Në këtë Ditë të veçantë të Fëmijëve, të gjithë festojmë shpirtin, talentin dhe ngrohtësinë që ata sjellin në botën tonë. Fëmijët janë burimi i lumturisë dhe shpresës së së ardhmes sonë, dhe për t’u nxitur dhe frymëzuar, kemi mbledhur disa prej thesareve të diturisë nga shkrimtarë dhe filozofë të njohur botërorë. Këto thënie na mbushin me mendime pozitive dhe na inkurajojnë të ndërtojmë një botë më të mirë për fëmijët tanë.
“Fëmijëria është kohë e veçantë kur të gjitha gjërat janë të mundshme.” – G.K. Chesterton
“Fëmijëria është periudha më e bukur e jetës, sepse është koha kur çdo ditë është aventurë.” – Paulo Coelho
“Këmbëngulja është një nga cilësitë më të rëndësishme të fëmijëve. Ata tregojnë se si ta bëjmë botën një vend më të mirë.” – Nelson Mandela
“Fëmijët janë si lule të kopshtit; ata na japin shpresë dhe shkëlqim në jetë.” – Martin Luther King Jr.
“Shpirti i fëmijëve është si një rrufe e papërmbajtur, plot me dashuri dhe imagjinatë.” – Henry Ward Beecher
“Gjërat më të bukura dhe më të rëndësishme në botë nuk mund të shihen apo të preken, ato duhet të ndihen me zemër.” – Helen Keller
“Fëmijët janë si skulptorët; ata ndërtojnë botën e tyre nëpërmjet lojës dhe kreativitetit.” – Jean Piaget
“Fëmijëria është periudha kur mendja është më elastike dhe ndjenjat janë më të forta. Duhet t’u japim hapësirë për të ëndërruar, imagjinuar dhe eksploruar.” – Maria Montessori
“Fëmijët janë gurët e vlefshëm të ndërtimit të një shoqërie të qëndrueshme dhe paqësore në të ardhmen.” – Kofi Annan
“Fëmijët janë burimi i mendimit të pastër, i vullnetit të fortë dhe i shpresës së pafundme.” – Immanuel Kant
“Fëmijëria është momenti kur urojmë të rritemi sa më ngadalë dhe të mbajmë shpirtin tonë fëmijëror të gjallë.” – Gabriel Garcia Marquez
“Fëmijët janë shërbëtorët më të mëdhenj të të vërtetave të thjeshta.” – Rumi
“Fëmijët na mësojnë se si të vlerësojmë çdo moment dhe të shijojmë bukurinë e jetës.” – Ralph Waldo Emerson. / KultPlus.com
Dita e Fëmijëve shënohet më 1 qershor në mbarë botën, pasi në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925.
Në të njëjtën ditë, rastisi që konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetim kinezë të festonin në festivalin e “Anijes së Dragoit”.
Dy vjet më pas 1 qershori filloi të festohet në të gjithë botën.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, do të takohen me nxënës nga komuna të ndryshme të Kosovës
Po ashtu, edhe organizata të fëmijëve do të shënojnë këtë ditë në mënyra të ndryshme, ndërsa në Komunën e Rahovecit do të përurohen dy çerdhe./KultPlus.com
Akademia e fëmijëve “Loja” për nder të Ditës së Fëmijëve ka organizuar festën “Dita e Lojës”, një prej organizimeve më të dashura për fëmijët.
Kjo festë bëri bashkë fëmijët e prindërit për t’i dhënë një rrezatim ndryshe oborrit të shkollës. Ngjyrat kishin mbërthyer vendin dhe buzëqeshjet e fëmijëve ishin krejt çka përçohej nga kjo ditë.
Në raste të tilla, lumturia është e pashmangshme, përveç fëmijëve, prindërit po përjetonin emocione të forta, madje mund të shihje edhe lot gëzimi e krenarie në sytë e tyre.
Krejt këto ndjesi po i bënin pafund të lumtur edhe stafin e shkollës të cilët për shkak të pandemisë, dy vitet e kaluara nuk kishte mundësi të organizojnë këtë festë tradicionale të shkollës, dhe për këtë arsye organizimi i sivjetshëm ishte shumë i rëndësishëm për ta.
