Dita e Ditëve

Nga Ag Apolloni

Kjo është dita që e festojnë të gjithë shqiptarët; dita kur të gjithë jemi një.

Përtej pompozitetit patriotik, Shqipëria dhe Kosova nuk bëjnë asgjë për të treguar që janë një, ose bëjnë gjithçka për të treguar që janë një … gjë që kundërmon.

Dita e 28 nëntorit 2023, na gjen pa asnjë plan të përbashkët kombëtar.

Në planin politik, Shqipëria më mirë i ka punët me Serbinë sesa me Kosovën.

Në planin arsimor, Shqipëria dhe Kosova kanë mbetë në klasë të parë (mburren veç me abetaren, për të cilën, me të njofshëm, mund t’ua japim një notë kaluese). Ministria e Arsimit në Shqipëri nuk quhet rastësisht Ministri e Arsimit dhe e Sportit (i pëlqen të luajë topa me arsimin), kurse Ministria e Arsimit në Kosovë tashmë është kthyer në OJQ. Për akademitë mos të flasim. Ato po katandisen në nevojtore për të cilat s’kemi nevojë.

Në planin kulturor, Shqipëria, krahas javës kineze, organizon edhe javën kosovare (pra, vazhdojmë me “vëllezërit kinezë dhe fqinjtë kosovarë”). Edhe kjo Ministri luan topa me kulturën tonë, ngjashëm më Ministrinë e Kulturës dhe Sportit (kjo edhe nga emërtimi, e arsyeton lojën e saj) të Kosovës. (Parantezë: nuk ka gjë më të kundërt në botë sesa Kultura dhe Sporti. Besomëni që shumë më normale do të ishte Ministria e Shëndetësisë dhe Sportit, apo e cilësdo ministër tjetër. Vetëm Ministria e Kulturës, ashtu si edhe Ministria e Arsimit, nuk duhet të lidhet me sport).

Kultura, që do të duhej të na bashkonte, sot vetëm na ndan.

Libri që do të duhej të na bashkonte, na ndan, gjithashtu.

Nuk kemi një panair kombëtar, por kemi dy panaire shtetërore, që janë, në thelb, zhvatëse të botuesve, të cilët paguajnë shuma marramendëse (sidomos në Shqipëri), dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, ato panaire sponzorohen edhe nga Ministritë e Kulturës. Pra, çka bëjnë ministrat? Favorizojnë organizatorët (mashat e tyre) dhe ndëshkojnë botuesit.

Nuk kemi një Qendër Kombëtare të Librit, as Agjenci të Librit, por kemi Qendër Kombëtare të Librit dhe të Leximit (pra, libri nuk e nënkupton leximin!), që vepron vetëm brenda Shqipërisë (edhe pse kombi/kombëtarja nuk do të duhej të kufizoheshin me kufij shtetërorë). Kosova nuk ka fare Qendër të Librit. E, në vend që të bëhej një Qendër e Librit për të dy shtetet, tash do t’i duhet Kosovës t’i kundërpërgjigjet Shqipërisë, duke themeluar Qendrën e vet.

Çmimet letrare vazhdojnë të jenë shtetërore, klanore, kurrë kombëtare. Edhe një çmim që ishte kombëtar (për dramën shqipe), para gjashtë-shtatë vitesh Kosova e ktheu në çmim shtetëror.

Çmimi Poeti Laureat, që do të duhej të ishte kombëtar, jepet vetëm për shkrimtarët e Shqipërisë (madje herën e parë, ia dhanë “yllit të xhaxhit”, shokut Rudolf, që kishte shkruar vargun lapidar: “Me Enverin malet bëhen më të lartë”). Meqë unë nuk dyshoj në vlerësimet që bën Qendra e Librit, sot jam ulur dhe po e shijoj poezinë e bukur të poetit të parë laureat të Shqipërisë. Ja dy vargje të tij për të cilat e meritoi kurorën prej dafine:

Është dita e ditëve kjo ditë nëntori,

Dita kur linde ti Parti.

Urime, urime, shokë dhe shoqe! Nuk di a t’jua uroj ditën e Pavarësisë, apo të Partisë, por gjithsesi urime!

Jemi një. Një…, për besë./KultPlus.com