“Gruaja, shpirti i thesareve tona etnografike”, mbahet aktiviteti për Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore

Institucioni i Presidentit të Republikës zhvilloi këtë vit aktivitetin “Gruaja, shpirti i thesareve tona etnografike”, kushtuar veshjes popullore shqiptare.

Ky aktivitet u organizua nën kujdesin e Zonjës së Parë të Republikës, Armanda Begaj, me synim promovimin e veshjeve popullore shqiptare, nderimin dhe ruajtjen e trashëgimisë etnografike.

Pjesëmarrës ishin zonja me kontribut në jetën kulturore shqiptare, ambasadorë dhe bashkëshortet e ambasadorëve që shërbejnë në vendin tonë, si edhe personalitete nga fusha të ndryshme të artit.

Veshjet tradicionale nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, nga Kosova, si edhe veshjet arbëreshe, shfaqën larminë dhe origjinalitetin e tyre bashkë me elementë me vlera kulturore dhe artistike.

Ato erdhën në këtë aktivitet si dëshmi e zhvillimit të hershëm të zejtarisë artistike, dijebërjes, endjes dhe qëndismave, duke pasqyruar historinë tonë ndër shekuj.

“Ne shqiptarët kemi trashëguar ndër shekuj e breza një pasuri të madhe të veshjeve popullore të punuara mjeshtërisht nga gra e vajza. Këto veshje përgjatë proceseve të ndryshme të zhvillimit historik, social e kulturor, krijuan dhe fizionominë tonë,” u shpreh Armanda Begaj gjatë fjalës përshëndetëse në këtë aktivitet.

Zonja e Parë vlerësoi në veçanti gratë që marrin përsipër riprodhimin e veshjeve popullore, duke ruajtur me fanatizëm origjinalitetin e tyre, ndërsa theksoi se gjithsecili jep kontribut në ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore.

“Ne sot ndoshta nuk endim më sa dikur, nuk qëndisim e nuk përcjellim vajzën me pajën tradicionale të të parëve tanë, por kemi mundësi që kulturën materiale dhe shpirtërore, etnografinë shqiptare ta ruajmë me fanatizëm, ta pasurojmë, ta përhapim dhe ta trashëgojmë në brezat e ardhshëm. Le ta përdorim historinë tonë të lashtë dhe të pasur për të qenë krenar në çdo kohë për qenien tonë, krenar për kombin shqiptar,” u shpreh Begaj.

Pasi ndoqën sfilatën e veshjeve popullore të shoqëruara nga vallet e krahinave përkatëse, të pranishmit ndanë mbresat, opinionet dhe eksperiencat e tyre në lidhje me etnografinë, ruajtjen dhe trashëgiminë kulturore shqiptare./atsh/KultPlus.com

Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, hyrja falas në këto site

Ministria e Kulturës me Urdhërin Nr. 348, dt. 28.07.2003, ka shpallur sot Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

Në qendër të kësaj dite, qëndron përkushtimi dhe sakrifica e të gjithë atyre që kanë kontribuar në formimin dhe studimin e kësaj trashëgimie, e po aq edhe vepra dhe jeta e atyre që janë sakrifikuar drejtpërsëdrejti për të.

Në shpalljen e kësaj Dite Kombëtare si të Trashëgimisë Kulturore ka ndikuar edhe akti sublim i ushtarakut shqiptar Kamber Bënja, i cili në vitin 1916 mbrojti pasuritë e Apollonisë nga vjedhja.

Kamber Bënja ishte një veprimtar i lëvizjes atdhetare, i cili lindi në Bënjë të Këlcyrës. Mësimet e para i mori në Përmet dhe i vijoi në Korçë, Janinë e Selanik. Me Shpalljen e Pavarësisë u vu në shërbim të Qeverisë Kombëtare të Vlorës si oficer i karrierës.

Kamber Bënja mori komandën e batalionit shqiptar duke iu kundërvënë me vendosmëri pushtuesve austro-hungarezë që kërkonin të grabisnin pasuritë kulturore të vendit dhe të dërgonin në Vjenë skulptura antike të gjetura gjatë gërmimeve.

Për këtë arsye, Kamber Bënja bashkë me dy oficerë të tjerë, Bexhet Manastirliun dhe Abaz Taushanin, iu dhanë gjyqit ushtarak që e dënoi me vdekje për “tradhti të lartë”. Major Kamber Bënja, është shpallur Dëshmor i Atdheut.

Festimi i kësaj dite parashikon edhe detyrimin e të gjitha institucioneve kulturore dhe ato të trashëgimisë, të organizojnë aktivitete të ndryshme kulturore.

Në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë, sot të gjitha DRTK-të kanë njoftuar se muzeumet, parqet arkeologjike, e objekte të tjera të trashëgimisë kulturore do të mund të vizitohen pa pagesë./ atsh / KultPlus.com