Dita e Verës erdhi hareshëm sot në kryeqytet dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) nuk ngurroi t’i bashkohej festës.
Në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Promovimit të Qytetit, bashkia Tiranë, DPA-ja ka prezantuar një ekspozitë fotografike, e cila shpalos pamje nga festimet e zhvilluara në Tiranë me rastin e Ditës së Verës dhe të festave të ndryshme.
Në shesh, në pikëtakimin e organizimeve të shumta për këtë ditë festive, dashamirës të artit dhe të kulturës, si edhe qytetarë të shumtë, patën mundësinë të vrojtonin imazhe nga kryeqyteti, nga aktivitete shoqërore (mbjellje fidanësh), nga zhvillimi i karnavale të vitit 1922, nga festime të ndryshme me veshje tradicionale, si edhe nga lojërat e mbajtura.
Mes të pranishmëve, gjendej edhe muzikanti Rik Buneci, i biri i një prej protagonistëve të fotove të përzgjedhura, Stavri Bunecit.
Ky aktivitet vjen në kuadër të angazhimit të pandërprerë të DPA-së në promovimin e pasurisë dokumentare dhe fotografike të kombit. /atsh / KultPlus.com