“Festa ‘Dita e Lojës’ organizohet për nder të Ditës së Fëmijëve dhe zakonisht integron një temë të caktuar që fëmijët e kanë prekur gjatë vitit akademik. Këtë vit tema ishte ‘Bota nënujore’. Pas shumë mësimeve rreth asaj teme, fëmijët marrin informata të shumta dhe zhvillojnë aktivitete edukative duke përfshirë të gjitha fushat e edukimit dhe zhvillimit të hershëm”, tha Tringa Jusufi, udhëheqëse e programit edukativ në akademinë “Loja”.
Kjo festë është e veçantë sepse përveç programit artistik, të përgatitur nga koreografja Rreze Qerreti, me grupmoshat 3-6 vjeç, gjatë kësaj ngjarjeje, nëpër kënde organizohen edhe shumë aktivitete kreative dhe argëtuese nga mësueset, për fëmijët dhe për prindërit pjesëmarrës në festë
“Duam të theksojmë se të gjithë fëmijët vishen me kostumet tematike, e këtë vit kishin mundësi të promovojnë jetën e gjallesave nënujore përmes kostumeve fantastike që kishin veshur për festë. Si gjithmonë, fëmijët janë shumë entuziastë dhe secila pjesë e festës është shumë argëtuese për ta”, tha tutje Tringa.
Përkundër që fëmijët jo gjithmonë kanë dëshirë të dalin në skenë për të performuar përballë turmës, pjesën e klubeve e adhurojnë të gjithë fëmijët. Ata kanë mundësi të krijojnë punë dore, punime artistike, të luajnë lojëra të organizuara për ta dhe së bashku me prindërit.
“Jemi të lumtura që përveç fëmijëve që u argëtuan në festë, kishim komente shumë të bukura dhe motivuese edhe nga prindërit dhe familjarët që morën pjesë. Besojmë se e kemi finalizuar këtë temë në mënyrën më spektakolare që ishte e mundur!”, tha Tringa.
Ndërsa, Yll Dushi, një nga prindërit prezentë në këtë festë, u shpreh se janë shumë të kënaqur me kopshtin “Loja”, pasi që si kushtet ashtu edhe mësueset janë fantastike.
“Ne kemi vizituar shumë çerdhe në Prishtinë dhe më në fund e kemi përzgjedhur “Lojën”, sepse kushtet edhe mësueset që i ka “Loja”, e sidomos mësueset janë fantastike dhe shumë profesionale si dhe kriteret e përzgjedhjes së mësueseve janë shumë të mira. Një prej arsyeve është edhe ushqimi që e ofron ky kopsht që ka shumë dallim nga çerdhet tjera.
Ndërsa sa i përket aktiviteteve që i organizon “Loja” janë shumë të mira. Çdo vit organizohen nga dy aktivitete një në qershor dhe një në dhjetor. Aktiviteti i fëmijëve dhe emocionet që u japin fëmijëve janë shume fantastike, ata mezi e presin dhe është nja përmbushje për ata për një punë shumë të madhe që e bëjnë dhe ju shpërblehet me paraqitje në skenë”, tha Yll Dushi. / KultPlus.com
Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Qeveria e Kosovës ka themeluar Komisionin Ministror për hartimin e projektit “Memoriali i fëmijëve të vrarë gjatë luftës 1998-99 në Kosovë”.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se këtë komision do ta drejtojë vetë ai dhe se kjo çështje do të trajtohet me ndjeshmëri.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve përkujtojmë fëmijët që u vranë dhe u masakruan gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në këtë ditë propozoj të themelohet Komisioni Ministror me qëllim të hartimit dhe përgatitjes së projektit “Memoriali i fëmijëve të vrarë gjatë luftës 1998-99 në Kosovë””, tha Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë.
Anëtarë të këtij komisioni janë ministrja e Drejtësisë, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Ky komision do të drejtohet nga unë, do të trajtojë këtë nismë me seriozitetin dhe ndjeshmërinë që e meriton, është detyrë e secilit prej nesh”, tha Kurti. / KultPlus.com
Cineplexx organizon event për 1 Qershor, ku ka përgatitur një program të përzgjedhur të filmave të animuar dhe çmim special të biletës prej vetëm 2€.
