisi largimi i forcave serbe.
Ndërkaq, një ditë pas zbarkimit të NATO-s në Kosovë, gazeta ‘Rilindja’ publikon shkrimin për këtë ngjarje të madhe për mbarë popullin e Kosovës. / KultPlus.com
Sot kur Kosova shënon 21 vjetorin e çlirimit, që ndryshe njihet edhe si Dita e Lirisë, në oborrin e Kuvendit të Kosovës janë mbjellur 1.133 në përkujtim të fëmijëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.
‘Në kujtim të 1133 fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, luleve të bardha të Kosovës, që u këputën ende pa çelur mirë, me ëndrrën e fjetur mbi ballë, por që u shndërruan në lulen e lirisë së saj’, thuhet në mbishkrimin e pllakatës të vendosur pranë luleve të mbjellura në oborrin e Kuvendit të Kosovës. / KultPlus.com
Në një fjalim më 24 mars të vitit 1999, Clintoni tha se brutaliteti serb ndaj kosovarëve nuk po ndalej, transmeton KultPlus.
“Sot forcat tona iu bashkuan NATO-s kundër forcave serbe që janë përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë. Po veprojmë për t’i mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga ofensiva ushtarake, po veprojmë për ta parandaluar një luftë më të gjerë”, tha ai.
Ai shpjegoi për audiencë botërore se Serbia agresore ishte mospërfillëse edhe kur liderët kosovarë,gjatë kohës kur kosovarët po vriteshin, ishin pajtuar për paqe.
“Për vite me radhë kosovarët ishin munduar paqësisht që të rifitonin të drejtat e tyre…kur Millosheviqi i dërgoi trupat e tij që t’i shtypte, kjo përpjekje u bë e dhunshme. Ne propozuam një marrëveshje të paqes që liderët kosovarë e nënshkruan, megjithëse nuk i dha gjithçka që donin ndërsa serbët refuzuan edhe të diskutojnë. Kjo nuk ishte luftë në kuptimin tradicional, ishte sulm me tanke e artileri ndaj njerëzve që në masë të madhe ishin pa mbrojtje, liderët e të cilëve u pajtuan për paqe”, shton Clinton. KultPlus.com
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se si sot 21 vjet më parë u realizua ëndrra dhe përkushtimi i brezave të tërë që luftuan për liri.
Ajo ka propozuar që një ulëse në sallën e Kuvendit t’i kushtohet fëmijëve të vrarë gjatë luftës së fundit.
Duke kujtuar ardhjen e Ditës së Çlirimit, Osmani ka thënë se pas 78 ditë bombardimeve shpresa ngadhënjeu, Kosova e pa dritën e lirisë, dhe qytetarët morën frymë.
Ajo ka thënë se u dëshmua se në Kosovë liria e jashtme mund të vije vetëm nëse fitohet liria e brendshme
“Prandaj ne u çliruam sepse edhe e fituam lirinë e brendshme dhe këmbëngulëm në vlerat humanë kur fqinjët tanë i shkelen atë. Do t’i propozojë Kuvendit që njërën nga ulëset në qendër të sallës ta mbajmë të rezervuar si dedikim të fëmijëve të pafajshëm të këtij vendi të cilëve iu këput ëndrra për jetë”, ka thënë ajo
Osmani ka thënë se sot duhet unitet për paqe të qëndrueshme dhe mbrojtje të sovranitetit e territorit në Kosovë.
“Ne e njohim shumë mirë peshën e lirisë sepse e kemi përjetuar me shekuj të tërë mungesën e saj. Pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin e popujve në Ballkan. Historinë e kemi në krah. Kosova e ka numrin të madh të fëmijëve e grave të vrara. Në këtë ditë të lirisë, kemi një mesazh, siç ishim unik dikur si një akt sublim, sot të jemi unik në idenë për paqe të qëndrueshme duke mbrojtur sovranitetin e territorit tonë në çdo pëllëmbë”, ka thënë ajo. / KultPlus.com