Në Ditën e Evropës përurohet murali i “Energjisë së Mirë”

Me rastin e Ditës së Evropës është bërë përurimi i muralit të “Energjisë së Mirë”.

Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njofton Klan Kosova.

Sipas Szunyog, Kosova dhe i gjithë rajoni e kanë vendin në Bashkimin Evropian.

Tutje, ai ka thënë se po e mbështesin Kosovën që t’i përmbush standardet e BE-së sa i përket energjisë së gjelbër.

“Jemi shumë të lumtur që se bashku me Qeverinë kemi finalizuar pakon e mbështetjes për energjinë. Por, jemi duke punuar edhe në projekte të tjera që ta ndihmojmë Kosovën në tranzicionin e gjelbër, që t’i arrijë qëllimet e ‘Green Deal’, por edhe që t’i përmbush standardet e BE-së”.

“Kosova dhe gjithë rajoni e kanë vendin në BE, prandaj kjo është e rëndësishme për ne. E shohim Kosovën, si dhe gjithë rajonin, si shtete të ardhshme të BE-së”.

Murali është pikturuar në murin anësor të ndërtesës së BE-së në Prishtinë. / KultPlus.com

Presidentja Osmani në Ditën e Evropës: Kosova është mishërim i vlerave evropiane



Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Ditën e Evropës.

Përmes një komunikate ajo është shprehur se Dita e Evropës është mundësi për të reflektuar mbi vlerat që na bashkojnë si popuj evropianë – liria, demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit.

Në vijim mesazhi i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën e Evropës:

Dita e Evropës është mundësi për të reflektuar mbi vlerat që na bashkojnë si popuj evropianë – liria, demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit. Këto parime themelore kanë qenë shtylla të rëndësishme të Bashkimit Evropian që nga formësimi i tij, e janë pikërisht këto vlera për të cilat Kosova dhe populli i saj ka luftuar historikisht dhe vazhdon t’i mbrojë edhe sot.

Në këtë kohë përcaktuese, Dita e Evropës shërben si një kujtesë e fuqishme për rëndësinë e solidaritetit, unitetit dhe mbrojtjes së njëri-tjetrit. Le ta shfrytëzojmë këtë moment për të reflektuar mbi të gjitha sukseset që kemi arritur deri tani dhe për ta rikonfirmuar vullnetin tonë të pashembullt për suksese të reja në rrugën drejt integrimit evropian.

Kosova dhe populli i saj kanë qenë, janë, dhe do të mbeten gjithnjë mishërim i këtyre vlerave. E gjersa afrohemi më shumë drejt Bashkimit Evropian, angazhimi ynë mbetet i palëkundur, sepse vendosmëria jonë për demokraci, paqe, të drejta të njeriut e sundim të ligjit, mbetet poashtu e palëkundur. / KultPlus.com

Dita e Evropës, 73 vite nga deklarata e Robert Shuman

Sot festohet Dita e Evropës, 73 vite nga deklarata e Robert Shuman ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme i Francës, i cili prezantoi idenë e tij për një forme të re të bashkëpunimit politik dhe që luftërat mes popujve të Evropës do t’i bënte të paimagjinueshme.

2023 është Viti Evropian i Aftësive, prandaj në Ditën e Evropës, Delegacioni i BE-së në Tiranë do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë të rinjve shqiptarë, të cilët falë mbështetjes së BE-së kanë zhvilluar aftësitë e tyre dhe zgjedhin të qëndrojnë në Shqipëri duke nisur biznese apo projekte të suksesshme.

Delegacioni i BE-së në Tiranë ka zgjedhur të festojë Ditën e Evropës në Qendrën e Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Dajtit së bashku me shtetet anëtare të BE-së, përfituesit e projekteve të BE-së, adhuruesit e natyrës dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ambasadorja e BE-së Christiane Hohmann është shprehur Krenare që: “shoh flamurin e Bashkimit Evropian në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, që simbolizon mbështetjen dhe përkushtimin tonë për të ardhmen Evropiane të Shqipërisë”.

Më 9 maj 1950 u bë lëvizja e parë drejt krijimit të asaj, që sot njihet me emrin Bashkimi Evropian. Atë ditë në Paris, ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi para gazetarëve nga e gjithë bota një deklaratë, që i bënte thirrje Francës, Gjermanisë, Belgjikës, Holandës dhe vendeve të tjera evropiane, të bashkonin prodhimin e qymyrit dhe çelikut si “themeli i parë konkret i një federate të ardhshme evropiane”.

Ai propozoi krijimin e një institucioni evropian mbikombëtar, i ngarkuar me administrimin e industrisë së qymyrit dhe çelikut, pikërisht sektori që në atë kohë ishte baza e gjithë fuqisë ushtarake. Për këtë arsye, gjatë Samitit të Milanos, në vitin 1985, udhëheqësit e BE-së vendosën ta festojnë 9 Majin si “Dita e Evropës”.

Aspirata e Shqipërisë për t’iu bashkuar Europës mori jetë që nga fillimi i viteve ’90, menjëherë pas shembjes së regjimit komunist. Për shqiptarët, ideja e ndryshimit u njësua me bashkimin në familjen e madhe evropiane. Rruga e vetme për t’u ndarë nga izolimin tragjik dhe prapambetjen e thellë ekonomike, u njësua me integrimin evropian, përmes ndërtimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut.

Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Bashkimin Evropian në vitin 1990, të dy palët nënshkruan Marrëveshjen për Tregtinë dhe Bashkëpunimin në vitin 1992, e cila konkretizoi për herë të parë përpjekjet shqiptare për afrim dhe ndihmë nga Bashkimi Evropian./ atsh / KultPlus.com