1 Qershori apo Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve do të festohet edhe në Cineplexx në të dy kinematë, Prishtine dhe Prizren ku eventi fillon nga ora 12:00. Përveç çmimeve speciale, gjithashtu do të ketë aktivitete për fëmijë si face painting, maskota dhe dhurata mundësuar nga Kosmonte Foods.
Sonic the Hedgehog 2
Pasi që u vendos në Green Hills, Sonic do që të tregojë se e ka atë që duhet për të qenë një hero i vërtetë. Prova e tij vjen kur Dr. Robotnik kthehet me një partner të ri, Knuckles, të cilët po kërkojnë një emerald mistik që ka fuqinë të shkatërrojë qytetërimin. Sonic bashkohet me ndihmësin e tij, Tails, dhe së bashku ata nisin një udhëtim global për të gjetur emeraldin përpara se të bjerë në duart e gabuara.
Pas një jete grabitjesh legjendare, kriminelët famëkeq Z. Ujku, Z. Gjarpër, Z. Piranha, Z. Pershkaqen dhe Znj. Tarantula më në fund janë kapur. Për të shmangur një dënim me burg, jashtëligjorët e kafshëve duhet të largojnë mashtrimin e tyre më sfidues deri më tani, duke u bërë qytetarë model. Nën mbikëqyrjen e Profesor Marmalade, banda e dyshimtë niset të mashtrojë botën se ata po bëhen mirë.
Turning Red, nga Pixar dhe Disney flet për Mei Lee një vajzë 13-vjeçare e cila është e ndarë mes të qenit vajza e bindur e nënës së saj dhe njëkohësisht duke u përballuar me kaosin e rinisë së saj. Si të mos mjaftonte kjo, kur ajo emocionohet shumë, shndërrohet në një panda të kuqe gjigande.
Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx, ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 15:00.
Me rastin e 1 qershorit, e konsideruar si dita më e rëndësishme për fëmijët, Asambleja Komunale e Fëmijëve të Prishtinës organizuan një mbledhje solemne pikërisht në këtë ditë ku përveç që ata shpalosën talentin e tyre në piano, ata parashtruan dhe diskutuan probleme dhe tema të ndryshme me Drejtorinë e Kulturës, Drejtorinë për Sport, Drejtorinë e Arsimit, Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Drejtorinë e Parqeve dhe Drejtorinë e Administratës, shkruan KultPlus.
Asambleja Komunale është konsideruar organi më i lartë i udhëhequr nga fëmijët që ka për qëllim përmirësimin e situatave të ndryshme në të cilën gjenden fëmijët e Prishtinës duke përfshirë këtu: ekspozimin ndaj dhunës në familje, kushtet jo të mira ekonomike, fëmijët që bullizohen pa përkrahje familjare e shumë të tjera.
Kjo ngjarje nisi me fjalimin nga kryetarja e Asamblesë Komunale të fëmijëve të Prishtinës, Era Hysa, e cila foli rreth aktivitete të cilat ata kanë realizuar dhe temat që ata kanë prekur gjatë diskutimeve.
“Asambleja jonë pavarësisht kohës, ka arritur ti mbaj disa takime rreth dy trajnimeve ku trajnimi i parë ka përfshirë shëndetin seksual dhe riprodhues dhe trajnimi i dytë rreth trafikimit me qeniet njerëzore. Po ashtu, janë organizuar disa takime tjera me organizata të ndryshme ku është folur rreth mundësive të ndryshme të bashkëpunimit, takimet me ftesë nga Asambleja Komunale e Fëmijëve në Pejë ku kemi paraqitur punën tonë të deritanishme dhe planet e ardhshme”, thotë Hysa.
Ndërsa, i pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha, i cili foli rreth rëndësisë së fëmijëve dhe të ardhmes së tyre.
“Fëmijët duhet të mësohen se si të mendojnë dhe jo çka të mendojnë. Është njëra prej thënieve më të rëndësishme sa i përket fëmijëve dhe edukimit. Si Drejtori ne mendojmë që fokusi ynë kryesor duhet të jetë pikërisht në edukimin e gjeneratave të reja që të kemi një zhvillim të jashtëzakonshëm apo atë çka e dëshirojmë si vend dhe shtet” thotë Berisha.
