Sot pas gjashtë muajve nxënësit Kosovarë janë kthyer në bankat e shkollës. Dita e parë e shkollës ka filluar ndryshe nga vitet tjera, nxënësit krahas librave, këtë herë ishin pajisur edhe me maska.
Udhëheqësit shtetërorë por edhe prindër të ndryshëm gjatë ditës së sotme kanë postuar fotografi e shkrime duke uruar për një vit sa më të mbarë dhe suksese për fëmijët.
Mirëpo krahas urimeve, ka pasur edhe shkrime në të cilat është shprehur pakënaqësia kundrejt sistemit të arsimit të krijuar për këto njëzet vite në vendin tonë.
Aktivisti Rron Gjinovci në rrjetin social Facebook ka shkruar se do të donte që t’i uronte nxënësit në ditën e parë të shkollës, por sipas tij ai nuk mundet sepse ata po ju dorëzohen analfabetëve funksionalë, për t’i nxjerrë nxënësit po ashtu si analfabetë funksional.
Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:
Do të doja t’ju uroja, për ditën e parë në shkollë, por nuk mundem, kur e di se sot tragjikisht ju dërgojnë për t’ju dorëzu te analfabetët funksionalë (shumicës së tyne, me përjashtime gjithsesi), ashtu që mbas 15 vitesh t’ju nxjerrin nga shkollat po ashtu si analfabetë funksionalë, të paktën 76% të juve, që nuk do të dini të lexoni.
Do të doja t’ju uroj, por nuk mundem, kur e di se më kreativët nga ju do t’i shkatërrojnë e do t’ua zhdukin pasionin, e do t’ju kthejnë në bilbila përsëritës të bajatshëm. Të paktën 76% të juve.
Do të roja t’ju uroj, por nuk mundem se nuk kam bërë sa duhet për ta ndryshu këtë realitet tragjik.
Do të doja… por nuk po mundem./KultPlus.com