Ndali dritat në Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur

Për të shënuar Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur, më 27 prill në ora 20:30, ftohen të gjithë qytetarë/et e Kosovës t’i ndalin dritat nëpër shtëpitë apo banesat e tyre për 5 minuta.

Duke kaluar 5 minuta në errësirë do të mund të bashkëndjejmë sado pak me dhimbjen dhe terrin në të cilin ndodhen familjarët e 1,621 personave të pagjetur tash e 23 vite. Ndalja e dritave, tashmë është shndërruar në traditë, me anë të së cilit çdo vit, në të njëjtën ditë, në të njëjtën kohë, bashkë do t’i kujtojmë personat e pagjetur.

Edhe pas më shumë se dy dekadash familjarët e personave të pagjetur kërkojnë zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre ndërsa presin në ankth për të vërtetën dhe nuk ndalën së besuari që të vendoset drejtësi për krimet që janë bërë ndaj familjarëve të tyre.

“Edhe sot e kësaj dite, jemi dëshmitarë të dështimit institucional kundrejt çështjes së personave të pagjetur. E drejta për të ditur të vërtetën është një ndër parimet themelore të ballafaqimit me të kaluarën, andaj ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të adresojë me seriozitet çështjen e personave të pagjetur në përputhje me rregullat e së drejtës ndërkombëtare humanitare. Kërkesa kryesore ka qenë dhe mbetet zbardhja e fatit të personave të pagjetur”, thuhet në komunikatë.

Nga YIHR KS shprehen se do të vazhdojnë të kërkojnë përgjegjësi ligjore dhe morale nga Qeveria e Kosovës për të zgjedhur çështjen e personave të pagjetur dhe nga shoqëria kosovare përgjegjësi kolektive të vazhdojë t’i kujtojë personat e pagjetur, sepse ata/o janë pjesë e shoqërisë tonë dhe pjesë e pashmangshme e ballafaqimit me të kaluarën dhe ndërtimit të paqes.

Ky aksion organizohet nga Youth Initiative for Human Rights Kosovo, Missing Persons Resource Center, forumZFD – Kosovo Program, Integra, Humanitarian Law Center

#nëterrinetëpagjeturve. / KultPlus.com

‘Kur do të pushoj ma kjo kangë’

“Jericho” është një rok grup i formuar nga disa të rinj shqiptarë nga Kosova, në maj të vitit 1997 në Prishtinë. Ky grup njihet per muzikën dhe tekstet e tyre mjaft të veçanta, shkruan KultPlus.

Muzika e tyre është përzierje e muzikës rok, alternative, elektronike dhe muzikës tradicionale shqiptare e cila është karakteristikë e regjionit te Kosovës dhe Shqipërisë veriore. Përveç instrumenteve standarde të rokut, ata përdorin edhe instrumente orientale të cilat bëjnë pjesë në muzikën tradicionale shqiptare, siç është tupani, kavalli dhe zurna.

Tekstet e këngëve në përgjithësi janë të shkruara në dialektin gegë, i cili flitet në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipërinë veriore, ku, shpesh përdoret edhe në poemat epike shqiptare. Të gjitha këngët e grupit trajtojnë tema sociale, me theks të veçantë për problemet që populli shqiptar i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë me qeverisjen e vendit.

Grupi “Jericho” njihet për shumë këngë si: ”Zgjohu”, ”Tomlin e nonës”, ”Kur do t’pushojë kjo kangë”, ”Albanian Rhapsody” e shumë të tjera.

Sot po e risjellim këngën e tyre me titull “Kur do t’pushoj kjo kangë” me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur në Prishtinë.

Kur do të pushoj ma kjo kangë
Mërzinë kjo bukuri dot nuk e thanë

2x
Sytë mu kan ronu
Zemër rri me mu

Në vena gjaku i djallit po më lëviz
Duart i hap e muret po i grithë

2x
Sytë mu kane ronu
Zemër ri me mu
/ KultPlus.com

Dita Kombëtare e Personave të Pagjetur do të shënohet me aksion rrugor

Për të shënuar Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur, YIHR KS do të organizojë një aksion rrugor në Sheshin “Skënderbeu” më datë 27 prill, duke filluar nga ora 12:00, përcjellë KultPlus.

Ky aksion rrugor do realizohet së bashku me qytetarët dhe aktivistë duke rikujtuar në mënyrë simbolike numrin e 1620 personave të pagjetur që ende na mungojnë.

“Institucionet e Kosovës janë përgjegjëse për përpjekjet e mangëta dhe sipërfaqësore ndaj çështjeve të ballafaqimit me të kaluarën e sidomos ndaj zbardhjes së fatit dhe vendodhjes së personave të pagjetur. 22 vite pas, ne ende jemi shumë larg paqes së qëndrueshme pasi e vërteta dhe drejtësia për të gjitha viktimat e të mbijetuarit/at e luftës së fundit në Kosovë nuk është vendosur në vend. Duke u përfshirë secili/a nga ne në këtë aksion rrugor do solidarizohemi me familjarët/et e personave të pagjetur që ende ju mohohet e drejta e vërtetës dhe drejtësisë”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com