Sipas tij, secili fëmijë do të ketë sfida e vështirësi të ndryshme por një gjë duhet të dihet se i gjithë fokusi duhet të jetë tek fëmijët. Andaj edhe Komuna e Prishtinës në përgjithësi mundohet që fokusin ta ketë në të ardhmen në mënyrë që ajo të jetë sa më e mirë.
“Ne gjithmonë e festojmë ditën e fëmijëve por realisht dita e fëmijëve duhet të jetë çdo ditë”, përfundon Berisha.
Po ashtu, Drejtoresha e Parqeve, Fatime Hajdari, foli rreth rëndësisë së mbjelljes së drunjëve, luleve dhe hapësirave të gjelbërta dhe publike në qytetin e Prishtinës
“Aktivitetet tona përfshijnë shumë fëmijë për arsye se fëmijët janë kryesisht ata që i shfrytëzojnë këto hapësira. Po ashtu, në kuadër të Drejtorisë së Parqeve janë edhe këndet e fëmijëve për të cilat kujdesemi në rast se dëmtohen apo shkatërrohen”, thotë Hajdari.
Sipas saj, është një fatkeqësi që në qytet këto kënde të lojërave apo hapësirat e gjelbëra, degradohen pa qëllim e me rast edhe me qëllim, por e rëndësishme është që mesazhi të përcjellet që të jesh një njeri i mirë, i sjellshëm dhe i kujdesshëm është gjithmonë në modë dhe jo e kundërta.
Pas këtyre fjalimeve, Asambleja Komunale e Fëmijëve të Prishtinës pati rastin që të parashtrojë kërkesa, shqetësime dhe çdo gjë tjetër që ata mendojnë se është dashur të diskutohet.
Pyetjet, kërkesat dhe shqetësimet e tyre të parashtruara ishin rreth këtyre temave: mungesën e psikologëve, mbajtjen e semi maturës dhe ekskursionit, mungesën e fëmijëve gjatë ditëve mësimore në shkolla, ekzistenca dhe mungesa e uniformave në shkolla të ndryshme, mungesa e mjeteve dixhitale në shkolla, mungesa e mjeteve bazike në disa shkolla për zhvillimin e orës mësimore, mungesa e kushteve të nevojshme për kabinetet e lëndëve të ndryshme në shkolla, mungesa e zhvillimit të transportit publik të shpejtë dhe të dobishëm, ndërmarrjet e ndryshme në lidhje me ndotjen e ajrit, kyçja e personave me aftësi të kufizuara në ambientet e shkollës dhe sallave të sportit, përfshirja e aktiviteteve dhe programeve të ndryshme vetëdijësuese për fëmijët, zbatimi i mësimit gjithëpërfshirës, rritja e sigurisë në shkolla dhe masat e ndryshme të ndërmarra si dhe shfrytëzimi i nxënësve me talente në rrjedhën kulturore.
Ndaj këtyre pyetjeve të llojllojshme, të pranishëm për tu përgjigjur ishin përfaqësuesit dhe përgjegjësit e institucioneve si: Drejtoria e Kulturës, Drejtoria e Arsimit, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Drejtoria e Administratës, Drejtoria e Sportit dhe Drejtoria e Parqeve, të cilët u përkujdesën rreth brengave dhe shqetësimeve të tyre në kuadër të kulturës, rinisë, edukimit dhe sportit.
Kështu, krejt në fund u ndanë mirënjohje nga drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Adrian Berisha për secilin fëmijë të pranishëm nga Asambleja Komunale e Fëmijëve të Prishtinës. Kurse, është bërë e ditur se do të organizohet një ceremoni në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ për të shfrytëzuar hapësirën për dy gjeneratat që kanë humbur mundësinë për të përjetuar mbrëmjen e maturës dhe njëkohësisht që fëmijët ti japin ‘lamtumirën e fundit’ njëri-tjetrit. Po ashtu, është bërë e ditur se këtë vit është menduar planifikimi për ndarjen e 15 bursave për talentet sportive të Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com
Premiera e katër filmave të metrazhit të shkurtër do të shfaqet me rastin e Ditës së Fëmijëve, me ç’rast do të trajtohet tema rreth ngacmimeve dhe konflikteve brenda institucioneve edukativo-arsimore në Kosovë, shkruan KultPlus.
