Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës së bashku me organizatat partnere, (QPDG, Medica Kosva dhe Medica Gjakova) dhe Vasfije Krasniqi-Goodman, vitin e kaluar kanë mbajtur një takim me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu ku edhe propozuan që data 14 prill të shënohet si Dita Kombëtare e Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë.
Në shënim të 14 Prillit, dita e njohjes së sakrificës dhe vuajtjes së viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, me qëllim avansimin e procesit të njohjes ligjore të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës dhe realizimin e të drejtave të mbijetuarve, organizatat e Platformës Bëhu Zëri Im udhëhequr nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës sot do të takohen me: presidenten e Republikës së Kosovës – Vjosa Osmani, kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Kosovës – Albin Kurtin, Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës – Glauk Konjufca, dhe Bordin e Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës.
Gjatë këtyre takimeve do të adresohen kërkesat e mëposhtme: Të njihet ligjërisht 14 Prilli si ditë zyrtare memoriale për Viktimat e Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë;
Emërtimi i Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë Luftës të ndryshohet në Komisioni për Njohje të Statusit të Personave të dhunuar gjatë luftës;
Afati brenda të cilit viktimat mund të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre, të mos kufizohet në 5 vjet, por të jetë e drejtë e përhershme e garantuar me ligj;
T’u mundësohet viktimave të cilave u është njohur statusi “viktimë e dhunës seksuale” të gëzojnë të drejtën në pension personal që nga data e aplikimit për njohje të statusit.
“Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës” t’u njihen të gjitha të drejtat dhe benificionet sikurse kategorive të tjera të përcaktuara me ligjin nr. 04/L-054 në mënyrë që të gëzojnë edhe të drejtën të përfitojnë shërbime shëndetësore pa pagesë;
Të ndryshohet përbërja e Komisionit duke i shtuar peshë dhe rëndësi aspekteve psikosociale të procesit të njohjes së statusit;
Të aplikohet qasje e theksuar sensitive në procesin e shqyrtimit të rasteve për njohje të statusit së viktimës seksuale gjatë luftës duke marrë parasysh të gjitha specifikat e këtij grupi të ndjeshëm si dhe stigmën që i rrethon;
Gjatë shqyrtimit të ankesave të sigurohet dy-shkallshmëria në rastet e ankimimit të vendimeve të Komisionit Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë Luftës;
Afati kohor i shqyrtimit të kërkesave për njohje të statusit prej momentit të paraqitjes së kërkesës për njohje deri te vendimi i Komisionit të mos jetë më i gjatë se 6 muaj;
Të sigurohet mekanizëm i pavarur monitorues i punës së Komisionit dhe shqyrtimit të rasteve me qëllim rritjes së efikasitetit dhe llogaridhënies të punës së Komisionit dhe realizimit të drejtave të viktimave që aplikojnë për njohje të statusit;
Viktimat të cilave u është njohur statusi “viktimë e dhunës seksuale”, të pajisen me kartelë të viktimës civile të cilat me asnjë të dhënë nuk guxojnë të identifikojë kategorinë e përfituesit, por do t’u mundësojë viktimave të gëzojnë të drejtat dhe benificionet e caktuara me ligj.
Platforma Bëhu Zëri Im është themeluar më 16 Prill 2021, nga katër organizatat e autorizuara për të mbështetur të mbijetuarit në procesin e aplikimit për njohjen ligjore të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës: Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës; Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave; Medica Gjakova dhe Medica Kosova.
Platforma Bëhu Zëri Im përfaqëson interesin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë në proceset dhe çështjet që ndërlidhen me drejtësinë tranzicionale, statusin, të drejtat dhe fuqizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë dhe në nivel ndërkombëtar. / KultPlus.com