Gruaja përmes portretit dhe tingujve muzikor, erdhi në mbrëmjen e katërt të FemArt (FOTO)

Gili Hoxhaj

FemArt për katër ditë me radhë ka mbushur kryeqytetin me aktivitete artistike e diskutime që mëtojnë vetëdijesimin për të drejta të përbashkëta gjinore. Mes shumë aktiviteteve mbrëmë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u hap ekspozita me punimet e artistes Laureta Vinca Mulliqi, e cila u pasua edhe me një koncert nga sopranoja Kaltrina Miftari e përcjellë në piano nga Njomza Kastrati dhe në flaut Gentiana Ahmeti.

Në hollin në Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, kishin zënë vend 15 punimet e artistes Laureta Vinca të cilat përmes ngjyrave të ndryshme i kishin dhënë jetë figuracioneve në punimet e saj. Në mesin e punimeve të saj, binin fort në sy portretet që ngërthenin ngjyra të errëta të cilat i jepnin jetë shikimit e pozicioneve në të cilat ato qëndronin. Në çdo portret të saj ajo paraqet një grua më shumë që përmes shikimit e pozicionit të saj, flet për historinë e gruas në shoqëri. “Brusha ime ose e jotja në çdo lëvizje është gruaja”.

Para se të hapet ekspozita, fjalën e mori Avokati i Popullit, Hilmi Jashari i cili u uroi mirë se ardhje të pranishmëve. Ai tha se Institucioni i Avokati i Popullit është mekanizëm ligjor për mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut dhe është si mekanizëm për mbështetje të trajtimi të barabartë dhe pa diskriminim.

“Për gjashtë vite me radhë ArtPolis dhe FemArt mundëson bashkimin e shumë artistëve nga Kosova, rajoni dhe bota që përmes artit të promovohen të drejtat e njeriut”, u shpreh Jashari.

Laureta Vinca- Mulliqi tha se pothuajse një pjesë të çdo dite ia kushton pikturimit. Ajo pohoi se kjo ekspozitë nuk dallon shumë për nga stili me ekspozitat e saj të kaluara por për nga kompozicioni. Pesëmbëdhjetë punime që ishin vendosur në formë të rrumbullakët e qëndronin me pak hapësirë nga njëra tjetra, kishin një mesazh. Autorja Vinca- Mulliqi thotë se përmes tyre ka dashur të shpreh emocionet e dhimbjes nga padrejtësitë që i bëhen gruas në Kosovë.

“Tash në vitin 2018-të po merrem më shumë me portrete dhe nga pozita ime si grua më duket se mund ta shpreh veten më shumë, ta përjetoj edhe dhimbjen edhe kënaqësinë. Vështirësitë e shumta që po i shohim në barazi gjinore, ato shprehen kudo dhe unë me ngjyra mundohem ta shpalos që gruaja qëndron e tillë, ashtu siç ka qëndruar me shekuj”, tregoi Vinca- Mulliqi.

Ajo tutje tha se emocionet e saj mundohet t’i shpalosë në punimet e saj duke i lënë hapësirë çdo gruaje që të gjejë emocionet e veta.

“Unë, ti dhe ajo jemi fenomenale… dhe megjithatë ngrihemi si feniksi”, me këtë fjali artistja Vinca Mulliqi bashkon të gjitha gratë në forcën e përbashkët.

Vizitorët shijuan ekspozitën mes interpretimit të veprave të Lehar, Puccini, Kurti, Dubussy, Tchaikovocky, Mendelson, Kuhlau. Me zërin e sopranos Kaltrina Miftari, lojës pianistike të Njomza Kastratit dhe flautistes Gentiana Ahmeti./ KultPlus.com