Filmat si: ‘Ciklik’ nën regjinë Doki Qerimi me skenar të Pashtrik Brahaj dhe Florent Kurtalani, ‘Zyra nr.2’ nën regjinë e Elhami Gjeli me skenar të Brikena Sopi, ‘WC’ nën regjinë e Loreta Berbatovci me skenar nga Pashtrik Brahaj, ‘Pasqyrë’ nën regjinë e Ermal Duli me skenar të Brikena Sopi, nesër do të shfaqen në Kino Armata duke filluar nga 20:00.
Në ekipën artistike përfshihen: Anisa Ismaili, Arben Bajgora, Avdullah Gjikokaj, Besart Zeneli, Eli Gashi, Lirie Bytyqi, Vesa Potera, Yzeir Meha, Sindi Sadrija, Shkëlqesa Salihu, Gëzim Hasani, Agron Demolli dhe Dijart Dyla, Olti Kaçiu, Art Berisha, Ervin Aliu, Donat Kaçiu, Ledri Kaçiu, Lendita Humolli, Rrezona Hajvazi, Donarta Uka, Erzë Uka, Adelina Makolli, Edona Osmani, Shkëlqim Hyseni, Amir Qamili, Ermir Qamili dhe Enes Duli.
Kjo ngjrarje organizohet me mbështetjen e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë dhe në koordinim me aktivitetet e Komunës së Prishtinës dedikuar Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve. / KultPlus.com
Sot, më 1 qershor, në kuadër të ditës së pestë të festivalit të leximit “Prishtina Lexon” do të shënohet Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve me aktivitete edukative dhe argëtuese.
Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti dhe drejtori i DKRS-së Yll Rugova do të hapin këndet e leximit në Sheshin “Zahir Pajaziti” (ora 11:00) duke lexuar një përrallë së bashku me fëmijët pjesëmarrës.
Dita do të vazhdojë me shpalljen e lexuesit të vitit, regjistrime falas në bibliotekën “Hivzi Sulejmani”, Autobusin e leximit dhe program artistik. Aktiviteti përmbyllës i ditës do të jetë mbrëmja artistike ku do të interpretohen poezi në formatin Slam Poetry.
Për detajet e aktiviteteve ju lutem shihni agjendën poshtë:
9:00-12:30 Aktivitete të edukimit joformal për nxënësit e klasave 6-9 // Vendi: Shkolla Fillore “Hilmi Rakovica” // Organizuar nga TOKA
10:00-16:00 Regjistrimi falas në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” // Vendet: Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, Dega “Përrallat”, Dega “Lektyra”, Dega “Përkujtimore”
11:00-16:00 Autobusi i leximit // Nisja çdo orë nga Sheshi “Zahir Pajaziti” // Organizuar nga SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë & ETEA
11:00-16:00 Këndet e leximit // Vendi: Sheshi “Zahir Pajaziti” // Organizuar nga Komuna e Prishtinës & Qendra Kulturore e Fëmijëve
11:00-16:00 Sill një libër – merr një tjetër // Vendi: Sheshi “Zahir Pajaziti” // Organizuar nga ETEA & Termokiss
11:00-13:00 Diskutim interaktiv mbi të drejtat e fëmijëve // Vendi: Sheshi “Zahir Pajaziti” // Organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve
13:00-16:00 Program astistik // Vendi: Sheshi “Zahir Pajaziti” // Organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve, Xixëllonjat, Evolution Dance & Biblioteka “Hivzi Sulejmani”
13:00-15:00 Aktivitete të edukimit joformal për nxënësit e klasave 6-9 // Vendi: Biblioteka “Përkujtimore” në Taukbashçe // Organizuar nga Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, SHFMU “Gjergj Fishta” dhe Termokiss
11:00-16:00 Shfaqja “Kësulkuqja” // Vendi: Tri shkolla fillore në fshatra // Organizuar nga KYC, Qendra Balkan Sunfloëers
19:00-22:00 Slam Poetry (Recitim emocional me muzikë) // Vendi: Lapidariumi i Muzeut Kombëtar // Organizuar nga Termokiss