Shfaqet ekspozita për xhubletën, veshja më e vjetër shqiptare

Xhubleta nuk është thjesht një veshje, ajo është rit, kulturë shekullore, traditë.

Të vishje një xhubletë nuk ishte thjeshtë një rutinë e përditshme dhe për këtë ‘TI Center’ realizoi instalacionin “Riti i veshjes së xhubletës” e cila u ekspozua dje, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

Xhubleta është një fund në trajtë këmbane, që vjen i valëzuar sidomos në pjesën e mbrapa. Përbëhet nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, qepur horizontalisht dhe të ndërthurur me breza gajtanësh. Mbahet e varur në supe me dy rripa të gjerë.

Në shek. XVIII, xhubleta përbëhej nga shumë ngjyra, por ato që na kanë mbërritur në ditët e sotme janë: të zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat. Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë: kraholinë, xhoka, kërdhokla, paraniku, kallmat e shputat, etj.

Xhubleta është me prejardhje të lashtë. Paraqet ngjashmëri me veshjen e disa figurinave neolitike të gjetura në Bosnje, por edhe në vise të tjera të Mesdheut, që i përkasin mijëvjeçarit te dytë para erës sonë dhe lidhen me qytetërimet e vjetra mesdhetare.

Xhubleta e Malësisë është trashëgimi e qartë e prejardhjes ilire të kulturës tone, që malësorët e përcollën deri në vitet 1950-1960, pra përbën një nga elementët identifikues të veshjes popullore shqiptare, nëpërmjet motiveve, ku emblema për të gjitha është shqiponja.

Ekspozita e instalacionit “Riti i veshjes së xhubletës” është një projekt i TI CENTER dhe është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe Muzeu Historik Kombëtar.

Të pranishëm në aktivitet ishin ministrja e Kulturës Elva Margariti, ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi dhe personalitete dhe dashamirës të artit, kulturës dhe gazetarisë. / atsh / KultPlus.com

Trashëgimia kulturore, atraksion më i çmuar që Shqipëria ofron për turistët

29 shtatori është Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, kjo është festa më e re që populli shqiptar feston, si dita kur të gjithë kujtojnë sakrificat e brezave në ruajtje të gjuhës dhe kulturës sonë.

Në kuadër të kësaj dite, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi është shprehur se ”në vitin 2018 numri i vizitorëve të trashëgimisë kulturore në 8 muaj u rrit me 59% më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”.

”Ky trend në rritje krahasuar edhe me vitet e mëparshme, dëshmon se turizmi kulturor është një zë i rëndësishëm dhe një atraksion i çmuar që Shqipëria ofron për turistët e huaj”, shprehet ministri Klosi.

Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore…

Në themel të kësaj dite qëndron akti patriotik dhe atdhetar i ushtarakëve Kamber Bënja, Bexhet Manastirliu dhe Abaz Taushani, të cilët ndaluan plaçkitjen dhe vjedhjen e objekteve arkeologjike të parkut të Apollonisë në vitin 1916 gjatë luftës së I-rë botërore dhe së dyti se zhvillohet paralelisht, në fund të muajit shtator me aktivitetin “Ditën e Trashëgimisë Kulturore”, një aktivitet qe kulmon me fushatën e Këshillit të Evropës “Europa, një trashëgimi e përbashkët”.

Festimet për herë të parë të datës 29 Shtator, si Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore janë bërë në vitin 2003, në rang kombëtar, ku përfshinë një seri aktivitetesh multikulturore.

Në vitin e dytë të festimeve, në vitin 2004, më 29 shtator krahas festimeve të këtij përvjetori, u hap edhe Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës me 29 shtator- 5 tetor.

Kjo festë po shndërrohet në një tribunë të ballafaqimit të vlerave të identitetit tonë kulturor kombëtar si dhe në një moment reflektimi dhe konvergimi idesh dhe projektesh në mbështetje të memories dhe trashëgimisë sonë të përbashkët europiane./A.T.SH/KultPlus.com